Biblioteka
Mësimi 153: Zbulesa 4–5


Mësimi 153

Zbulesa 4–5

Hyrje

Apostulli Gjon pa qenie të lavdishme që adhuronin Atin Qiellor teksa rrinte ulur në Fronin e Tij. Gjoni pa gjithashtu një libër që ishte vulosur me shtatë vula dhe pa Qengjin ose Jezu Krishtin, i cili është i denjë për ta hapur librin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 4

Gjoni sheh qenie të lavdishme që adhuronin Atin Qiellor

Merrni parasysh të këndoni “Perëndis’ Lart Lavdi” (Himne, nr. 34) si himn hapjeje ose këndoni një himn tjetër që përlëvdon dhe e nderon Perëndinë.

Kërkojuni studentëve ta përfytyrojnë vetveten sikur janë në mbretërinë çelestiale. Ftojini disa studentë të përshkruajnë atë që mendojnë se si mund të duket mbretëria çelestiale.

Shpjegoni se siç shënohet te Zbulesa 4–5, Apostulli Gjon pa një vegim të një pjese të mbretërisë çelestiale. Kërkoni një vullnetar që të vizatojë në tabelë. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 4:1–8 dhe kërkojini klasës ta ndjekë duke kërkuar atë që pa Gjoni. Udhëzojeni vullnetarin të vizatojë atë që pa Gjoni, ndërkohë që lexohen këto vargje. Ata që po lexojnë mund të duan të ndalojnë hera-herës që t’i lejojnë studentit, i cili po vizaton, që të përfundojë secilën pjesë të vizatimit. (Kërkojini vullnetarit që të mos e vizatojë “[njërin, i cili] mbi fron rrinte … i ulur” [vargu 2], ose Atin Qiellor, për të treguar respekt për Të. Për pjesëmarrje shtesë, ju mund të ftoni disa studentë që të vizatojnë me radhë.)

Shpjegoni se të jesh “në frymë” (vargu 2) do të thotë të mbështillesh nga Shpirti në një gjendje zbulese ose vegimi dhe shpjegoni se guri i “diaspri[t]” në vargun 3 mund të tregojë një gur me ngjyrë ose një diamant dhe se “guri … [i] sardi[t]” (vargu 3) është një gur i çmuar që zakonisht është i kuq ose portokalli në të kuqe.

Shpjegoni se zbulesa moderne na ndihmon të kuptojmë më shumë rreth asaj që pa Gjoni. Për shembull, Zoti e dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 77 pasi Profeti Jozef Smith i kërkoi Atij që të interpretonte disa prej simboleve dhe ngjarjeve të shënuara te Zbulesa 1–11.

Ndajini studentët në grupe me nga dy ose tre veta dhe jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese. Ftojini studentët në secilin grup që të lexojnë me zë të lartë fragmentet me referencat-kryq dhe të shkruajnë në tabelë informacionin shtesë që gjejnë rreth asaj që pa Gjoni.

Pamja
fletushkë, Zbulesa 4

Zbulesa 4

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 153

Çfarë Pa Gjoni

Referenca-Kryq

Informacion Shtesë

Fron (Zbulesa 4:2–3)

Doktrina e Besëlidhje 137:1–4

Njëzet e katër pleq me kurora (Zbulesa 4:4)

Doktrina e Besëlidhje 77:5

Shtatë Frymëra të Perëndisë (Zbulesa 4:5)

Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Zbulesa 4:5 (te Zbulesa 4:5, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht])

Det i qelqtë (Zbulesa 4:6)

Doktrina e Besëlidhje 77:1; 130:6–9

Katër kafshë (Zbulesa 4:6–7)

Doktrina e Besëlidhje 77:2–3

Qeniet me shumë sy dhe gjashtë krahë (Zbulesa 4:8)

