Mësimi 98
Veprat e Apostujve 27–28
Hyrje
Ndërsa udhëtonte për në Romë si i burgosur, anija e Palit u mbyt në një ishull. Në ishull, ai u pickua nga një gjarpër, por nuk u lëndua dhe shëroi shumë njerëz që ishin të sëmurë. Pali më së fundi u çua në Romë, ku jetoi nën arrest shtëpie për dy vjet dhe dha mësim e dëshmoi për Jezu Krishtin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Veprat e Apostujve 27
Anija ku ishte Pali mbytet teksa ai udhëton për në Romë
Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani thëniet vijuese në tabelë. (Këto thënie gjenden te broshura Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 4, 11, 16.)
Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë thëniet e shkruara në tabelë.
Përse disa të rinj mund të zgjedhin që të mos ua vënë veshin këtyre thënieve të paralajmërimit dhe këshillës?
Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 27 të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë për ta forcuar besimin e tyre për t’ua vënë veshin paralajmërimeve dhe këshillës së shërbëtorëve të Zotit.
Kujtojuni studentëve se Pali ishte akuzuar padrejtësisht për tradhti dhe u burgos. Pali e apeloi rastin e tij te Cezari në Romë, gjë që ishte e drejta e tij si qytetar romak. Përmblidhni Veprat e Apostujve 27:1–8 duke shpjeguar që Pali udhëtoi me të burgosur të tjerë me anije drejt Romës, nën kujdestarinë e një centurioni romak (një oficer ushtarak që komandonte 50 deri në 100 burra). Pasi lundruan për shumë ditë, ata ndaluan në një port në ishullin e Kretës. Teksa po largoheshin nga porti, Pali i paralajmëroi njerëzit në anije se nuk duhej ta vazhdonin udhëtimin e tyre.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali e dinte se do të ndodhte, në qoftë se ai dhe të tjerët në anije e vazhdonin udhëtimin e tyre drejt Romës. Ju mund të doni të shpjegoni se, në këtë kontekst, fjala agjërim do të thotë të qëndrosh pa ngrënë me dashje. Në këtë rast “agjërimi” ndoshta iu drejtua ditës së shenjtë judease, të quajtur dita e Shlyerjes, e cila shënonte fillimin e stinës gjatë së cilës në përgjithësi mendohej si e pasigurt për të udhëtuar në detin Mesdhe për shkak të stuhive të dhunshme.
Sipas vargut 10, çfarë paralajmërimi e profecie dha Pali rreth asaj që do të ndodhte nëse e vazhdonin udhëtimin e tyre?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si centurioni romak dhe të tjerët në anije iu përgjigjën paralajmërimit të Palit.
Në vend që t’ia vinin veshin paralajmërimit të Palit, te kush besoi në të vërtetë centurioni?
Si mendoni ju, përse mund të kishte qenë më e lehtë për centurionin që të besonte kapitenin e anijes sesa Palin?
Sipas vargut 12, përse shumica e njerëzve në anije e shpërfillën paralajmërimin e Palit? (Shpjegoni se fjala liman i drejtohet një porti dhe i përshtatshëm do të thotë i rehatshëm ose i volitshëm.)
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë lartë nga Veprat e Apostujve 27:13–21. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi ndërkohë që anija vazhdoi udhën drejt Romës.
Çfarë ndodhi ndërkohë që anija vazhdoi udhën drejt Romës?
Pasi panë që “fry[u] lehtë juga” (vargu 13), çfarë mund të kenë menduar njerëzit në anije rreth Palit dhe paralajmërimit që dha ai?
Sipas vargut 20, cilat ishin emocionet e njerëzve në anije gjatë stuhisë?
Siç ilustrohet nga thënia e Palit, e shënuar te vargu 21, çfarë parimi mund të mësojmë rreth asaj që mund të ndodhë nëse i shpërfillim paralajmërimet dhe këshillën e shërbëtorëve të Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i shpërfillim paralajmërimet dhe këshillën e shërbëtorëve të Zotit, atëherë ne e vendosim veten tonë në rrezik. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Shpjegoni se rreziku mund të përfshijë humbjen e bekimeve që përndryshe do t’i kishim marrë.)
