Mësimi i Studimit në Shtëpi
Hebrenjve 5–Jakob 1 (Njësia 28)
Hyrje
Apostulli Jakob i këshilloi izraelitët e shpërndarë që të ishin bërës të fjalës, t’u shërbenin të tjerëve dhe të qëndronin të pastër shpirtërisht.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shënim: Studentët mësuan dy fragmente të zotërimit të shkrimit të shenjtë në këtë njësi: Hebrenjve 12:9 dhe Jakob 1:5–6. Ju mund të doni t’i lexoni apo t’i thoni përmendsh këto fragmente së bashku si klasë, dhe t’i ftoni studentët të shpjegojnë doktrinat e parimet që na mëson fragmenti.
Jakob 1:22–27
Jakobi i fton lexuesit e tij që të jenë dëgjues e bërës të fjalës dhe t’u shërbejnë të tjerëve
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Kohët e fundit takova një të ri adoleshent të hijshëm. Synimet e tij ishin të shkonte në mision, të merrte arsimim, të martohej në tempull dhe të kishte një familje besnike e të lumtur. Isha shumë i kënaqur me synimet e tij. Por gjatë bisedës së mëtejshme, u bë e qartë se sjellja e tij dhe zgjedhjet që po bënte, nuk ishin në përputhje me synimet e tij. Ndjeva se ai sinqerisht donte të shkonte në mision dhe po shmangte shkelje të rënda që do ta ndalonin nga një mision, por sjellja e tij ditë pas dite nuk po e përgatiste për sfidat fizike, emocionale, shoqërore, intelektuale dhe shpirtërore që ai do të haste. Ai nuk kishte mësuar të punonte fort. Ai nuk ishte serioz me shkollën apo seminarin. Ai merrte pjesë në kishë, por nuk e kishte lexuar Librin e Mormonit. Ai po harxhonte një sasi të madhe kohe me videolojëra dhe mjete të komunikimit shoqëror. Dukej se mendonte që thjesht të shkuarit në mision do të mjaftonte” (“Zgjidhni me Mençuri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 47).
Nëse do të kishit qenë në situatën e Plakut Kuk, çfarë shqetësimesh do të kishit me mungesën e përgatitjes për mision të këtij të riu?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Jakobi që mund ta ndihmojë të riun e përshkruar në rrëfimin e Plakut Kuk.
Çfarë dha mësim Jakobi që mund ta ndihmojë atë të ri?
Shpjegoni që siç shënohet te Jakobi 1:23–24, Jakobi e krahasoi dikë që është dëgjues por jo bërës me një njeri që e shikon veten në pasqyrë, por më pas, teksa ikën, harron se si duket.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që u ndodh atyre që zgjedhin të veprojnë sipas së vërtetës që dëgjojnë.
Çfarë u ndodh atyre që janë jo vetëm dëgjues, por edhe bërës? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Kur ne e dëgjojmë dhe veprojmë sipas fjalës së Perëndisë, Ai do të na bekojë në veprimet tona.)
Ftojini studentët ta vlerësojnë veten e tyre si dëgjues dhe bërës të fjalës së Perëndisë duke përsiatur mbi pyetjet vijuese. Ju mund të doni t’i lexoni këto pyetje me zë të lartë ose t’i shkruani ato në tabelë.
Sa shumë i besoj të vërtetat që po mësoj në shkrimet e shenjta, në shtëpi, në kishë dhe në seminar?
Sa shpesh vendos synime shpirtërore për të vepruar sipas të vërtetave që po mësoj? Sa shpesh i arrij ato? Sa shpesh i harroj ato?
Çfarë mund të bëj më mirë për të qenë bërës i fjalës dhe jo thjesht një dëgjues?
Dëshmoni për bekimet që vijnë ndërsa veprojmë sipas asaj që mësojmë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 1:26–27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar sugjerimet e Jakobit për mënyrën se si mund ta jetojmë fenë tonë.
Sipas Jakobit, cilat janë disa nga mënyrat se si mund ta jetojmë fenë tonë apo të tregojmë përkushtimin tonë ndaj Perëndisë?
Shpjegoni se në vargun 27 Jakobi përdori idenë e të “vizit[uarit] të jetimë[ve] dhe të [të] veja[ve]” në nevojë si një shembull i përkujdesjes për të tjerët dhe se ta “ruash veten të pastër nga bota” do të thotë të qëndrosh i pastër shpirtërisht, madje në një botë ku mund të mbizotërojë ligësia.
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Jakobi 1:27? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne tregojmë një fe të pastër kur përkujdesemi për të tjerët dhe e ruajmë veten të pastër shpirtërisht. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
Në ç’mënyra mund të jenë përkujdesja ndaj të tjerëve dhe ruajtja e vetes sonë të pastër shpirtërisht, shprehje të rëndësishme të përkushtimit tonë ndaj Perëndisë?
A njihni ndokënd që është një shembull i mirë i të treguarit të “fe[së së] pastër” në jetën e tij apo të saj të përditshme? Çfarë bën ky person që ju frymëzon?
Ftojini studentët të shkruajnë në një fletë letër një ose dy veprime që do të bëjnë gjatë javës së ardhshme për t’u kujdesur për dikë në nevojë apo për ta ruajtur veten e tyre “të pastër nga bota”. Ftojini ata të jenë bërës të fjalës së Perëndisë duke e zbatuar këtë parim në jetën e tyre.
Njësia Tjetër (Jakob 2 – 1 Pjetër 5)
Shpjegojuni studentëve që ndërsa studiojnë Jakobin 2 – 1 Pjetrin 5 ata do të mësojnë përgjigjet për pyetjet vijuese: Çfarë i këshilloi Jakobi shenjtorët të bënin nëse shikonin një vëlla ose motër që ishte i/e “zhveshur dhe u mungon[te] ushqimi i përditshëm”? (Jakob 2:15). Po në qoftë se nuk bëjmë asgjë për t’i ndihmuar nevojtarët? Përse Jakobi tha se “besimi, pa vepra, është i vdekur”? (Jakob 2:26). Cila pjesë e trupit, tha Jakobi, është si “një zjarr” dhe mund ta “fëlliq[ë] gjithë trupin”? (Jakob 3:6). Çfarë bekimi i pret ata që ndihmojnë për ta kthyer një mëkatar/e “nga të gabuarit e rrugës së tij [apo të saj]”? (Jakob 5:20). Çfarë arsyesh dha Pjetri për t’ua predikuar ungjillin të vdekurve? Ftojini studentët të kërkojnë përgjigje për këto pyetje, ndërsa studiojnë bllokun tjetër të shkrimit të shenjtë.