Doktrina e Besëlidhje 77:4

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të raportojnë informacionin shtesë që gjetën. Sipas nevojës, përdorni përgjigjet vijuese për t’i qartësuar ose shtuar kuptueshmërisë së studentëve: Perëndia ulet mbi një fron në mbretërinë çelestiale; 24 pleqtë me kurora janë pleqtë besnikë që u përkisnin shtatë kishave; shtatë shërbëtorë të Perëndisë janë përmendur dhe jo shtatë frymëra, deti i qelqtë është toka në lavdinë e saj, gjendjen çelestiale; katër kafshët janë kafshët e tanishme që përfaqësojnë klasat (ose speciet) e qenieve të lavdishme; sytë e kafshëve përfaqësojnë dritën dhe njohurinë e madhe dhe krahët e kafshëve përfaqësojnë fuqinë për të lëvizur dhe vepruar.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 4:8–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë bënë dhe thanë ata që qenë mbledhur rreth Atit Qiellor.

  • Çfarë thanë ata që qenë mbledhur rreth Atit Qiellor për Të? Çfarë bënë ata?

  • Çfarë mund të përfaqësojnë pleqtë që hedhin kurorat e tyre përpara fronit të Atit Qiellor? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë falënderimin e tyre për madhështinë e Atit Qiellor; pranimin e tyre që ata i detyrohen Atij për ekzaltimin e vet; dhe nderimin, adhurimin dhe përkushtimin e tyre me bindje ndaj Tij.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth mënyrës se si njohja e madhështisë së Atit Qiellor mund të ketë ndikim tek ne? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur e kuptojmë madhështinë e Atit Qiellor, ne dëshirojmë ta adhurojmë e përlëvdojmë Atë.)

  • Çfarë mund të na ndihmojë ta kuptojmë madhështinë e Atit Qiellor?

Zbulesa 5

Gjoni sheh një libër të vulosur me shtatë vula dhe Qengjin, i cili është i denjë për të hapur librin

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 5:1–4. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë pa Gjoni në dorën e Atit Qiellor.

  • Çfarë pa Gjoni në dorën e Atit Qiellor? (Një libër, ose një rrotull, me shtatë vula.)

Shpjegoni se, në kohët e lashta, dokumentet e rëndësishme vuloseshin me vula argjile ose dylli. Vetëm i zoti i dokumentit dhe ata të cilët i autorizonte i zoti, lejoheshin që t’i hapnin vulat dhe ta lexonin tekstin.

  • Sipas vargut 2, çfarë cilësimesh duhet të kishte personi i cili mund ta hapte librin?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrina e Besëlidhjet 77:6–7, duke kërkuar domethënien e librit dhe të vulave.

  • Çfarë përmban libri?

Shpjegoni se periudha 7.000 vjeçare i referohet kohës që nga Rënia e Adamit dhe Evës. Ajo nuk i referohet moshës së tanishme të tokës, përfshirë edhe periudhat e krijimit.

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 77:7, çfarë përfaqësonin shtatë vulat? (Periudhat shtatë mijëvjeçare të ekzistencës së përkohshme të tokës, të cilat shtrihen që nga koha e Rënies së Adamit e deri në fund të Mijëvjeçarit.)

Nxirrni në pah se, duke marrë parasysh domethënien e librit dhe të vulave, kur u duk sikur askush nuk ishte në gjendje që ta hapte librin, Gjoni mund të ketë menduar se vullneti dhe veprat e Perëndisë nuk do të zbuloheshin apo të kryheshin.

  • Çfarë do të ndodhte me fëmijët e Atit Qiellor nëse plani i Tij për shpëtimin e tyre nuk do të mund të kryhej?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 5:5–7. Ftojeni studentin të lexojë gjithashtu Përkthimin prej Joseph Smithi-it te vargu 6, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar arsyen përse Gjonit iu tha që të mos qante. Ju mund të doni të shpjegoni se, në shkrimet e shenjta, brirët shpesh janë një simbol i fuqisë dhe autoritetit; sytë mund të simbolizojnë dritën dhe njohurinë dhe numri dymbëdhjetë mund të simbolizojë qeverisjen dhe organizimin hyjnor ose priftërinë.

  • Përse Gjonit iu tha që të mos qante?

