Biblioteka
Mësimi 20: Mateu 17


Mësimi 20

Mateu 17

Hyrje

Jezu Krishti, Moisiu dhe Elia i dhanë çelësat e priftërisë Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në Malin e Shpërfytyrimit. Pasi zbritën nga mali, Jezusi dëboi një demon nga një djalë. Në Kapernaum, Jezusi siguroi mrekullisht paratë e taksës për Veten dhe Pjetrin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 17:1–13

Moisiu dhe Elia i shfaqen Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit

Ngrini lart një patentë makine ose ftojeni një student me patentë makine t’ia tregojë atë klasës.

  • Çfarë e autorizon pasja e një patente makine një person që të bëjë?

Paraqitni ose tregoni një figurë çelësash makine.

  • Përse është e rëndësishme të arrish të kesh çelësat e makinës përveç pasjes së një patente makine?

  • Si mund të krahasohet pasja e një patente makine dhe e çelësave për t’i dhënë makinës me autoritetin dhe çelësat e priftërisë të nevojshëm për të drejtuar punën e Perëndisë? (Pikërisht ashtu si ata që mbajnë patentë makine janë të autorizuar t’i japin makinës, shumë burra mbajnë autoritetin e priftërisë. Por ashtu si çelësat e makinës e mundësojnë një shofer që të ngasë vetëm një mjet të veçantë, çelësat e priftërisë e autorizojnë një individ të veprojë ose ta drejtojë punën e Perëndisë brenda një sfere të veçantë. Presidenti i Kishës i mban dhe i përdor çelësat e priftërisë për të kryesuar dhe për të drejtuar të gjithë punën e Zotit në tokë.)

Kujtojuni studentëve se te Mateu 16:19 ne lexojmë që Zoti premtoi t’i jepte Pjetrit çelësat e mbretërisë apo autoritetin për të drejtuar punën e Perëndisë në tokë. Në atë kohë, Pjetrit dhe secilit prej Apostujve të tjerë i ishte dhënë tashmë autoriteti i priftërisë, por atyre ende nuk u ishin dhënë çelësat e mbretërisë.

Ftojini studentët që teksa i studiojnë shkrimet e shenjta sot të kërkojnë mënyrën se si i mori Pjetri çelësat e mbretërisë dhe se si të njëjtat çelësa iu dhanë më pas Jozef Smithit dhe të tjerëve në kohën tonë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 17:1–2. Kërkojini klasës që ta ndjekë dhe të përcaktojë se në ç’vend e mori Shpëtimtari Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin për t’i përgatitur ata që të merrnin çelësat e priftërisë. Ju mund të doni të vini në dukje që Shpëtimtari mund të ketë zgjedhur Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin për të shkuar me Të pasi ata do të shërbenin si Presidenca e Parë e Kishës në vijim të Ringjalljes dhe Ngritjes në qiell të Shpëtimtarit (shih Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:152).

  • Në ç’vend i mori Jezusi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin?

  • Çfarë i ndodhi Shpëtimtarit në mal?

  • Çfarë do të thotë të shpërfytyrohesh?

Ndihmojini studentët të kuptojnë që shpërfytyrimi i referohet “gjendj[es] [së] njerëzve që përkohësisht ndryshohen në pamjen e jashtme dhe natyrën fizike—domethënë ngrihen në një nivel më të lartë shpirtëror—kështu që ata të mund të durojnë praninë dhe lavdinë e qenieve qiellore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpërfytyrim”, [f. 181], scriptures.lds.org). Edhe Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u shpërfytyruan në atë rast (shih DeB 67:11–12).

Shkruajeni në tabelë titullin vijues: Individët që ishin të pranishëm në Malin e Shpërfytyrimit. Nën këtë titull shkruani Jezu Krishti, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 17:3 dhe vëreni klasën të kërkojë se kush iu shfaq Jezusit dhe Apostujve në mal.

  • Kush u shfaq në mal? (Shpjegoni që Elia këtu i referohet Elijas/Elias, profetit të Dhiatës së Vjetër [shih Mateu 17:3].)

Shtoni Moisiu dhe Elia te lista në tabelë.

