Biblioteka
Mësimi 150: Judë


Mësimi 150

Judë

Hyrje

Juda u bëri thirrje anëtarëve të Kishës që të luftonin me zell për besimin kundër mësuesve të rremë. Ai i përshkroi mësuesit e rremë dhe i këshilloi shenjtorët ta ndërtonin jetën e tyre mbi ungjillin e Jezu Krishtit. Juda tradicionalisht kuptohet të jetë gjysmëvëllai i Jezu Krishtit (shih Mateu 13:55). Juda ishte me gjasë një anëtar aktiv i Kishës me vlerësim të lartë në Jerusalem.

Sugjerime për Mësimdhënien

Judë 1:1–19

Juda u bën thirrje anëtarëve të Kishës që të luftojnë me zell për besimin kudër mësuesve të rremë

Lexojini me zë të lartë skenarët vijues dhe ftojini studentët të marrin parasysh se si do të përgjigjeshin:

  1. Në një faqe interneti të mediave shoqërore, një shok/shoqe poston një thënie që kritikon qëndrimin e Kishës mbi martesat mes së njëjtës gjini.

  2. Një fqinj mëson se ju jeni një anëtar/e i/e Kishës. Ai ju thotë se e ka lexuar Librin e Mormonit dhe ndien se është një letërsi lartësuese por jo fjala e Perëndisë.

  3. Në shkollë, gjatë një diskutimi në klasë, një shok/shoqe debaton se të shikosh pornografi është diçka e padëmshme dhe se nuk duhet të propagandohet kundër saj.

  • Cilat janë mënyrat e ndryshme se si një person mund të reagojë në këto situata?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Judën 1:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se për çfarë i paralajmëroi Juda anëtarët e Kishës.

  • Sipas vargut 4, për çfarë i paralajmëroi Juda anëtarët e Kishës?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se “të pabesë[t]” me synime të liga kishin depërtuar pa u kuptuar në radhët e Kishës. Këta anëtarë të Kishës nxitën praktika korruptuese dhe të pamoralshme duke dhënë mësim se doktrina e hirit i lejonte plotësisht njerëzit për të mëkatuar sepse Perëndia do të falte në mënyrë të mëshirshme. Ata mohuan gjithashtu të vërteta specifike rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Fraza “që qenë shënuar që moti për këtë dënim” (vargu 4) do të thotë se për dënimin e njerëzve të tillë qe shkruar kohë më parë.

  • Duke marrë parasysh mësimet e rreme dhe praktikat korruptuese që po përhapnin këta njerëz, çfarë thirrje u bëri Juda anëtarëve besnikë të Kishës që të bënin? (“Të luftoni[n me zell] për besimin” [vargu 3].)

Shpjegoni se “besimi, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (vargu 3), i referohet ungjillit të Jezu Krishtit – të vërtetave, ligjeve dhe ordinancave të dhëna mësim nga Shpëtimtari dhe Apostujt e Tij.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë për përgjegjësinë e dishepujve të Jezu Krishtit në përballjen me mësimet e rreme dhe praktikat korruptuese? (Studentët mund të përdorin vetë fjalët e tyre për të përcaktuar të vërtetën vijuese: Dishepujt e Jezu Krishtit duhet të luftojnë me zell për ungjillin e Jezu Krishtit kundër mësimeve të rreme dhe praktikave korruptuese.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të luftosh me zell për ungjillin? (Ne duhet të japim mësim dhe të dëshmojmë me guxim për ungjillin. Sidoqoftë, ne nuk duhet të jemi të vrazhdë, arrogantë ose grindavecë kur e bëjmë një gjë të tillë [shih Alma 38:12; 3 Nefi 11:29].)

  • Si mund të luftojmë për ungjillin pa u grindur?

Kujtojuni studentëve situatat e paraqitura më herët në mësim.

  • Në situata të këtilla dhe të ngjashme, cilat janë disa mënyra në të cilat mund të luftojmë për ungjillin kundër mësimeve të rreme dhe praktikave korruptuese?

