Mësimi 83
Veprat e Apostujve 2
Hyrje
Dishepujt u mbushën me Frymën e Shenjtë në ditën e Rrëshajëve dhe u bekuan me dhuratën e gjuhëve teksa predikonin ungjillin. Pjetri shpalli se Jezusi është “Zot e Krisht” (Veprat e Apostujve 2:36) dhe i ftoi njerëzit të pendohen, të pagëzohen dhe të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë. Rreth tre mijë njerëz u kthyen në besim dhe u pagëzuan atë ditë, pas së cilës ata qëndruan besnikë në Kishë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Veprat e Apostujve 2:1–13
Dishepujt e Jezu Krishtit mbushen me Frymën e Shenjtë në ditën e Rrëshajëve
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth mundësisë më të fundit që patën për të folur në Kishë, për të dhënë mësim ose për ta ndarë ungjillin me dikë.
Çfarë mund të jetë sfiduese rreth të folurit, mësimdhënies apo dëshmimit të tjerëve rreth ungjillit të Jezu Krishtit?
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Veprat e Apostujve 2:1–13, të kërkojnë një të vërtetë që do t’i ndihmojë kur ndihen të shqetësuar ose të frikësuar prej mësimdhënies dhe dëshmimit të tjerëve rreth ungjillit të rivendosur.
Shpjegoni se rreth një javë pasi Shpëtimtari u ngrit në qiell, judenjtë nga shumë kombe erdhën në Jerusalem për të marrë pjesë në festën e Rrëshajëve dhe për të adhuruar në tempull e për t’i dhënë falënderime Zotit. Kjo festë ndodhte 50 ditë pas festës së Pashkës dhe kremtonte të korrën e parë të stinës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Rrëshajë”, f. 164, scriptures.lds.org).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 2:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar çfarë përjetuan dishepujt e Jezu Krishtit në ditën e Rrëshajëve.
Çfarë përjetuan dishepujt në ditën e Rrëshajëve? (Derdhjen e Frymës së Shenjtë.)
Si u përshkrua kjo derdhje e Frymës së Shenjtë?
Shpjegoni se shprehja “gjuhë, si prej zjarri” (vargu 3) u drejtohet gjuhëve që janë të flakta ose depërtuese, apo që kanë pamjen e flakës së një zjarri. Në lashtësi, zjarri shpesh simbolizonte praninë ose ndikimin hyjnor. Ai ishte një shenjë që dishepujt e kishin marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, të premtuar nga Shpëtimtari.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 2:4–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi kur dishepujt u mbushën me Frymën e Shenjtë.
Sipas vargut 4, çfarë ndodhi ndërkohë që dishepujt u mbushën me Frymën e Shenjtë? (Shpirti “ua jepte të shpreheshin” dhe i bëri të aftë të flisnin në gjuhë të tjera.)
Përse judenjtë nga kombe të ndryshme u mrekulluan me atë që dëgjuan?
Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Veprave të Apostujve 2:9–11 dhe të llogaritin numrin e grupeve të ndryshme të njerëzve ose të kombësive, të cilët i dëgjuan dishepujt të flisnin në gjuhë të ndryshme me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që gjejnë. Merrni parasysh të paraqitni hartën shoqëruese për t’i ndihmuar studentët të përfytyrojnë se nga ishin këta judenj.
Vini në dukje që sipas vargut 11, secili prej këtyre grupeve i dëgjoi në gjuhën e vet “gjërat e mëdha të Perëndisë”, të dhëna mësim nga dishepujt. Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se prozelitët ishin johebrenj të cilët ishin bashkuar me besimin judeas.
Siç ilustrohet nga përvoja e dishepujve në ditën e Rrëshajëve, çfarë mund të na ndihmojë t’u japim mësim dhe t’u dëshmojmë të tjerëve? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Ndërsa mbushemi me Frymën e Shenjtë, Ai do të na ndihmojë t’u japim mësim dhe t’u dëshmojmë të tjerëve.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, sillni në klasë dy gota bosh, një broke me ujë dhe një tabaka. Vendosini gotat në tabaka me qëllim që tabakaja të mund të mbajë ndonjë sasi uji që derdhet. Më pas, mbulojeni nga lart njërën gotë me një fletë letre ose kapak, me qëllim që të mund të mos derdhet ujë brenda saj dhe vendoseni një objekt (të tillë si një gur) brenda në gotën tjetër, me qëllim që gota të jetë kryesisht e mbushur me objektin. Ftojeni një student të përpiqet t’i mbushë të dyja gotat me ujë nga broka.
