Biblioteka
Mësimi 21: Mateu 18


Mësimi 21

Mateu 18

Hyrje

Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij parimet që do t’i ndihmonin ata ta udhëhiqnin Kishën pas Ngjitjes së Tij në qiell. Zoti gjithashtu dha shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm në përgjigje të pyetjes së Pjetrit për faljen.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 18:1–20

Jezu Krishti u mëson dishepujve të Tij parimet që do t’i ndihmojnë ata të udhëheqin Kishën

Renditini fyerjet vijuese në tabelë: të të gënjejnë; të të vjedhin diçka; të të tradhtojë një shok. Kërkojuni studentëve që në heshtje ta klasifikojnë secilën fyerje në një shkallë nga 1 në 10, ku 1-shi të jetë më e lehta për t’u falur dhe 10-ta të jetë më e vështira për t’u falur. Ftojini disa studentë të gatshëm që të raportojnë se si e klasifikuan secilën fyerjeje.

Ftojini studentët të përsiatin arsyen përse ne duhet t’i falim të tjerët edhe kur është e vështirë për ta bërë atë.

Ftojini studentët që teksa studiojnë Mateun 18 të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë arsyen përse ne duhet t’i falim të tjerët.

Përmblidheni Mateun 18:1–14 duke shpjeguar se Jezusi i udhëzoi dishepujt e Tij që ta përulnin veten dhe të bëheshin si fëmijë të vegjël. Ai gjithashtu shpjegoi se ata që i “skandaliz[ojnë]” fëmijët e vegjël, i nxjerrin nga udha ose i bëjnë ata që të pengohen në besim, do t’i nënshtroheshin drejtësisë së Perëndisë. Shpëtimtari atëherë i këshilloi dishepujt e Tij që t’i hiqnin nga jeta e tyre ato gjëra që mund t’i skandalizonin ata ose që mund t’i bënin ata të pengoheshin (shih vargun 9). (Shënim: Mësimet e Shpëtimtarit që gjenden te Mateu 18:1–14 do të diskutohen më me thellësi në mësimet te Marku 9 dhe Lluka 15.)

Shpjegoni se pasi Shpëtimtari i këshilloi dishepujt e Tij që t’i hiqnin nga jeta e tyre ato gjëra që mund t’i bënin ata të pengoheshin, Ai u tregoi për atë që duhet të bëjë një person nëse dikush bën shkelje ose mëkaton kundër atij ose asaj. Ai gjithashtu u mësoi Apostujve parimet e disiplinës së Kishës.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 18:15 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Jezusi u tha dishepujve të Tij që të bënin nëse dikush bënte shkelje kundër tyre.

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky varg për atë që duhet të bëjmë nëse dikush bën shkelje kundër nesh?

Përmblidheni Mateun 18:16–17 duke shpjeguar se Shpëtimtari u tha Apostujve të Tij se nëse një person refuzonte ta pranonte veprimin e vet të gabuar dhe ta rrëfente mëkatin e tij apo të saj, dhe dy ose më shumë vetë dëshmonin kundër atij apo asaj, ai person do të përjashtohej nga Kisha. Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se, sot, ata që kryesojnë këshillat disiplinorë të Kishës, ku merren vendime të tilla, kërkojnë përherë vullnetin e Zotit lidhur me atë nëse një individ duhet të përjashtohet nga Kisha apo shkishërohet.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 18:18–20. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar autoritetin që kishin marrë Apostujt.

  • Çfarë autoriteti u ishte dhënë Apostujve? (Shpjegoni se Shpëtimtari u kishte dhënë Apostujve çelësat e priftërisë, që u jepnin atyre autoritetin, nën drejtimin e Pjetrit, për të kryer ordinancat vulosëse dhe për të marrë vendime lidhëse për sa i përket Kishës, përfshirë atë nëse një mëkatar mund të mbetej anëtar [shih Mateu 16:19].)

  • Çfarë u premtoi Zoti Apostujve të Tij te vargjet 19–20? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë premtim te vargu 20.)

