Biblioteka
Mësimi 9: Mateu 5:1–16


Mësimi 9

Mateu 5:1–16

Hyrje

Mateu 5–7 shënon një predikim që Shpëtimtari e dha në fillim të shërbesës së Tij. Ai është bërë i njohur si Predikimi në Mal. Mateu 5:1–16 shënon mësimet e Shpëtimtarit për parimet që çojnë në lumturi. Shpëtimtari gjithashtu i urdhëroi dishepujt e Tij që të japin një shembull të drejtë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 5:1–12

Jezu Krishti e fillon Predikimin në Mal duke dhënë mësim Lumturitë

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë: A jeni i lumtur? Përse po ose përse jo?

Ftojini studentët të përsiatin (ose të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta) se si do t’i përgjigjeshin këtyre pyetjeve. (Ju mund të doni t’u thoni studentëve se atyre nuk do t’u duhet t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.)

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Shumë shpesh jepemi pas iluzionit se ka diçka pak përtej mundësive tona që do të na sjellë lumturi: një situatë më e mirë familjare, një situatë më e mirë financiare ose fundi i një sprove sfiduese.

… Rrethanat e jashtme në të vërtetë nuk kanë rëndësi ose nuk përcaktojnë lumturinë tonë.

… Ne e përcaktojmë lumturinë tonë” (“Lidhur me Keqardhjet dhe Vendimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 23).

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “ne e përcaktojmë lumturinë tonë”? Përse është e rëndësishme ta dimë këtë?

Shpjegoni se ndërsa Shpëtimtari filloi shërbesën e Tij, Ai dha një predikim pranë detit të Galilesë. Ky predikim shpesh është quajtur Predikimi në Mal dhe është shënuar te Mateu 5–7. Në këtë predikim, Shpëtimtari shpjegoi atë që mund të bëjmë për të qenë vërtet të lumtur, pavarësisht nga rrethanat tona të jashtme.

Ftojini studentët t’i hedhin një sy në heshtje Mateut 5:3–11, duke kërkuar fjalët që përsëriten në fillim të çdo vargu. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Lexojeni me zë të lartë sqarimin vijues (nga Mateu 5:3, shënimi a në fund të faqes te varianti SHDM në anglisht i Biblës) dhe vëreni klasën të kërkojë kuptimin e fjalës “lum”: Fjala “lum” qe përkthyer nga fjala latinisht beatus, që është rrënja e fjalës anglisht “beatitude [lumturi]”, që do të thotë “të jesh me fat”, “të jesh i lumtur” ose “të jesh i bekuar”.

  • Çfarë do të thotë fjala lum?

Shpjegoni se ngaqë fjala lum përkthehet nga fjala latine beatus, që do të thotë të jesh me fat ose i lumtur, këto vargje përgjithësisht janë quajtur Lumturitë.

Sigurojini secilit student një kopje të tabelës vijuese. Vini në dukje që përveç vargjeve që përmbajnë Lumturitë te Mateu 5, tabela përmban dy referenca për 3 Nefin. Këto referenca janë pjesë e predikimit që Jezu Krishti dha gjatë shërbesës së Tij mes nefitëve, që është i ngjashëm me Predikimin në Mal. Referencat te 3 Nefi i japin kuptueshmëri më të madhe fragmenteve përkatëse të shkrimit të shenjtë te Mateu 5.

Pamja
fletushkë, Lumturitë

Lumturitë

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 9

Mateu 5:3; 3 Nefi 12:3

Të jemi skamës në shpirt do të thotë të jemi të përulur dhe “të prano[jmë] me mirënjohje varësinë [tonë] nga Zoti—të kupto[jmë] se ke[mi] nevojë të vazhdueshme për përkrahjen e Tij. Përulësia është një mënyrë pranimi që talentet dhe zotësitë [tona] janë dhurata nga Perëndia” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 121).

Mateu 5:4

Të vajtosh është të ndiesh ose të shprehësh brengë. Një njeri mund të vajtojë për vështirësitë dhe sprovat e vdekshmërisë, përfshirë vdekjen e njerëzve të dashur. Në të njëjtën mënyrë, një person mund të vajtojë edhe për shkak të brengës së mëkatit.

Mateu 5:5

“Të jesh [zemër]butë, siç përcaktohet në fjalorin Uebster, është ‘të manifestosh durim, shumëvuajtje: t’i rezistosh dëmtimit pa u zemëruar’ [Webster’s Third New International Dictionary (1976) ‘meek’, f. 1403]. Butësia nuk është dobësi. Ajo është një tipar dallues i kurajës së krishterë” (Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 73).

Mateu 5:6; 3 Nefi 12:6

Të jesh i uritur dhe i etur për drejtësi nënkupton një dëshirë të madhe për ta njohur Perëndinë dhe për të bërë vullnetin e Tij.

