Biblioteka
Mësimi 143: Jakob 4–5


Mësimi 143

Jakob 4–5

Hyrje

Jakobi i këshilloi shenjtorët që ta kundërshtonin djallin, të afroheshin më pranë Perëndisë dhe ta përballonin vuajtjen me durim ndërkohë që prisnin Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Ai dha mësim se të sëmurët duhej të “thërr[isnin] pleqtë e kishës” (Jakob 5:14) për t’u administruar atyre. Jakobi dha gjithashtu mësim për rëndësinë e të ndihmuarit të mëkatarëve që të pendohen.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakob 4

Jakobi i këshillon shenjtorët që të afrohen më pranë Perëndisë dhe ta kundërshtojnë djallin

Ftojini studentët të mendojnë për një pjesëtar të familjes apo për një mik me të cilin ndihen të afërt.

  • Për kë menduat? Përse ndiheni afër këtij personi?

  • Si u afruat me këtë person?

Kërkojuni studentëve të përsiatin se sa afër ndihen me Perëndinë.

  • Si do të bekohet jeta jonë nga pasja e një marrëdhënieje të fortë me Perëndinë?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Jakobin 4, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë për ta forcuar marrëdhënien e tyre me Perëndinë.

Përmblidheni Jakobin 4:1–3, duke shpjeguar se Jakobi i qortoi shenjtorët që iu dhanë dëshirave tokësore.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 4:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar llojin e miqësisë për të cilën Jakobi i paralajmëroi shenjtorët. Shpjegoni se fjala armiqësi do të thotë hasmëri ose urrejtje.

  • Për çfarë lloj miqësie i paralajmëroi Jakobi shenjtorët?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të kesh “miqësi me botën”? (Nëse është e nevojshme, shpjegoni se këshilla e Jakobit në vargun 4 nuk do të thotë se ne duhet ta shmangim shoqërimin me individë që nuk janë anëtarë të Kishës. Përkundrazi, ne duhet ta shmangim përqafimin e mësimeve të rreme dhe të dëshirave, standardeve dhe praktikave të padrejta të botës.)

  • Sipas Jakobit, çfarë i ndodh atij që bëhet mik me botën?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobin 4:6–8, duke kërkuar atë që Jakobi i këshilloi shenjtorët të bënin.

  • Çfarë i këshilloi Jakobi shenjtorët të bënin?

  • Si mund të na ndihmojë nënshtrimi i vetes sonë ndaj Perëndisë për ta kundërshtuar djallin?

  • Sipas vargut 8, çfarë duhet të bëjmë nëse duam të jemi më pranë Perëndisë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Kur afrohemi me Perëndinë, Ai do të afrohet me ne.)

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’u afruar më pranë Perëndisë? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë një mënyrë se si ne mund të afrohemi më pranë Perëndisë, vini në dukje udhëzimin e Palit për t’i “pastr[uar] duart tuaja” dhe për t’i “pastr[uar] zemrat” (Jakob 4:8). Shpjegoni që siç përdoren në shkrimet e shenjta, duart mund të përfaqësojnë veprimet tona dhe zemra mund të përfaqësojë dëshirat tona.

  • Si mendoni ju se na ndihmon të paturit e duarve të pastra dhe të një zemre të pastër për t’u afruar më pranë Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 4:9–12, 17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillat shtesë që Jakobi u dha shenjtorëve për t’i ndihmuar ata të afroheshin më pranë Perëndisë. Shpjegoni se fraza “të qeshurit tuaj le të kthehet në zi” (vargu 9), i referohet të ndiesh trishtim sipas Perëndisë për mëkatin.

  • Çfarë këshillash shtesë dha Jakobi që mund ta ndihmojnë dikë të afrohet më pranë Perëndisë?

  • Sipas vargut 17, çfarë dha mësim Jakobi se është mëkat? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Nëse dimë të bëjmë mirë, por zgjedhim të mos e bëjmë atë, ne bëjmë mëkat.)

  • Si mendoni ju, përse është mëkat t’i dimë gjërat e mira që duhet të bëjmë, por zgjedhim të mos i bëjmë ato?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i cili shërbeu në Presidencën e Parë:

Presidenti Xhejms E. Faust

“Kam frikë se disa prej mëkateve tona më të mëdha janë mëkatet e mosveprimit. Këto janë disa nga gjërat më të rëndësishme të ligjit që Shpëtimtari tha se ne nuk duhet t’i lëmë pa bërë [shih Mateu 23:23]. Këto janë veprimet përkujdesëse, dashamirëse që ne nuk arrijmë t’i bëjmë dhe ndihemi shumë fajtorë që i kemi shpërfillur ato.

