Biblioteka
Mësimi 140: Jakob 1


Mësimi 140

Jakob 1

Hyrje

Jakobi i shkroi një letër shtëpisë së shpërndarë të Izraelit, duke i nxitur ata që të ishin të duruar në fatkeqësitë e tyre dhe të kërkonin urtësi nga Ati Qiellor. Jakobi u mësoi gjithashtu atyre që t’i bënin ballë tundimit, të ishin bërës së fjalës, t’u shërbenin të tjerëve dhe të qëndronin të pastër shpirtërisht.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakob 1:1–11

Jakobi e nxit Izraelin e shpërndarë që të jenë të duruar në fatkeqësitë e tyre dhe të kërkojnë urtësi nga Perëndia

Përpara orës mësimore, shkruani në tabelë thënien vijuese: Do të doja të isha më i urtë! Kur të fillojë ora mësimore, kërkojuni studentëve të shqyrtojnë thënien në tabelë. Ftojini ata të përdorin fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për të shkruar rreth temave apo situatave vetjake për të cilat kërkojnë urti. Ju mund të sugjeroni që ata të përfshijnë në listat e tyre tema të ungjillit dhe pyetje të rëndësishme për jetën. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë disa prej temave ose pyetjeve që ata shkruan. (Kujtojuni atyre të mos tregojnë asgjë që është tepër vetjake).

Pamja
Jozef Smithi Kërkon Urtësi në Bibël

Paraqiteni figurën Jozef Smithi Kërkon Urtësi në Bibël (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 89; shih edhe LDS.org).

  • Me cilën pyetje të rëndësishme pati vështirësi Jozef Smithi kur ai ishte i ri? (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë, drejtojini ata te Joseph Smith—Historia 1:9–10.)

Shpjegoni se Jozefi po lexonte në Letrën e Jakobit, kur ai zbuloi mënyrën se si të gjente përgjigje për pyetjet e tij. Jakobi ishte një Apostull i Jezu Krishtit dhe një peshkop në Jeruzalem. Tradita e krishterë thotë gjithashtu se Jakobi ishte biri i Maries dhe Jozefit, dhe si rrjedhojë, gjysmëvëlla me Jezusin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jakobi i mësoi shtëpisë së Izraelit rreth vështirësive dhe fatkeqësive të tyre. Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut 2 (Jakobi 1:2 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]) e ndryshon frazën “sprova nga më të ndryshmet” në “shumë fatkeqësi”.

  • Çfarë i mësoi Jakobi shtëpisë së Izraelit rreth vështirësive dhe fatkeqësive të tyre?

  • Përse është e rëndësishme të kemi durim gjatë vështirësive dhe fatkeqësive?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë zbuloi Jozef Smithi që e ndihmoi të gjente përgjigje për pyetjet e tij.

  • Çfarë i këshilloi Jakobi lexuesit e tij të bënin që të gjenin përgjigje për pyetjet e tyre?

  • Çfarë do të thotë që Perëndia jep “pa kursim” dhe “pa qortuar”? (vargu 5). (Pa kursim do të thotë falas dhe bujarisht. Qortoj do të thotë të bësh vërejtje ose të kritikosh.)

Ftojeni një student të vijë në tabelë për të shkruar një parim që ne mund të mësojmë nga Jakobi 1:5–6. Studenti mund të përdorë fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojë një parim të ngjashëm me sa vijon: Perëndia u jep bujarisht urti atyre që i kërkojnë Atij me besim.

  • Çfarë do të thotë të “kërko[sh] me besim, pa dyshuar”? (vargu 6).

Ftojeni një student të shpjegojë mënyrën se si ndikoi Jakobi 1:5–6 tek i riu Jozef Smith ndërsa ai kërkonte përgjigje (shih Joseph Smith—Historia 1:12). Kërkojini një studenti tjetër të përmbledhë rezultatin e lutjes plot besim të Jozef Smithit në korijen e pemëve pranë shtëpisë së tij.

  • Kur i është përgjigjur me bujari Ati Qiellor lutjeve tuaja pasi i jeni lutur Atij me besim?

Dëshmoni se Perëndia u jep bujarisht urti atyre që i kërkojnë Atij me besim. Ftojini studentët që ta ndjekin shembullin e Jozef Smithit, duke e zbatuar këtë parim në jetën e tyre që të mund të marrin urtinë që u nevojitet nga Ati Qiellor.

Përmblidheni Jakobin 1:7–11, duke shpjeguar se Jakobi na paralajmëroi kundrejt të qenit me dy mendje apo të lëkundur në besnikërinë dhe zotimin ndaj Zotit. Jakobi shkroi gjithashtu se të pasurit duhet të bëhen të përulur ngaqë pasuritë tokësore janë vetëm të përkohshme dhe do të ikin shpejt.

