Mësimi 2
Plani i Shpëtimit
Hyrje
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i udhëzoi mësuesit e fesë të paraqitin një përmbledhje të shkurtër të planit të shpëtimit në fillim të çdo viti shkollor:
“Një përmbledhje e shkurtër e ‘planit të lumturisë’ … , nëse jepet në fillim fare dhe rishikohet rregullisht, do të jetë me vlerë të pamasë për studentët tuaj” (“The Great Plan of Happiness” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 10 gusht 1993], si.lds.org; shih edhe Teaching Seminary: Preservice Readings [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2004], f. 68–74).
Ky mësim jep një përmbledhje të shkurtër të planit të shpëtimit dhe përqendrohet te roli qendror i Jezu Krishtit dhe Shlyerja e Tij në atë plan.
Sugjerime për Mësimdhënien
Roli i Jezu Krishtit në jetën para lindjes
Si pjesë e takimit shpirtëror, ju mund të dëshironi ta ftoni klasën të këndojë strofat 1 dhe 4 të “Un’ Besoj në Krisht” (Himne, nr. 72) ose ndonjë himn tjetër rreth Shpëtimtarit. Fillojeni mësimin duke pyetur:
Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju pyeste përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ju?
Shpjegojuni studentëve se në mësimin e sotëm ata do të mësojnë rreth rolit të Jezu Krishtit në planin e shpëtimit të Atit Qiellor. Ftojini ata të kërkojnë të vërteta ndërsa studiojnë sot, të cilat mund t’i ndihmojnë për ta forcuar besimin e tyre në Jezu Krisht.
Kopjojeni në dërrasë tabelën e mëposhtme. Ju gjithashtu mund të doni ta shpërndani atë si një fletushkë për studentët. (Nëse i shpërndani fletushkat, kërkojuni studentëve t’i plotësojnë tabelat e tyre ndërsa ju plotësoni tabelën në dërrasë.)
Jezu Krishti është në qendër të planit të shpëtimit të Atit Qiellor
Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 2
Jeta Para Lindjes | Jeta në Vdekshmëri | Jeta Pas Vdekjes |
---|---|---|
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat.
Vini në dukje se plani i Atit Qiellor përbëhet nga tri faza kryesore: 1) jeta jonë para lindjes, e cila i parapriu lindjes sonë fizike; 2) jeta jonë në vdekshmëri në tokë; dhe 3) jeta jonë pas vdekjes, e cila do të ndiqet nga vdekja jonë fizike.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese dhe kërkojini klasës të dëgjojë kufizimet që ne përjetuam në jetën tonë para lindjes:
“Ne jetonim si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë në Qiell përpara se të lindeshim në këtë botë. Megjithatë ne nuk ishim si Ati ynë Qiellor dhe nuk do të mund të bëheshim kurrë si Ai dhe të gëzonim të gjitha bekimet që Ai gëzon, pa përvojën e jetës në vdekshmëri me një trup fizik.
I gjithë qëllimi i Perëndisë – vepra dhe lavdia e Tij – është të bëjë të mundur që secili nga ne të gëzojë të gjitha bekimet e Tij. Ai ka përgatitur një plan të përkryer për të plotësuar qëllimin e Tij. Ne e kuptuam dhe e pranuam këtë plan përpara se të vinim në tokë. …
Me qëllim që të përparonim dhe të bëheshim si Perëndia, secili nga ne duhej të merrte një trup dhe të provohej gjatë një kohe prove në tokë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2005], f. 48, 49).
Çfarë kufizimesh përjetuam ne në jetën tonë para lindjes?
Shpjegoni se kur Ati Qiellor e paraqiti planin e Tij të lumturisë, ne mësuam se do të duhej një shpëtimtar për ta vënë në jetë këtë plan. Luciferi, një nga fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor, ngriti krye kundër planit të Atit Qiellor. Ai u bë i njohur si Satani, një term hebraik që do të thotë “kundërshtar”.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moisiun 4:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, për të parë atë që kërkonte Satani nga Ati Qiellor.
Çfarë kërkonte Satani nga Ati Qiellor?
Sipas vargut 2, çfarë tha Ati Qiellor për Jezu Krishtin?
