Mësimi 81
Veprat e Apostujve 1:1–8
Hyrje
Pas Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti u shërbeu Apostujve të Tij për 40 ditë. Ai i përgatiti ata të ishin dëshmitarë për Të anembanë tokës.
Sugjerime për Mësimdhënien
Veprat e Apostujve 1:1–8
Jezusi u shërben dishepujve të Tij për 40 ditë
Ftojini studentët të përfytyrojnë se një shok ose shoqe e një besimi tjetër ju afrohet atyre me dëshirë për të ditur më shumë rreth Kishës sonë dhe pyet: “Kush e udhëheq kishën tuaj?”
Kërkojuni studentëve që të shkruajnë se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Ftojini studentët të kërkojnë teksa studiojnë Veprat e Apostujve 1:1–8 një të vërtetë e cila mund të ndihmojë që t’i përgjigjen pyetjes se kush e udhëheq Kishën.
Ftojini studentët të kthehen te libri i Veprave të Apostujve dhe përcaktoni titullin e plotë të këtij libri. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Bazuar në titullin e plotë, çfarë mendoni se mund të mësojmë rreth këtij libri?
Shpjegoni se libri i Veprave të Apostujve shënon një ndryshim kalimtar të rëndësishëm brenda Dhiatës së Re. Librat e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit sigurojnë rrëfime të shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri, duke përfshirë Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij. Libri i Veprave të Apostujve tregon shërbesën e Apostujve pas Ngritjes së Shpëtimtarit në qiell.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 1:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se për cilin u shkrua ky libër.
Për cilin u shkrua libri i Veprave të Apostujve?
Shpjegoni se Lluka është autori i librit të Veprave të Apostujve dhe se “tregimi [i] parë” për të cilin flitet te vargu 1, është libri i Llukës, i cili gjithashtu u shkrua për Teofilin. Qëllimi i Llukës për shkrimin ishte ta ndihmonte Teofilin të fitonte vetë dëshminë e tij për Jezu Krishtin (shih Lluka 1:1–4).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 1:2–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për sa kohë Jezu Krishti u shërbeu personalisht Apostujve të Tij pas Ringjalljes së Tij. (Ju mund të doni të shpjegoni se në vargun 3, fraza “pasi pati vuajtur” i drejtohet flijimit shlyes të Shpëtimtarit dhe “prova bindëse” i drejtohet provës së pamohueshme që dha Jezusi se Ai u ringjall.)
Sa kohë harxhoi Jezu Krishti me Apostujt e Tij pasi u ringjall?
Çfarë u mësoi Jezusi atyre gjatë këtyre 40 ditëve? (Gjëra që i përkisnin mbretërisë së Perëndisë.)
Filloni të skiconi një vijë të thjeshtë duke vizatuar një shtëpi në tabelë. (Ose ju mund të ndërtoni një model të vogël të një shtëpie duke përdorur blloqe ose plastelinë.)
Kur ta keni mbaruar gjysmën, ftojeni një student të vijë në tabelë dhe ta mbarojë vizatimin për ju. Jepini studentit udhëzime shumë të hollësishme për mënyrën se si ta mbarojë shtëpinë. Ju mund t’i kërkoni atij ose asaj të shtojë një çati, disa dritare dhe oborrin rrethues. Pas një farë kohe të punës së bashku, ecni drejt anës tjetër të klasës dhe vazhdoni t’iu jepni studentëve udhëzime. Kur shtëpia të mbarohet, falënderojeni studentin/en dhe kërkojini atij ose asaj të ulet.
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se vizatimi i shtëpisë përfaqëson mbretërinë e Perëndisë në tokë, e cila është Kisha e Jezu Krishtit.
Si mund të ilustrojë metoda jonë e vizatimit të kësaj shtëpie mënyrën se si Jezu Krishti e themeloi Kishën e Tij gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe pas Ringjalljes së Tij? (Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari filloi të themelonte Kishën e Tij. Ai thirri të tjerë për ta ndihmuar Atë në themelimin e saj dhe pas Ringjalljes së Tij, Ai i drejtoi përpjekjet e tyre edhe pse nuk ishte më fizikisht me ta.)
