Biblioteka
Hyrje te Letra e Palit drejtuar Galatasve


Hyrje te Letra e Palit drejtuar Galatasve

Përse të studiohet ky libër?

Letra e Palit drejtuar Galatasve u shkrua për të krishterët judeas, të cilët po largoheshin nga Zoti duke u mbështetur edhe njëherë në veprat e ligjit të Moisiut. Apostulli Pal u përpoq ta ndreqte këtë problem duke theksuar ndryshimin ndërmjet “zgjedhës” së rëndë të ligjit të Moisiut, e cila çoi në robëri shpirtërore dhe ungjillit të Jezu Krishtit, i cili çon në liri shpirtërore. Studimi i kësaj letre mund t’i ndihmojë studentët ta vlerësojnë më mirë lirinë e dhënë nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit.

Kush e shkroi këtë libër?

Apostulli Pal e shkroi Galatasve (shih Galatasve 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Pali ka gjasa ta ketë shkruar Letrën e tij drejtuar Galatasve ndërkohë që udhëtonte përmes Maqedonisë gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar, rreth viteve 55–57 ps.K. (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

“Ka pak mëdyshje lidhur me faktin se cilave kisha iu shkrua kjo letër. Ato mund të ishin qoftë në Galatinë veriore, distrikti i së cilës ishte Ankira, qyteti kryesor ose në distriktin, në kufijtë e Frigjisë dhe Galatisë, që u vizitua nga Pali gjatë udhëtimit të tij të parë misionar. Në të dyja rastet kishat galatase u vizituan pa dyshim nga Pali gjatë udhëtimit të tij të dytë (Veprat e Apostujve 16:6) dhe të tretë (Veprat e Apostujve 18:23)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 100, “Letra të Palit: Galatas(ve), Letër drejtuar”, f. 54).

Pali u shkroi shenjtorëve në Galati ngaqë ishte thellësisht i shqetësuar se ata po largoheshin nga Zoti duke ndjekur mësimet e disa njerëzve që u përpoqën ta “shtrembëro[nin] ungjillin” (shih Galatasve 1:6–7). Të krishterët judeas po u mësonin të krishterëve johebrenj doktrinën e rreme se ata duhej të rrethpriteshin dhe t’i zbatonin kërkesat rituale të ligjit të Moisiut me qëllim që të shpëtoheshin (shih Galatasve 6:12; shih edhe Veprat e Apostujve 15:1). Disa shenjtorë galatas i kishin përqafuar mësimet e këtyre njerëzve (shih Galatasve 4:10).

Qëllimet kryesore të Palit se përse e shkroi këtë letër përfshinin:

  1. Mbrojtjen e vetes së tij kundër akuzave të mësuesve të rremë që e kundërshtonin atë.

  2. Dhënien mësim se të gjithë njerëzit, qoftë judeas apo johebrenj, shpëtohen nga Shlyerja e Jezu Krishtit, duke e vendosur besimin e tyre në Jezu Krisht në vend që të mbështeteshin te veprat e ligjit të Moisiut.

  3. Qartësimin e rolit të ligjit të Moisiut në planin e Perëndisë.

  4. Dallimin midis besëlidhjes së vjetër që Perëndia bëri nëpërmjet Moisiut dhe besëlidhjes së re në Krisht.

  5. Thirrjen e shenjtorëve që të jetonin sipas Frymës.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Libri i Galatasve spikat si letra më e fortë e Palit, në të cilën ai dha një qortim therës si për anëtarët e Kishës që po largoheshin [nga Zoti] edhe për mësuesit e rremë që po i drejtonin ata gabim. Galatasve përmban paraqitjen më të hershme të shkruar nga Pali për doktrinën e shfajësimit – ne nuk shfajësohemi me anë të veprave të ligjit të Moisiut por me anë të besimit në Jezu Krisht. Letra krahason “veprat e mishit” me “fryt[in e] … Frymës” (shih Galatasve 5:16–25).

Përmbledhje

Galatasve 1–2 Pali u shkruan shenjtorëve galatas për shkak se ata ishin larguar nga Zoti dhe kishin përqafuar mësime të rreme. Ai e mbron thirrjen e tij si një Apostull duke e treguar sërish kundërshtimin e tij të hershëm ndaj Kishës dhe kthimin e tij në besim. Ai thekson se mori zbulesë drejtpërsëdrejti nga Perëndia dhe sqaron se shërbesa e tij ndaj johebrenjve ishte miratuar nga Apostujt. Ai shpall se dikur nuk ra dakord me Pjetrin lidhur me shenjtorët johebrenj. Ai jep mësim se njerëzit nuk shfajësohen me anë të veprave të ligjit të Moisiut por me anë të besimit në Jezu Krisht.

Galatasve 3–4 Pali mbron mesazhin e ungjillit. Ai jep mësim se Abrahami ishte shembull i një personi që ishte i shfajësuar me anë të besimit dhe jo me anë të veprave të ligjit të Moisiut. Nëpërmjet Shlyerjes, Jezu Krishti, e shëlbeu njerëzimin nga mallkimi i ligjit. Qëllimi i ligjit të Moisiut ishte që të jetë “mësuesi … për te Krishti”. Nëpërmjet besimit dhe pagëzimit, shenjtorët marrin bekimet e Shlyerjes, hyjnë në besëlidhjen e pagëzimit, bëhen trashëgimtarë të Perëndisë nëpërmjet Krishtit dhe nuk janë më shërbëtorë por fëmijë të Perëndisë.

Galatasve 5–6 Pali u bën thirrje shenjtorëve që të qëndrojnë të palëkundur në besëlidhjen e ungjillit të ofruar nga Krishti. Pali e krahason jetën e një personi që është përfshirë në “veprat e mishit” me dikë që gëzon “fryti[n e] … Frymës”. Ai jep mësim se shenjtorët duhet të mbajnë barrët e njëri-tjetrit dhe të mos lodhen së bëri mirë. Ne korrim atë që mbjellim.

Shtyp në Letër