Për çfarë u zgjodh Jezu Krishti që të bënte? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën e mëposhtme në tabelë nën kolonën Jeta para lindjes: Jezu Krishti u zgjodh në jetën para lindjes për të qenë Shëlbuesi i njerëzimit.)
Shpjegoni që pasi Jezu Krishti u zgjodh për të vënë në jetë planin e shpëtimit të Atit Qiellor, Ai krijoi këtë tokë ku secili të mund të merrte një trup fizik dhe të fitonte përvojë.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 1:1–2. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar rolin e Jezu Krishtit në krijimin e tokës.
Cili ishte roli i Jezu Krishtit në krijimin e tokës? (Shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta para lindjes: Nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti krijoi tokën.)
Ftojini studentët të mendojnë për bukurinë e tokës. Ju mund të dëshironi të paraqitni një ose më shumë figura që tregojnë bukurinë e tokës.
Si ndikon te ndjenjat tuaja për Të, dijenia se Jezu Krishti krijoi këtë tokë dhe miliona të tjera si kjo?
Roli i Jezu Krishtit në jetën në vdekshmëri
Shpjegoni se në vdekshmëri ne përjetojmë kufizime ose pengesa të tjera, të cilat na pengojnë që të bëhemi si Ati Qiellor dhe të kthehemi në praninë e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese dhe kërkojini klasës të dëgjojë dy pengesa që ne përjetojmë gjatë vdekshmërisë:
“Në vdekshmëri ne jetojmë në një gjendje të tillë ku jemi subjekte si të vdekjes fizike ashtu edhe asaj shpirtërore. Perëndia ka një trup të përsosur, të lëvduar, të pavdekshëm prej mishi dhe kockash. Që të bëhemi si Perëndia dhe të kthehemi në praninë e Tij, edhe ne duhet të kemi një trup të përsosur, të pavdekshëm prej mishi dhe kockash. Megjithatë, për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës, çdo njeri në tokë ka një trup të papërsosur e të vdekshëm dhe në fund do të vdesë. Po të mos ishte Shpëtimtari Jezu Krisht, vdekja do t’u jepte fund të gjitha shpresave tona për një ekzistencë të ardhshme me Atin Qiellor.
Bashkë me vdekjen fizike, mëkati është një pengesë e madhe, që na pengon të bëhemi si Ati ynë në Qiell dhe të kthehemi në praninë e Tij. Në gjendjen tonë të vdekshme shpesh ne i dorëzohemi tundimit, i thyejmë urdhërimet e Perëndisë dhe mëkatojmë. … Megjithëse ndonjëherë duket ndryshe, mëkati gjithmonë çon drejt mjerimit. Mëkati shkakton ndjenja faji dhe turpi. Për shkak të mëkateve tona, ne nuk mund të kthehemi për të jetuar me Atin Qiellor në qoftë se nuk jemi falur dhe pastruar më parë.
… Ashtu si dhe me vdekjen fizike, ne nuk mund t’i kapërcejmë vetë pasojat e mëkatit” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 50, 51).
Shpjegoni që përpara se Jezusi të lindte në tokë, një engjëll iu shfaq Jozefit në një ëndërr kur ai mësoi se Maria po priste një fëmijë. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mateun 1:21. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që engjëlli i shpalli Jozefit.
Çfarë tha engjëlli se do të bënte Jezusi? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta në vdekshmëri: Jezu Krishti erdhi për të na shpëtuar nga mëkatet tona.)
Çfarë bëri Jezu Krishti që na lejon të shpëtohemi nga mëkatet tona?
Paraqitini figurat Jezusi Lutet në Gjetseman, Kryqëzimi si dhe Maria dhe Jezu Krishti i Ringjallur (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 56, 57, 59; shih edhe LDS.org). Kujtojuni studentëve se vuajtja, vdekja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit bashkërisht quhen Shlyerja.
Çfarë duhet të bëjmë ne për t’u shpëtuar nga mëkatet tona nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Shih Veprat e Apostujve 2:38).