Kur isha një djalë i vogël në fermë, gjatë nxehtësisë përcëlluese të verës, më kujtohet gjyshja ime, Meri Finlinsoni, që i gatuante vaktet tona të shijshme në një sobë të nxehtë me dru. Kur arka me dru që ishte pranë sobës zbrazej, gjyshja e merrte qetësisht arkën, dilte jashtë për ta mbushur sërish nga stiva me dru cedri që ishte përjashta dhe e sillte arkën e ngarkuar rëndë përsëri në shtëpi. Unë isha kaq i pandjeshëm dhe kaq i interesuar për muhabetin në kuzhinë, saqë rrija ulur atje dhe e lija gjyshen time të dashur që ta rimbushte arkën me dru të kuzhinës. Më vjen turp nga vetja dhe kam ndier keqardhje për pakujdesinë time gjatë gjithë jetës sime. Shpresoj që një ditë t’i kërkoj falje asaj” (“The Weightier Matters of the Law: Judgment, Mercy, and Faith”, Ensign, nëntor 1997, f. 59).

  • Çfarë veprimi të mirë shpërfilli Presidenti Faust të bënte kur ishte djalosh? Si u ndje ai për pasojë?

  • Cilët janë disa shembuj të mëkateve të mosveprimit që mund të na pengojnë nga afrimi me Perëndinë?

  • Çfarë mund të na pengojë që të bëjmë veprimet e mira që ungjilli i Jezu Krishtit na mëson të bëjmë?

  • Kur jeni afruar më pranë Perëndisë ngaqë bëtë gjërat e mira që ju janë mësuar të bëni?

Ftojini studentët që të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëjnë për t’u afruar më pranë Perëndisë. Nxitini ata të veprojnë sipas çdo mbrese që marrin.

Jakob 5

Jakobi u mëson shenjtorëve që ta përballojnë vuajtjen me durim dhe i udhëzon të sëmurët që të thërrasin pleqtë

Përmblidheni Jakobin 5:1–6, duke shpjeguar se Jakobi i dënoi të pasurit që e keqpërdornin pasurinë dhe i përndiqnin të drejtët. Ai paralajmëroi se ata i priste mjerimi dhe gjykimi.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Jakobi 5:7–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Jakobi i udhëzoi shenjtorët të bënin teksa përballeshin me vuajtje, ndërkohë që prisnin Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

  • Sipas vargjeve 7–8, çfarë i këshilloi Jakobi shenjtorët të bënin ndërsa prisnin Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

  • Sipas vargut 10, te cilët mund të shikonin shenjtorët si shembuj të njerëzve që i përballonin vuajtjet me durim?

  • Cilët janë disa shembuj të profetëve nga shkrimet e shenjta që e përballuan vuajtjen me durim?

Shpjegoni se Jakobi 5:13–16 shënon këshillën e Palit për të sëmurët dhe të vuajturit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë skenarin vijues:

Një mik thotë: “Ndihem shumë keq. Kam qenë sëmurë për më shumë se një javë. Kam shkuar te doktori dhe kam marrë ilaçe, por përsëri nuk ndiej ndonjë përmirësim. Nuk di se çfarë tjetër duhet të bëj”.

Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi atë që do t’i thoshin këtij miku. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 5:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jakobi u këshilloi të sëmurëve dhe të vuajturve të bënin.

  • Çfarë u këshilloi Jakobi të sëmurëve dhe të vuajturve të bënin?

  • Çfarë i udhëzoi Jakobi pleqtë të bënin për të sëmurët? (T’u administronin të sëmurëve me anë të autoritetit të priftërisë dhe t’i vajosnin me vaj.)

Shpjegoni se Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se “kur pleqtë vajosin një të sëmurë dhe e vulosin vajosjen, ata hapin pragjet e qiellit që Zoti të derdhë bekimin që Ai dëshiron për personin që vuan” (“Shërimi i të Sëmurëve”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 48).

  • Përveç fuqisë së priftërisë, çfarë tjetër tha Jakobi se do t’i shpëtonte apo shëronte të sëmurët? (“Lutja e besimit” [Jakobi 5:15].)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Jakobi rreth mënyrës se si mund të shërohen të sëmurët? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata ta përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëpërmjet lutjes me besim dhe fuqisë së priftërisë, të sëmurët mund të shërohen. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë të vërtetë, jepeni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks në një fletushkë. Ndajini studentët në dyshe dhe ftojeni secilën dyshe që ta lexojnë thënien së bashku me zë të lartë. Vërini ata të kërkojnë atë që Plaku Ouks dha mësim rreth lutjes me besim dhe fuqisë shëruese të priftërisë.

Plaku Dallin H. Ouks

“Ndërsa ushtrojmë fuqinë e padyshimtë të priftërisë së Perëndisë dhe ndërsa e ruajmë si thesar premtimin e Tij se Ai do ta dëgjojë e do t’i përgjigjet lutjes së bërë me besim, ne duhet të mbajmë mend se besimi dhe fuqia shëruese e priftërisë nuk mund të sjellin një rezultat të kundërt me vullnetin e Atij e të cilit është priftëria. …

… Edhe shërbëtorët e Zotit, duke ushtruar fuqinë e Tij hyjnore në një rrethanë ku ka besim të mjaftueshëm për t’u shëruar, nuk mund të japin një bekim të priftërisë i cili do t’i sjellë shërim një personi, nëse ai shërim nuk është vullneti i Zotit.

