Biblioteka
Mësimi 11: Mateu 6


Mësimi 11

Mateu 6

Hyrje

Jezusi vijoi Predikimin e Tij në Mal. Ai dha mësim se veprimet e drejta të përkushtimit duhet të bëhen për arsyen e duhur dhe theksoi se ato duhet të bëhen për të kënaqur Atin tonë Qiellor. Ai gjithashtu i udhëzoi dishepujt e Tij që të kërkonin së pari të ndërtonin mbretërinë e Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 6:1–18

Shpëtimtari i mëson dishepujt e Tij që të bëjnë vepra të drejta

Sillni shpërblime të vogla në klasë (të tilla si copa ëmbëlsirash). Kur studentët mbërrijnë dhe ju i shihni të bëjnë diçka të mirë (të tilla si nxjerrjen e shkrimeve të tyre të shenjta, përshëndetjen me mirësi të dikujt ose të ndihmuarit për të planifikuar një takim shpirtëror), jepuni një shpërblim dhe bëjani të ditur klasës veprimin e tyre të mirë. Disa studentë mund të përsëritin veprimet e mira të bashkëmoshatarëve të tyre për të marrë shpërblimin e vet. Vazhdoni t’i shpërbleni studentët derisa të jetë koha për fillimin e orës mësimore.

Për ta filluar orën mësimore, pyetini studentët për arsyen përse i bënë veprimet e mira për të cilat ju i shpërblyet. Shpjegoni se siç është shënuar te Mateu 6, Shpëtimtari e vijoi Predikimin e Tij në Mal dhe dha mësim për shtysat e ndryshme që mund të ketë një person për bërjen e veprimeve të drejta. Teksa studentët studiojnë Mateun 6, ftojini që të kërkojnë parime që mund t’i ndihmojnë të kryejnë veprime të drejta për arsyet e duhura.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 6:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se ishte një shtysë e papërshtatshme për bërjen e veprimeve të drejta. (Vini në dukje që lëmoshat janë veprime të përkushtimit fetar, të tilla si dhënia të varfërve.)

  • Sipas këtyre vargjeve përse disa njerëz japin lëmosha?

  • Çfarë i quajti Shpëtimtari këta njerëz? (Ju mund të doni të vini në dukje që fjala greke e përkthyer “hipokrit[ë]” i referohet atyre që shtiren.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre”?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 6:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari rreth mënyrës se si dishepujt e Tij duhet të bëjnë veprime të drejta.

  • Përse mendoni që Zoti do të donte që dishepujt e Tij të kryenin veprime shërbimi “në fshehtësi/fshehurazi”?

  • Çfarë sugjeron bërja e veprimeve të drejta në fshehtësi për shtysën e një personi për bërjen e tyre? (Ai ose ajo dëshiron ta kënaqë Atin Qiellor dhe t’u shërbejë të tjerëve në vend që të kërkojë vëmendje nga të tjerët.)

  • Çfarë u premtoi Shpëtimtari atyre që i bënin veprimet e drejta për arsyet e duhura?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit për bërjen e veprimeve të përkushtimit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse bëjmë veprime të përkushtimit për të kënaqur Atin Qiellor në vend që të kërkojmë vëmendjen e të tjerëve, Ai atëherë do të na shpërblejë haptas. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Çfarë do të thotë për ju që Ati Qiellor do të na shpërblejë haptas?

Caktojini studentët që të punojnë në dyshe. Ftojeni një student në secilën dyshe të lexojë Mateun 6:5–6 dhe tjetrin të lexojë Mateun 6:16–18. Ftojeni secilin student të kërkojë një shembull që përdori Shpëtimtari për të ilustruar parimin e bërjes së veprimeve të drejta për të kënaqur Atin Qiellor. Ftojini që t’i tregojnë njëri-tjetrit atë që gjetën. Më pas, pyeteni klasën:

  • Në këto dy fragmente, cilat praktika fetare theksoi Jezusi që duhet të kryhen në fshehtësi?

Sigurohuni që studentët të kuptojnë se lutja publike nuk është e gabuar thjesht ngaqë nuk bëhet në fshehtësi. Lutja dhe praktika të tjera fetare mund të bëhen në mënyrë publike nëse bëhen me sinqeritet dhe përkushtim.

  • Sipas vargjeve që studiuat, përse luten dhe agjërojnë hipokritët?

