Mësimi 36
Marku 4–5
Hyrje
Në brigjet e detit të Galilesë, Jezusi i mësoi dishepujt e Tij duke përdorur shëmbëlltyra. Ndërsa ishte në det, Shpëtimtari fashiti një furtunë. Jezusi e tregoi epërsinë e Tij mbi demonët duke i dëbuar ata nga një burrë. Ndërsa po shërbente në Kapernaum, Ai shëroi një grua me fluks gjaku dhe ngriti nga të vdekurit të bijën e Jairit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Marku 4
Jezusi përdor shëmbëlltyra për të dhënë mësim rreth mbretërisë së Perëndisë dhe pastaj fashit një furtunë
Ftojini studentët të marrin në shqyrtim furtunën më të keqe që i ka kapur. Kërkojuni disa studentëve që t’i përshkruajnë shkurtimisht përvojat e tyre.
-
Në ç’mënyrë janë sfidat e jetës si një furtunë?
Shkruajini në tabelë fjalët vijuese (duke lënë hapësirë nën secilën fjalë): Fizike, Shpirtërore, Mendore, Shoqërore. Bëni pyetjen vijuese ashtu siç zbatohet për secilën fjalë në tabelë:
-
Cilët janë disa shembuj të furtunave fizike (ose shpirtërore, mendore, apo shoqërore) që përjetojnë të rinjtë? (Renditini përgjigjet e studentëve nën fjalën që përputhet në tabelë.)
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 4–5, të kërkojnë parime që mund t’i ndihmojnë kur i përjetojnë furtunat e jetës.
Përmblidheni Markun 4:1–34, duke shpjeguar se ndërsa ishte në brigjet e detit të Galilesë, Shpëtimtari i mësoi një turme disa shëmbëlltyra.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 4:35–38. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar sfidën që përjetuan dishepujt ndërsa po kalonin detin e Galilesë.
-
Çfarë problemi doli ndërsa Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij po kalonin detin e Galilesë?
Shpjegoni se deti i Galilesë është 213 metra nën nivelin e detit dhe nga të treja anët rrethohet me male. Me raste, erëra të ftohta e të thata vijnë nga malet dhe përplasen me ajrin e ngrohtë e të lagësht të detit të Galilesë, duke krijuar furtuna të papritura e të forta – ndonjëherë në çështje minutash – me dallgë të mëdha në këtë masë deri diku të vogël uji.
-
Çfarë ndikimi pati furtuna te barka?
-
Nëse do të ishit në një barkë me këto kushte, çfarë mendimesh dhe ndjenjash mund të kishit pasur?
-
Kujt i kërkuan ndihmë dishepujt gjatë kësaj kohe të frikshme? Çfarë i kërkuan Shpëtimtarit?
-
Në çfarë mënyrash mund të tundohemi për të reaguar ashtu siç bënë dishepujt e Jezusit gjatë furtunave të vetë jetës sonë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 4:39. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari lutjes së dishepujve për ndihmë. Kërkojuni atyre të raportojnë për atë që gjejnë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat “Pusho dhe fashitu” dhe “qetësi e madhe” (vargu 39).
-
Nëse e kërkojmë ndihmën e Zotit në kohë shqetësimi apo frike, çfarë mund të bëjë Ai për ne? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse e kërkojmë ndihmën e Zotit në kohë shqetësimi apo frike, Ai mund të na sjellë paqe.)
-
Në çfarë mënyrash mund ta kërkojmë ndihmën e Zotit në kohë shqetësimi apo frike? (Ne mund t’i lutemi Atit Qiellor në emrin e Jezu Krishtit. Lutjet tona mund të mos marrin përgjigje në mënyrat që i presim ne. Megjithatë, ne do të bekohemi me paqe ndërsa e kërkojmë ndihmën e Zotit.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 4:40–41. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që bënë dishepujt për Jezusin.
-
Nëse ju do të kishit qenë me dishepujt, si mund t’i ishit përgjigjur pyetjes së tyre në vargun 41?
-
Në ç’mënyrë të kuptuarit se “vallë, kush është” (vargu 41) Jezusi, e forcon besimin tonë dhe na bën që ta kërkojmë ndihmën e Tij në kohë shqetësimi apo frike?