Rishikoni me studentët arsyet përse centurioni dhe njerëzit e tjerë në anije e shpërfillën paralajmërimin dhe këshillën e Palit (shih Veprat e Apostujve 27:11–12).
Si mund të japin njerëzit sot justifikime të ngjashme për shpërfilljen e paralajmërimeve dhe të këshillës së shërbëtorëve të Zotit?
Duke përdorur broshurën Për Forcën e Rinisë ose biseda nga konferencat e kohëve të fundit, jepni shembuj shtesë të paralajmërimeve dhe këshillës së profetëve që i mendoni se janë domethënëse për studentët.
Në çfarë rreziqesh mund ta vendosin njerëzit vetveten nëpërmjet shpërfilljes së paralajmërimeve të tilla dhe këshillës nga profetët?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:22–26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u tha njerëzve në anije.
Nëse do të ishit në anije në mes të një stuhie të tmerrshme, cilat fjalë të Palit do t’ju kishin ngushëlluar?
Çfarë profetizoi Pali se do t’u ndodhte njerëzve dhe anijes?
Përmblidhni Veprat e Apostujve 27:27–30 duke shpjeguar që në natën e 14-të të stuhisë, ekuipazhi hodhi katër spiranca në det për ta penguar përplasjen e anijes te shkëmbinjtë. Më pas, ekuipazhi shkoi në bashin e anijes dhe veproi sikur ata ishin gati të hidhnin më shumë spiranca. Megjithatë, në të vërtetë po bënin plan ta braktisnin anijen dhe të largoheshin me një barkë të vogël, sepse kishin frikë që anija do të mbytej.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:31–32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar paralajmërimin që Pali i dha centurionit dhe ushtarëve. Shpjegoni se fjala këta në vargun 31 iu drejtohet anëtarëve të ekuipazhit që po përpiqeshin të iknin.
Çfarë paralajmërimi i dha Pali centurionit dhe ushtarëve?
Si iu përgjigjën ushtarët paralajmërimit dhe këshillës së Palit? (Ata ia vunë veshin këtij paralajmërimi dhe e ndaluan ekuipazhin nga ikja duke i këputur litarët e barkës së vogël dhe duke e lënë atë të largohej bosh.)
Shpjegoni se të nesërmen në mëngjes Pali iu lut të hanin ekuipazhit, të cilët ishin duke agjëruar (shih Veprat e Apostujve 27:33–34). Ai i siguroi përsëri që asnjëri prej tyre nuk do të vdiste.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:35–36. Kërkojini klasës që ta ndjekë.
Si iu përgjigj ekuipazhi këshillës së Palit?
Përmblidhni Veprat e Apostujve 27:37–41 duke shpjeguar se anija u copëtua ndërkohë që lundronte drejt ishullit të Maltës. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 27:42–44, duke kërkuar se çfarë u ndodhi njerëzve në anije.
Çfarë u ndodhi njerëzve në anije?
Kujtojuni studentëve profecinë e Palit të shënuar te Veprat e Apostujve 27:22–26 që askush nuk do të vdiste edhe pse anija do të shkatërrohej.
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj që mund të ndodhë nëse ua vëmë veshin këshillës dhe paralajmërimeve të shërbëtorëve të Zotit? (Studentët mund të përcaktojnë parime të tilla si sa vijon: Nëse ua vëmë veshin këshillës dhe paralajmërimeve të shërbëtorëve të Zotit, atëherë Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij për ne. Nëse ua vëmë veshin këshillës dhe paralajmërimeve të shërbëtorëve të Zotit, atëherë ne do t’iu bëjmë ballë rreziqeve që na kërcënojnë. Shkruajini këto parime në tabelë.)
Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë parimet e përcaktuara te Veprat e Apostujve 27, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:
“Çdo herë në jetën time, kur kam zgjedhur ta vonoj ndjekjen e këshillës së frymëzuar ose kam vendosur se isha një përjashtim, unë arrita të mësoj se e kisha vendosur veten time në rrugën e dëmtimit. Çdo herë që e kam dëgjuar këshillën e profetëve, që e kam ndier të pohuar në lutje dhe më pas e kam ndjekur atë, unë kam mësuar se lëviza drejt sigurisë” (“Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 25).