Roli i Jezu Krishtit në jetën pas vdekjes
Kërkojuni studentëve të mendojnë për dikë që ka ndërruar jetë. Pas pak çastesh, pyetini:
Sipas kuptimit tuaj për planin e shpëtimit, ku janë ata të cilët kanë ndërruar jetë? (Pas vdekjes, shpirtrat e të gjithë njerëzve hyjnë në botën e shpirtrave. Për ta rritur aftësinë e studentëve për të kuptuar, ju mund të dëshironi ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë Almën 40:11–14.)
Paraqitni figurën Varrimi i Jezusit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 58; shih edhe LDS.org). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 3:18–20; 4:6. Më pas, pyetini:
Çfarë bëri Jezu Krishti menjëherë pas vdekjes së Vet?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:18–19, 30–32. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Jezu Krishti për ta lejuar ungjillin t’i predikohej çdokujt në botën e shpirtrave.
Çfarë bëri Jezu Krishti për ta lejuar ungjillin t’i predikohej çdokujt në botën e shpirtrave?
Si e ilustrojnë këto përpjekje dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit për të gjithë njerëzit?
Referojuni figurës Maria dhe Jezu Krishti i Ringjallur (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 59; shih edhe LDS.org), dhe pyeteni klasën:
Çfarë ndodhi ditën e tretë pas vdekjes së Shpëtimtarit? (Ai u ringjall.)
Çfarë do të thotë të ringjallesh? (Shpirti dhe trupi fizik i një personi ribashkohen, për të mos u ndarë më kurrë [shih DeB 138:17].)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:20–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si ndikon Ringjallja e Jezu Krishtit te secili prej nesh.
Si ndikohemi ne nga Ringjallja e Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta pas vdekjes: Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:12. Më pas, pyetini:
Çfarë do t’i ndodhë secilit prej nesh pasi të ringjallemi?
Shpjegoni se libri i jetës mund të përfaqësojë mendimet dhe veprimet e një personi në këtë jetë, si dhe analin e mbajtur në qiell për të drejtët (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i jetës”). Theksoni se ne gjykohemi jo vetëm sipas veprave tona, por edhe sipas mendimeve, fjalëve dhe dëshirave tona (shih Mosia 4:30; Alma 12:14; 41:3; DeB 137:9).
Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë Gjonin 5:22 në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë Zbulesës 20:12. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Gjonin 5:22 dhe të kërkojnë se kush do të na gjykojë neve.
Kush do të na gjykojë neve? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta pas vdekjes: Jezu Krishti do të gjykojë të gjithë njerëzimin.)
Kujtojuni studentëve se qëllimi përfundimtar i planit të Atit Qiellor është të na japë neve mundësi për të marrë jetë të përjetshme, ose ekzaltim, që do të thotë të bëhemi si Ati Qiellor dhe të jetojmë me Të përgjithmonë në familje të përjetshme. Ju mund të doni të tregoni një fotografi të familjes suaj dhe të shpjegoni se përse është e rëndësishme që ju të mund të jetoni me Atin Qiellor dhe familjen tuaj përgjithmonë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 3:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ne duhet të bëjmë për të marrë jetë të përjetshme (ose të përhershme).
Çfarë duhet të bëjmë ne për të marrë jetë të përjetshme? (Shpjegoni se të besosh te Biri i Vetëmlindur do të thotë të ushtrosh besim në Jezu Krisht dhe të jetosh sipas ungjillit të Tij, i cili përfshin marrjen e ordinancave të tempullit.)
Si do ta përmblidhnit Gjonin 3:16 si një parim? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë nën kolonën Jeta pas vdekjes: Nëse ushtrojmë besim në Jezu Krisht dhe jetojmë sipas ungjillit të Tij, atëherë ne mund të marrim jetë të përjetshme.)
Kujtojuni studentëve pyetjen që bëtë në fillim të orës mësimore: “Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju pyeste përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ju?” Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si mund t’i zhvillojnë më tej përgjigjet e tyre ndaj kësaj pyetjeje, duke u bazuar në atë që kanë mësuar sot. Ju gjithashtu mund të doni t’i ftoni disa studentë të japin dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në planin e Atit Qiellor. Ju mund ta mbyllni duke dhënë edhe vetë dëshminë tuaj.