Biblioteka
Mësimi 94: Veprat e Apostujve 17


Mësimi 94

Veprat e Apostujve 17

Hyrje

Pasi u larguan nga Filipia, Pali dhe Sila e dhanë mësim ungjillin në Thesaloniki dhe Berea. Përndjekja nga mosbesuesit në këto qytete e detyroi Palin të largohej me të shpejtë për në Athinë, ku, në Areopag [Kodra e Marsit], ai u dha mësim njerëzve rreth natyrës së vërtetë të Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 17:1–15

Disa prej judenjve në Thesaloniki përpiqen ta ndalojnë Palin që ta predikojë ungjillin

Ftojini studentët të shpjegojnë se çfarë këshille mund t’iu japin njerëzve në situatat vijuese:

  1. Një i ri që është anëtar i Kishës, dëgjon një anëtar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të flasë rreth rëndësisë së martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor. Disa prej shokëve të të riut shprehin mospajtimin e tyre me mësimet e Apostullit. I riu dëshiron të dijë vetë nëse mësimet e dhëna nga Apostulli janë të vërteta.

  2. Një e re vë në dyshim rëndësinë e mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë. Shumica e shoqeve të saj i kalojnë të dielat duke bërë pazar e duke fjetur dhe nuk shqetësohen për të shkuar në kishë. Nëna e saj shpjegon bekimet që mund të vijnë nga nderimi i Zotit të dielën, por e reja ende e ka të vështirë të besojë se mbajtja e shenjtë e ditës së Shabatit është e rëndësishme.

Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 17 të kërkojnë parime që do t’i ndihmojnë të dinë për veten e tyre vërtetësinë e mesazheve që i marrim nga shërbëtorët e Zotit.

Shpjegoni se Pali dhe Sila udhëtuan drejt Thesalonikisë, ku ata dhanë mësim në sinagogën judease. (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të gjejnë Thesalonikinë në Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”.) Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 17:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që përdori Pali me qëllim që t’u jepte mësim judenjve.

  • Çfarë përdori Pali me qëllim që t’u jepte mësim judenjve?

Shpjegoni se duke treguar (vargu 3) do të thotë të shpallësh ose të deklarosh. Pali përdori fragmentet e shkrimit të shenjtë për të deklaruar ose treguar se Jezusi është Krishti.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 17:4–5 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si njerëzit në Thesaloniki iu përgjigjën mësimeve të dhëna nga Pali. Ju mund të doni të shpjegoni se u bashkuan do të thotë u mblodhën ose u grumbulluan me dikë dhe që të këqij do të thotë të ligj.

  • Si ndryshuan përgjigjet e njerëzve ndaj mësimeve të dhëna nga Pali?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 17:6–9 duke shpjeguar se një turmë mosbesuesish u përpoq ta gjente Palin dhe Silën. Kur nuk mundi t’i gjente, turma shkoi te krerët e Thesalonikisë dhe shpalli që mësimet e dhëna nga Pali kërcënonin autoritetin e Cezarit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 17:10–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar vendin për ku u larguan Pali dhe Sila. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Sipas vargut 12, si iu përgjigjën judenjtë në Berea mësimeve të dhëna nga Pali?

Kopjojeni ekuacionin e paplotë vijues në tabelë:

__________________________ + _____________________________ = Besim

  • Sipas vargut 11, çfarë bënë njerëzit fillimisht, gjë që i çoi ata drejt besimit të tyre në mësimet e dhëna nga Pali? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë thënien vijuese si pjesën e parë të ekuacionit: Ata i pranuan fjalët e Palit me gatishmëri të madhe.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë ta “pran[osh] fjalën me gatishmëri të madhe”, sillni një top në klasë dhe ftojini dy studentë të dalin përpara klasës. Kërkojini njërit prej tyre që të bëhet gati për ta kapur topin dhe udhëzojeni studentin tjetër që t’ia hedhë topin studentit të parë. Më pas, kërkojini klasës se si mund ta dallonin që studenti i parë ishte gati për ta kapur topin.

Më pas, ftojeni studentin e parë të demonstrojë se nuk është gati për ta kapur topin dhe të qëndrojë në atë mënyrë ndërkohë që studenti tjetër ia hedh topin sërish. Kërkojini studentit tjetër që ta hedhë topin (duke treguar kujdes që të mos shkaktojë dëmtim). Kërkojini klasës se si mund ta dallonin që studenti i parë nuk ishte gati për ta kapur topin. Ftojini të dy studentët të kthehen te vendet e tyre.

Ftojeni klasën të demonstrojë se si mund të duket që janë të gatshëm për t’i pranuar fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë. Më pas, kërkojuni atyre të demonstrojnë se si mund të duket që dikush nuk është gati për t’i pranuar fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë. (Për shembull, studentët mund t’i mbyllin shkrimet e tyre të shenjta, mund të bisedojnë me një student pranë ose t’iu tërhiqet vëmendja nga mjetet elektronike.)

  • Përveç pamjes së tij ose të saj të jashtme, çfarë mund të jetë duke ndodhur në zemrën dhe mendjen e dikujt që është gati ta pranojë një mesazh të ungjillit?

