Mësimi i Studimit në Shtëpi
Gjoni 7–10 (Njësia 14)
Hyrje
Teksa Shpëtimtari ishte në Jerusalem për Festën e Tabernakujve, disa skribë dhe farisenj sollën një grua tek Ai, e cila ishte fajtore për shkeljen e kurorës, dhe e pyetën nëse ajo duhej të vritej me gurë. Ai i pështjelloi akuzuesit dhe tregoi mëshirë ndaj gruas.
Sugjerime për Mësimdhënien
Gjoni 8:1–11
Një grua që kishte shkelur kurorën sillet përpara Shpëtimtarit
Ftojini studentët të mendojnë për kohët kur mund të kenë takuar ose mund të jenë shoqëruar me njerëz, pamja e jashtme ose sjellja e të cilëve nuk ishte në përputhje me standardet e Zotit.
Çfarë sfidash mund të hasim kur jemi me njerëz të tjerë, pamja e jashtme ose sjellja e të cilëve nuk është në përputhje me standardet e Zotit? (Studentët mund të përgjigjen që ne mund të tundohemi t’i gjykojmë këta individë në mënyrë të padrejtë ose t’i trajtojmë ata pa mirësjellje.)
Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:
Nxitini studentët të kërkojnë të vërteta teksa studiojnë Gjonin 8:1–11 që mund të na ndihmojnë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.
Shpjegoni se pas Festës së Tabernakujve, Jezu Krishti mbeti në Jerusalem për ca kohë dhe u dha mësim njerëzve tek tempulli (shih Gjoni 8:1–2).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi teksa Jezusi u jepte mësim njerëzve.
Çfarë ndodhi teksa Jezusi u jepte mësim njerëzve?
Çfarë pyetje i bënë skribët dhe farisenjtë Shpëtimtarit?
Sipas vargut 6, cili ishte qëllimi i skribëve dhe farisenjve? (Ata po përpiqeshin ta diskreditonin Jezusin përpara njerëzve dhe të krijonin arsye për ta akuzuar Atë, sepse donin arsye për ta arrestuar dhe për ta vrarë Atë [shih Gjoni 7:1, 32].)
Shpjegoni se, në qoftë se Jezusi thoshte ta vrisnin gruan me gurë, Ai do të kishte përkrahur një ndëshkim që nuk gëzonte popullaritet mes popullit judeas dhe ndalohej nga ligji romak. Nëse Jezusi thoshte që të mos vritej gruaja me gurë, Ai do të akuzohej që po e shpërfillte ligjin e Moisiut ose që po i trajtonte pa respekt praktikat e pranuara të së shkuarës. (Shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:450–451.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:7-8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u përgjigj Shpëtimtari.
Sipas vargut 7, cila ishte përgjigjja e Jezusit?
Si mendoni, çfarë donte Shpëtimtari që këta njerëz të kuptonin kur Ai tha: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”? (Gjoni 8:7).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi kur farisenjtë dhe skribët morën parasysh thënien e Shpëtimtarit.
Çfarë mendoni se do të thotë fraza “të bindur nga ndërgjegjja [e tyre]”?
Çfarë pranuan këta njerëz kur zgjodhën që të largoheshin?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth mënyrës se si ta shmangim të dënuarin e të tjerëve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata e përcaktojnë parimin vijues: Pranimi i vetë papërsosmërive tona mund të na ndihmojë ta shmangim dënimin e të tjerëve. Shkruajeni këtë parim nën pyetjen në tabelë.)
Si mendoni se na ndihmon pranimi i vetë papërsosmërive tona që ta shmangim dënimin e të tjerëve?
Kujtojini studentët se kjo grua ishte fajtore për shkeljen e kurorës, që është një mëkat jashtëzakonisht i rëndë (shih Alma 39:3–5).
Si mendoni, çfarë ndjenjash mund të ketë pasur kjo grua kur mëkati i saj iu zbulua Jezusit dhe një turme të madhe njerëzish?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:10–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si Shpëtimtari iu përgjigj kësaj gruaje.
Në çfarë mënyre i tregoi Shpëtimtari dashuri dhe mëshirë kësaj gruaje?
Çfarë udhëzimesh i dha Shpëtimtari kësaj gruaje?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se Shpëtimtari nuk po e pranonte mëkatin e kësaj gruaje, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:
“Urdhri i Tij për të ishte: ‘Shko dhe mos mëkato më’. Ai po e drejtonte gruan mëkatare të shkonte në udhën e saj, ta braktiste jetën e saj të ligë, të mos bënte më mëkat, ta ndryshonte jetën e saj. Ai po i thoshte: ‘Shko, grua, dhe fillo pendesën tënde’; dhe Ai po i tregonte asaj hapin fillestar – për t’i braktisur shkeljet e saj” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 165).
Çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga Gjoni 8:10–11? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shpëtimtari na tregon mëshirë duke na dhënë mundësi për t’u penduar. Shkruajeni këtë të vërtetë nën pyetjen në tabelë.)
Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e kësaj të vërtete kur mëkatojmë?
Si mund të na ndihmojnë dy të vërtetat që kemi përcaktuar në këtë mësim, që të reagojmë në situata kur jemi me njerëz të tjerë pamja e jashtme ose sjellja e të cilëve nuk është në përputhje me urdhërimet dhe standardet e Zotit?
Jepni shtesën vijuese në fund të Gjonit 8:11 nga Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it]: “Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë dhe besoi në emrin e tij” (Joseph Smith Translation, Gjoni 8:11 [te Bibla në anglisht Gjoni 8:11, shënimi c në fund të faqes]).
Sipas Joseph Smith Translation të Gjonit 8:11, çfarë ndikimi pati mbi gruan mëshira e Shpëtimtarit?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ndjenjat që i kanë për Shpëtimtarin, për shkak të gatishmërisë së Tij për të na treguar mëshirë dhe për të na dhënë mundësi që të pendohemi. Ju mund të doni t’u jepni studentëve kohë për të treguar atë që shkruan. Mbylleni duke dhënë edhe dëshminë tuaj për parimet e përcaktuara në këtë mësim.
Njësia Tjetër (Gjoni 11–15)
Nxitini studentët të kërkojnë përgjigje për pyetjet vijuese teksa studiojnë Gjonin 11–15: Si do të ishte nëse do të shihnit dikë që të ngrihej së vdekuri? Përse shënuan shkrimet e shenjta që “Jezusi qau” (Gjoni 11:35)? Çfarë bëri Jezusi për Apostujt e Tij që normalisht do ta bënin shërbëtorët? Çfarë u premtoi Shpëtimtari dishepujve të Tij që do ta merrnin për t’i ngushëlluar ata, pasi Ai të ishte larguar?