Mateu 5:7

“Mëshira është trajtimi me dhembshuri i një personi, shumë më tepër nga sa meritohet” (“Mercy” [“Mëshira”], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], lds.org/topics). Ne jemi në gjendje të marrim mëshirën e Atit Qiellor për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Alma 33:11).

Mateu 5:8

“Të pastrit në zemër janë ata që e duan Zotin, që përpiqen ta ndjekin Atë dhe të mbajnë urdhërimet e Tij, që po orvaten të bëjnë jetë të virtytshme dhe të durojnë me besnikëri deri në fund. Të pastrit në zemër janë ata që i kontrollojnë mendimet e tyre për ta mbajtur veten të lirë nga fantazitë dhe veprimet e pamoralshme” (Sheldon F. Child, “Words of Jesus: Chastity”, Ensign, janar 2003, f. 44).

Mateu 5:9

“[Paqebërja] është dhurata për të ndihmuar njerëzit që të dallojnë të përbashkëtën kur të tjerë shikojnë mospajtime” (Henri B. Ajring, “Të Mësosh në Priftëri”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 63).

Mateu 5:10–12

Të “përnd[iqemi] për hir të drejtësisë” do të thotë të jemi të gatshëm t’i bindemi dha ta mbrojmë Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij, edhe kur mund të tallemi apo keqtrajtohemi për bërjen e saj.

Ndajini studentët në tetë grupe dhe caktojini secilit grup njërën prej lumturive të renditura në tabelë (nëse nuk keni mjaftueshëm studentë për të formuar tetë grupe, merrni parasysh që një grupi t’i caktoni më shumë sesa një lumturi). Ftojini studentët të përgatitin një paraqitje të shkurtër për lumturinë(-të) e caktuara atyre. Ata duhet të përfshijnë veprimtaritë vijuese në paraqitjen e tyre (ju mund të doni t’i shkruani këto udhëzime në tabelë ose të krijoni një fletushkë për referim):

  1. Ftojeni një shok klase ta lexojë vargun ose vargjet me zë të lartë dhe të përcaktojë bekimin që na premtohet kur e jetojmë atë lumturi.

  2. Duke përdorur vargun dhe informacionin në tabelë, shpjegoni atë që duhet të bëjmë për të marrë bekimin e premtuar.

  3. Ftojeni klasën të sugjerojë mënyra specifike se si mund të jetojmë sipas kësaj lumturie.

  4. Shpjegoni se si të jetuarit sipas kësaj lumturie mund të na sjellë lumturi. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë që e ilustron të vërtetën që keni dhënë mësim, si edhe dëshminë tuaj për atë të vërtetë.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilin grup t’ia paraqesë klasës lumturinë e caktuar atyre.

Pasi studentët të kenë mbaruar së paraqituri, vini në dukje se Lumturitë na mësojnë për cilësitë e Jezu Krishtit dhe se duke i jetuar ato ne mund të bëhemi më shumë si Ai.

  • Bazuar në atë që keni mësuar te Mateu 5, çfarë do të na ndodhë neve ndërsa i zhvillojmë këto cilësi si të Krishtit e të tjera si këto? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet ta përcaktojnë parimin vijues: Ndërsa zhvillojmë cilësi si të Krishtit, ne do të gjejmë lumturi më të madhe. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Merrni parasysh të jepni dëshminë tuaj për këtë parim. Kujtojuni studentëve pyetjet e lidhura me lumturinë e tyre, të cilat i përsiatën në fillim të mësimit. Ftojini studentët të kërkojnë lumturi më të madhe duke zgjedhur një prej cilësive të renditura te Lumturitë dhe duke vënë një qëllim për ta zhvilluar atë cilësi.

Mateu 5:13–16

Jezu Krishti i udhëzon dishepujt e Tij që të japin një shembull të drejtë

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një person që njohin, të tillë si një pjesëtar të familjes ose mik, i cili mund të bekohet duke iu afruar më pranë Atit Qiellor. Teksa studentët vazhdojnë ta studiojnë Mateun 5, ftojini ata të kërkojnë parime që mund t’i udhëheqin ata ndërsa përpiqen ta ndihmojnë këtë person.

Paraqitni një kuti me kripë dhe derdhni një sasi të vogël në një tas.

  • Në çfarë mënyrash mund të jetë e përdorshme kripa?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Karlos E. Esei, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për disa prej përdorimeve të kripës:

Pamja
Plaku Karlos E. Esei

“[Kripa e mirë] … është e pastër, e kulluar, e pandotur dhe e dobishme. Në këtë gjendje ose konditë, kripa do të ketë efekt ruajtës, do të japë shije, do të shërojë dhe do të kryejë funksione të tjera të dobishme” (“Salt of the Earth: Savor of Men and Saviors of Men”, Ensign, maj 1980, f. 42).

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 5:13 duke kërkuar se kë krahasoi Shpëtimtari me kripën.

  • Me kë e krahasoi Shpëtimtari kripën? (Me dishepujt e Tij.)