Si ju ka ndihmuar të bindurit ndaj paralajmërimeve dhe këshillës së frymëzuar të shërbëtorëve të Zotit që t’ju bëni ballë rreziqeve që e kërcënojnë sigurinë tuaj shpirtërore dhe fizike? (Kujtojuni studentëve se ata mund ta studiojnë këshillën e profetëve bashkëkohorë të Zotit në revistat e Kishës si edhe në broshurën Për Forcën e Rinisë.)
Ftojini studentët të marrin parasysh nëse ata po e shpërfillin ndonjë nga paralajmërimet apo këshillën e dhënë prej shërbëtorëve të Zotit ose të mendojnë rreth mënyrave që ata mund t’ua vënë veshin më mirë paralajmërimeve dhe këshillës që kanë marrë. Ftojini studentët të shkruajnë një synim lidhur me mënyrën se si ata do t’ia vënë veshin më mirë asaj këshille.
Veprat e Apostujve 28
Pali çohet në Romë ku jep mësim dhe dëshmon për Jezu Krishtin
Tregojuni studentëve një figurë të një tornadoje apo të një vorbulle ere (ose vizatoni një të tillë në tabelë).
Shpjegoni se Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, iu referua sfidave të jetës dhe sprovave si “vorbullat e erërave shpirtërore” (shih “Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 18–21).
Cilët janë disa shembuj të sprovave dhe vështirësive që mund të krahasohen me vorbullat e erërave?
Ftojini studentët teksa studiojnë Veprat e Apostujve 28 të kërkojnë një parim që mund t’i ndihmojë ata për t’i duruar me besnikëri “vorbullat e erërave shpirtërore” me të cilat përballen.
Shpjegoni se te Veprat e Apostujve 28, ne lexojmë rreth përvojave të Palit në ishull, udhëtimit të tij në vazhdim drejt Romës dhe burgimit të tij në Romë.
Ndajeni klasën në tre ose më shumë grupe, në varësi të madhësisë së klasës suaj. Caktojini secilit grup një nga pjesët vijuese të shkrimit të shenjtë: Veprat e Apostujve 28:1–6, Veprat e Apostujve 28:7–14 dhe Veprat e Apostujve 28:16–24, duke ua dhënë të njëjtën pjesë më shumë se një grupi sipas nevojës. Ftojeni secilin grup ta studiojë pjesën e shkrimit të shenjtë të caktuar atyre dhe më pas të bëjnë sa vijon (shkruajini këto udhëzime në tabelë):
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilin grup t’i raportojë klasës. (Nëse ka më shumë se tri grupe, ftojini grupet me pjesë të përsëritura të shkrimit të shenjtë të tregojnë figurën ose titullin e artikullit të tyre dhe ndonjë ide të mëtejshme që e fituan nga leximi i vargjeve të caktuara atyre.)
Çfarë sprovash përjetoi Pali teksa udhëtoi për të Romë dhe banoi atje?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 28:30–31. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali ishte në gjendje të bënte në Romë pavarësisht nga të qenit i burgosur në shtëpinë e vet. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Çfarë bëri Pali që tregoi se ai mbeti besnik ndaj Perëndisë pavarësisht nga sprovat që përjetoi?
Çfarë e mire erdhi nga sprovat që përjetoi Pali ndërsa ishte në det, ndërsa mbytej anija dhe ndërkohë që ishte i burgosur në Romë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse jemi besnikë, Perëndia mund të na ndihmojë t’i kthejmë sprovat në bekime për veten tonë dhe të tjerët.)
Cilët janë shembuj të mënyrave se si Perëndia mund t’i ndihmojë njerëzit t’i kthejnë sprovat në bekime për veten e tyre dhe për të tjerët?
Kur ju ka ndihmuar Perëndia ju ose dikë që e njihni për ta kthyer një sprovë në një bekim për veten tuaj ose për të tjerët? (Merrni parasysh të tregoni një përvojë nga vetja juaj.)
Nxitini studentët ta ndjekin shembullin e Palit dhe të zgjedhin që të mbeten besnikë kur përjetojnë sprova, me qëllim që Perëndia të mund t’i ndihmojë për t’i kthyer sprovat e tyre në bekime për veten dhe të tjerët.