  • Çfarë na zbulon titulli i përdorur për Jezu Krishtin siç shënohet te Zbulesa 5:6 rreth Tij? (Ai ishte dhurata flijuese që u dha për të shlyer fëmijët e Perëndisë [shih edhe Isaia 53:7; 1 Korintasve 5:7; 1 Pjetër 1:18–19]. Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “një Qengj si i therur” [Zbulesa 5:6], i referohet Qengjit duke treguar shenjat se qe vrarë. Nxirrni në pah se Gjon Pagëzori iu referua Shpëtimtarit si “Qengji i Perëndisë” [Gjoni 1:29, 36].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 5:8–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si qeniet që e rrethonin fronin e Atit Qiellor, e përlëvduan Qengjin. Ju mund të doni të shpjegoni se “kupa ari plot me erë të këndshme” (vargu 8) u referohet kupave ose tasave të gjera plot me temjan.

  • Si e përlëvduan këto qenie Qengjin ose Jezu Krishtin?

  • Bazuar në atë që pa dhe dëgjoi Gjoni për sa i përket Qengjit, çfarë të vërtete mund të mësojmë ne rreth Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti është i vetmi i cili është i denjë dhe në gjendje që të na shëlbojë.)

  • Përse Jezu Krishti është i vetmi, i cili është i denjë dhe në gjendje që të na shëlbojë?

  • Sipas vargut 10, çfarë do të bëhen ata, të cilët janë shëlbuar nga Jezu Krishti? (Mbretër dhe priftërinj, çka përfshin gratë si mbretëresha dhe priftëresha [shih Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. i 2-të (1966), f. 613].)

Kërkojuni studentëve të përsiatin se çfarë do të thotë për ata personalisht plani i shpëtimit dhe roli i Shpëtimtarit në atë plan. Ftojini studentët t’i shkruajnë mendimet dhe ndjenjat e tyre në fletoren e tyre të klasës ose në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta. Informojini ata se do t’i ftoni që të tregojnë atë që shkruan, më vonë gjatë mësimit.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 5:11–14. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si të tjerët u bashkuan në adhurimin dhe përlëvdimin e Jezu Krishtit dhe Atit Qiellor.

  • Pasi Qengji e mori librin nga dora e Atit Qiellor, përse qeniet e lavdishme dhe i gjithë krijimi i adhuruan dhe i përlëvduan Ata? (Qeniet e kuptuan mirësinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe ato ndien mirënjohje për rolin e Qengjit në planin e Atit Qiellor.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë ne rreth asaj që mund të na prijë të adhurojmë dhe përlëvdojmë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin ashtu siç bënin qeniet dhe krijesat që pa Gjoni? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur e kuptojmë dhe ndiejmë mirënjohje për atë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë bërë për ne, ne dëshirojmë t’i adhurojmë dhe përlëvdojmë Ata.)

Nxirrni në pah se qeniet e lavdishme dhe i gjithë krijimi e adhuruan Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin me këngë. Në mënyrë të ngjashme, ne këndojmë himne për t’i adhuruar dhe përlëvduar Ata. Ftojeni klasën të këndojë “Gjith’ Krijesat e Per’ndis’ Son’” (Himne nr. 32) ose një himn tjetër që e përlëvdon ose e lavdëron Perëndinë dhe kërkojuni atyre të mendojnë rreth mënyrës se si himni lidhet me Zbulesën 5:9–14.

  • Përveçse t’i adhurojmë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nëpërmjet muzikës, çfarë tjetër mund të bëjmë për t’i adhuruar Ata?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë atë që dha mësim rreth adhurimit:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Adhurimi i vërtetë dhe i përsosur përbëhet nga ndjekja e hapave të Birit të Perëndisë; përbëhet nga zbatimi i urdhërimeve dhe bindja ndaj vullnetit të Atit në atë shkallë që ne përparojmë nga hiri në hir derisa të përlëvdohemi në Krishtin, ashtu siç është ai i përlëvduar në Atin e tij. Është shumë më tepër sesa lutje, predikim dhe këngë. Është të jetuarit, të bërit dhe të bindurit. Është të përngjasuarit e jetës së Shembullit të madhërishëm” (“How to Worship”, Ensign, dhjetor 1971, f. 130).