Nëse gotat na përfaqësojnë ne dhe uji përfaqëson Frymën e Shenjtë, çfarë mund të përfaqësojnë fleta e letrës (ose kapaku) dhe guri? Çfarë sjelljesh dhe qëndrimesh mund të na pengojnë për të qenë të mbushur me Frymën e Shenjë?
Çfarë mund të bëjmë ne që të mbushemi me Frymën e Shenjtë, me qëllim që Ai të na ndihmojë t’u japim mësim dhe t’u dëshmojmë të tjerëve?
Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë t’ua mësoni ungjillin të tjerëve ose ta ndani dëshminë tuaj me ta?
Dëshmoni për parimin e shkruar në tabelë dhe ftojini studentët ta zbatojnë këtë parim duke kërkuar shoqërimin e Frymës së Shenjtë në mënyrë që ata të mund t’u japin mësim dhe t’u dëshmojnë të tjerëve.
Përmblidhni Veprat e Apostujve 2:12–13 duke shpjeguar se disa judenj u habitën nga ato që kishin dëgjuar, ndërkohë që të tjerë i përqeshën dishepujt duke i akuzuar se kishin pirë shumë verë.
Veprat e Apostujve 2:14–47
Pjetri dëshmon për Jezu Krishtin dhe na mëson mënyrën se si të fitojmë shpëtim
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 2:14 dhe vëreni klasën të kërkojë se kush filloi t’i jepte mësim turmës. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
Kërkojuni studentëve ta përfytyrojnë vetveten në gjendjen e Pjetrit, duke qëndruar përpara turmës.
Nëse do të kishit qenë në vend të Pjetrit, për çfarë të vërtetash të ungjillit do të kishit dhënë mësim dhe do të kishit dëshmuar? Përse?
Përmblidhni Veprat e Apostujve 2:15–35 duke shpjeguar se Pjetri shpalli që ngjarjet e dhuratës së gjuhëve dhe shfaqjet e tjera të Shpirtit mes dishepujve ishin një përmbushje dhe domethënie e profecisë së Joelit (shih Joel 2:28–32). Pjetri më pas u dha mësim dhe u dëshmoi njerëzve duke përdorur fjalët dhe psalmet e mbretit David.
Shkruajini në tabelë referencat e shkrimeve të shenjta dhe pyetjet vijuese:
Ndajini studentët në dyshe. Kërkojini secilës dyshe t’i studiojë referencat e shkrimit të shenjtë në tabelë dhe të diskutojë për përgjigjet e tyre për pyetjet shoqëruese. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ua tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Paraqitni një figurë që portretizon mohimin e Shpëtimtarit nga ana e Pjetrit (për shembull, Mohimi prej Pjetrit nga Carl Heinrich Bloch, në dispozicion te LDS.org). Ftojeni një student të përmbledhë atë që tha dhe bëri Pjetri kur u pyet rreth marrëdhënies së tij me Jezusin natën që Shpëtimtari u arrestua (shih Lluka 22:54–62).
Si ndryshuan fjalët dhe veprimet e Pjetrit në ditën e Rrëshajëve nga sjellja e tij natën kur Shpëtimtari u arrestua?
Çfarë mendoni se ndikoi në këtë ndryshim te Pjetri?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 2:37. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si fjalët e Pjetrit ndikuan te turma.
Si ndikuan te turma fjalët e Pjetrit?
Ju mund të doni t’i ftoni studentët ta shenjojnë frazën “u pikëlluan në zemër”. Shpjegoni se Fryma e Shenjtë i pikëlloi zemrat e njerëzve teksa dëgjonin dëshminë e Pjetrit. Fjala pikëlluan këtu do të thotë “u dëshpëruan thellë” dhe sugjeron që njerëzit ndien keqardhje ngaqë judenjtë si një popull dhe komb e kishin kryqëzuar Zotin e tyre, Jezu Krishtin. Pjetri nuk po nënkuptonte që grupi i judenjve nga kombësi të ndryshme, të cilëve ai po u jepte mësim në ditën e Rrëshajëve, ishin njerëzit përgjegjës për Kryqëzimin e Jezu Krishtit.