  • Në çfarë mënyrash dishepujt e Jezu Krishtit tregojnë të njëjtat karakteristika si të kripës së mirë?

  • Sipas vargut 13, çfarë ndodh kur kripa e humb shijen?

Shpjegoni që fjala shije i referohet jo vetëm shijes së kripës, por edhe cilësive të saj të pashoqe që e bëjnë atë një substancë shëruese dhe ruajtëse.

  • Çfarë e bën kripën ta humbasë shijen? (Kripa e humbet shijen kur përzihet me materiale të tjera dhe bëhet e ndotur.)

Derdhni material tjetër, të tillë si dhé, në tas dhe përziejini bashkë kripën dhe elementet e tjera.

  • Çfarë i ndodh vlerës së kripës kur ajo përzihet me materiale të tjera?

  • Si dishepuj të Jezu Krishtit, çfarë mund të na bëjë ne që ta humbasim shijen tonë apo cilësitë tona si të Krishtit që na lejojnë të jemi një bekim për të tjerët? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Bërja i ndotur nga mëkatet e botës mund të na pengojë nga të qenit një bekim për të tjerët. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Çfarë mund të bëjmë për ta ruajtur ose rifituar shijen tonë?

Paraqitni një qiri (mos e ndizni qiriun). Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:14–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari i krahasoi dishepujt e Tij me një qiri.

  • Çfarë u kërkohet dishepujve të Krishtit që të bëjnë me dritën e tyre?

  • Çfarë do të thotë ta lini të shndritë dritën tuaj? (Shih 3 Nefi 18:24.)

  • Çfarë do t’i bëjnë veprat tona të mira të tjerët që të bëjnë?

Shpjegoni se mes të tjerash, fraza “ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (vargu 16) do të thotë t’i thurësh lavdërim dhe nder Perëndisë me fjalë ose veprim.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargjet 14–16 për mënyrën se si shembulli ynë i drejtë mund të ndikojë te të tjerët? (Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Shembulli ynë i drejtë mund t’i nxitë të tjerët t’i afrohen më pranë Atit Qiellor. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Kur ka dhënë dikush një shembull të drejtë që ju ka ndihmuar t’i afroheni më pranë Atit Qiellor?

Nxitini studentët të përsiatin për atë që mund të bëjnë për të qenë një shembull më i mirë për familjen dhe miqtë e tyre.

Përsëritni parimet që u përcaktuan dhe u shkruan në tabelë në këtë mësim. Shkruani në tabelë fjalët Filloni, Ndaloni dhe Vazhdoni. Ftojini studentët të vlerësojnë jetën e tyre dhe të zgjedhin një gjë që ata mund të fillojnë ta bëjnë, një gjë që mund të ndalojnë së bëri dhe një gjë që mund të vazhdojnë ta bëjnë për t’i zbatuar këto parime në jetën e tyre.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 5:14–16

Shpjegoni se gjatë gjithë vitit studentët do të përqendrohen te 25 fragmente për zotërimin e shkrimit të shenjtë, përfshirë Mateun 5:14–16. Këto fragmente do t’i ndihmojnë që të kuptojnë dhe të shpjegojnë doktrina bazë të ungjillit. Të 25 fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë janë renditur në anën e pasme të libërshenjuesit të seminarit për Dhiatën e Re. Shpjegoni që “zotërimi” i fragmenteve të shkrimeve të shenjta përfshin të qenit në gjendje për t’i gjetur, kuptuar, zbatuar dhe mësuar përmendsh ato.

Për t’i ndihmuar studentët ta mësojnë përmendsh këtë fragment, ftojini ata që ta thonë disa herë me mendje dhe pastaj me zë të lartë para një shoku të klasës. Ju mund të doni ta vini klasën ta thotë përmendsh këtë fragment me zë të lartë në fillim ose në fund të çdo ore mësimore gjatë javës tjetër.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 5:1–12. “Lumturitë”

Për një studim të mëtejshëm të Lumturive, ju mund të doni t’i referoheni një artikulli nga Plaku Robert E. Uells, i Të Shtatëdhjetëve, i titulluar “The Beatitudes: Pattern for Coming unto Christ” [“Lumturië: Model për Ardhjen te Krishti”], (Ensign, dhjetor 1987, f. 8–11).

Mateu 5:1–12. “Lum”

Lidhur me mësimet e Shpëtimtarit te Mateu 5:1–12, Presidenti Harold B. Li dha mësim:

“Këto deklarata të Mësuesit njihen në literaturën e botës së krishterë si Lumturitë dhe janë përmendur nga komentuesit e Biblës si përgatitja e nevojshme për hyrje në mbretërinë e qiejve. Për qëllimet e këtij diskutimi a mund të flas për to si diçka më shumë nga ajo sesi ato gjejnë zbatim për mua dhe ju. Ato mishërojnë në fakt KUSHTETUTËN PËR NJË JETË TË PËRKRYER” (Decisions for Successful Living [1973], f. 56–57).

Shtyp në Letër