Nëse është e mundur, ftojini studentët të lexojnë fjalët e himnit “M’sues, Furtuna po Shtohet” (Himnet, nr. 55). Theksoni se Jezu Krishti ka fuqinë për të qetësuar jo vetëm furtunat fizike, por edhe furtunat vetjake brenda zemrës sonë.
Ftojini disa studentë që të tregojnë rreth një rasti kur ata e kërkuan paqen e Zotit gjatë një furtune të jetës, dhe Ai i lehtësoi frikërat e tyre dhe i ngushëlloi ata.
Merrni parasysh t’i ftoni studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mund të bëjnë për të kërkuar ndihmën e Zotit gjatë sfidave të tyre.
Marku 5:1–20
Jezusi shëron një burrë duke i dëbuar demonët prej tij
Përmblidheni Markun 5:1–18, duke shpjeguar se Jezusi shëroi një njeri plot me frymëra të “ndyr[a]” ose të liga. Pasi këto frymëra të ndyra u dëbuan nga burri, ato hynë te një tufë derrash, e cila u hodh poshtë me vrull nga shkëmbi në det. Pastaj burri kërkoi të hipte në barkën ku ishte Jezusi.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 5:19–20. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari e udhëzoi këtë burrë të bënte.
-
Çfarë e udhëzoi Shpëtimtari këtë burrë të bënte?
-
Si iu përgjigj burri?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga kjo histori rreth asaj që mund të bëjmë kur e përjetojmë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne e përjetojmë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë, ne mund t’u dëshmojmë të tjerëve për bekimet dhe dhembshurinë e Tij.)
Ftojini studentët të marrin parasysh mënyrat se si mund t’i ndihmojnë të tjerët, duke dëshmuar për bekimet dhe dhembshurinë e Shpëtimtarit.
Marku 5:21–43
Jezusi shëron një grua me fluks gjaku dhe ngre nga të vdekurit të bijën e Jairit
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues të treguar nga Plaku Shejn M. Bouen, i Të Shtatëdhjetëve:
“Më 4 shkurt 1990, u lind djali ynë i tretë apo fëmija i gjashtë. E quajtëm Tajson. …
Kur qe tetë muajsh, Tajsoni kapërdiu një copë shkumës që e kishte gjetur mbi tapet. Shkumësi ngeci në fytin e Tajsonit dhe ai ndaloi së marri frymë. Vëllai i tij më i madh e solli Tajsonin sipër, duke thirrur si i marrë: ‘Bebja nuk merr frymë. Bebja nuk merr frymë’. Ne filluam t’i aplikonim ringjalljen zemër-mushkëri dhe telefonuam 911-ën [urgjencën].
Personeli i ndihmës së shpejtë erdhi dhe e çoi Tajsonin me ngut në spital. Në dhomën e pritjes ne vijuam me lutje të zjarrta teksa i përgjëroheshim Perëndisë për një mrekulli. Pas një periudhe që u duk e gjatë sa një jetë, doktoresha hyri në dhomë dhe tha: ‘Më vjen shumë keq. Nuk mund të bëjmë më asgjë. Merrni gjithë kohën që ju nevojitet’. Pastaj ajo u largua” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 16).
-
Nëse Tajsoni do të kishte qenë vëllai juaj, çfarë do të kishit menduar ose bërë në atë çast?
-
Në ç’mënyrë një përvojë si kjo e sprovon besimin e dikujt?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 5:21–24. Ftojini studentët ta ndjekin atë, duke kërkuar mënyrën se si një nga krerët i quajtur Jair, u përball me një sfidë të ngjashme që mund ta ketë sprovuar besimin e tij.
-
Përse Jairi e kërkoi ndihmën e Shpëtimtarit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 5:25–26, dhe vëreni klasën të kërkojë se kush tjetër kishte nevojë për ndihmën e Shpëtimtarit.