Tërhiqeni vëmendjen e studentëve te vija e dytë bosh në ekuacionin në tabelë.

  • Sipas vargut 11, çfarë tjetër bënë njerëzit që çoi drejt besimit të tyre në mësimet e dhëna nga Pali? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë thënien vijuese si pjesën e dytë të ekuacionit: Ata i shqyrtuan shkrimet e shenjta çdo ditë që t’i kuptonin fjalët e Palit.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 17:10–12, që mund ta forcojë besimin tonë te fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i pranojmë fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë me gjithë gatishmërinë e mendjes dhe i hetojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, atëherë do të forcohet besimi ynë në fjalët e tyre.)

Shqyrtojini skenarët e përshkruar në fillim të mësimit.

  • Si mund t’i ndihmojë ky parim njerëzit në këta skenarë?

  • Në çfarë mënyre mund të ndikojë në aftësinë tonë për ta besuar të vërtetën studimi ynë i përditshëm i shkrimeve të shenjta?

Ftojini studentët të marrin parasysh raste kur e dëshmuan vërtetësinë e këtij parimi. Ju mund t’i ftoni disa prej tyre që t’i tregojnë përvojat e tyre.

Nxitini studentët t’i pranojnë fjalët e profetëve, udhëheqësve, mësuesve dhe prindërve me “gatishmëri të madhe” dhe t’i lexojnë shkrimet e shenjta çdo ditë.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 17:13–15 duke shpjeguar se kur judenjtë në Thesaloniki dëgjuan që Pali po predikonte në Berea, ata erdhën që t’i provokonin njerëzit e Bereas. Palit sërish iu desh të largohej, kështu që udhëtoi drejt Athinës.

Veprat e Apostujve 17:16–34

Pali predikon në Areopag

Ftojini studentët të gjejnë Fotografitë e Biblës, nr. 29, “Athina”, në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta. Vini në dukje që kjo fotografi tregon njërin prej disa tempujve në Athinë që përdoreshin për adhurimin e perëndive të rreme. Brenda këtyre tempujve gjendeshin statuja të bëra nga njerëzit për këto perëndi. Jashtë ishin altarët mbi të cilët ofroheshin flijime për këto perëndi të rreme.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 17:16–21 duke shpjeguar që Pali shqetësohej thellësisht rreth idhujtarisë në Athinë dhe ai dha mësim në sinagogat dhe sheshet e tregut atje. Atëherë filozofët e ftuan Palit t’ia shpjegonte “doktrinë[n e tij të] re” (vargu 19) këshillit gjykues që mblidhej në Areopag.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 17:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali vuri re mbi njërin prej altarëve të athinasve.

  • Çfarë pa Pali mbi njërin prej altarëve të athinasve?

Shpjegoni se vargu 22 shënon që Pali i përgëzoi athinasit duke thënë se ata ishin “shumë fetarë”, duke nënkuptuar që ishin “shumë besimtarë” ose “të kujdesshëm në gjëra hyjnore” (Veprat e Apostujve 17:22, shënimi a në fund të faqes). Altari drejtuar “Perëndisë së panjohur” (vargu 23) ishte përpjekja e athinasve për të kënaqur një perëndi të panjohur ose ndonjë perëndi që nuk njihej me emër. Në mënyrë të dukshme ata nuk donin të fyenin ose linin pas dore asnjë perëndi.

Vini në dukje fjalinë e fundit të Veprave të Apostujve 17:23 dhe më pas pyetini:

  • Përse Pali iu drejtua këtij altari si “perëndi [e] panjohur”? (Ai e përdori atë që të paraqiste idenë e Perëndisë së vërtetë, Atit Qiellor, Perëndisë që ata nuk e njihnin.)

Ndajeni klasën në dyshe ose në grupe të vogla. Ftojeni secilin grup të shqyrtojë Veprat e Apostujve 17:24–31 për sa shumë të vërteta që mund t’i gjejnë rreth Perëndisë, që ishte i panjohur për njerëzit e Athinës. Ndërkohë që studiojnë, renditni në tabelë secilin numër të vargut (24–31). Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë te tabela për të shkruar një të vërtetë që gjetën pranë numrit të vargut në të cilin e gjetën. (Për t’i ndihmuar studentët që të përcaktojnë një të vërtetë te Veprat e Apostujve 17:27, mund t’ju nevojitet t’i drejtoni ata te Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] në Biblën në anglisht te Veprat e Apostujve 17:27, shënimi b në fund të faqes.)

Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët ta shenjojnë secilën prej të vërtetave në shkrimet e tyre të shenjta. Disa të vërteta që renditin në tabelë, mund të përfshijnë sa vijon:

  • Vargu 24: Perëndia e krijoi botën.

  • Vargu 25: Perëndia u jep jetë të gjitha gjërave.

  • Vargu 26: Perëndia e kontrollon gjithë jetën.

  • Vargu 27: Nëse jemi të gatshëm ta kërkojmë Perëndinë, ne do të zbulojmë se Ai nuk është larg nesh.

  • Vargu 28: Ne jemi pasardhës të Perëndisë.