Ftojeni një student të lexojë rrëfimin vijues të dhënë nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrën se si e reja luftoi për ungjillin.

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Kohët e fundit fola me një vajzë të Dafinave nga Shtetet e Bashkuara. Po citoj nga mesazhi i saj elektronik:

‘Vitin që shkoi, disa shokë dhe shoqe të mia në Facebook filluan të shkruanin qëndrimin e tyre lidhur me martesën. Shumë mbanin anën e martesës midis njerëzve të së njëjtës gjini dhe disa të rinj SHDM shënuan se i “pëlqenin” ato diskutime. Unë nuk bëra asnjë koment.

Vendosa ta shpreh bindjen time lidhur me martesën tradicionale në një mënyrë të kujdesshme.

Te fotografia e profilit tim, shtova fjalët: “Unë besoj në martesën midis një burri dhe një gruaje”. Pothuajse menjëherë fillova të marr mesazhe. “Je egoiste.” “Ke paragjykime.” Dikush më krahasoi me një skllavopronare. Dhe mora këtë shënim nga një shoqe e ngushtë, e cila është anëtare e fortë e Kishës: “Ke nevojë që të arrish te mendimet e kohës. Gjërat po ndryshojnë dhe duhet të ndryshosh edhe ti.”

“Unë nuk kundërveprova”, tha ajo, “por nuk e hoqa deklarimin tim.”’

Ajo përfundon: “Nganjëherë, siç tha Presidenti Monson: “Duhet të qëndroni vetëm”. Shpresoj se, si të rinj, ne vërtet do të qëndrojmë së bashku për të qenë të vërtetë ndaj Perëndisë e ndaj mësimeve të profetëve të Tij të gjallë’” (“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 19).

  • Si luftoi kjo e re për ungjillin?

  • Kur keni luftuar ju apo dikush që e njihni, për ungjillin e Jezu Krishtit? Çfarë mësuat nga ajo përvojë?

Kërkojuni studentëve të përsiatin atë që mund të bëjnë për të luftuar me zell për ungjillin e Jezu Krishtit. Nxitini ata të ndjekin çfarëdo mbrese që marrin.

Përmblidheni Judën 1:5–7 duke shpjeguar se Juda i krahasoi këta anëtarë rebelë të Kishës me njerëzit në kohët e Dhiatës së Vjetër, të cilët u rebeluan kundër Perëndisë dhe vuajtën gjykimet e Tij. Këta njerëz përfshinin shumë prej fëmijëve të Izraelit, të cilët u shkatërruan në shkretëtirë dhe njerëzit e Sodomës dhe Gomorës, të cilët u shkatërruan nga zjarri. Juda i krahasoi gjithashtu anëtarët rebelë të Kishës me ata që u rebeluan kundër Perëndisë në “gjendjen e tyre të parë” ose në ekzistencën para lindjes dhe u flakën nga prania e Tij (Judë 1:6; shih edhe Abraham 3:22–26).

Shkruajeni titullin vijues në tabelë: Karakteristikat e Mësuesve të Rremë.

Shpjegoni se te Juda 1:8–16, ne lexojmë përshkrimin e Judës të shumë karakteristikave që do t’i ndihmonin anëtarët e Kishës t’i dallonin ata që po përhapnin filozofi dhe praktika korruptuese në Kishë. Për ta ilustruar këtë ide, nxirrni në pah frazat “re pa ujë, të shtyrë andej këndej nga erërat” dhe “drurë vjeshte pa fruta” te Juda 1:12.

  • Në ç’mënyrë mësuesit e rremë mund të jenë si retë pa ujë dhe pemët pa fruta?

Ndajini studentët në grupe me nga tre ose katër veta. Udhëzojini studentët të lexojnë Judën 1:8, 10, 14–19 me anëtarët e grupit të tyre, duke kërkuar për karakteristika shtesë të mësuesve të rremë. Ftojini studentët të marrin parasysh të shenjojnë atë që gjejnë. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se “koh[a] e fundit” (vargu 18) i referohet periudhës së kohës, në të cilën jetoi Juda, si edhe ditëve të fundit, në të cilat jetojmë ne.