Shënim: Merreni parasysh t’i ftoni dy studentë që të japin mësim dy blloqet vijuese të shkrimit të shenjtë. Do të ishte e dobishme që këtë detyrë t’ia jepni studentëve mësues një ose dy ditë përpara këtij mësimi që ata të mund të përgatiten. Ju mund ta ftoni secilin student mësues që t’i japë mësim të gjithë klasës. Ose, ju mund ta ndani klasën përgjysmë, ta ftoni secilin student mësues që t’ia mësojë bllokun e tij apo të saj të shkrimit të shenjtë njërës gjysmë të klasës dhe më pas kërkojuni studentëve mësues (ose klasës) të ndërrojnë vendet, në mënyrë që të mësojnë gjysmën tjetër të klasës.

Studenti Mësues 1– Jakob 1:12–21

Jakobi jep mësim rreth tundimit

Pyetini studentët:

  • Çfarë tundimesh hasin të rinjtë sot? (Ju mund të doni t’i renditni përgjigjet e studentëve në tabelë.)

  • Përse ndonjëherë është e vështirë që t’i bëjmë ballë tundimit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimin që iu premtua atyre që e duan Zotin dhe i bëjnë ballë tundimit. Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu, (te Jakobi 1:12, poshtëshënimi b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]) e ndryshon frazën “ngulmon në provë” në “i bën ballë tundimit”.

  • Çfarë bekimi do t’u vijë atyre që e duan Zotin dhe i bëjnë ballë tundimit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Ne e tregojmë dashurinë tonë për Zotin duke i bërë ballë tundimit që është një nga kërkesat për marrjen e kurorës së jetës së përjetshme.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar burimin se nga vjen apo nuk vjen tundimi.

  • Sipas vargut 13, cili nuk është burimi i tundimeve tona?

Shpjegoni se termi lakmivargun 14, i referohet dëshirave të mbrapshta që mund të kemi për shkak të natyrës sonë të rënë. Satani na josh që t’u jepemi këtyre dëshirave të mbrapshta.

Ftojini studentët t’i marrin parasysh tundimet me të cilat kanë vështirësi.

  • Si mund të fitojmë fuqi shpirtërore për t’i bërë ballë tundimit?

  • Në çfarë mënyrash të bërit ballë ndaj tundimit është shfaqje e dashurisë sonë për Zotin?

Dëshmoni për vërtetësinë e parimit që studentët përcaktuan te Jakobi 1:12. Ftojini ata të përsiatin mbi atë që do të bëjnë për t’i bërë ballë tundimeve me të cilat kanë vështirësi.

Përmblidheni Jakobin 1:17–21, duke shpjeguar që Jakobi dha mësim se të gjitha dhuratat e mira vijnë nga Perëndia dhe se shenjtorët duhet të heqin dorë nga “çdo ndyrësi” dhe t’i marrin fjalët e Zotit “me butësi” (vargu 21).

Studenti Mësues 2 – Jakob 1:22–25

Jakobi i fton lexuesit e tij që të jenë dëgjues dhe bërës të fjalës

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues nga Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Kuentin L. Kuk

“Kohët e fundit takova një të ri adoleshent të hijshëm. Synimet e tij ishin të shkonte në mision, të merrte arsimim, të martohej në tempull dhe të kishte një familje besnike e të lumtur. … Ndjeva se ai sinqerisht donte të shkonte në mision dhe po shmangte shkelje të rënda që do ta ndalonin nga një mision, por sjellja e tij ditë pas dite nuk po e përgatiste për sfidat fizike, emocionale, shoqërore, intelektuale dhe shpirtërore që ai do të haste. Ai nuk kishte mësuar të punonte fort. Ai nuk ishte serioz me shkollën apo seminarin. Ai merrte pjesë në kishë, por nuk e kishte lexuar Librin e Mormonit. Ai po harxhonte një sasi të madhe kohe me videolojëra dhe mjete të komunikimit shoqëror. Dukej se mendonte që thjesht të shkuarit në mision do të mjaftonte” (“Zgjidhni me Mençuri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 47).

  • Nëse do të kishit qenë në situatën e Plakut Kuk, çfarë shqetësimesh do të kishit për mungesën e përgatitjes për mision të këtij të riu?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Jakobi e cila mund ta ndihmojë të riun e përshkruar në rrëfimin e Plakut Kuk.

  • Çfarë dha mësim Jakobi që mund ta ndihmojë atë të ri?