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë arsyen përse Moisiu dhe Elia u shfaqën në mal, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Shpëtimtari, Moisiu dhe Eliasi [Elija] ia dhanë çelësat Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në mal, kur ata u shpërfytyruan para tij” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 109).

  • Sipas Jozef Smithit, përse u shfaqën në mal Elija dhe Moisiu? (Për t’i dhënë çelësat e priftërisë Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit. Ju mund të doni gjithashtu të shpjegoni që Moisiu dhe Elija u shfaqën në Tempullin e Kirtlandit më 3 prill 1836, për të rivendosur çelësat e priftërisë: Moisiu rivendosi çelësat e mbledhjes së Izraelit (shih DeB 110:11) dhe Elija rivendosi çelësat e lidhura me fuqinë vulosëse (shih DeB 110:13–16). Këto shfaqje në Kirtland japin një model për të kuptuar atë që ndodhi në Malin e Shpërfytyrimit.)

Shpjegoni që Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it sqaron që Gjon Pagëzori – të cilin e kishte vrarë Herodi – u shfaq gjithashtu në mal (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 9:3 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 128]; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Elias”, f. 40). Shtoni Gjon Pagëzori te lista në tabelë.

Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 17:4–9. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se kush tjetër ishte i pranishëm në Malin e Shpërfytyrimit.

  • Kush tjetër ishte i pranishëm në malin e Shpërfytyrimit? (Shtoni Perëndia Ati te lista në tabelë.)

Ju mund t’u kujtoni studentëve se një periudhë ungjillore është një hark kohor në të cilin Ati Qiellor ia jep autoritetin e priftërisë, ordinancat dhe njohurinë për planin e Tij të shpëtimit njerëzve në tokë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Ftojeni një student që të vijë në tabelë dhe të vendosë një yll në anë të secilit prej individëve të renditur në tabelë, të cilët iu shfaqën Profetit Jozef Smith në periudhën tonë ungjillore. (Studenti duhet të vendosë një yll në anë të secilit individ të renditur në tabelë.)

Pamja
Vegimi i Parë

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i shfaqen Jozef Smithit

Pamja
Gjon Pagëzori Jep Priftërinë Aarone

Gjon Pagëzori rivendos Priftërinë Aarone

Pamja
Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni rivendosin Priftërinë Melkizedeke

Pamja
Elija Shfaqet në Tempullin e Kirtlandit

Elija rivendos çelësat e vulosjes në tempullin e Kirtlandit

Kërkojini klasës të shpjegojë kohën kur ndodhi secila prej këtyre vizitave dhe qëllimin e tyre. (Ndërsa studentët shpjegojnë, ju mund të doni të paraqitni figurat vijuese: Vegimi i Parë; Gjon Pagëzori Jep Priftërinë Aarone; Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke dhe Elija Shfaqet në Tempullin e Kirtlandit [Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (2009), nr. 90, 93, 94, 95; shih edhe LDS.org].)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto ngjarje në lidhje me dhënien e çelësave të priftërisë në çdo periudhë ungjillore? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Në çdo periudhë ungjillore, Perëndia ia jep çelësat e priftërisë shërbëtorëve të Tij të zgjedhur në mënyrë që ata të mund të drejtojnë punën e Tij në tokë.)

  • Përse është e rëndësishme të dimë që i njëjti model i dhënies së çelësave të priftërisë që ndodhi gjatë kohës së Jezu Krishtit u përsërit në kohën tonë me Profetin Jozef Smith?

  • A mbajnë profetët dhe apostujt e sotëm të njëjtët çelësa që mori Profeti Jozef Smith? (Po.) Si i morën ato çelësa ata? (Çelësat kanë kaluar në mënyrë të njëpasnjëshme nga Jozef Smithi nëpërmjet Brigam Jangut dhe profetëve pasues.)

Merrni parasysh t’i ftoni studentët të tregojnë ndjenjat e tyre rreth autoritetit të priftërisë dhe bekimit të të pasurit të çelësave të dhëna në periudhën tonë ungjillore pikërisht në të njëjtën mënyrë siç u dhanë gjatë shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri.

