Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Mateu 6:1–13:23 (Njësia 3)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Mateu 6:1–13:23 (Njësia 3)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Mateun 6:1–13:23 (njësia 3), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Mateu 6–7)

Teksa studentët vazhduan me studimin vetjak të Predikimit në Mal, ata mësuan sa vijon: Nëse bëjmë veprime të përkushtimit për të kënaqur Atin Qiellor në vend që të kërkojmë vëmendjen e të tjerëve, Ai atëherë do të na shpërblejë haptas. Ne nuk mund t’i shërbejmë edhe Perëndisë edhe mamonit. Kur lypim, kërkojmë dhe trokasim në kërkimin tonë për të vërtetën, Ati Qiellor do të përgjigjet e do të na bekojë me zbulesë vetjake. Ne mund t’i dallojmë profetët e rremë nga frytet e tyre.

Dita 2 (Mateu 8–10)

Në këtë mësim, studentët mësuan se Jezusi mund te na shërojë nga lëngatat dhe sëmundjet tona dhe se Ai thërret Apostuj dhe u jep atyre autoritetin e Tij. Studentët zbuluan gjithashtu që, kur jemi në shërbim të Zotit, Ai do të na frymëzojë për atë që të themi kur të jetë e nevojshme, dhe nëse e humbasim jetën tonë (japim nga koha jonë) për hir të Jezu Krishtit, atëherë ne do të gjejmë qëllim në jetën tonë.

Dita 3 (Mateu 11–12)

Studentët mësuan se kur përpiqemi të mësojmë për Jezu Krishtin dhe kur dëshmojmë për Të, vetë dëshmia jonë për Të mund të forcohet, dhe nëse vijmë te Jezu Krishti, Ai do t’i lehtësojë barrët tona dhe do të na japë çlodhje. Përveç kësaj, studentët mësuan për të qenit plotësisht të zotuar ndaj Perëndisë dhe zëvendësimit të ndikimeve të liga në jetën e tyre me ndikime të mira.

Dita 4 (Mateu 13:1–23)

Ndërkohë që studentët studiuan shëmbëlltyrën e mbjellësit, ata mësuan që shqetësimet e botës mund të na shpërqendrojnë, heqin vëmendjen tonë nga Zoti dhe t’ia zënë frymën besimit dhe dëshmisë sonë për fjalën e Perëndisë. Për të parandaluar që kjo të ndodhë dhe për t’u kthyer në besim te Shpëtimtari, ne duhet ta marrim fjalën e Perëndisë dhe të përpiqemi t’i thellojmë dëshmitë tona.

Hyrje

Siç është shënuar te Mateu 7, Jezu Krishti e vijoi Predikimin e Tij në Mal duke i mësuar dishepujt e Tij që të gjykonin me drejtësi. Ai dha mësim gjithashtu për marrjen e zbulesës vetjake dhe bërjen e vullnetit të Atit Qiellor.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shënim: Gjatë mësimit për studimin në shtëpi për njësinë 1 dhe mësimit të ditës 3 këtë javë, studentët studiuan fragmentin për zotërimin e shkrimit të shenjtë te Mateu 11:28–30. Merrni parasysh të kaloni disa çaste duke e përsëritur fragmentin me studentët.

Mateu 7:1–5

Si pjesë e Predikimit të Tij në Mal, Jezu Krishti i mëson dishepujt e Tij për të gjykuarit me drejtësi

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: A duhet t’i gjykojmë apo jo të tjerët? Ndërsa fillon ora mësimore, ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes.

Paraqitni figurën Predikimi në Mal (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2008], nr. 39; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se ndërsa Jezusi vijoi Predikimin e Tij në Mal, Ai i mësoi dishepujt e Tij për të gjykuarit.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth të gjykuarit. Vini në dukje që vargu 1 shpesh keqkuptohet sikur nënkupton që ne nuk duhet të gjykojmë kurrë. Kërkojini një studenti të lexojë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Mateut 7:1–2, “Tani këto janë fjalët që Jezusi i mësoi dishepujve të tij, që ata duhet t’ua thoshin njerëzve. Mos gjykoni padrejtësisht, që të mos gjykoheni; por gjykoni me gjykim të drejtë.”