Shpjegoni që megjithëse rrëfimet e Dhiatës së Re nuk e përcaktojnë natyrën e “fluks[it të] gjaku[t]” të gruas (vargu 25), ne e dimë se kjo ishte personalisht shqetësuese për të. Për më tepër, nën ligjin e Moisiut, dikush me një fluks gjaku konsiderohej sipas zakonit se ishte i papastër (shih Levitiku 15:19–33). Ka gjasa që kjo të nënkuptonte se kjo grua ishte dëbuar dhe përjashtuar gjatë 12 viteve të lëngatës së saj. Dëshpërimi që ndiente ajo rreth situatës së saj është e qartë nga fakti se ajo kishte “shpenzuar gjithë pasurinë e vet” (Marku 5:26) duke kërkuar një kurë nga mjekët.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 5:27–34. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar se çfarë bëri kjo grua për të marrë ndihmën e Shpëtimtarit.
-
Çfarë bëri kjo grua që tregoi besimin e saj te Jezu Krishti? (Ju mund të shpjegoni se fraza “u fut në turmë dhe pas shpinës” [vargu 27], i referohet përpjekjes së saj për të çarë përmes turmës së njerëzve që e rrethonin Shpëtimtarin.)
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj që duhet të bëjmë nëse dëshirojmë të shërohemi? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e tregojmë besimin tonë në Jezu Krisht nëpërmjet përpjekjeve tona për të ardhur tek Ai, Ai mund të na shërojë.)
Vini në dukje se shërimi nga çdo dobësi nëpërmjet besimit në Jezu Krisht, varet jo vetëm nga përpjekjet tona për të ardhur tek Ai, por edhe nga koha dhe vullneti i Perëndisë.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Markun 5:35, duke kërkuar mesazhin që iu soll Jairit kur Shpëtimtari ndaloi për ta ndihmuar këtë grua.
-
Çfarë lajmi mori Jairi?
-
Nëse do të kishit qenë në vend të Jairit, çfarë mendimesh apo ndjenjash mund të kishit pasur në atë çast?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Markun 5:36 dhe ftojeni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari i tha Jairit.
-
Çfarë tha Shpëtimtari se mund ta ketë mbështetur besimin e Jairit?
Për të theksuar atë që mësojmë rreth besimit nga kjo histori, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Ushtrimi i besimit në Jezu Krisht na kërkon që të vazhdojmë të besojmë në Të madje edhe në kohë paqartësie.
-
Në çfarë mënyrash mund ta zbatojmë këtë parim në jetën tonë?
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 5:37–43. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar atë që i ndodhi të bijës së Jairit.
-
Çfarë mrekullie kreu Shpëtimtari?
Ju mund të doni të dëshmoni për fuqinë e Shpëtimtarit për të na bekuar e shëruar. Vini në dukje se ndonjëherë Shpëtimtari i qetëson furtunat në jetën tonë duke na e hequr vështirësinë apo frikën që ne përjetojmë. Në raste të tjera, Ai mund të mos e largojë sprovën tonë, siç ilustrohet në rrëfimin e Plakut Bouen për vdekjen e djalit të tij. Megjithatë, kur ne ushtrojmë besim në Jezu Krisht, Ai do të na japë paqe gjatë sfidave tona.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si ne mund ta ruajmë besimin pavarësisht nga rezultati i furtunave tona vetjake, lexoni dëshminë vijuese të Plakut Bouen. Ftojini studentët të dëgjojnë për mënyrën se si ai qe në gjendje ta ruante besimin edhe pasi djali i tij vdiq.
“Teksa ndjeva të më gërryenin faji, zemërimi dhe keqardhja për veten, u luta që zemra ime të mund të ndryshonte. Nëpërmjet përvojave shumë të shenjta vetjake, Zoti më dha një zemër të re dhe megjithëse ndihesha ende i vetmuar dhe plot dhimbje, e gjithë perspektiva ime ndryshoi. M’u dha njohuria që nuk më kishin vjedhur, por përkundrazi një bekim i madh më priste nëse do të tregoja besnikëri. …
Dëshmoj se … ‘kur mbështetemi në Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ai mund të na ndihmojë t’i durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit’ [Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 52]” (“Sepse Unë Jetoj”, f. 17).
-
Ashtu si Jairi, kur e keni ruajtur besimin juve apo dikush që ju njihni te Jezu Krishti gjatë një kohe pasigurish? Çfarë bekimesh vijnë si rrjedhojë?
Merrni parasysh t’i ftoni studentët të dëshmojnë për të vërtetat e dhëna mësim në këtë orë mësimore.