Mësimi 125
Filipianëve 4
Hyrje
Pali i udhëzoi shenjtorët në Filipi që të ishin plot lutje dhe të kërkonin çfarëdo gjëje që është e drejtë. Ai shpalli edhe besimin e tij në forcën mundësuese të Jezu Krishtit. Pali e mbylli letrën e tij me një mënyrë tjetër falënderimi për shenjtorët filipianë, për mbështetjen që i dhanë atij në kohët që ai kishte nevojë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Filipianëve 4:1–14
Pali i udhëzon shenjtorët në Filipi që të jenë plot lutje dhe të kërkojnë çfarëdo gjëje që është e drejtë
Përpara orës mësimore, shkruajeni secilën nga thëniet vijuese në fletë të veçanta letrash dhe jepuani secilën letër studentëve të ndryshëm:
“Jam i/e shqetësuar nëse do të kaloj në provimin e radhës”.
“Jam i/e shqetësuar për një pjesëtar të familjes, i/e cili/a është sëmurë”.
“Jam i/e shqetësuar se si të qëndroj i/e fortë për bindjet e mia”.
“Jam i/e shqetësuar nëse do të jem një misionar/e i/e suksesshëm/me”.
Fillojeni mësimin duke shkruar në tabelë fjalën shqetësohem. Vini në pah se gjatë gjithë jetës sonë, ne do të përjetojmë sfida ose rrethana që mund të na bëjnë të shqetësohemi. Ftojini studentët që kanë letrat të ngrihen në këmbë dhe t’i lexojnë thëniet e tyre me radhë. Kërkojini klasës të mendojë për raste kur kanë pasur shqetësime të ngjashme.
Çfarë shqetësimesh të tjera mund të përjetojmë ne si rrjedhojë e sfidave ose rrethanave të vështira?
Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një sfide, për të cilën ata ose dikush që njohin shqetësohen. Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë ndërsa studiojnë Filipianëve 4, që mund t’i ndihmojë ata kur shqetësohen.
Kujtojuni studentëve se në letrën e Palit drejtuar anëtarëve të Kishës në Filipi, ai e përgëzoi besnikërinë e anëtarëve të Kishës (shih Filipianëve 2:12) dhe u mësoi atyre për shpërblimet e përjetshme që janë në dispozicion për ata që sakrifikojnë për Jezu Krishtin dhe janë besnikë ndaj Tij. Përmblidheni Filipianëve 4:1–5 duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët të qëndronin të patundur me besnikëri ndaj Zotit, të gëzoheshin në Zotin dhe të lejonin që zemërbutësia e tyre (shih vargun 5, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]), të ishte e dukshme tek të tjerët.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë frazën e parë të Filipianëve 4:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillat e Palit për shenjtorët. Drejtojini studentët te vargu 6, poshtëshënimi a [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se fraza “mos u shqetësoni për asgjë” do të thotë të mos merakosesh së tepërmi për asgjë.
Shkruajeni frazën vijuese në tabelë: Si pasues besnikë të Jezu Krishtit, nëse …
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën tjetër të Filipianëve 4:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin në vend që të shqetësoheshin. Ju mund të shpjegoni se përgjërimi është një kërkesë e përulur, e sinqertë.
Si do t’i përmblidhnit udhëzimet e Palit në vargun 6? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë si një thënie e llojit “nëse”, të ngjashme me sa vijon: Si pasues besnikë të Jezu Krishtit, nëse lutemi me përgjërim dhe falënderim, …)
Shtojani fjalën atëherë thënies në tabelë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:7. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar bekimin që premtoi Pali se [vjen] për shkak të lutjes me përgjërim dhe falënderim. Shpjegoni se fjala ruajë në këtë varg do të thotë të mbrosh (shih vargun 7, poshtëshënimi c, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).
Si do ta përmblidhnit bekimin që premtoi Pali? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë pas [pjesëzës] atëherë. (Studentët duhet të kenë përcaktuar një parim të ngjashëm me sa vijon: Si pasues besnikë të Jezu Krishtit, nëse lutemi me përgjërim dhe falënderim, atëherë Perëndia do të na bekojë me paqen e Tij.)