Ju mund të doni të shpjegoni që frazat “trego[hen] të pikëlluar” dhe “ata shfytyrohen” te vargu 16 iu referuan individëve që e shfaqnin me veprime të dukshme agjërimin e tyre për të tërhequr vëmendjen te vetja.

Referojuni sërish parimit në tabelë. Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur bënë veprime të drejta të përkushtimit – të tilla si lutja ose agjërimi – me qëllim që të kënaqnin Atin Qiellor. Kërkojini që të përsiatin mënyrat se si u ndien të bekuar për adhurimin e tyre të sinqertë. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve të tregojnë bekimet që morën, nëse ndihen rehat për ta bërë atë.

Përmblidheni Mateun 6:7–15, duke shpjeguar që Shpëtimtari dha udhëzim dhe një model për mënyrën e duhur për t’u lutur. Vetë shembulli i Tij i lutjes njihet si Lutja e Zotit. Ftojini studentët t’i përsëritin shkurtimisht këto vargje duke kërkuar atë që mund të mësojmë për lutjen nga shembulli i Zotit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. (Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të doni të shpjegoni që paralajmërimi i Zotit kundër “përsëritje[ve] të kota” nuk është domosdoshmërish një ndalim kundër përdorimit të fjalëve të njëjta ose të ngjashme sa herë lutemi. Zoti gjithashtu po na paralajmëron kundër lutjeve që janë mekanike, të cekëta ose boshe. Lutjet tona duhet të jenë të përulura, me gjithë zemër dhe të shprehura me besim.)

Mateu 6:19–24

Jezu Krishti e mëson turmën se si të mbledhë thesare në qiell

Pamja
kuti thesari

Paraqitni një figurë të një kutie thesari. Shpjegoni që një thesar është çdo gjë që ne e vlerësojmë fort.

  • Çfarë është një gjë që ju e konsideroni si thesar?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 6:19–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth thesareve.

  • Çfarë lloj thesaresh i mësoi Shpëtimtari dishepujt e Tij që të kërkonin?

  • Çfarë tha Shpëtimtari se ishte dallimi mes thesareve të mbledhura në tokë dhe thesareve të mbledhura në qiell?

Shkruajeni sa vijon në tabelë:

Thesare në tokë

Thesare në qiell

Ftojini studentët të vijnë në tabelë dhe të renditin shembuj të thesareve në tokë dhe thesareve në qiell.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 6:22–24 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari na mësoi se mund të na ndihmojë të mbledhim thesare në qiell.

  • Çfarë dha mësim Shpëtimtari te vargjet 22–23 që mund të na ndihmojë të mbledhim thesare në qiell? (Vini në dukje që Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut 22 thotë “nëse syri yt drejtohet vetëm tek lavdia e Perëndisë” [PJS Mateu 6:22; tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 226]). Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se vepra dhe lavdia e Perëndisë është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” [Moisiu 1:39].)

  • Çfarë mund të bëjmë për ta mbajtur syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë?

  • Çfarë të vërtete dha mësim Shpëtimtari në fund të vargut 24 që mund të na ndihmojë të mbledhim thesare në qiell? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne nuk mund t’i shërbejmë edhe Perëndisë edhe mamonit. Shpjegoni se fjala mamon i referohet pasurive.

  • Çfarë mendoni se do të thotë t’i “shërbe[sh]” mamonit? (Ta vendosim zemrën në gjërat e botës në një mënyrë që na largon nga Perëndia.)

Për ta ilustruar të vërtetën që studentët përcaktuan te Mateu 6:24, lidhini me njëra-tjetrën dy pipa pijeje, pranë majës së tyre. Paraqitni një gotë me ujë që është afro gjysmë e mbushur dhe vendosini pipat në mënyrë që një pipë të jetë në ujë dhe tjetra jashtë gotës. Ftojeni një student të përpiqet ta pijë ujin duke përdorur pipat. (Sigurohuni që studenti të thithë njëherësh nga të dyja pipat në mënyrë që mësimi me objekt të funksionojë.) Më pas pyeteni studentin:

  • Përse nuk ishit në gjendje ta pinit në mënyrë të efektshme ujin?

Pyeteni klasën:

  • Nëse pipat na përfaqësojnë ne, çfarë mund të përfaqësojë uji? (Përpjekjet tona për t’i shërbyer Perëndisë.)