Mateu 18:21–35

Zoti jep shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues, të treguar nga Presidenti Tomas S. Monson, për një familje të cilës i kishte vdekur foshnja dymuajshe:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Baba[i] ishte mobilier dhe përgatiti një arkivol të bukur për trupin e foshnjës së tij të çmuar. Dita e ceremonisë mortore ishte e zymtë, duke pasqyruar kështu trishtimin që ndienin ata për humbjen e tyre. Ndërsa familja eci drejt kishës, me babanë duke mbajtur arkivolin e vockël, një numër i vogël miqsh ishin mbledhur. Mirëpo, dera e kishës ishte e kyçur. Peshkopi i zënë me punë e kishte harruar ceremoninë mortore. Përpjekjet për t’u lidhur me të ishin të kota. Duke mos ditur se çfarë të bënte, babai e vendosi arkivolin nën krahun e tij dhe, me familjen e vet krah tij, e mbarti atë deri në shtëpi, duke ecur nën një shi që të bënte qull” (“Hidden Wedges”, Ensign, maj 2002, f. 19).

  • Nëse do të kishit qenë një pjesëtar i asaj familjeje, si do të ishit ndier kur peshkopi të mos arrinte të vinte për funeralin?

  • Përse do të ishte e vështirë ta falje peshkopin?

Shpjegoni se pasi Shpëtimtari i udhëzoi Apostujt, Pjetri i bëri Zotit një pyetje për faljen. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 18:21 dhe vërini studentët të kërkojnë pyetjen e Pjetrit.

  • Çfarë pyetjeje i bëri Pjetri Shpëtimtarit?

Shpjegoni se disa udhëheqës fetarë në kohën e Pjetrit jepnin mësim se një individ nuk kishte nevojë t’i jepte falje më shumë sesa tri herë një personi tjetër. Duke e pyetur Zotin nëse Ai duhej ta falte dikë shtatë herë, Pjetri mund të ketë menduar se po tregohej bujar (shih Bruce R. McConkie, The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 3:91). Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 18:22, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit.

  • Sa herë tha Shpëtimtari se duhet t’i falim ata që na fyejnë ose që mëkatojnë kundër nesh? (Shpjegoni se “shtatëdhjetë herë shtatë” është një mënyrë për të thënë që ne nuk duhet t’i vendosim kufij numrit të herëve që i falim të tjerët.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Shpëtimtari për faljen e të tjerëve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zoti na ka urdhëruar t’i falim ata që na fyejnë ose që mëkatojnë kundër nesh.)

  • Çfarë do të thotë t’i falësh të tjerët? (Shpjegoni që t’i falësh të tjerët është ta trajtosh me dashuri personin që na ka fyer ose lënduar dhe të mos kesh ndjenja jo të mira ndaj atij apo asaj [shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fal”, (f. 45–46), scriptures.lds.org; DeB 64:9–11]. Falja nuk do të thotë që ne vazhdojmë t’i lejojmë të tjerët të na dëmtojnë ose që shkelësi nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij apo të saj, ligjërisht ose në formë tjetër.)

Shpjegoni se pasi iu përgjigj pyetjes së Pjetrit, Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij një shëmbëlltyrë që mund të na ndihmojë të kuptojmë arsyen përse duhet t’i falim të tjerët.

Grupojini studentët në dyshe dhe ftojeni secilën dyshe ta lexojë Mateun 18:23–35 së bashku, duke kërkuar arsyen përse duhet t’i falim të tjerët. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën.

Në vend që t’i vini studentët të lexojnë Mateun 18:23–35, merrni parasysh të shfaqni videon “Forgive Every One Their Trespasses: The Parable of the Unmerciful Servant” [“Falini Gjithsecilit Shkeljet e Tyre: Shëmbëlltyra e Shërbëtorit të Pamëshirshëm”] [6:06]. Teksa studentët shohin videon, ftojini që të kërkojnë arsyen përse duhet t’i falim të tjerët. Pas videos, ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën. Kjo video është mundësuar te LDS.org.

Që t’i ndihmoni studentët ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë shëmbëlltyrë, kopjojini fjalët vijuese në tabelë:

Mbreti

Shërbëtori

Shërbëtori Tjetër, Shok

  • Sa i kishte borxh shërbëtori mbretit? (Shkruani i kishte borxh mbretit 10,000 talenta nën fjalën Shërbëtori.)

Shpjegoni që në kohën e Jezusit “10,000 talenta ishin të barasvlershme me 100,000,000 denarë [monedha romake]. Një denar ishte rroga tipike ditore për një punëtor të zakonshëm” (Jay A. Parry dhe Donald W. Parry, Understanding the Parables of Jesus Christ [2006], f. 95). Kërkojuni studentëve të llogaritin se sa vite do t’i duheshin shërbëtorit për ta paguar këtë borxh duke i pjesëtuar 100,000,000 denarët me 365 ditë (100,000,000/365 = 273,973). Shkruani 273,973 vite në tabelë nën i kishte borxh mbretit 10,000 talenta.