Mateu 17:14–23

Jezusi dëbon një demon nga një djalë

Përmblidheni Mateun 17:14–23 duke shpjeguar që një átë solli të birin te Shpëtimtari për t’u shëruar. Pasi Jezusi e shëroi fëmijën, Ai i mësoi dishepujt e Tij që disa bekime mund të fitohen vetëm nëpërmjet lutjes dhe agjërimit. Ai gjithashtu profetizoi për vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. (Shënim: Këto ngjarje do të diskutohen më në thellësi tek ideja për mësimdhënie për Markun 9:14–29.)

Mateu 17:24–27

Jezusi siguron mrekullisht paratë e taksës për Veten dhe Pjetrin

Teksa studentët studiojnë Mateun 17:24–27, ftojini ata të kërkojnë një të vërtetë që mund të na ndihmojë të kuptojmë mënyrën se si shembujt tanë ndikojnë te të tjerët.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë kontekstin e këtij fragmenti, shpjegoni se nën ligjin e Moisiut të gjithë meshkujve izraelitë mbi moshën 20 vjeç u kërkohej që të paguanin një taksë vjetore tempulli, të quajtur taksa e tempullit (shih Eksodi 30:13–16). Këto para përdoreshin për të përballuar kostot që lidheshin me funksionimin e tempullit. Disa nga priftërinjtë dhe rabinët mes njerëzve qenë përjashtuar nga detyrimi për ta paguar këtë taksë nga këshilli drejtues.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 17:24–26. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar pyetjet që vjelësit e taksave dhe Jezusi i bënë Pjetrit.

  • Çfarë pyetjeje i bënë vjelësit e taksave Pjetrit? Cila ishte përgjigjja e Pjetrit?

  • Çfarë pyetjeje i bëri Jezusi Pjetrit? Cila ishte përgjigjja e Pjetrit?

Shpjegoni se fjala të huajve në këtë fragment i referohet çdokujt në një mbretëri që nuk është një nga fëmijët e mbretit. “Të huaj[t]” duhet të paguajnë taksa, ndërsa fëmijët e mbretit janë të lirë nga ky detyrim. Jezusi po e mësonte Pjetrin se ngaqë Ai ishte Biri i Perëndisë dhe tempulli ishte shtëpia e Atit të Tij (shih Mateu 17:25–26; Gjoni 2:16), Ai nuk kishte nevojë ta paguante këtë taksë dhe mund të kishte zgjedhur të mos e bënte atë. Sidoqoftë, vjelësit e taksave pritnin nga Jezusi që ta paguante taksën pasi ata nuk e kuptuan se cili ishte Ai.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 17:27, duke kërkuar atë që Jezusi e udhëzoi Pjetrin që të bënte pas kësaj.

  • Çfarë e udhëzoi Shpëtimtari Pjetrin që të bënte?

  • Për ç’arsye tha Jezusi që do ta paguante taksën?

Shkruajeni fjalën skandalizuar në tabelë dhe shpjegoni se në këtë kontekst fraza “për të mos i skandalizuar ata” ka të ngjarë që i referohet faktit që Shpëtimtari nuk donte të bënte asgjë që mund t’i bënte të tjerët të pengoheshin shpirtërisht. (Nëse Ai nuk do ta kishte paguar taksën, disa judenj mund ta kishin parë në mënyrë të pafavorshme Atë e pasuesit e Tij dhe të ishin bërë më pak të hapur ndaj mesazhit të ungjillit.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit? (Ndonëse studentët mund ta shprehin në mënyrë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke shmangur veprime që mund t’i bëjnë të tjerët të pengohen shpirtërisht. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Cilat janë disa situata të tjera në të cilat ky parim mund të na drejtojë të bëjmë zgjedhje të drejta?

  • Si jeni bekuar kur jeni përpjekur të ndiqni shembullin e Shpëtimtarit dhe të shmangni veprime që mund t’i bënin të tjerët të pengoheshin shpirtërisht?

Mbylleni mësimin duke i ftuar studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta diçka që do të bëjnë për ta jetuar më mirë parimin që përcaktuan më sipër.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Kur studentët munden t’i gjejnë lehtësisht fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë, ata do të jenë në gjendje që ta studiojnë ungjillin, t’i zbatojnë parimet e ungjillit në jetën e tyre dhe të japin mësim nga shkrimet e shenjta më me vetëbesim.