  • Vargu 29: Ne u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.

  • Vargu 30: Perëndia e urdhëron çdo njeri të pendohet.

  • Vargu 31: Perëndia do të na gjykojë; Perëndia do t’i ngrejë të gjithë njerëzit së vdekuri.

Ftojini studentët të zgjedhin një të vërtetë në tabelë që është domethënëse për ta. Kërkojuni disa prej tyre të tregojnë se cilën të vërtetë zgjodhën dhe përse është ajo domethënëse për ta.

Bëni shenjë drejt doktrinës “Ne jemi pasardhës të Perëndisë”.

  • Çfarë do të thotë të jesh “pasardhës” i Perëndisë? (Ne jemi fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor.)

  • Përse është kaq e rëndësishme që ta kuptojmë këtë doktrinë? (Ajo mund të na ndihmojë të dallojmë vlerën tonë të pafundme për Atin Qiellor dhe potencialin tonë që të bëhemi si Ai.)

  • Çfarë problemesh ose pështjellimi mund të ngrihej nga të moskuptuarit e kësaj doktrine?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë arsyen përse duhet të mbajmë mend që ta shohim veten tonë para së gjithash si fëmijë të Perëndisë.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Jini të kujdesshëm se si ta karakterizoni veten tuaj. Mos e karakterizoni ose përcaktoni veten tuaj nëpërmjet ndonjë cilësie tokësore. Cilësia e vetme që duhet të na karakterizojë është se ne jemi një bir ose një bijë e Perëndisë. Ai fakt i tejkalon të gjitha karakteristikat e tjera, përfshirë racën, punësimin, karakteristikat fizike, nderimet apo madje përkatësitë fetare” (“How to Define Yourself”, New Era, qershor 2013, f. 48).

  • Përse është e rëndësishme të mbajmë mend që ne jemi para së gjithash fëmijë të Perëndisë?

Referojuni parimit “Nëse jemi të gatshëm ta kërkojmë Perëndinë, ne do të zbulojmë se Ai nuk është larg nesh”.

  • Në çfarë mënyrash mund të kërkojmë ta njohim Perëndinë dhe të vijmë më pranë Tij?

  • Si mund të ndikojë kuptueshmëria e marrëdhënies sonë me Perëndinë në dëshirën tonë për ta kërkuar Atë?

  • Kur e keni ndier Atin Qiellor pranë jush?

Përmblidhni Veprat e Apostujve 17:32–34 duke shpjeguar se athinasit kishin pasur reagime të ndryshme ndaj përmendjes së Palit për “ringjalljen e të vdekurve” (vargu 32). Disa prej tyre e përqeshën Palin, të tjerë donin të dëgjonin më shumë dhe disa njerëz besuan.

Ju mund të doni të dëshmoni që studentët mund të arrijnë ta njohin dhe ta kuptojnë Perëndinë, edhe pse Ai është i panjohur për shumë njerëz. Ftojini studentët të shkruajnë Perëndia e Njohur në një fletë letre ose në një fletushkë dhe të renditin mënyra sipas të cilave do të kërkojnë e zhvillojnë një marrëdhënie me Perëndinë. Nxitini ta vendosin këtë fletë atje ku do t’i kujtojë ata për synimet e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 17:18. Epikurianët dhe Stoikët

“Në Athinë, Pali takoi filozofë të epikurianëve dhe stoikëve (shih Veprat e Apostujve 17:18). Epikurizmi e mori emrin nga Epikuri (341–270 Pr.K.). Sipas filozofisë së tij, bota filloi të ekzistonte rastësisht dhe ishte pa qëllim ose plan. Epikurianët besonin se perënditë, nëse vërtet ekzistonin, nuk e përfshinin veten në jetën e njerëzve dhe se lumturia duhej të gjendej në mungesën e përkujdesjeve dhe të dhembjes dhe në pasjen e kënaqësive me maturi.

Stoicizmi filloi me mësimet e dhëna nga një burrë i quajtur Zenon (333–264 Pr.K.). Stoicizmi besonte se të gjitha gjërat u krijuan, u urdhëruan dhe u vendosën në lëvizje prej arsyes hyjnore. Stoikët besonin se njeriu u dhurua me një shkëndijë arsyeje dhe duhej të kërkonte harmoni me urdhrin hyjnor të gjërave, t’i mposhtte pasionet dhe të jetonte një jetë morale dhe të drejtë” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 315–316; shih edhe Bible Dictionary, “Epicureans”, “Stoics”).

Veprat e Apostujve 17:11. “E pranuan fjalën me gatishmëri të madhe”

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, na mësoi:

“Sa më shumë që i drejtojmë zemrën e mendjen tonë për te Perëndia, aq më shumë dritë qiellore pikon në shpirtrat tanë. Dhe çdo herë që me dëshirë e zell e kërkojmë atë dritë, ne i vëmë në dukje Perëndisë gatishmërinë tonë për të marrë më shumë dritë. Dalëngadalë, gjërat që më parë dukeshin të turbullta, të zymta apo të largëta, bëhen të qarta, të shkëlqyera dhe të afërta për ne” (“Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 22).

Shtyp në Letër