Biblioteka
Mësimi 137: Hebrenjve 7–10


Mësimi 137

Hebrenjve 7–10

Hyrje

Pali dha mësim se Jezu Krishti është Ndërmjetësi i një “besëlidhje[je] të re” (Hebrenjve 8:8). Ai shpjegoi se flijimi i Krishtit ka epërsi ndaj flijimeve të ligjit të Moisiut dhe se ordinancat e ligjit të Moisiut kishin për qëllim t’i drejtonin njerëzit te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Hebrenjve 7–8

Pali dha mësim se Jezu Krishti është Ndërmjetësi i besëlidhjes së re

Duke përdorur një elektrik dore, krijoni në tabelë hijen e një sendi të vogël (të tillë si çelësa apo gërshërë). Pyetini studentët nëse mund ta përcaktojnë sendin duke parë vetëm hijen e tij [/shenjën që le]. Vini në dukje se ne shpesh mund ta gjejmë sendin duke parë hijen e tij.

Pamja
Jezusi Lutet në Gjetsemani

Paraqiteni figurën Jezusi Lutet në Gjetsemani (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 56; shih edhe LDS.org). Shpjegoni që Dhiata e Vjetër shënon ceremoni dhe ordinanca që funksiononin si simbole dhe shenja, ose që simbolizonin dhe paralajmëronin për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij.

  • Cilët janë disa shembuj të shënuar në Dhiatën e Vjetër të simboleve dhe shenjave të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij?

Shpjegoni se çdo aspekt i ligjit të Moisiut kishte për qëllim të funksiononte si një simbol apo shenjë që i drejtonte izraelitët te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes (shih 2 Nefi 11:4; Jakobi [LiM] 4:4–5). Pali shpjegoi mënyrën se si disa pjesë të ligjit e bënin këtë. Ai donte t’i ndihmonte shenjtorët judeas të qëndronin besnikë ndaj Jezu Krishtit, në vend që të ktheheshin te ndjekja e ligjit të Moisiut.

Përmblidheni Hebrenjve 7:1–22 duke shpjeguar se Pali citoi një profeci të Dhiatës së Vjetër rreth ardhjes së një prifti “sipas urdhërit të Melkisedekut” (Psalmeve 110:4; shih edhe Hebrenjve 7:1). Ai dha mësim se Jezu Krishti e përmbushi këtë profeci. Melkizedeku ishte një mbret i drejtë dhe prifti i lartë që kryesonte mbi Abrahamin (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:25–40 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]; Alma 13:14–19; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Melkizedek”). Pali e përdori Melkizedekun si një simbol dhe shenjë të Jezu Krishtit. Ai dha mësim se Jezu Krishti dhe priftëria e Tij ishin të nevojshme ngaqë Priftëria Levitike, së bashku me ligjin e Moisiut që ajo administronte, nuk mund t’i përsosnin fëmijët e Perëndisë (shih Hebrenjve 7:11). Ju mund të doni të shpjegoni se Priftëria Levitike i referohet autoritetit të Priftërisë Aarone që mbahej nga anëtarët e fisit të Levit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Priftëri Aarone”).

Pamja
Moisiu i Jep Priftërinë Aaronit

Paraqiteni figurën Moisiu i Jep Priftërinë Aaronit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 15; shih edhe LDS.org) së bashku me figurën Jezusi Lutet në Gjetsemani. Shpjegoni që siç shënohet te Hebrenjve 7, Pali i krahasoi priftërinjtë levitë me Jezu Krishtin. Ju mund të doni të shpjegoni se një rol i një prifti levit ishte të vepronte si ndërmjetës, duke qëndruar në mënyrë simbolike midis njerëzve dhe Perëndisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis tyre.