Kur shqetësohemi, si mund të na ndihmojë për të sjellë paqe shprehja e mirënjohjes në lutjet tona?
Nga se na i ruan paqja e Perëndisë zemrën dhe mendjen tonë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës që të mbajë vesh për mënyrat shtesë se si mund të na ndihmojë paqja e Perëndisë:
“Ngaqë e respekton lirinë tuaj të zgjedhjes, Ati në Qiell nuk do t’ju detyrojë kurrë që t’i luteni Atij. Por teksa e ushtroni atë liri të zgjedhjes dhe e përfshini Atë në çdo fushë të jetës suaj të përditshme, zemra juaj do të fillojë të mbushet me paqe, paqe të gjallëruar. Ajo paqe do të përqendrojë një dritë të përjetshme mbi vështirësitë tuaja. Do t’ju ndihmojë t’i mbikqyrni ato sfida nga një këndvështrim i përjetshëm” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93).
Sipas Plakut Skot, në ç’mënyrë paqja e Perëndisë mund të na ndihmojë me sfidat që përjetojmë?
Kur jeni lutur me përgjërim dhe falënderim në një rast shqetësimi dhe jeni bekuar me paqen e Perëndisë?
Kërkojuni studentëve t’i referohen shqetësimit që shkruan më parë në mësim. Nxitini ata të luten me përgjërim dhe falënderim në vend që të shqetësohen. Nëse studentët shkruan për shqetësimin e dikujt tjetër, nxitini ata t’ia tregojnë këtë parim atij personi.
Për t’i përgatitur studentët të përcaktojnë një parim shtesë që Pali ua mësoi shenjtorëve filipianë, ndajeni klasën në tresh. Caktojini njërës treshe të klasës të mendojë për një artikull të parapëlqyer ushqimor, treshja tjetër e klasës të mendojë për një figurë ose histori gazmore dhe treshja e mbetur të mendojë për një figurë ose përvojë në tempull. Ftojini studentët të përqendrohen te ky mendim për 30 sekonda.
Çfarë ndikimi pati tek ju përqendrimi te ky mendim, nëse patët ndonjë?
Vini në pah se ajo gjë për të cilën mendojmë, mund të ndikojë në dëshirat dhe sjelljet tona. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë i këshilloi Pali shenjtorët filipianë që të mendonin dhe të bënin. Ju mund të shpjegoni se “mendoni” do të thotë t’i kushtosh vëmendje të kujdesshme e të vazhdueshme.
Ftojini studentët të marrin parasysh shenjimin e çdo gjëje, tek të cilat Pali i udhëzoi shenjtorët që t’i përqendronin mendimet e tyre.
Përveç të menduarit për këto gjëra, çfarë u këshilloi Pali anëtarëve të Kishës që të bënin?
Çfarë bekimi u premtoi Pali shenjtorëve nëse ata do t’i ndiqnin mësimet dhe shembullin e tij?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga ajo që u mësoi Pali shenjtorëve besnikë te Filipianëve 4:8–9? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse shenjtorët besnikë i përqendrojnë mendimet e tyre në çfarëdo gjëje që është e drejtë dhe nëse i ndjekin apostujt e profetët, atëherë Perëndia i paqes do të jetë me ta.)
Në ç’mënyrë përqendrimi i mendimeve tona në çfarëdo gjëje që është e drejtë ndikon në dëshirat dhe sjelljet tona?
Kërkojini klasës të shkojë te Nenet e Besimit te Perla me Vlerë të Madhe. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë nenin e trembëdhjetë të besimit. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ngjashmëritë me Filipianëve 4:8.
Çfarë ngjashmërish vini re ndërmjet këtyre dy vargjeve?
Vini në pah se kur Profeti Jozef Smith e citoi këtë “këshillë [të] Palit” nga Filipanëve 4:8, në nenin e trembëdhjetë të besimit, ai e ndryshoi [frazën] “këto mendoni” në formë më veprore “ne i kërkojmë këto gjëra”.
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për ne që t’i kërkojmë gjërat që janë të ndershme, të vërteta, të dëlira (ose të pastra), të virtytshme, të dashura dhe të denja për t’u lavdëruar?