Shpjegoni që siç shënohet te Jakobi 1:23–24, Jakobi e krahasoi dikë që është dëgjues por jo bërës, me një njeri që e shikon veten në pasqyrë, por më pas teksa ikën, harron se si duket.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që u ndodh atyre që zgjedhin të veprojnë sipas të vërtetave që dëgjojnë.

  • Çfarë u ndodh atyre që janë jo vetëm dëgjues, por edhe bërës? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Kur ne e dëgjojmë dhe veprojmë sipas fjalës së Perëndisë, Ai do të na bekojë në veprimet tona.)

Ftojini studentët të japin një vlerësim të vetes së tyre si dëgjues dhe bërës të fjalës së Perëndisë duke përsiatur mbi pyetjet vijuese. Ju mund të doni t’i lexoni këto pyetje me zë të lartë ose t’i shkruani ato në tabelë.

  1. Sa shumë i besoj të vërtetat që po mësoj në shkrimet e shenjta, në shtëpi, në kishë dhe në seminar?

  2. Sa shpesh vendos synime shpirtërore për të vepruar sipas të vërtetave që po mësoj? Sa shpesh i arrij ato? Sa shpesh i harroj ato?

  3. Çfarë mund të bëj më mirë për të qenë bërës i fjalës dhe jo thjesht dëgjues?

Dëshmoni për bekimet që vijnë kur veprojmë sipas asaj që mësojmë.

Jakob 1:26–27

Jakobi i këshillon shenjtorët që të kujdesen për të tjerët

Pasi të dy studentët t’i kenë dhënë mësim blloqet e shkrimit të shenjtë, kërkojuni disa studentëve të tjerë të përmbledhin atë që mësuan.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:26–27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar sugjerimet e Jakobit për mënyrën se si mund ta jetojmë fenë tonë.

  • Sipas Jakobit, cilat janë disa nga mënyrat se si mund ta jetojmë fenë tonë, apo të tregojmë përkushtimin tonë ndaj Perëndisë?

Shpjegoni se Jakobi përdori idenë e të “vizit[uarit] [të] jetimë[ve] dhe të veja[ve]” në nevojë si një shembull i përkujdesjes për të tjerët. Ta “ruash veten të pastër nga bota” (vargu 27) do të thotë të qëndrosh i pastër shpirtërisht, madje në një botë ku ligësia mund të jetë mbizotëruese.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 27? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata ta përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne tregojmë fe të pastër kur përkujdesemi për të tjerët dhe e ruajmë veten të pastër shpirtërisht. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Në çfarë mënyrash mund të jenë përkujdesja për të tjerët dhe ruajtja e vetes sonë të pastër shpirtërisht shprehje të rëndësishme të përkushtimit tonë ndaj Perëndisë?

  • A njihni ndokënd që është një shembull i mirë i të treguarit të “fe[së së] pastër” në jetën e tij apo të saj të përditshme? Çfarë bën ky person që ju frymëzon?

Ftojini studentët të shkruajnë në një fletë letre një ose dy veprime që ata do të bëjnë gjatë javës së ardhshme, për t’u përkujdesur për dikë në nevojë apo për ta ruajtur veten e tyre “të pastër nga bota”. Ftojini ata të jenë bërës të fjalës së Perëndisë duke e zbatuar këtë parim në jetën e tyre.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Jakob 1:5–6

Shpjegoni se të mësuarit përmendsh të Jakobit 1:5–6, do t’i ndihmojë studentët gjatë gjithë jetës së tyre kur kanë pyetje rreth ungjillit, kur kërkojnë ndihmën e Zotit në marrjen e vendimeve dhe kur ua mësojnë ungjillin të tjerëve.

Përdorni një nga veprimtaritë e të mësuarit përmendsh [që gjenden] në shtojcë, apo krijoni një veprimtari tuajën për t’i ndihmuar studentët ta mësojnë përmendsh këtë fragment. Mbajeni mend që t’i përsëritni shpesh me studentët fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë të mësuara përmendsh, për t’i ndihmuar ata që të mbajnë mend atë që kanë mësuar. Merrni parasysh që të planifikoni çaste në mësimet e ardhshme për ta përsëritur këtë shkrim të shenjtë dhe për t’i ftuar studentët që ta thonë atë përmendsh.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jakob 1:5. “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi domethënien e veçantë që ka Jakobi 1:5 për shenjtorët e ditëve të mëvonshme:

“Ky varg i vetëm i shkrimit të shenjtë ka pasur një ndikim më të madh dhe një pasojë shumë herë më të prekshme te njerëzimi, sesa ndonjë fjali tjetër e vetme e shënuar ndonjëherë nga ndonjë profet në ndonjë kohë. Mund të thuhet fare mirë se akti kurorëzues i shërbesës së Jakobit nuk ishte martirizimi i tij për dëshminë e Jezusit, por radhitja që ai, siç u udhëhoq nga Fryma e Shenjtë, u bëri këtyre fjalëve të thjeshta të cilat çuan në hapjen e qiejve në kohët moderne.