  • Në ç’mënyrë mësimet e Plakut Mek-Konki e shtojnë kuptueshmërinë tuaj rreth asaj se si mund ta adhurojmë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  • Në ç’mënyrë bekohemi ne kur e adhurojmë dhe e përlëvdojmë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  • Përse dëshironi ju ta adhuroni dhe përlëvdoni Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? (Ftojini studentët të tregojnë disa nga mendimet dhe ndjenjat që ata shkruan më parë.)

Merrni parasysh të tregoni ndjenjat tuaja rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, duke përfshirë arsyen përse i adhuroni Ata me vetëdije.

Ftojini studentët që të përsiatin e t’i përgjigjen pyetjes vijuese në fletoren e tyre të klasës ose ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Çfarë tjetër mund të bëni për ta adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme që të shkruajnë, nxitini ata ta zbatojnë atë që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 4–5. Simbolika e asaj që pa Gjoni

Shihni faqen 541New Testament Student Manual [Manualit të Studentit për Dhiatën e Re] (Church Educational System manual, 2014) për komente mbi katër kafshët (Zbulesa 4:6–9), emërtimet “Luani i fisit të Judës” dhe “Rrënja e Davidit” (Zbulesa 5:5) dhe rolin e Shpëtimtarit si Qengji i Perëndisë (Zbulesa 5:6–14).

Zbulesa 4:3. “Ai që ishte ulur [në fron] nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi arsyen përse Gjoni mund ta ketë përmendur gurin e diasprit dhe sardit (shih Zbulesa 4:3):

“Në përpjekje për të shënuar madhështinë, lavdinë dhe bukurinë e të Plotfuqishmit të të Plotfuqishmëve, që të kuptohej nga [mendja] njerëzore, Gjoni e përngjason pamjen e tij me gurët e çmuar dhe gjysmë të çmuar. Guri i diasprit që përmendet, besohet nga vlerësuesit se është një diamant …

… Si mund t’i gjejnë fjalët profetët e vdekshëm aq sa për t’u shprehur bashkënjerëzve të vet shkëlqimin dhe bukurinë e jashtëzakonshme të asaj bote të përjetshme me fuqi dhe lavdi çelestiale? Ata flasin për ylberë dhe gurë të çmuar, për zjarr flakërues përqark, për qymyre të ndezur prej të cilëve dilnin shkreptima; ata tregojnë për bubullima e zëra, për tingujt e vërshimit të shumë ujërave dhe për shfaqje madhështore fuqie e bukurie – të gjitha në një përpjekje për të shënuar me fjalë njerëzore atë që mund të shihet dhe të njihet vetëm me anë të fuqisë së Shpirtit. (Ezekiel 1 dhe 10; Isaia 6.) Por lëvduar qoftë Zoti për shkak se ata kanë bërë përpjekje të tilla në mënyrë që njerëzit që nuk kanë parë dhe dëgjuar, të mund të fitojnë një njohuri të vogël të atyre gjërave që fshihen pas dritareve të qiellit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:464–466).

Zbulesa 4:6. “Një det i qelqtë”

Profeti Jozef Smith tha sa vijon për “det[in e] qelqtë” (Zbulesa 4:6):

“Ndërkohë që po hanim darkë, i vura në dukje familjes sime dhe miqve të pranishëm se, kur toka të shenjtërohej dhe të bëhej si një det qelqi, do të ishte një urim dhe thumim i madh dhe shenjtorët do të mund të vërenin në të dhe të shihnin ashtu siç shiheshin” (në History of the Church, 5:279).

Presidenti Brigam Jang dha idenë e tij vijuese:

“Kjo tokë do të bëhet një trup çelestial – do të jetë si një det i qelqtë ose si urimi dhe thumimi; dhe kur të dëshironi të dini ndonjë gjë, ju mund ta vështroni këtë tokë dhe të shihni të gjitha përjetësitë e Perëndisë” (në Journal of Discourses, 8:200; shih edhe DeB 88:17–20, 25–26; 130:6–9).

Shtyp në Letër