Sipas vargut 2, si e drejton Jezu Krishti Kishën e Tij? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij duke ua zbuluar vullnetin e Tij Apostujve të Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Nga vargu i parë [i librit të Veprave të Apostujve], shpallja është që Kisha do të vazhdojë të udhëhiqet në mënyrë hyjnore, nuk do të udhëhiqet në mënyrë njerëzore. … Në të vërtetë, një titull më i plotë për librin e Veprave të Apostujve mund të ishte në mënyrë të saktë diçka e ngjashme me ‘Veprat e Krishtit të Ringjallur duke Vepruar nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë në Jetën dhe Shërbesat e Apostujve të Tij të Shuguruar’. …
Drejtimi i Kishës është i njëjtë. Vendndodhja e Shpëtimtarit ka ndryshuar, por drejtimi dhe udhëheqja e Kishës është përpikërisht e njëjtë” (“Therefore, What?” [konferencë e Sistemit Arsimor të Kishës për Dhiatën e Re, 8 gusht 2000], f. 6, si.lds.org).
Përse është e rëndësishme të dihet se Jezu Krishti vazhdon ta drejtojë Kishën e Tij me anë të zbulesës sot?
Ftojini studentët të përsiatin përvoja që e kanë forcuar dëshminë e tyre se Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij sot me anë të zbulesës. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre. Ju mund të doni gjithashtu të tregoni një përvojë.
Kërkojuni disa studentëve që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 1:4–8. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi i urdhëroi të bënin Apostujt.
Sipas vargut 4, çfarë i urdhëroi Jezusi të bënin Apostujt?
Sipas vargut 5, çfarë u premtoi Shpëtimtari Apostujve që do ta merrnin, në qoftë se mbeteshin në Jerusalem?
Sipas vargut 8, çfarë fuqie do t’iu jepte Fryma e Shenjtë Apostujve që të bënin?
Çfarë mund të mësojmë rreth Apostujve nga ajo që Shpëtimtari dha mësim në vargun 8? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Apostujt janë dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe dëshmojnë për Të anembanë tokës.)
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë të vërtetë, vëreni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:
“Në kohën tonë Zoti ka thirrur 15 dëshmitarë të veçantë për të dëshmuar për hyjninë e Tij para gjithë botës. Thirrja e tyre është një thirrje e veçantë; ata janë Apostuj të Zotit Jezu Krisht, të zgjedhur dhe të autorizuar prej Tij. Ata janë urdhëruar të japin dëshmi për realitetin e Tij të gjallë nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit të apostullimit të shenjtë që u është dhënë” (“Dëshmitarë të Veçantë të Krishtit”, Ensign ose Liahona, prill 2001, f. 4).
Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Apostujt e kohës sonë dëshmojnë që Jezu Krishti …
Nëse është e mundur, siguroni një kopje të deklaratës “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign, prill 2000, f. 2) për çdo student në klasën tuaj. Ju gjithashtu mund të merrni parasysh ta përdorni një kopje, ta prisni në pjesë më të vogla dhe t’i shpërndani pjesët mes studentëve. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje dokumentin ose pjesën, duke kërkuar se si mund ta përfundonin thënien në tabelë. Kur studentët ta kenë mbaruar leximin, ftojeni një student të vijë te tabela dhe të veprojë si shkrues. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën dhe kërkojini studentit në tabelë t’i renditë përgjigjet e tyre në tabelë.
Cilat nga këto shpallje janë më të rëndësishmet për ju?
Si ndikon dëshmia e Apostujve bashkëkohorë në dëshmimin apo dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin?
Shpjegoni se edhe pse Veprat e Apostujve 1:8 i drejtohet veçanërisht rolit të Apostujve si dëshmitarë të veçantë të Shpëtimtarit, ai gjithashtu na mëson rreth asaj që mund të na ndihmojë të jemi dëshmitarë të Jezu Krishtit anembanë botës.
Bazuar në premtimin e Zotit dhënë Apostujve te Veprat e Apostujve 1:8, çfarë e bën të mundur për ne që të jemi dëshmitarë të Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne mund të bëhemi dëshmitarë të Jezu Krishtit.)