  • Sa i kishte borxh shërbëtori tjetër shok, shërbëtorit [të mbretit]? (Shkruani i kishte borxh shërbëtorit [të mbretit] 100 denarë nën Shërbëtori Tjetër Shok.)

Shpjegoni që 100 denarë ishin të barabarta me 100 pens. Si rrjedhim, shërbëtori tjetër shok i kishte borxh shërbëtorit pak a shumë vlerën e 100 ditëve punë ose afërsisht një të tretën e pagës së tij vjetore. Shkruani 100 ditë në tabelë nën i kishte borxh shërbëtorit [të mbretit] 100 denarë.

  • Përse mendoni që mbreti i tha shërbëtorit se ai ishte i lig ngaqë nuk ia kishte falur këtë borxh shërbëtorit tjetër, shok i tiji?

Pyetini studentët se cilët mendojnë ata që mund të përfaqësojë secili prej tre njerëzve në shëmbëlltyrë. Pasi të përgjigjen, shkruajini përfaqësimet e mundshme vijuese në tabelë: Mbreti = Atit Qiellor, Shërbëtori = Ne, Shërbëtori Tjetër Shok = Ata që na kanë fyer.

  • Çfarë parimi mendoni që po përpiqej Shpëtimtari t’u jepte mësim dishepujve të Tij rreth arsyes përse duhet t’i falim të tjerët? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse dëshirojmë që Perëndia të na falë, atëherë ne duhet të jemi të gatshëm t’i falim të tjerët. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Çfarë mund të bëjë një person nëse ai apo ajo po orvatet të falë dikë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që mund të bëjmë për të qenë më të gatshëm t’i falim të tjerët, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë. Nëse është e mundur, bëni një fletushkë për çdo student.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ne duhet t’i njohim dhe pranojmë ndjenjat e zemëruara. Kjo do të kërkojë përulësi për ta bërë, por nëse do të gjunjëzohemi dhe do t’i kërkojmë Atit Qiellor për një ndjenjë faljeje, Ai do të na ndihmojë. Zoti na kërkon të ‘[falim] të gjithë njerëzit’ [DeB 64:10] për të mirën tonë sepse ‘urrejtja vonon rritjen shpirtërore’ [Orson F. Whitney, Gospel Themes (1914), f. 144]. Vetëm ndërsa çlirojmë veten nga urrejtja dhe hidhërimi, Zoti mund të na japë ngushëllim në zemrën tonë. …

… Kur tragjedia godet, nuk duhet të përgjigjemi duke kërkuar hakmarrje personale, por përkundrazi ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj, dhe pastaj të shohim përpara. Nuk është e lehtë të shohësh para dhe të boshatisësh zemrën nga ndjenjat e fyerjeve torturuese. Shpëtimtari na ka ofruar të gjithëve një paqe të çmuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij por kjo mund të vijë vetëm kur jemi të gatshëm t’i dëbojmë ndjenjat negative të zemërimit, mërisë ose hakmarrjes. Për të gjithë ne që ua falim ‘njerëzve gabimet e tyre’ [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:13], madje edhe atyre që kanë kryer krime serioze, Shlyerja sjell një masë paqeje dhe ngushëllimi” (James E. Faust, “The Healing Power of Forgiveness”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 69; [“Fuqia Shëruese e Faljes”, Konferenca e Përgjithshme, Prill 2007, nr. artikullit 02368 101, f. 80–81].)

  • Çfarë na tha Presidenti Faust që të bëjmë që do të na ndihmojë t’i falim të tjerët?

  • Sipas Presidentit Faust, çfarë mund të ndodhë kur i falim të tjerët?

Kujtojuni studentëve historinë e Presidentit Monson që treguat më parë në orën mësimore dhe kërkojini një studenti të lexojë përfundimin e rrëfimit:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Nëse familja do të ishte me një forcë morale më të ulët, ata mund ta kishin fajësuar peshkopin dhe të kishin ruajtur ndjenja të këqija. Kur peshkopi mori vesh për tragjedinë, ai e vizitoi familjen dhe kërkoi ndjesë. Me dhembjen ende të dukshme në shprehjen e tij, por me lot në sy, babai e pranoi faljen dhe të dy u përqafuan me një shpirt mirëkuptimi” (“Hidden Wedges”, Ensign, maj 2002, f. 19).