  • Çfarë dha mësim Shpëtimtari për të gjykuarit?

  • Çfarë mendoni se do të thotë të gjykosh me drejtësi?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që do të na ndodhë bazuar te mënyra si i gjykojmë të tjerët. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. (Ju mund të doni të shpjegoni që fraza “mas[a] me të cilën ju masni” do të thotë mënyra se si ju matni apo gjykoni.)

  • Çfarë do të ndodhë nëse i gjykojmë të tjerët me drejtësi? (Pasi studentët të përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i gjykojmë të tjerët me drejtësi, Perëndia do të tregojë të njëjtën mëshirë dhe drejtësi për ne.)

Nëse është e mundur, shpërndajini secilit student kopje të thënies vijuese nga Të Vërtetë Ndaj Besimit. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë llojet e gjykimit që duhet të bëjmë dhe që nuk duhet të bëjmë dhe mënyrën se si mund të gjykojmë me drejtësi.

“Nganjëherë njerëzve u duket se është gabim të gjykosh të tjerët, sido që të jetë. Ndërsa është e vërtetë që nuk duhet t’i dënoni të tjerët ose t’i gjykoni me pa të drejtë, juve do t’ju duhet të bëni gjykime mbi ide, rrethana e njerëz gjatë gjithë jetës. …

Gjykimi është i rëndësishëm në përdorimin e lirisë suaj për të zgjedhur dhe kërkon kujdes të madh, sidomos kur duhet të gjykoni mbi njerëz të tjerë. Të gjitha gjykimet tuaja duhet të udhëhiqen nga kritere të drejta. Mbani mend që vetëm Perëndia, i cili njeh zemrën e secilit, mund të gjykojë përfundimisht një njeri (shih Zbulesa 20:12; 3 Nefi 27:14; DeB 137:9). …

… Sa më shumë që të mundeni, gjykoni rrethanat e njerëzve, më tepër sesa vetë njerëzit. Kurdoherë që ka mundësi, përmbahuni para gjykimit, derisa të keni njohurinë e mjaftueshme të fakteve. Jini gjithmonë i ndjeshëm ndaj Shpirtit të Shenjtë, i cili mund t’ju prijë në vendime” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 58–60).

  • Çfarë lloj gjykimesh duhet të bëjmë?

  • Si mund të gjykojmë me drejtësi?

  • Cilët janë disa shembuj të rasteve kur një personi do t’i duhej të bënte një gjykim të drejtë?

Paraqitni një ashkël të vogël druri dhe një copë të gjatë, të trashë druri. Shpjegoni se ndërsa Shpëtimtari i mësoi dishepujt e Tij për të gjykuarit, Ai e quajti ashklën e vogël të drurit lëmishte dhe copën e madhe të drurit tra. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth të gjykuarit të tjerëve.

  • Çfarë mund të përfaqësojnë lëmishtja dhe trari në analogjinë e Shpëtimtarit? (Ato përfaqësojnë gabime, dobësi ose mëkate të vogla e të mëdha.)

  • Si do ta riformulonit mësimin e Shpëtimtarit në vargun 3?

Ftojini dy studentë të dalin përpara klasës. Udhëzoni një student që ta mbajë trarin para syve të tij ose të saj. Pyeteni studentin e dytë:

  • A do të doje që shoku yt i klasës me tra të të hiqte një cifël druri nga syri? Përse jo?

Pyeteni studentin me trarin:

  • Çfarë do të të duhej të bëje që të shikoje mjaftueshëm qartë për ta hequr ciflën e drurit nga syri i shokut tënd të klasës?