Në cilat mënyra na ndihmon Fryma e Shenjtë të bëhemi dëshmitarë të Shpëtimtarit?
Ftojini studentët të përsiatin për raste kur e kanë ndier Frymën e Shenjtë, ndërkohë që njerëz të tjerë kanë dhënë dëshminë e tyre për Jezu Krishtin. Pas disa minutash, ftojini studentët t’i tregojnë përvojat e tyre. Kujtojuni studentëve që ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër të shenjta ose vetjake.
Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju ndihmojë që t’iu dëshmoni të tjerëve për Jezu Krishtin?
Nxitini studentët të kërkojnë mundësi për t’ua dhënë dëshminë e tyre të tjerëve dhe të mirëbesojnë se Fryma e Shenjtë do ta pohojë të vërtetën e asaj që dëshmojnë.
Veprat e Apostujve – Zbulesa
Vështrim i përgjithshëm i gjysmës së dytë të Dhiatës së Re
Shpjegoni se Veprat e Apostujve 1:8 jo vetëm që jep mësim të vërtetat, por gjithashtu siguron një vështrim të përgjithshëm të gjysmës së dytë të Dhiatës së Re.
Sipas Veprave të Apostujve 1:8, ku profetizoi Shpëtimtari se do të dëshmonin dishepujt e Tij për Të?
Shkruajeni sa vijon në tabelë: Veprat e Apostujve 1–5 = Jerusalem; Veprat e Apostujve 6–9 = Jude dhe Samari; Veprat e Apostujve 10–28 = Deri në skajin e dheut (shih Bible Dictionary, “Acts of the Apostles” [“Veprat e Apostujve”]).
Shpjegoni se dishepujt filluan të dëshmonin për Jezu Krishtin sikurse u udhëzuan. Së pari, Apostujt predikuan në Jerusalem, më pas në Jude e Samari dhe më pas deri në skajin e dheut.
Kërkojuni studentëve të kthehen te tabela e përmbajtjes së Biblës. Ftojini studentët të shohin te librat e Dhiatës së Re që e pasojnë librin e Veprave të Apostujve. Shpjegoni se librat e Romakëve deri te Hebrenjve janë letra të shkruara nga Apostulli Pal. Studentët do të mësojnë rreth kthimit të Palit në besim dhe shërbesës së tij ndërkohë që studiojnë Veprat e Apostujve 9, 13–28.
Kërkojuni studentëve të gjejnë 1 Thesalonikasve. Shpjegoni se thesalonikasit ishin njerëz që jetonin në qytetin e Thesalonikit. Ftojini studentët të hapin Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal” dhe të gjejnë Thesalonikinë në hartë. Shpjegoni se shumë prej letrave në Dhiatën e Re u shkruan për bashkësi të Kishës në qytete të ndryshme për t’iu përgjigjur nevojave të tyre të veçanta. Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se këto letra nuk janë vendosur në mënyrë kronologjike në Dhiatën e Re. Libri i 1 Thesalonikasve besohet të jetë letra e parë që shkroi Pali.
Kërkojuni studentëve të shikojnë te tabela e përmbajtjes dhe të përcaktojnë disa libra të tjerë që janë shkruar si letra drejtuar bashkësive të shenjtorëve.
Shpjegoni që përveç se u shkroi bashkësive të shenjtorëve, Pali u shkroi individëve të tillë si Timoteut, Titit dhe Filemonit.
Vërini studentët të kërkojnë se cilat libra e pasojnë librin e Hebrenjve në tabelën e përmbajtjes.
Shpjegoni se përveç Palit, Apostuj dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u shkruan anëtarëve të Kishës. Ne ende i kemi disa prej këtyre letrave, të cilat janë librat nga Jakobi deri te Juda. Libri i Zbulesës shënon një vegim të parë nga Apostulli Gjon.
Ftojini studentët të vazhdojnë vetë leximin e gjysmës së dytë të Dhiatës së Re. Nxitini ata të luten teksa studiojnë me qëllim që Fryma e Shenjtë të mund t’i ndriçojë ata dhe t’i ndihmojë që të fitojnë kuptueshmëri më të madhe teksa studiojnë mësimet e Apostujve të Dhiatës së Re.