  • Si ju ka ndihmuar Zoti të falni dikë që ka mëkatuar kundër jush ose ju ka fyer?

  • Çfarë ju ka ndihmuar t’i falni të tjerët? (Merrni parasysh t’i ftoni studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje në fletoret e tyre të klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

Ftojini studentët të përsiatin se kujt mund të mos i kenë dhënë faljen. Ftojini ata që të luten për një dëshirë për të falur dhe për aftësinë për të hedhur pas krahëve lëndimin e zemërimin në mënyrë që Jezu Krishti të mund t’i ndihmojë të ndiejnë paqe e ngushëllim nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 18:20. “Kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim”

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se ky premtim i mbledhjes së bashku në emrin e Jezu Krishtit gjen zbatim për ne kur mbledhjet kryesohen nga autoriteti i duhur:

“Zoti na ka thënë: ‘Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre’. (Mateu 18:20; shih edhe DeB 6:32.)

Ka siguri në të mësuarin e doktrinës në mbledhje të cilat janë garantuar nga autoriteti i duhur” (“Reverence Invites Revelation”, Ensign, nëntor 1991, f. 21).

Mateu 18:21–22. “Shtatëdhjetë herë shtatë”

“Përgjigja ‘shtatëdhjetë herë shtatë’ (një sasi hiperbolike, që do të thotë pafundësisht) është për ata që mëkatojnë kundër nesh, por pendohen. Dhe për ata që mëkatojnë kundër nesh dhe nuk pranojnë të pendohen, tri herët e para ne jemi ende të detyruar të falim, por herën e katërt dëshmitë kundër mëkatarit duhet të sillen para Zotit. Nëse vijnë pendimi i sinqertë dhe dëmshpërblimi, kërkohet falja; por nëse nuk ka pendim, mëkatari i dorëzohet gjykimeve të Perëndisë. I gjithë ky udhëzim shtesë është dhënë te Doktrina e Besëlidhje 98:39–48, ligji i faljes” (D. Kelly Ogden dhe Andrew C. Skinner, Verse by Verse: The Four Gospels [2006], f. 371–372).

Vini re që fraza “ti nuk do t[ë] falësh” te Doktrina e Besëlidhje 98:44 do të thotë që autorët e papenduar të keqbërjes duhet të mbahen plotësisht përgjegjës për veprimet e tyre. Ajo nuk do të thotë që ne duhet të mos i japim falje ose të vazhdojmë të ndiejmë armiqësi kundrejt tyre (shih Doctrine and Covenants and Church History Seminary Teacher Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2013], f. 349).

Mateu 18:22. Falja dhe disiplina e Kishës

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për mënyrën se si Mateu 18:22 lidhet me situata që përfshijnë disiplinën e Kishës:

“Nuk ka kufij për numrin e herëve që vëllezërit duhet t’i falin njëri-tjetrit shkeljet e tyre personale në kushtet e pendimit të vërtetë. Kjo, megjithatë, nuk ka për qëllim të nënkuptojë që vetë Kisha do të vazhdojë pafundësisht t’i falë dhe pranojë në shoqëri anëtarët e saj mëkatarë. Ka raste në të cilat mëkatarët duhet të përjashtohen nga mbretëria pavarësisht nga sa të pikëlluar mund të jenë për veprimet e tyre të padrejta” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:423).

Mateu 18:22. Zoti na ka urdhëruar t’i falim ata që na fyejnë

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ndihmoi të kuptojmë se si jemi të bekuar ngaqë i falim të tjerët:

“Falja shëron plagë të tmerrshme, tragjike, pasi ajo e lejon dashurinë e Perëndisë që ta pastrojë zemrën dhe mendjen tuaj nga helmi i urrejtjes. Ajo e pastron ndërgjegjen tuaj nga dëshira për hakmarrje. Ajo bën vend për dashurinë pastruese, shëruese, ripërtëritëse të Zotit” (“Healing the Tragic Scars of Abuse”, Ensign, maj 1992, f. 33).

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim sa vijon për faljen:

“Mbani mend, qielli është i mbushur me ata që kanë këtë të përbashkët: Ata janë falur. Dhe ata falin” (“Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 77).

Shtyp në Letër