Ftojini dy studentët që të ulen. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:4–5. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se për gabimet e kujt tha Shpëtimtari që duhet të shqetësohemi ne.

  • A duhet të përqendrohet shqetësimi dhe korrigjimi ynë te gabimet e të tjerëve apo te gabimet tona? Përse?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje që mund të na ndihmojë ta shmangim të gjykuarit padrejtësisht të të tjerëve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse përqendrohemi te heqja e vetë mëkateve e dobësive tona, atëherë ka më pak gjasa që ne do t’i gjykojmë të tjerët padrejtësisht. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si mund të na ndihmojë ky parim kur shikojmë një të metë te dikush tjetër?

Ju mund t’u jepni studentëve një copë të vogël druri që ta mbajnë për t’u kujtuar atyre këtë parim. Ftojini studentët të përsiatin për mëkatet dhe dobësitë që mund të heqin nga jeta e tyre vetjake. Nxitini ata t’i kërkojnë Zotit ndihmë për të hequr të metat e tyre vetjake në vend që të gjykojnë të tjerët padrejtësisht.

Mateu 7:24–27

Shpëtimtari u premton shpëtim atyre që bëjnë vullnetin e Atit

Paraqitni një gur [shkëmbor] dhe një tabaka me rërë. Pyetini studentët nëse do të parapëlqenin ta ndërtonin shtëpinë e tyre mbi shkëmb apo mbi rërë. Ftojini që të shpjegojnë arsyen.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:24–27. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Jezusi se çfarë do të thotë të ndërtosh një shtëpi mbi shkëmb dhe çfarë do të thotë të ndërtosh një shtëpi mbi rërë.

  • Sipas vargut 24, çfarë veprimesh tha Shpëtimtari do ta bënin një person të ngjashëm me një njeri të zgjuar, i cili ndërtoi mbi shkëmb?

  • Sipas vargut 26, çfarë veprimesh tha Shpëtimtari do ta bënin një person të ngjashëm me një njeri budalla, i cili ndërtoi mbi rërë?

  • Çfarë mendoni se përfaqësojnë shiu, përmbytjet dhe era (shih vargu 27; shih edhe Helamani 5:12) në këto analogji?

  • Çfarë parimesh rreth të vepruarit sipas mësimeve të Zotit mund të mësojmë nga këto analogji? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimet vijuese: Nëse ua vëmë veshin mësimeve të Zotit dhe veprojmë sipas tyre, atëherë Ai do të na forcojë që t’i durojmë sprovat tona. Nëse ua vëmë veshin mësimeve të Zotit, por nuk i ndjekim ato, atëherë ne nuk do të kemi mbështetjen për të cilën kemi nevojë kur të vijnë sprovat.)

Ftojini studentët që të jenë si njeriu i zgjuar, duke vendosur që të veprojnë sipas parimeve që dha mësim Shpëtimtari. Ju mund të doni t’u jepni studentëve kohë që të shkruajnë për mënyrën se si ata do ta zbatojnë një apo më shumë prej parimeve nga ky mësim apo nga studimi që i kanë bërë pjesës tjetër të Predikimit të Shpëtimtarit në Mal.

Njësia Tjetër (Mateu 13:24–17:27)

Tregojuni studentëve se gjatë javës tjetër ata do të lexojnë për komplotin e ligë që çoi në vdekjen e Gjon Pagëzorit. Ata gjithashtu do të mësojnë përgjigjet për pyetjet vijuese: Përse ia preu kokën Herodi Gjonit? Përse po fundosej Pjetri në ujë pasi eci me sukses mbi të? Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si të bën të ndihesh vdekja e një miku të ngushtë ose pjesëtari të familjes. Ftojini ata, që ndërsa e studiojnë njësinë tjetër, t’i kushtojnë vëmendje mënyrës se si Shpëtimtari reagoi ndaj vdekjes së një njeriu të dashur dhe asaj që ndodhi në Malin e Shpërfytyrimit.

Shtyp në Letër