Mësimi 160
Zbulesa 21–22
Hyrje
Gjoni pa një qiell të ri dhe një tokë të re, dhe Jerusalemin e Ri që zbritën nga qielli. Ai pa gjithashtu se Perëndia do të banojë me njerëzit e Tij dhe do t’i ngushëllojë ata, dhe se qyteti çelestial i Perëndisë do të vendoset në tokë. Gjoni pa se ata, emrat e të cilëve janë shkruar në librin e jetës, do të hyjnë në qytet dhe do të jetojnë me Perëndinë në lavdi. Gjoni e mbylli vegimin e tij me një lutje që Zoti të kthehej në tokë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zbulesa 21
Gjoni sheh një qiell të ri dhe një tokë të re, dhe qytetin çelestial të Perëndisë
Ftojini studentët të mendojnë për raste në jetën e tyre kur kanë përjetuar pikëllim ose vuajtje të madhe.
Cilat janë disa gjëra në jetë që mund të na shkaktojnë pikëllim ose vuajtje të madhe? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë ndërsa studiojnë Zbulesën 21, që mund t’u sjellë atyre ngushëllim gjatë kohëve të vështira.
Shpjegojuni studentëve se Zbulesa 21–22 është një vazhdimësi e vegimit të Gjonit të ngjarjeve që do të ndodhin pas Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë pa Gjoni se do të ndodhë.
Çfarë pa Gjoni se do të ndodhë?
Ftojini dy studentë të lexojnë me zë të lartë thëniet vijuese:
Thënia 1
Kur Jezu Krishti të vijë sërish dhe kur Mijëvjeçari të fillojë, toka do të ndryshohet në gjendjen që ishte përpara Rënies së Adamit dhe Evës. Përpara Rënies, toka ekzistoi në një gjendje terrestriale ose parajsore (një gjendje e parajsës). Pas Mijëvjeçarit, toka do të ndryshojë sërish në një gjendje çelestiale, e përgatitur për praninë e Perëndisë. Këto ndryshime mund të kenë qenë ato që Gjoni vërejti se do të ndodhin kur “pa një qiell të ri dhe një dhe të ri” (Zbulesa 21:1).
Thënia 2
Jerusalemi i Ri që Gjoni pa të zbriste nga qielli, është qyteti çelestial i Perëndisë. Ky qytet me gjasë do të përfshijë qytetin e Enokut, i cili u shndërrua dhe u mor në qiell. Ky “qytet [i] shenjtë” do të zbresë dhe do të bashkohet me Jerusalemin e Ri ose Sionin që shenjtorët do të kenë ndërtuar në tokë (shih Moisiu 7:62–64).
Si mendoni se mund të jetë ndier Gjoni kur i pa këto gjëra ndërsa ishte dëbuar për bindjen e tij ndaj Jezu Krishtit?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Perëndia do të bëjë për njerëzit e Tij.
Çfarë do të bëjë Perëndia për njerëzit e Tij? (Studentët mund të përcaktojnë të vërteta të tilla si vijojnë: Perëndia do të banojë me njerëzit e Tij dhe do t’i ngushëllojë ata, dhe ata nuk do ta provojnë më kurrë vdekjen, brengën ose mundimin. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
Referojuni listës në tabelë të gjërave që mund të na sjellin pikëllim ose vuajtje.
Në ç’mënyrë njohuria se Perëndia do t’i ngushëllojë njerëzit e Tij dhe se Ai do t’i heqë pikëllimet dhe vuajtjet e tyre, na ndihmon kur përjetojmë sfida në ditët e sotme?
Ju mund të doni të ndani dëshminë tuaj për aftësinë që ka Perëndia për të na ngushëlluar.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë u premton Zoti atyre që fitojnë me besnikëri.
Çfarë u premton Zoti atyre që fitojnë?
Bazuar tek ajo që keni mësuar rreth sfidave që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë përpara Ardhjes së Dytë, çfarë lloj gjërash do të kenë mposhtur këta njerëz?
Ftojeni të njëjtin student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:8. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se një magjistar është dikush që merr pjesë në veprimtari me qëllim që të ftojë ndikimin e frymërave të liga dhe një kurvërues është një person që kryen marrëdhënie seksuale ose shkelje kurore.
Çfarë do të përjetojnë ata që përshkruhen në vargun 8? (Vdekjen e dytë.)
Shpjegoni se vdekja e dytë është një vdekje shpirtërore ose ndarje nga Perëndia, që do ta përjetojnë ata të cilët rebelohen me dëshirë kundër dritës dhe së vërtetës pas Gjyqit Përfundimtar (shih Helamani 14:16–19).
Përmblidheni Zbulesën 21:9–21 duke shpjeguar se Gjoni e përshkroi qytetin çelestial të Perëndisë. Ai pa se qyteti kishte një mur të madh që kishte 12 porta që ruheshin nga 12 engjëj.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 21:22–27. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që mësoi Gjoni për këtë qytet çelestial.