Si fëmijë të Perëndisë, duke e njohur dashurinë e Tij të madhe dhe diturinë themelore se çfarë është më e mira për mirëqenien tonë të përjetshme, ne i mirëbesojmë Atij. Parimi i parë i ungjillit është besimi te Zoti Jezu Krisht, dhe besim do të thotë mirëbesim. … Po atë mirëbesim e ndjeva në fjalët e babait të një tjetër vajze të veçantë, jeta e së cilës u mor nga kanceri në vitet e saj të adoleshencës. Ai shprehu: ‘Besimi i familjes sonë është te Jezu Krishti dhe nuk varet nga rezultatet’. Ato mësime mua më tingëllojnë të vërteta. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për shërimin e një njeriu të dashur dhe pastaj ia besojmë rezultatin Zotit” (“Shërimi i të Sëmurëve”, f. 50).

  • Si na ndihmojnë mësimet e Plakut Ouks për të kuptuar fuqinë shëruese të priftërisë?

  • Pse është e rëndësishme për besimin tonë në Jezu Krisht që të mos varemi nga rezultatet e një bekimi priftërie?

Ftojini studentët të përsiatin mbi përvojat ku ata vetë ose njerëzit që ata njohin janë bekuar nëpërmjet lutjeve me besim dhe fuqisë së priftërisë. Kërkojuni studentëve të tregojnë se si këto përvoja e kanë forcuar besimin dhe dëshminë e tyre. (Kujtojuni atyre të mos tregojnë asgjë që është tepër vetjake apo e shenjtë).

vargun 15 nxirrni në pah marrëdhënien midis shërimit të të sëmurëve dhe faljes së mëkatit. Lloji i përulësisë dhe i besimit që kërkohet nga ne për t’u shëruar fizikisht është i njëjti lloj përulësie dhe besimi që kërkohet nga ne për të marrë falje (shih Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. i 2-të, [1966], f. 297–298).

Përmblidheni Jakobin 5:17–20, duke shpjeguar që Jakobi iu referua profetit Elija si shembulli i një njeriu që përdori fuqinë e lutjes së zjarrtë. Ai i këshilloi gjithashtu shenjtorët që t’i ndihmonin mëkatarët të pendoheshin.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat e shpjeguara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jakob 4:8. “Pastroni duart tuaja … dhe pastroni zemrat”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi mënyrën se si mund të kemi duar të pastra dhe një zemër të pastër:

“Duart bëhen të pastra përmes procesit të zhveshjes së njeriut të natyrshëm dhe nëpërmjet mposhtjes së mëkatit dhe ndikimeve të liga në jetën tonë me anë të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Zemra pastrohet kur e marrim fuqinë e Tij forcuese për të bërë të mirën dhe për t’u bërë më të mirë” (“Duar të Pastra dhe Zemër të Pastër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 82).

Jakob 5:15. “Nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi lidhjen midis shërimi të të sëmurëve dhe faljes së mëkatit:

“Personi, i cili me anë të besimit, përkushtimit, drejtësisë dhe denjësisë vetjake është në gjendje të shërohet, është gjithashtu në gjendje të ketë miratimin shfajësues të Shpirtit për drejtimin e jetës së tij, dhe mëkatet i falen, siç dëshmohet nga fakti që ai merr shoqërimin e Shpirtit, të cilin ai nuk do ta kishte nëse do të ishte i padenjë” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 297–298).

Jakob 5:20. “Mbulo[hen] një shumicë mëkatesh”

“Jakobi dha mësim se kur një mëkatar kthehet në besim dhe i merr ordinancat e shpëtimit, mëkatet e tij ‘mbulo[hen]’ – fshihen ose falen – nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe ai shpëtohet nga vdekja shpirtërore” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 499).

Në mënyrë të ngjashme, ai që e ndihmon një njeri tjetër të kthehet në besim në ungjillin e Jezu Krishtit merr gjithashtu bekime të mëdha. Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim sa vijon:

“Nëpërmjet kësaj pune misionare të shpëtimit të shpirtrave të të tjerëve, një njeri arrin në pikën që i sjell shpëtim dhe shenjtërim vetes së tij. …

Shtysa e duhur për çdo lloj pune misionare, sikurse për gjithë shërbimin në Kishë, është natyrisht dashuria për njeriun, por një punë e tillë gjithmonë ka ndikimin e saj përfundimtar në jetën vetjake të dikujt. Në këtë mënyrë, kur bëhemi mjete në duart e Perëndisë për ndryshimin e jetës së të tjerëve, vetë jeta jonë nuk mundet t’i shmanget lartësimit. Vështirë se dikush mund ta ndihmojë një njeri tjetër të arrijë majën e kodrës, pa u ngjitur atje vetë” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 205).