Shkruani në tabelë Hebrenjve 7:23–28. Ndajini studentët në dyshe dhe ftojeni secilën dyshe që t’i lexojnë këto vargje së bashku e me zë të lartë. Ftojini ata të lexojnë edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 7:25–26. Ky shkrim i shenjtë gjendet tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ftojeni një student nga secila dyshe të kërkojë fraza të cilat përshkruajnë priftërinjtë levitë, dhe kërkojini studentit tjetër në dyshe të kërkojë fraza që përshkruajnë Jezu Krishtin. Shpjegoni se fjala ata te Hebrenjve 7:22, u referohet priftërinjve.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të cilët kërkuan frazat që i përshkruajnë priftërinjtë, të raportojnë atë që gjetën. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë nën figurën e Moisiut dhe të Aaronit. (Përgjigjet e tyre mund të përfshijnë sa vijon: priftërinjtë duhej të zëvendësoheshin nga priftërinj të tjerë kur ata vdisnin [shih Hebrenjve 7:23]; ata ofronin flijime të përditshme për mëkatet e tyre dhe për mëkatet e popullit [shih Hebrenjve 7:27]; dhe priftërinjtë kishin dobësi [shih Hebrenjve 7:28].)

Ftojini studentët të cilët kërkuan frazat që e përshkruajnë Jezu Krishtin të raportojnë atë që gjetën. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë nën figurën e Jezu Krishtit. (Përgjigjet e tyre duhet të përfshijnë thënie të ngjashme me sa vijon: Jezu Krishti dhe priftëria e Tij janë të “patjetërsueshme”, ose të përjetshme [Hebrenjve 7:24]; Ai mund t’i shpëtojë ata që “me anë të tij i afrohen Perëndisë” [Hebrenjve 7:25]; Ai jeton që të “ndërmjetësojë për [ne]” [Hebrenjve 7:25]; Ai ishte i pamëkatë dhe si rrjedhojë, “nuk ka nevojë të ofrojë flijim për mëkatet e veta” [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Hebrenjve 7:26 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)]; Ai duhej të bënte vetëm një flijim, i cili ishte “për mëkatet e njerëzve” [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Hebrenjve 7:26]; dhe Ai është i “përkryer në jetë të jetës” [Hebrenjve 7:28].)

Shpjegoni se fraza “gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25), do të thotë se misioni i Shpëtimtarit është të ndërhyjë në emrin tonë që të na ndihmojë të kthehemi te Perëndia.

  • Si do t’i shpjegonit dallimet midis Jezu Krishtit dhe priftërinjve levitë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 8:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se për çfarë ishin shuguruar apo thirrur të bënin të gjithë priftërinjtë e lartë, përfshirë Jezu Krishti.

  • Për çfarë ishin shuguruan priftërinjtë e lartë të bënin?

Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 8:4 thotë: “Prandaj ndërsa ishte mbi dhé, ai e ofroi si flijim vetë jetën e tij për mëkatet e njerëzve. Tani çdo prift që është nën ligj, duhet të ofrojë dhurata, apo flijime sipas ligjit”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar flijimin që ofroi Jezu Krishti.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky varg rreth asaj që Jezu Krishti bëri për ne? (Duke përdorur fjalët e veta, studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti ofroi vetë jetën e Tij si një flijim për mëkatet tona.)

  • Cilat fraza të renditura në tabelë na ndihmojnë të kuptojmë arsyen përse Jezu Krishti qe në gjendje ta ofronte vetë jetën e Tij si një flijim për mëkatet tona?

Ftojini studentët të përsiatin se çfarë domethënie ka për ta flijimi shlyes i Jezu Krishtit. Kërkojuni atyre që të plotësojnë një prej thënieve vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  1. Jam mirënjohës për Shpëtimtarin tim, sepse …

  2. E di që Shpëtimtari im më do sepse …

  3. Unë jam bekuar nga Shlyerja sepse …

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të tregojnë atë që shkruan nëse ndiejnë se nuk është tepër vetjake.

Përmblidheni Hebrenjve 8:5–13 duke shpjeguar se për shkak të flijimit të Tij, Jezu Krishti u bë “ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë” (vargu 6), një besëlidhje, që, nëse do të pranohej nga njerëzit, do t’i ndihmonte ata të arrinin ta “njih[nin] Perëndinë” (vargu 11) dhe të pastroheshin nga ligësitë e tyre.

Hebrenjve 9–10

Pali vërteton se si ordinancat e ligjit të Moisiut tregonin Shlyerjen

Pamja
skicë, tabernakull

Përpara fillimit të orës mësimore, vizatojeni në tabelë skicën shoqëruese.

Shpjegoni që siç shënohet te Hebrenjve 9–10, Pali vazhdoi t’i krahasonte priftërinjtë e lartë levitë me Jezu Krishtin, duke folur për detyrat që kryenin priftërinjtë në Ditën e Shlyerjes. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:

Një herë në vit, në ditën e shenjtë judease të quajtur Dita e Shlyerjes (e quajtur edhe Yom Kippur [Jom Kipur]), priftit të lartë i lejohej të hynte në Vendin Shumë të Shenjtë (të quajtur edhe Shenjtërorja e Shenjtëroreve) në tabernakull, ose, më vonë, në tempullin e Jeruzalemit. Atje, prifti i lartë flijonte një dem dhe një cjap. Ai e spërkaste gjakun e kafshëve në vendet e caktuara në Vendin Shumë të Shenjtë për të simbolizuar Shlyerjen e Krishtit për mëkatet e priftit dhe për mëkatet e popullit. Prifti i lartë më pas, në mënyrë simbolike i transferonte mëkatet e popullit te një cjap tjetër (të quajtur cjap fajshlyes), i cili më pas nxirrej në shkretëtirë, për të simbolizuar heqjen e mëkateve të popullit. Ai gjithashtu flijonte dy desh si një flijim për veten e tij dhe njerëzit. (Shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Fasts” [“Agjërime”]; shih edhe Levitiku 16:22.)

Caktojini gjysmës së klasës të lexojë Hebrenjve 9:11, 12, 24, 28 dhe gjysmës tjetër të lexojë Hebrenjve 10:1, 4, 10–12. Kërkojini secilit grup që t’i lexojnë vargjet e caktuara atyre në heshtje, duke kërkuar mënyrën se si ngjarjet në Ditën e Shlyerjes ishin simbole dhe shenja të flijimit të Jezu Krishtit. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni studentë nga secili grup të raportojnë për atë që gjetën. Më pas, pyetni:

  • Ashtu si priftërinjtë e lartë hynin në Vendin Shumë të Shenjtë të tabernakullit në Ditën e Shlyerjes, në cilën “shenjtërore” (Hebrenjve 9:12) mundi të hynte Shpëtimtari për shkak të Shlyerjes së Tij? (Në praninë e Atit Qiellor ose në lavdinë çelestiale.)

  • Çfarë mund të bënte flijimi i Jezu Krishtit që nuk mund ta bënte “gjaku i demave dhe i cjepve” (Hebrenjve 10:4)?

  • Atëherë, pse priftërinjtë e lartë i kryenin këto flijime në Ditën e Shlyerjes? (Për të treguar “hijen e të mirave që kishin për të ardhur” [Hebrenjve 10:1], ose për të treguar te Shlyerja e Shpëtimtarit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 10:17–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shlyerja bën të mundur.

  • Sipas vargut 19, ku mund të hyjmë ne për shkak të flijimit të Jezusit? (Në “shenjtërore”, ose në praninë e Perëndisë në mbretërinë çelestiale.)

  • Sipas vargut 20, si hyjmë ne në praninë e Perëndisë?

Shpjegoni se “udh[a e] re dhe [e] gjallë” i referohet ungjillit të Jezu Krishtit, ose planit me anë të të cilit ne mund të falemi e të shenjtërohemi nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe, si rrjedhojë, të bëhemi të denjë për t’u kthyer në prani të Perëndisë.

Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të hyjmë në mbretërinë çelestiale nëse …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 10:22–23. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë për të hyrë në mbretërinë çelestiale. Ftojini studentët të raportojnë mbi atë që gjejnë.