Veprimtaritë për përsëritjen e zotërimit të shkrimit të shenjtë janë vendosur kudo nëpër këtë manual për të paraqitur një larmi metodash për t’i ndihmuar studentët t’i përsëritin rregullisht vargjet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Veprimtari të tjera përsëritëse mund të gjenden te shtojca e këtij manuali.

Provimet me alternativa mund t’i ndihmojnë studentët të kujtojnë atë që kanë mësuar dhe të vlerësojnë të mësuarin e tyre. Ftojini studentët të lexojnë tri fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë që janë paraqitur tashmë në këtë manual. Ju gjithashtu mund të përfshini disa fragmente të reja. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fragmente në shkrimet e tyre të shenjta.) Pasi studentët të kenë lexuar, bëjuni një provim duke u dhënë një fjalë kyçe nga fragmenti ose duke lexuar një frazë nga libërshenjuesi i seminarit. Pastaj kërkojuni studentëve ta gjejnë fragmentin e saktë në shkrimet e tyre të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 17:1–5. Shpërfytyrimi dhe Rivendosja e ungjillit në ditët e mëvonshme

“Personat e pranishëm në Malin e Shpërfytyrimit [Perëndia Ati, Jezu Krishti, Pjetri, Jakobi, Gjoni, Gjon Pagëzori, Moisiu dhe Elia] luajtën një rol të spikatur në Rivendosjen e ditëve të mëvonshme të ungjillit. Kjo na ndihmon të kuptojmë se po ai autoritet priftërie dhe po ato çelësa të priftërisë të mbajtura në periudhat e mëparshme ungjillore u rivendosën në këtë periudhë të fundit ungjillore” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 56).

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e theksoi këtë të vërtetë:

“Unë e ftoj secilin prej jush të mendojë se si do t’i përgjigjeshit pyetjes vijuese, të parashtruar shumë vite më parë anëtarëve të Kishës nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei: ‘Nëse në këtë çast secilit prej jush do t’i kërkohej ta shprehte me një fjali ose frazë tiparin më spikatës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, cila do të ishte përgjigjja juaj?’ (“The Mission of the Church and Its Members”, Improvement Era, nëntor 1956, f. 781).

Përgjigjja që Presidenti Mek-Kei i dha vetë pyetjes së tij ishte ‘autoriteti hyjnor’ i priftërisë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme veçohet nga kishat e tjera që pretendojnë se autoriteti i tyre rrjedh nga autoriteti i dhënë person pas personi përgjatë kohës, shkrimet e shenjta ose trajnimi teologjik. Ne bëjmë deklaratën dalluese se autoriteti i priftërisë i është dhënë Profetit Jozef Smith me anë të vënies së duarve drejtpërdrejt nga lajmëtarë qiellorë” (“Fuqitë e Qiellit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 48).

Mateu 17:1–5. Çelësat e priftërisë

Perëndia ua jep autoritetin e priftërisë anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës, në mënyrë që ata të mund të veprojnë në emrin e Tij për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Çelësat e priftërisë janë të drejtat e presidencës ose fuqia që Perëndia ua jep burrave për të udhëhequr dhe drejtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë (shih Mateu 16:15–19). Ata që mbajnë çelësat e priftërisë mund t’i autorizojnë mbajtësit e priftërisë të predikojnë ungjillin dhe të administrojnë ordinancat e shpëtimit. Të gjithë ata që shërbejnë në Kishë, thirren nën drejtimin e një personi që mban çelësat e priftërisë. Si rrjedhojë, ata marrin autoritetin dhe kanë të drejta ndaj fuqisë së nevojshme për të shërbyer dhe për të përmbushur përgjegjësitë e thirrjeve të tyre. (Shih Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49–52.)

Mateu 17:1–13. Mali i Shpërfytyrimit

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përmblodhi atë që ne dimë se ndodhi në Malin e Shpërfytyrimit:

“1) Jezusi zgjodhi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin nga pjesa tjetër e Të Dymbëdhjetëve; i çoi në një mal të papërmendur; atje Ai u shpërfytyrua përpara tyre, dhe ata panë lavdinë e Tij. … [Pjetri] tha se ata ‘[u bënë] dëshmitarë okular [të] madhështisë së tij’. (2 Pjetër 1:16.)

2) Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u ‘shpërfytyruan [vetë] para tij’ [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 109], … duke i aftësuar kështu që të takonin engjëj, të shihnin vegime dhe të kuptonin gjërat e Perëndisë. …

3) Moisiu dhe Elia – dy profetë të lashtë të cilët u shpërfytyruan dhe u morën në qiell pa provuar vdekjen, kështu që ata të mund të ktheheshin me trupa të prekshëm pikërisht në këtë rast, një rast që i parapriu ditës së ringjalljes – u shfaqën në mal; dhe ata dhe Jezusi ia dhanë çelësat e mbretërisë Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit [shih Mësimet: Jozef Smith, f. 109].

4) Gjon Pagëzori, të cilit i ishte prerë koka më parë nga Herodi, me sa duket ishte gjithashtu i pranishëm. …

5) Pjetri, Jakobi dhe Gjoni panë në vegim shpërfytyrimin e tokës, domethënë, ata e panë atë të rigjallëruar dhe të kthyer në gjendjen e saj parajsore – një ngjarje që do të ndodhë në Ardhjen e Dytë, kur të nisë epoka mijëvjeçare. [DeB 63:20–21.]

6) Duket që Pjetri, Jakobi dhe Gjoni morën vetë indaumentet [dhurimet] e tyre ndërsa ishin në mal [Shih Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 2:165.] … Gjithashtu duket se ndodhi ndërsa ata ishin në mal që morën fjalën më të vërtetuar profetike, që atëherë iu zbulua atyre se ata ishin vulosur për jetën e përjetshme. (2 Pjetër 1:16–19; DeB 131:5.)

7) Me sa duket vetë Jezusi u forcua dhe u nxit nga Moisiu dhe Elia që të përgatitej për vuajtjet dhe agoninë e pafundme përpara Tij në lidhje me përmbushjen e shlyerjes së pafundme dhe të përjetshme. [Shih James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. i 3-të (1916), f. 373.] …

8) Me siguri të tre apostujve të zgjedhur iu dha mësim me qartësi ‘për vdekjen e tij, dhe gjithashtu për ringjalljen e tij’ [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 9:31]. …

9) Duhet të ketë qenë e dukshme për ata gjithashtu se periudhat e vjetra ungjillore të së kaluarës ishin venitur, se ligji (për të cilin simboli ishte Moisiu) dhe profetët (për të cilët përfaqësuesi karakteristik ishte Elia) i nënshtroheshin Atij, të cilit tani qenë urdhëruar t’ia vinin veshin.

10) Me sa duket Perëndia, Ati i mbuluar dhe i fshehur nga një re, ishte i pranishëm në mal” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:399–401).

Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 9:3 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 228), tregon që Gjon Pagëzori, i cili ishte martirizuar, por ende nuk ishte ringjallur, u shfaq gjithashtu në Malin e Shpërfytyrimit. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi një arsye se përse Gjon Pagëzori ishe i pranishëm:

“Nuk duhet kuptuar që Gjon Pagëzori ishte Elia, i cili u shfaq me Moisiun për t’u dhënë çelësat dhe autoritetin atyre që mbanin në atë kohë Priftërinë Melkizedeke, priftëri më e lartë, e cila tashmë e përmbante dhe e përfshinte të gjithë autoritetin dhe fuqinë që Gjoni kishte mbajtur e ushtruar gjatë shërbesës së tij. Përkundrazi, për njëfarë arsyeje që mbetet e panjohur – për shkak të shënimit në mënyrë të pjesshme të asaj që ndodhi – Gjoni luajti njëfarë roli tjetër në shfaqjet e lavdishme që atëherë denjuan të vdekshmit. Ndoshta ai ishte atje, si administratori i fundit i ligjshëm nën Besëlidhjen e Vjetër, për të simbolizuar që ligji ishte përmbushur dhe të gjitha gjërat e vjetra kishin marrë fund, duke bërë dallim kështu mes pozitës së tij dhe asaj të Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit që në atë kohë po bëheshin administratorët ‘e parë’ të ligjshëm të Mbretërisë së Re” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:404).

Shtyp në Letër