Pas një kohe të mjaftueshme ftojini studentët të vijnë te tabela dhe të shkruajnë një karakteristikë të mësuesve të rremë që gjetën. Karakteristikat që mund të shkruajnë studentët, përfshijnë sa vijon (juve mund t’ju duhet të përdorni disa nga këto thënie për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që lexojnë):

Karakteristikat e Mësuesve të Rremë

E ndotin trupin e tyre me pamoralshmëri (vargu 8)

E përbuzin pushtetin dhe blasfemojnë kundër dinjiteteve (vargu 8)

Flasin keq për gjërat që nuk i dinë (vargu 10)

E prishin veten duke jetuar si kafshë pa arsye (vargu 10)

Veprojnë në mënyrë të paudhë (vargu 15)

Thonë fjalë fyese kundër Perëndisë (vargu 15)

Murmuritin dhe ankohen (vargu 16)

Ndjekin dhe veprojnë sipas pasioneve të veta (vargu 16)

Mburren (vargu 16)

U bëjnë lajka të tjerëve për dobi të vet (vargu 16)

Tallin Kishën e Zotit dhe standardet e saj (vargu 18)

Shkaktojnë përçarje tek besimtarët (vargu 19)

Mendojnë dhe veprojnë sipas mënyrave mishore (vargu 19)

Nuk e kanë Frymën (vargu 19)

  • Në ç’mënyrë mospasja e Shpirtit çon drejt zhvillimit të karakteristikave të renditura në tabelë?

  • Përse është e rëndësishme që të dallojmë karakteristikat e mësuesve të rremë?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se jo çdokush, i cili ka një ose më shumë nga këto karakteristika ose që jep mësim diçka të pasaktë, është medoemos një mësues i rremë siç u përshkrua nga Juda. Një person i tillë mund ta ketë gabim pa dashur këndvështrimin e tij apo të saj për një çështje. Sidoqoftë, këto karakteristika mund të na ndihmojnë të dallojmë mësuesit e rremë, synimi i të cilëve është ta dobësojnë besimin dhe bindjen e të tjerëve duke i mashtruar ata dhe duke nxitur të ligën.

Ftojini studentët të rishikojnë në heshtje Judën 1:17–18.

  • Kush i kishte paralajmëruar fillimisht anëtarët e Kishës për mësuesit e rremë?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si apostujt dhe profetët mund të na ndihmojnë në përpjekjet tona për të luftuar kundër mësuesve të rremë? (Studentët mund të përdorin vetë fjalët e tyre por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Apostujt dhe profetët na paralajmërojnë për ata që përpiqen të na i dobësojnë besimin dhe bindjen tonë dhe na ndihmojnë t’i dallojmë ata. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të vërë veshin se si thënia e tij e pasqyron këtë të vërtetë.

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Sot ne ju paralajmërojmë se po dalin profetë të rremë dhe mësues të rremë; dhe, nëse nuk jemi të kujdesshëm, madje edhe ata të cilët janë mes anëtarëve besnikë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do të bien pre e mashtrimit të tyre” (“Beware of False Prophets and False Teachers”, Ensign, nëntor 1999, f. 62).

  • Duke e marrë parasysh këtë të vërtetë, përse është e rëndësishme që t’i studiojmë fjalët e apostujve dhe profetëve?

  • Cilat janë disa mësime të rreme, kundër të cilave profetët dhe apostujt bashkëkohorë na kanë paralajmëruar?

Judë 1:20–25

Juda i këshillon shenjtorët ta ndërtojnë jetën e tyre mbi ungjillin e Jezu Krishtit dhe të ndihmojnë për shpëtimin e të tjerëve

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Ne mund të qëndrojmë të vërtetë ndaj besimit duke …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Judën 1:20–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Juda i këshilloi shenjtorët të bënin për të qëndruar të vërtetë ndaj besimit. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se “duke u lutur në Frymën e Shenjtë” do të thotë të lutesh me ndihmën e frymëzimit nga Fryma e Shenjtë.