  • Përse mendoni që nuk mund t’i shërbejmë Perëndisë dhe mamonit në të njëjtën kohë? (Shih edhe Jakob [Bibël] 1:8.)

  • Çfarë duhet të bëjmë me pipat në mënyrë që ta pimë ujin? Si lidhet kjo me përpjekjet tona për t’i shërbyer Perëndisë?

Ftojini studentët të përsiatin përgjigjet e tyre ndaj pyetjes vijuese: Ju mund të doni t’i ftoni studentët t’i shënojnë përgjigjet e tyre në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  • Në jetën tuaj, cili është një shembull i mënyrës se si vendosja e zemrës suaj te gjërat e botës mund t’ju shpërqendrojë nga të shërbyerit Perëndisë dhe të mbledhurit e thesareve në qiell?

Mateu 6:25–34

Shpëtimtari i udhëzon dishepujt e Tij që të kërkojnë së pari mbretërinë e Perëndisë

Përmblidheni Mateun 6:25–34, duke shpjeguar se Shpëtimtari i udhëzoi dishepujt e Tij që të mos ishin tej mase të shqetësuar për të siguruar për nevojat e tyre bazë. Përkthimi prej Joseph Smith-it për Mateun 6:25–27 na ndihmon të kuptojmë se Shpëtimtari po u fliste veçanërisht atyre që do të shkonin për të predikuar ungjillin e Tij.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 6:31–34. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij që të kërkonin së pari në jetën e tyre. (Vini në dukje fjalët e përdorura nga Përkthimi prej Joseph Smith-it: “Prandaj, mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por kërkoni së pari të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e tij”.)

  • Çfarë u mësoi Shpëtimtari dishepujve të Tij që të kërkonin së pari në jetën e tyre?

  • Çfarë u premtoi Jezu Krishti atyre që po përpiqen të ndërtojnë mbretërinë e Perëndisë (apo Kishën e Tij) në vend që të kërkojnë të arrijnë gjërat e botës? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse kërkojmë së pari të ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë, atëherë Ai do të na bekojë me atë që Ai e di se na duhet.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë parim, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Ne duhet ta vëmë Perëndinë në krye të gjithçkaje tjetër në jetën tonë. …

Kur ne e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë. Dashuria jonë për Zotin do të drejtojë shpalljet e dashurisë sonë, kërkesat e kohës sonë, interesat që ndjekim dhe rendin e përparësive tona.

Ne duhet ta vëmë Perëndinë përpara kujtdo tjetër në jetën tonë” (“The Great Commandment—Love the Lord”, Ensign, maj 1988, f. 4).

  • Kur i keni përjetuar bekimet e Atit Qiellor ndërsa jeni përpjekur ta vendosnit Atë të parin në jetën tuaj?

Merrni parasysh të jepni dëshminë tuaj për bekimet që vijnë nga vendosja e Atit Qiellor të parin në jetën tonë.

Ftojini studentët që përsëri të marrin parasysh shkurtimisht mënyrat se si mund të tundohen për ta vendosur zemrën e tyre në gjërat e botës. Nxitini që të vënë një synim për ta mposhtur këtë tundim duke shkruar në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një mënyrë se si do të kërkojnë ta vendosin Atin e tyre Qiellor të parin në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 6:22. “Në qoftë se syri yt është i pastër”

I pastër, siç përdoret në këtë varg, vjen nga një fjalë greke që do të thotë ‘i shëndoshë, i shëndetshëm, i qartë, i sinqertë’. Njohja e këtij përkufizimi na ndihmon të kuptojmë udhëzimet e Shpëtimtarit lidhur me dhënien e lëmoshave, lutjen dhe agjërimin. E gjitha kjo duhet të bëhet me një vëmendje të thjeshtë dhe të sinqertë tek Ati ynë në Qiell ose te marrësi. Ne mund të marrim parasysh pyetje të tilla si: Kur i jap të varfrit, a shpresoj t’i sjell lavdi Perëndisë apo vetes? Kur i shërbej Zotit, a po e bëj këtë për të marrë miratim nga Zoti apo nga njerëzit? Kur lutem në publik, a po i drejtohem Perëndisë apo personave në bashkësi? (Shih 2 Nefi 2:30; DeB 88:67–68; Moisiu 4:2; Joseph Smith—Historia 1:46)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 29).

Shtyp në Letër