Sipas vargut 37, çfarë pyetje bënë njerëzit?
Çfarë zbulon kjo pyetje lidhur me atë që po ndodhte në zemrat e njerëzve? (Njerëzit po fillonin të përjetonin një ndryshim të zemrës.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 2:38–41. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Pjetri i udhëzoi njerëzit të bënin. Shpjegoni se i çoroditur do të thotë kryengritës, i degjeneruar apo i mbrapshtë.
Çfarë i udhëzoi Pjetri njerëzve që të bënin?
Sipas vargut 41, si iu përgjigjën njerëzit mësimeve të dhëna nga Pjetri dhe ftesës së tij për t’u penduar e pagëzuar?
Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Kur e pranojmë fjalën e Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, …
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 2:42–47. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë bënë të kthyerit e rinj në besimin në Kishë pasi e morën të vërtetën me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe u pagëzuan. Shpjegoni se fraza “thyerjen e bukës” (vargu 42) i drejtohet pjesëmarrjes në ordinancën e sakramentit dhe fraza “çdo gjë e kishin të përbashkët” (vargu 44) i drejtohet faktit që shenjtorët ishin të bashkuar dhe e jetonin ligjin e përkushtimit.
Sipas këtyre vargjeve, çfarë veprimesh treguan që ata që u pagëzuan, ishin kthyer me të vërtetë në besim (shih edhe 3 Nefi 26:17–21)? (Ftojeni një student t’i renditë përgjigjet e klasës në tabelë.)
Kujtojuni studentëve që, përpara se judenjtë t’i dëgjonin dhe të vepronin sipas fjalëve të Pjetrit, ata nuk e kishin pranuar Jezusin si Shpëtimtarin e tyre, as nuk i ndiqnin mësimet e Tij. Ftojini të marrin parasysh se si ndryshuan njerëzit.
Çfarë parimi mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 2:37–47 rreth asaj që mund të ndodhë kur e pranojmë fjalën e Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë? (Duke përdorur fjalët e studentëve, plotësojeni thënien në tabelë që të përçojë të vërtetën vijuese: Kur e pranojmë fjalën e Perëndisë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, zemrat tona do të ndryshojnë dhe ne do të kthehemi në besimin te Jezu Krishti.)
Çfarë mund të bëjmë që ta pranojmë fjalën e Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë?
Ftojini studentët t’i shqyrtojnë veprimet e renditura në tabelë të atyre njerëzve që u pagëzuan dhe u kthyen në besim.
Teksa jeni përpjekur t’i mësoni e jetoni të vërtetat e ungjillit, si ju ka ndihmuar Shpirti që të ndryshoheni dhe të bëheni të kthyer në besimin te Jezu Krishti? (Ju mund të doni të tregoni edhe një përvojë nga vetë jeta juaj.)
Ftojini studentët të përsiatin se çfarë mund të bëjnë që t’i pranojnë më mirë fjalët dhe mësimet e Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Jepuni atyre kurajë të veprojnë sipas ndonjë nxitjeje që marrin.
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Veprat e Apostujve 2:36–38
Ftojini studentët të krahasojnë Veprat e Apostujve 2:36–38 me nenin e katërt të besimit. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë te Veprat e Apostujve 2:36–38 fjalët që tregojnë ose japin mësim parimet dhe ordinancat e para të ungjillit. Më pas, ndajini studentët në dyshe dhe kërkojini secilës dyshe të diskutojë se si secili prej këtyre parimeve dhe ordinancave na ndihmon të marrim bekimet e plota të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Pas një kohe të mjaftueshme, pyetini:
Çfarë bekimi tha Pjetri se njerëzit do të merrnin si rrjedhojë e pendimit dhe pagëzimit?
Bazuar në kuptueshmërinë tuaj për Veprat e Apostujve 2:38, çfarë duhet të bëjmë që të përgatitemi për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Kur kemi besim në Jezu Krisht, pendohemi dhe pagëzohemi, ne përgatitemi për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
Si e përgatitin dikë besimi, pendimi dhe pagëzimi për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë?