Biblioteka
Mësimi 152: Zbulesa 2–3


Mësimi 152

Zbulesa 2–3

Hyrje

Gjoni u shkroi shtatë engjëjve, ose shërbëtorëve, të bashkësive të Kishës në Azinë e Vogël dhe përçoi fjalët lavdëruese të Zotit, qortim dhe paralajmërim për shenjtorët. Gjoni përfshiu edhe premtime ekzaltimi ndaj atyre që fitojnë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 2–3

Gjoni u shkruan udhëheqësve të shtatë kishave fjalët e Jezu Krishtit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues nga Motra Sidni S. Rejnolds, ish-anëtare në presidencën e përgjithshme të Fillores. Kërkojini klasës të dëgjojë për gjërat që mund të mësojë rreth Zotit nga ky rrëfim.

Sidni S. Rejnolds

“Motra Gejll Kleg, e presidencës së përgjithshme të Fillores dhe bashkëshorti i saj jetuan për disa vite në Brazil. Së fundi ajo kishte një thirrje në Fillore, në Japoni. Kur hyri në kishë të dielën, ajo vuri re midis gjithë shenjtorëve japonezë një familje braziliane. … Ajo kishte vetëm një minutë kohë për t’i përshëndetur dhe zbuloi se nëna dhe fëmijët ishin shumë entuziastë, por vuri re se babai ishte shumë i heshtur. ‘Do të kem mundësi të flas me ta pas mbledhjes’, mendoi ndërsa u drejtua me nxitim drejt podiumit. Ajo e dha mesazhin e saj në anglisht, i cili u përkthye në japonisht dhe më pas pati një ndjenjë se duhet të ndante dëshminë e saj edhe në portugalisht. Ajo nguroi duke qenë se nuk kishte përkthyes për portugalishten dhe 98 përqind e njerëzve nuk do ta kuptonin atë që do të thoshte.

Pas mbledhjes babai brazilian iu afrua dhe i tha: ‘Motër, zakonet janë kaq ndryshe këtu dhe jam ndier i vetmuar. Është e vështirë të vish në Kishë dhe të mos kuptosh asgjë. Ndonjëherë pyes veten nëse do të ishte më mirë thjesht të lexoja shkrimet e mia të shenjta në portugalisht në shtëpi. I thashë gruas time: “Do ta provoj edhe një herë” dhe erdha sot duke menduar se do të ishte hera e fundit. Kur ju dhatë dëshminë në portugalisht, Shpirti preku zemrën time dhe e dija se isha pikërisht aty ku duhej të isha. Perëndia e di që unë jam këtu dhe Ai do të më ndihmojë’” (“He Knows Us; He Loves Us”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 76).

  • Çfarë mund të mësojmë ne për Zotin nga kjo përvojë?

Shkruajeni frazën e paplotë vijuese në tabelë: Për shkak se Zoti e njeh secilin prej nesh … Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta teksa studiojnë Zbulesën 2–3 që i ndihmojnë ata të kuptojnë atë që Zoti mund të bëjë për ta ngaqë Ai i njeh ata.

Shpjegoni se Zbulesa 2–3 përmban analin e Apostullit Gjon të fjalëve të Jezu Krishtit drejtuar shtatë bashkësive të Kishave në Azinë e Vogël (Turqia e ditëve të sotme).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 2:1–3, 6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti dinte për shenjtorët në Efes.

  • Çfarë dinte Zoti për shenjtorët në Efes? (Shpjegoni se termi Nikolaitë [vargu 6] mund t’i referohet një grupi, anëtarët e të cilit pretendonin se mund të kryenin mëkate seksuale pa u ndëshkuar sepse hiri i Perëndisë do t’i shpëtonte ata [shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Nicolaitans” [“Nikolaitë”]].)

Nxirrni në pah se këto vargje shënojnë se Zoti i lavdëroi ose i përgëzoi shenjtorët për veprat e tyre të mira. Shtojani thënies në tabelë që të jetë sa vijon: Për shkak se Zoti e njeh secilin prej nesh, Ai mund të na japë lavdërime vetjake …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 2:4–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tjetër dinte Zoti për shenjtorët në Efes.

  • Çfarë tjetër dinte Zoti për shenjtorët në Efes?

Nxirrni në pah se Zoti po u jepte shenjtorëve qortime për shkak të mëkateve të tyre. Plotësojeni thënien në tabelë që të përçojë të vërtetën vijuese: Për shkak se Zoti e njeh secilin prej nesh, Ai mund të na japë lavdërime dhe qortime vetjake.

  • Cilat janë disa mënyra se si ne mund të marrim lavdërime dhe qortime vetjake nga Zoti?

  • Si mund të ndikojë tek ne njohuria se Zoti mund të na japë lavdërime dhe qortime vetjake, në mënyrën se si i qasemi studimit tonë vetjak të shkrimeve të shenjta dhe lutjes? Si mund të ndikojë kjo tek mënyra se si ne reagojmë ndaj këshillës së udhëheqësve të Kishës dhe prindërve tanë?

  • Përse duhet të bëjmë një përpjekje për të synuar lavdërime vetjake dhe qortime nga Zoti?

  • Kur keni përjetuar ndonjë rast që Zoti iu ka dhënë juve lavdërime vetjake ose qortime? Si ju ka ndihmuar kjo përvojë të dini se Zoti ju njeh individualisht? (Porositini studentët që të mos tregojnë përvoja që janë të shenjta ose tepër private.)

Ftojini studentët të përsiatin se për çfarë veprimesh mendojnë se mund t’i lavdërojë Zoti si edhe për çfarë mendimesh ose sjelljesh mund t’i qortojë Zoti. Nxitini studentët të vendosin një synim për t’u penduar kur Zoti i qorton ata.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 2:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti u premtoi atyre që fitojnë ose durojnë me besnikëri deri në fund.

  • Çfarë u premton Zoti atyre që fitojnë ose durojnë deri në fund në drejtësi?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të “hajë nga pema e jetës”? (vargu 7.)

  • Si mund të ketë qenë e dobishme për shenjtorët në Efes kur kanë dëgjuar këtë bekim të premtuar pasi morën qortime vetjake?

Kujtojuni studentëve se, përveçse iu drejtua bashkësive të Kishës në Efes, Zoti iu drejtua edhe bashkësive të tjera të Kishës në Azinë e Vogël.

Ndajeni klasën në pesë grupe dhe caktojini secilit grup një nga referencat vijuese.

  1. Zbulesa 2:8–11

  2. Zbulesa 2:12–17

  3. Zbulesa 2:18–29; Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Zbulesa 2:26–27 (në shtojcën e Biblës në anglisht)

  4. Zbulesa 3:1–6; Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Zbulesa 3:1 (te Zbulesa 3:1, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]); Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Zbulesa 3:2 (te Zbulesa 3:2, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht])

  5. Zbulesa 3:7–13

Ftojini studentët të lexojnë vargjet e caktuara atyre si grup, duke kërkuar se çfarë u këshilloi Zoti shenjtorëve të bënin dhe bekimet që Ai u premtoi se do të merrnin nëse bënin kështu.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një pjesëtar nga secili grup të raportojë atë që gjeti grupi i tij ose i saj. Ftojini studentët të shkruajnë në tabelë (poshtë bekimit të premtuar nga Zbulesa 2:7) bekimin e premtuar që përcaktoi çdo grup (shih Zbulesa 2:11, 17, 26; 3:5, 12). Pasi lista të jetë plotësuar, nxirrni në pah se secili prej këtyre premtimeve i referohet marrjes së bekimeve të ekzaltimit, të cilat janë të kushtëzuara sipas durimit tonë me besnikëri deri në fund.

  • Çfarë parimi mund të përcaktojmë nga këto vargje rreth asaj që duhet të bëjmë për të marrë bekimet e ekzaltimit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse fitojmë, atëherë ne mund të marrim bekimet e ekzaltimit.)

  • Çfarë mendoni se duhet të fitojmë për të marrë bekimet e ekzaltimit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 3:14–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një kusht që anëtarët e Kishës në Laodika duhej ta fitonin me qëllim që të merrnin ekzaltimin.

  • Çfarë kushti duhet të fitonin anëtarët e Kishës në Laodika?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë se këta anëtarë të Kishës ishin dishepuj të vakët të Jezu Krishtit? (vargu 15.) (Fjala i ngrohtë mund të jetë përdorur për të përshkruar dikë, i cili është plotësisht i zotuar ndaj ungjillit dhe i ftohtë mund të jetë përdorur për të përshkruar dikë, i cili i ka shpërfillur tërësisht mësimet dhe besëlidhjet e ungjillit. Një dishepull i vakët mund të jetë dikush që beson se ungjilli është i vërtetë por nuk është tërësisht i zotuar për ta jetuar atë.)

  • Sipas mendimit tuaj, cilat janë disa gjëra që dishepujt e vakët të Jezu Krishtit mund të bëjnë dhe nuk mund të bëjnë?

Ftojini studentët të mendojnë rreth asaj që kanë bërë për ta ndjekur Jezu Krishtin gjatë ditëve të kaluara dhe nëse ata janë dishepuj të ngrohtë, të ftohtë apo të vakët të Jezu Krishtit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 3:19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se përse Zoti tha që po i qortonte shenjtorët në Laodika.

  • Bazuar në atë që Zoti u tha shenjtorëve në Laodika, përse na qorton Ai ne? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Për shkak se Zoti na do, Ai na qorton me qëllim që ne të pendohemi.)

Jezusi Qëndron te Dera

Paraqiteni figurën Jezusi Qëndron te Dera (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr.65; shih edhe LDS.org).

  • Çfarë po bën Shpëtimtari në këtë figurë?

Lexojini me zë të lartë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët t’i përsiatin përgjigjet e tyre në heshtje:

  • Çfarë ndjenjash mund të kishit nëse do të dëgjonit një trokitje te dera e shtëpisë suaj dhe të kuptonit se ishte Shpëtimtari?

  • A do ta hapnit derën?

Nxirrni në pah se kjo figurë ilustron fjalët e Zotit drejtuar Kishës në Laodika. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 3:20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimin që ofroi Zoti ndaj shenjtorëve laodikas dhe atë që duhej të bënin për ta marrë atë.

  • Çfarë bekimi iu ofroi Zoti shenjtorëve të Laodikës?

  • Çfarë duhej të bënin ata me qëllim që ta merrnin atë bekim?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 20? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur ia hapim derën Shpëtimtarit, Ai do të hyjë brenda dhe do të hajë darkë me ne.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë se çfarë do të thotë të hash darkë me Shpëtimtarin, shpjegoni se në kulturën e lashtë të Lindjes së Afërt, ngrënia e një vakti me dikë ishte një shenjë shoqërimi. Kjo tregonte se ekzistonte një lidhje miqësie dhe paqeje ose të paktën po krijohej.

  • Si mendoni ju, çfarë përfaqëson hapja e derës që përmendet në vargun 20?

Shpjegoni se njerëzit, të cilët ia hapin derën Shpëtimtarit dhe hanë darkë me Të, janë individët të cilët pendohen për mëkatet e tyre dhe marrin shoqërimin e Tij dhe Atit tonë Qiellor.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë mund të përfaqësojë hapja e derës, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Një ditë [një artist i quajtur Holman Hant] po ia tregonte pikturën e tij të ‘Krishti[t] duke Trokitur te Dera’ një miku, i cili befas tha: ‘Ka një gjë që nuk shkon në këtë figurë’.

‘Çfarë nuk shkon?’ e pyeti artisti.

‘Dera, në të cilën troket Jezusi, nuk ka dorezë’, ia ktheu miku i tij.

‘Ah’, iu përgjigj z. Hant, ‘nuk është gabim. Shiko, kjo është dera e zemrës njerëzore. Ajo mund të hapet vetëm nga brenda.’

Dhe kështu është. Jezusi mund të qëndrojë dhe të trokasë por secili prej nesh e vendos nëse do ta hapë apo jo derën” (The Miracle of Forgiveness [1969]f. 212).

  • Si mendoni se mund t’ia hapim zemrën tonë Shpëtimtarit?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Zbulesën 3:21–22, duke kërkuar premtimin dhe këshillën e Zotit për shenjtorët në Laodika.

Ftojini studentët të “dëgjoj[n]ë atë që [iu] thotë Fryma” (vargu 22) duke reflektuar mbi ato që mësuan sot. Nxitini ata të veprojnë ndaj çdo mbrese që marrin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 2:1–3:22. Udhëzimet e Zotit për shtatë kishat

Për më shumë informacion lidhur me udhëzimet e Zotit për shtatë bashkësitë e Kishave, shih New Testament Student Manual (Church Educational System manual, 2014), f. 531–532.

Zbulesa 2:11. “Vdekja e dytë”

Zbulesa 2:11 jep mësim se besnikët ‘nuk do të preke[n] nga vdekja e dytë’. Sidoqoftë, për të ligjtë ‘pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë’ (Zbulesa 21:8). Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, Plaku Erl C. Tingi shpjegoi se ‘vdekja e dytë është shpirtërore. Ajo është ndarja nga prania e Perëndisë’” (‘Plani i Madh i Lumturisë’, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 73, [Konferenca e Përgjithshme prill 2006, f. 112]).

“Në njëfarë mënyre, ne të gjithë provuam një vdekje shpirtërore kur u ndamë nga prania e Perëndisë për të ardhur në tokë. Sidoqoftë, kjo ndarje fillestare, nuk është ‘vdekja e dytë’ e përmendur te Zbulesa 2:11. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë do ta mundin këtë vdekje shpirtërore fillestare dhe do të sillen sërish në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar (shih Helamani 14:16–17), pas së cilës shumica e njerëzve do të trashëgojnë një mbretëri lavdie. Një vdekje e dytë shpirtërore do të shpallet Ditën e Gjykimit për ata që refuzojnë të pendohen për mëkatet e tyre dhe për ata që do të rebelohen me dëshirë kundër dritës dhe të vërtetës së ungjillit, sikurse bëri Satani [shih DeB 29:44–45; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ‘Vdekje, Shpirtërore’, f. 203–204, scriptures.lds.org]. Ata do të jenë përgjithmonë të ndarë nga Perëndia dhe do të jenë bijtë e humbjes (shih DeB 76:30–37, 44)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 534).

Zbulesa 2:14. “Mësimi … [i] Balaamit”

“Balaami ishte një profet në Dhiatën e Vjetër, veprat e të cilit janë shënuar te Numrat 22–24; 31:16. Fillimisht ai shfaqet sikur ishte i vërtetë ndaj Zotit dhe njerëzve të Tij, duke refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesën e Balakut për të mallkuar Izraelin. Megjithatë, Balaami iu dorëzua si përfundim ofertës së Balakut për pasuri dhe e mësoi Balakun se si të shkaktonte që ushtria e Izraelit të dobësohej nëpërmjet mëkateve seksuale dhe idhujtarisë (shih Numrat 25:1–5; 31:13–16). Plani përfshinte që gratë moabite të joshnin burrat e Izraelit dhe t’i bindin ata që t’u ofronin sakrifica perëndive pagane, duke i shkatërruar kështu nga ana shpirtërore” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 534).

Zbulesa 2:17. “Mana që është fshehur” dhe “një gur të bardhë”

“Zoti u siguroi fëmijëve të Izraelit mana për t’u ushqyer, që të hanin gjatë udhëtimit të tyre prej 40 vitesh në shkretëtirë (shih Eksodi 16:15, 35). Ashtu sikurse mana i ushqeu fizikisht, Jezu Krishti është ‘buka e jetës’ që na ushqen shpirtërisht (Gjoni 6:35, 48). ‘Mana që është fshehur’ e përmendur te Zbulesa 2:17, i referohet Jezu Krishtit. Jezusi është i ‘fshehur’ nga të ligjtë. Por, siç Ai dha mësim te Gjoni 6, ata që marrin simbolikisht nga mishi i Tij do të marrin jetën e përjetshme (shih Gjon 6:47–58). …

… Për të lexuar informacion që iu zbulua profetit lidhur me gurin e bardhë, shih Doktrina e Besëlidhjet 130:8–11” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 535).

Zbulesa 2:28. “Unë do t’i jap atij yllin e mëngjesit”

‘Ylli … [i] mëngjesit’ është një simbol i Jezu Krishtit (Zbulesa 2:28; 22:16). Premtimi i ‘ylli[t të] mëngjesit’ i jepet ‘kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia’ (Zbulesa 2:26)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 535).

Zbulesa 3:14. “Ameni”

“Në hebraisht dhe në greqisht fjala ‘amen’ do të thotë me të vërtetë, me siguri ose me besnikëri. Te Zbulesa 3:14, besnikëria dhe vërtetësia e Krishtit si ‘Ameni’ i madh, janë shfaqur si një kundërshti për sjelljet e vakëta të laodikasve (shih edhe Zbulesa 3:15–16). Kur thuhet në një lutjeje ose fjalim, [fjala] ‘amen’ është një mënyrë pohimi solemn për atë që është thënë ose një shprehje miratimi. Plaku Brus R. Mek-Konki dha mësim se titulli i Shpëtimtarit ‘Amen’ tregon gjithashtu se ‘është në Të dhe nëpërmjet Tij që vula e miratimit hyjnor është vendosur në të gjitha premtimet e Atit’ (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 32)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 536).