  • Sipas vargjeve 20–21, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Një mënyrë se si studentët mund ta plotësojnë thënien, është si vijon: Ne mund të qëndrojmë të vërtetë ndaj besimit duke e ndërtuar jetën tonë mbi ungjillin e Jezu Krishtit.)

  • Në ç’mënyrë udhëzimi shtesë i Judës në vargjet 20–21 na ndihmon ta ndërtojmë jetën tonë mbi ungjillin?

  • Përse ia vlen të përpiqemi që të qëndrojmë të vërtetë ndaj besimit?

  • Si ju ka ndihmuar ju apo të tjerët që njihni, vënia në jetë e këshillës së Judës për të qëndruar të vërtetë ndaj besimit?

Ftojini studentët të shkruajnë në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta apo në fletoren e klasës, një mënyrë se si mund të përmirësohen në ndjekjen e këshillës së Judës. Nxitini ata të zbatojnë atë që shkruan.

Përmblidheni Judën 1:22–25 duke shpjeguar se Juda i këshilloi anëtarët besnikë të Kishës t’i ndihmonin të tjerët që po vuanin shpirtërisht, me gjasë për shkak të ndikimit të mësuesve të rremë, dhe se ai i ofroi përlëvdime Perëndisë.

Mbylleni duke ndarë dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Caktojini secilit student një fragment të ndryshëm të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Udhëzojini studentët që të shkruajnë një skenar nga jeta e përditshme në një fletë letre në të cilin mund të zbatohen doktrinat dhe parimet e përmbajtura në fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë të caktuar atyre. Pasi studentët të mbarojnë së shkruari, mblidhini skenarët e tyre. Lexojini disa skenarë dhe ftojini studentët të tregojnë se si doktrinat dhe parimet në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë mund të përdoren dhe zbatohen për çdo skenar. Ju mund të paraqitni disa nga skenarët në fillim ose në fund të mësimeve gjatë javës së ardhshme.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Judë 1:3. “Luftoni [me zell] për besimin”

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth të luftuarit për ungjillin e Jezu Krishtit kundër mësimeve të rreme dhe praktikave korruptuese:

“Kur i ligu dëshiron ta godasë dhe ta ndërpresë thelbin e punës së Perëndisë, ai sulmon familjen. Këtë e bën duke u përpjekur të shpërfillë ligjin e dëlirësisë, të ngatërrojë gjininë, të na bëjë të pandjeshëm ndaj dhunës, ta bëjë normë fjalorin e ulët dhe blasfemues dhe ta bëjë sjelljen e pamoralshme dhe anormale të duket si rregull dhe jo si përjashtim.

Ne duhet të kujtojmë thënien e Edmund Bërkut: ‘E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së ligës është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë’ [i atribuohet John Bartlett, përz., Familiar Quotations, bot. i 15-të (1980), f. ix]. Ne duhet ta ngremë zërin tonë bashkë me qytetarët e tjerë të shqetësuar në mbarë botën për të kundërshtuar prirjet e kohëve të fundit” (“Let Our Voices Be Heard”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 18).

Apostujt bashkëkohorë i kanë udhëzuar anëtarët e Kishës mbi mënyrën se si të luftojnë për ungjillin pa u grindur. Për shembull, shih Plaku Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 72–75; Plaku Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 6–9; dhe Plaku Dallin H. Ouks, “Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 25–28.

Judë 1:9, 14–15. Librat apokrifë

Juda mund t’u jetë referuar librave apokrifë, Assumption of Moses [Marrja e Moisiut në Qiell] (shih vargu 9) dhe Book of Enoch [Libri i Enokut] (shih vargjet 14–15). Zoti zbuloi se shumë gjëra që përmbahen në librat apokrifë janë të sakta dhe se ata që janë të ndriçuar nga Shpirti mund të përfitojnë prej tyre. Sidoqoftë, disa nga librat përmbajnë shtime që e prishin tekstin origjinal (shih DeB 91). Për më shumë informacion mbi Apokrifën, shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Apokrifë”, f. 7.