Çfarë mësoi Gjoni për këtë qytet?
Sipas vargut 27, kush do të lejohet të hyjë? (Vetëm ata, emrat e të cilëve janë shkruar në librin e jetës të Qengjit.)
Zbulesa 22
Gjoni e mbyll vegimin e tij
Ftojini studentët që teksa studiojnë Zbulesën 22, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë mënyrën se si ta kenë emrin e tyre të shkruar në librin e jetës të Qengjit dhe të lejohen që të hyjnë në këtë qytet çelestial.
Merrni parasysh të tregoni një figurë të një froni ose vizatojeni një në tabelë.
Kërkojini një studenti të vijë në tabelë dhe të vizatojë se çfarë tjetër pa Gjoni përveç një froni teksa studenti tjetër lexon me zë të lartë Zbulesën 22:1–2.
Çfarë tjetër pa Gjoni në qytetin çelestial të Perëndisë?
Ftojeni studentin/en që të kthehet në vendin e tij apo të saj.
Sipas vargut 2, si e përshkroi Gjoni drurin e jetës? (Pema prodhoi fruta me bollëk në të gjitha stinët dhe gjethet e tij mund të shëronin kombet.)
Kujtojuni studentëve se Libri i Mormonit shënon që si Lehi ashtu edhe Nefi panë një vegim të pemës së jetës. Nefi mësoi se si pema ashtu edhe burimi i ujërave të gjalla përfaqësojnë dashurinë e Perëndisë (shih 1 Nefi 11:25). Shkruani Dashuria e Perëndisë pranë pemës dhe lumit te vizatimet e studentit/es.
Cili është manifestimi më i madh i dashurisë së Perëndisë? (Shlyerja e Jezu Krishtit [shih Gjoni 3:16; 1 Gjon 4:9]. Fruti i pemës mund të përfaqësojë edhe bekimet e Shlyerjes.)
Përmblidheni Zbulesën 22:3–10 duke shpjeguar se, përveçse e pa qytetin çelestial, Gjoni mori edhe një dëshmi nga engjëlli, i cili i foli atij se gjërat që i ishin zbuluar, qenë të vërteta.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 22:11–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti do të bëjë kur Ai të vijë sërish.
Çfarë do të bëjë Zoti kur Ai të vijë sërish?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 22:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë për t’u lejuar që të hyjmë në mbretërinë çelestiale.
Çfarë duhet të bëjmë që të hyjmë në mbretërinë çelestiale?
Shpjegoni se që të “ke[sh] të drejtën për drurin e jetës” do të thotë të jesh i denjë për të marrë të gjitha bekimet e Shlyerjes, përfshirë edhe jetën e përjetshme.
Çfarë parimi mund të përcaktojmë nga vargu 14? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse i zbatojmë urdhërimet e Zotit, atëherë ne mund të marrim të gjitha bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të hyjmë në mbretërinë çelestiale. Shpjegoni se zbatimi i urdhërimeve të Tij përfshin marrjen e të gjitha ordinancave të nevojshme për të hyrë në mbretërinë çelestiale.)
Shpjegoni se ndonëse disa bekime të Shlyerjes – të tilla si dhurata e ringjalljes – u janë dhënë lirisht të gjithë fëmijëve të Perëndisë, bekime të tjera – të tilla si jeta e përjetshme – janë në dispozicion vetëm për ata që kërkojnë me zell të ushtrojnë besim në Jezu Krisht, të pendohen dhe të ndjekin urdhërimet e Tij.
Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë:
Ftojini studentët të marrin parasysh se si do t’u përgjigjeshin këtyre dy pyetjeve duke shqyrtuar atë që ata kanë shkruar në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, ato që kanë shënuar ose shenjuar në shkrimet e tyre të shenjta, dhe vargjet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që kanë studiuar këtë vit. Kërkojuni atyre t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për këto dy pyetje në fletoren e tyre të klasës ose në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia tregojnë klasës atë që shkruan. (Kujtojuni studentëve që të mos tregojnë ndonjë gjë që është tepër private ose vetjake.)
Përmblidheni Zbulesën 22:15–19 duke shpjeguar se ata që nuk i zbatojnë urdhërimet e Zotit, nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në qytetin çelestial. Jezu Krishti dëshmoi se Ai ia dha këtë zbulesë Gjonit dhe Gjoni i ftoi të gjithë njerëzit që të vijnë tek ujërat e jetës për të pirë lirisht. Gjoni i paralajmëroi lexuesit e tij që të mos e ndryshonin mesazhin e librit që ai kishte shkruar.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 22:20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar lutjen e Gjonit.
Cila ishte lutja e Gjonit?
Bazuar tek ajo që keni mësuar në librin e Zbulesës, përse mendoni se Gjoni mezi priste që Zoti të vinte?
Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që studentët zbuluan te Zbulesa 21–22.