Në ç’mënyrë kërkimi i këtyre gjërave na ndihmon t’i përqendrojmë mendimet tona në gjëra të tilla?
Ndajini studentët në grupe me nga tre ose katër veta. Jepini secilit grup një kopje të Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011) dhe fletushkën vijuese. Caktojini secilit grup dy nga temat vijuese nga [broshura] Për Forcën e Rinisë: “Takimet”, “Veshja dhe Pamja e Jashtme”, “Arsimi”, “Argëtimi dhe Media”, “Miqtë”, “Fjalori” ose “Muzika dhe Vallëzimi”. (Përshtateni madhësinë e grupeve dhe numrin e temave në varësi të madhësisë së klasës.) Mësojuni studentëve t’i ndjekin udhëzimet në fletushkë.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student nga secili grup t’i raportojë klasës se çfarë diskutoi grupi i tij apo i saj për secilën pyetje.
Kur i keni përqendruar mendimet tuaja në gjërat e drejta, si jua ka treguar Perëndia i paqes se Ai ishte me ju?
Nxitini studentët të shkruajnë në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta apo në fletoren e klasës, një mënyrë se si mund t’i përmirësojnë përpjekjet e tyre për t’i përqendruar mendimet e veta në gjërat e drejta dhe si mund t’i ndjekin apostujt dhe profetët e Perëndisë.
Përmblidheni Filipianëve 4:10, duke shpjeguar se Pali i falënderoi shenjtorët filipianë për mbështetjen dhe kujdesin që i kishin dhënë atij gjatë sprovave të veta.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u tha shenjtorëve se kishte mësuar.
Çfarë kishte mësuar Pali të bënte në të gjitha rrethanat?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filipianëve 4:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cili ishte burimi i forcës së Palit.
Cili tha Pali se ishte burimi i forcës së tij?
Shpjegoni se thënia e Palit te vargu 13 i përket aftësisë së tij, te forca që iu dha nga Jezu Krishti për të bërë të gjitha gjërat që ishin të kënaqshme për Perëndinë ose që Ai i kërkonte, përfshirë të qenët i gëzuar në çfarëdo rrethane.
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 13? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne mund t’i bëjmë të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili na forcon [shih edhe Alma 26:12].)
Çfarë mund të bëjmë për t’iu qasur forcës që na jep Jezu Krishti?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Vëreni klasën të dëgjojë atë që kjo forcë na mundëson të bëjmë:
“Perëndia derdh bekimet e fuqisë dhe të forcës, duke na mundësuar të arrijmë gjëra që përndryshe do të ishin shumë përtej arritjes sonë. Është nëpërmjet hirit të mahnitshëm të Perëndisë që fëmijët e Tij mund t’i kapërcejnë rrymat nënujore dhe rërat thithëse të mashtruesit, mund të ngrihen mbi mëkatin dhe të ‘bë[hen] të përsosur në Krisht[in]’ [Moroni 10:32]” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 108).
Në çfarë mënyrash mund ta përjetojmë ne këtë forcë ose hir? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë aftësi të madhe ripërtëritëse; zgjidhje; kurajë; durim; këmbëngulje; dhe qëndresë e fuqi fizike, mendore, shpirtërore.)
Kur ju ka dhënë forcë Jezu Krishti për të bërë diçka të mirë? (Merrni parasysh të tregoni edhe një përvojë vetjake.)
Filipianëve 4:15–23
Pali e mbyll letrën e tij drejtuar filipianëve me një shprehje falënderimi
Përmblidheni Filipianëve 4:15–23 duke shpjeguar se Pali i falënderoi sërish shenjtorët filipianë që e mbështetën atë në kohët kur ai kishte nevojë. Dhuratat e shenjtorëve ishin një ofertë e këndshme për Perëndinë, dhe Pali i premtoi se edhe Perëndia do t’ua plotësonte nevojat.
Mbylleni duke ndarë dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Filipianëve 4:13
Ndihmojini studentët të mësojnë përmendsh Filipianëve 4:13 duke e shkruar vargun në tabelë dhe duke e thënë atë së bashku me zë të lartë. Fshijeni një fjalë dhe thuajeni sërish vargun me zë të lartë. Përsëriteni këtë derisa të jenë fshirë të gjitha fjalët.