Dhe fare mirë mund të shtojmë se çdo kërkues i së vërtetës së zbuluar qëndron, në një pikë gjatë kërkimit të tij, në vendin ku qëndroi Jozef Smithi. Ai duhet t’i drejtohet Të Plotfuqishmit e të fitojë urtësi nga Perëndia nëpërmjet zbulesës, nëse do që të fitojë një vend në atë shteg të ngushtë e të ngushtuar që çon te jeta e përjetshme” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:246–247).

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e të pyeturit të Perëndisë në kohën tonë:

“Sot ne jetojmë në një botë në të cilën njerëzit nuk e pyesin Perëndinë – ata duket sikur duan të pyesin Google-in. Madje kur vjen puna te pyetjet mbi besimin, ka shumë njerëz që i mirëbesojnë më tepër internetit për t’u dhënë përgjigje të sakta, të qarta dhe të drejtpeshuara për pyetjet e tyre se sa i mirëbesojnë burimit themelor të së vërtetës, Atit tonë Qiellor. …

… Sot interneti është mbushur me njerëz që rrinë në pritje për të mashtruar të painformuarin dhe atë pa përvojë.

Në kërkimin tonë për të vërtetën e ungjillit, ne jo vetëm që duhet të gjejmë burime të besueshme, por duhet t’i japim gjithashtu Zotit kohë të barabartë me veprimtaritë tona të përditshme. Ne duhet t’i studiojmë shkrimet e shenjta dhe fjalët e shërbëtorëve të Zotit. Ne duhet të jetojmë me drejtësi përpara Perëndisë – ne duhet ta bëjmë vullnetin e Tij [shih Gjoni 7:16–17]. Dhe ne nuk mund ta theksojmë kurrë së tepërmi rëndësinë që ka t’ia shprehim shqetësimet tona shpirtërore drejtpërdrejt Perëndisë dhe t’i mirëbesojmë frymëzimit dhe udhëheqjes së Tij” (“Women of Dedication, Faith, Determination, and Action” [fjalim dhënë në Konferencën e Grave të Universitetit “Brigam Jang”, 1 maj 2015], ce.byu.edu/cw/womensconference).

Jakob 1:6. “Kërko[ni] me besim”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë të kërkosh me besim:

“Shembulli klasik i të kërkuarit me besim është Jozef Smithi dhe Vegimi i Parë. Kur djaloshi Jozef po kërkonte të dinte të vërtetën mbi fenë, ai lexoi [Jakobin 1:5–6]. …

Ju lutem vini re kërkesën për të kërkuar me besim, që unë mendoj se nënkupton nevojën që jo vetëm të shprehësh por të bësh, detyrën e dyfishtë që edhe të lutesh edhe të kryesh, kërkesën që të komunikosh dhe të veprosh” (“Kërkoni me Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 94).

Jakob 1:14; 4:7–8. Bërja ballë tundimit

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Kur ju mbani një qëndrim të prerë për të drejtën, kur keni vendosur standarde vetjake dhe keni bërë besëlidhje për t’i zbatuar ato, kur tundimet vijnë dhe ju veproni sipas standardeve tuaja, ju do të fuqizoheni dhe do t’ju jepet forcë përtej kapacitetit tuaj, në qoftë se kjo është e nevojshme. Vështirësia fillon kur ju hyni në betejën e tundimit pa një plan të caktuar” (“Do What Is Right”, Ensign, qershor 1997, f. 53).

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Nëse mund t’i kontrolloni mendimet tuaja, ju mund t’i mposhtni zakonet, madje dhe zakonet vetjake shkatërruese. Nëse mund të mësoni t’i zotëroni ato, ju do të keni një jetë të lumtur. …

Pasi të keni mësuar ta pastroni skenën e mendjes suaj nga mendimet e padenja, mbajeni të zënë me mësimin e gjërave që ia vlejnë. Ndryshojeni mjedisin tuaj që të mund të keni gjëra përreth jush që do të frymëzojnë mendime të mira dhe lartësuese. Qëndroni të zënë me gjëra që janë të drejta” (“Inspiring Music – Worthy Thoughts”, Ensign, janar 1974, f. 28).

Shtyp në Letër