Plotësojeni thënien në tabelë, në mënyrë që të thotë sa vijon: Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të hyjmë në mbretërinë çelestiale nëse mbahemi të patundur te besimi ynë në Të.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të “mba[hemi] të patundur” (vargu 23) te besimi ynë në Jezu Krisht?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 10:35–38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillat që dha Pali, të cilat mund të na ndihmojnë të mbahemi të patundur te besimi ynë në Jezu Krisht.

  • Çfarë mund të bëjmë ne që të mbahemi të patundur te besimi ynë në Jezu Krisht?

  • Çfarë do të thotë “mos e hidhni tej guximin tuaj”? (vargu 35).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në të cilën ai shpjegoi se çfarë do të thotë të “mos e [hedhim] tej guximin [tonë]”:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Në gjuhën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kjo do të thotë: Sigurisht që është e vështirë – përpara se ju të bashkoheni me Kishën, ndërkohë që po përpiqeni të bashkoheni dhe pasi të jeni bashkuar me të. Kjo është mënyra se si ka qenë gjithmonë, thotë Pali, por mos u tërhiqni. Mos u lebetitni dhe mos u zmbrapsni. Mos e humbisni besimin tuaj. Mos harroni se si u ndiet një herë e një kohë. Mos e vini në dyshim përvojën që ju patët. Ishte ajo këmbëngulje që e shpëtoi Moisiun dhe Jozef Smithin kur djalli u përball me ta, dhe është ajo që do t’ju shpëtojë juve” (“Cast Not Away Therefore Your Confidence”, Ensign, mars 2000, f. 8).

  • A njihni ndokënd që është një shembull i mirë i të mbajturit i/e patundur në besimin e tij apo të saj në Jezu Krisht?

Ftojini studentët të përsiatin mbi zotimin e tyre për t’u mbajtur të patundur te besimi i tyre në Jezu Krisht. Kërkojuni atyre të shkruajnë mbi mënyrën se si do ta shtojnë zotimin dhe aftësinë e tyre për ta bërë këtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Hebrenjve 7:1–2. Melkizedeku

“Melkizedeku ishte ‘një prift i lartë, profet dhe udhëheqës i Dhiatës së Vjetër i cili jetoi pas përmbytjes dhe gjatë kohës së Abrahamit. Ai thirrej mbreti i Salemit (Jeruzalemit), mbret i paqes, mbret i drejtësisë (që është kuptimi hebraik i Melkizedekut) dhe prift i Perëndisë më të lartë’ (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ‘Melkizedek’; scriptures.lds.org). Shkrime të tjera të shenjta tregojnë se Melkizedeku i dha priftërinë Abrahamit, mori të dhjeta nga Abrahami dhe ishte i pakalueshëm në madhështinë e tij (shih DeB 84:14; Hebrenjve 7:4; Zanafilla 14:18–20; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:25–40 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]; Alma 13:19). Në Letrën drejtuar Hebrenjve, Melkizedeku qëndron si simbol i Birit të Perëndisë (shih Hebrenjve 7:15–16)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 480).

Hebrenjve 7:3. “Pa atë, pa nënë”

“Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 7:3 qartëson se ishte priftëria që ishte ‘pa atë, pa nënë’: ‘Sepse ky Melkizedeku u shugurua prift sipas urdhrit të Birit të Perëndisë, urdhër që ishte pa atë, pa nënë’ (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Kjo mënyrë të shprehuri tregon se, ndryshe nga urdhri levit ose i Aaronit në kohët e lashta, Priftëria Melkizedeke nuk jepet vetëm në bazë të prejardhjes. Plaku Brus R. Mek-Konki … i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi më tej: ‘E drejta për këtë priftëri më të lartë nuk trashëgohej në të njëjtën mënyrë siç ishte rasti me levitët dhe bijtë e Aaronit. Drejtësia ishte një kusht absolut për dhënien e priftërisë më të lartë’ (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 478)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 480).

Shtyp në Letër