Biblioteka
Mësimi 121: Efesianëve 2–3


Mësimi 121

Efesianëve 2–3

Hyrje

Pali u mësoi shenjtorëve në Efes se të gjithë mëkatarët mund të shpëtoheshin me anë të hirit të Perëndisë dhe se judenjtë dhe johebrenjtë ishin bërë një në shtëpinë e Perëndisë. Pali shpjegoi gjithashtu se Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, dhe ai shprehu dëshirën e tij që shenjtorët të provojnë dashurinë e Jezu Krishtit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Efesianëve 2

Pali jep mësim se si gjaku i Jezu Krishtit i shpëton si judenjtë ashtu dhe johebrenjtë

Kur të fillojë ora mësimore, ftojeni një ose më shumë nga studentët tuaj (në varësi të përmasave të klasës suaj) të ulen në dysheme në një vend tjetër të klasës. Vendosni një kufi midis këtyre studentëve dhe pjesës tjetër të klasës me ngjitëse ose spango dhe më pas udhëzojini studentët e veçuar se nuk duhet të marrin (ende) pjesë për të folur në mësim. Pyeteni pjesën tjetër të klasës:

  • Çfarë mund të kumtojë kjo situatë për marrëdhënien midis jush dhe studentëve të veçuar? (Se njëri grup mbahet më me hatër sesa tjetri.)

  • Si mendoni se mund të ndihen studentët e veçuar? Përse?

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh nëse janë ndier ndonjëherë në këtë mënyrë në rrethana të ndryshme të jetës.

Shkruajini fjalët Johebrenj dhe Judenj në tabelë, duke krijuar dy kolona.

  • Bazuar në atë që keni mësuar rreth kushteve shoqërore në disa degë të Kishës gjatë shërbesës së Palit, cili titull do t’i shkonte për shtat studentëve të veçuar? (Johebrenj.) Cili titull do t’i shkonte për shtat pjesës tjetër të klasës? (Judenj.)

  • Çfarë mund ta ketë shkaktuar këtë veçim? (Disa judenj besonin se për shkak se ishin izraelitë nga prejardhja dhe ishin të rrethprerë, ata mbaheshin më me hatër nga Perëndia dhe më superiorë ndaj johebrenjve të kthyer në besim.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 2:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Pali e përshkroi gjendjen shpirtërore të shenjtorëve johebrenj (“juve” dhe “[ju]” në vargjet 1–2) dhe shenjtorëve judeas (“ne” në vargun 3), përpara kthimit të tyre në besim te Shpëtimtari dhe Kisha e Tij. Shpjegoni se fraza “prijësit të pushtetit të erës” në vargun 2 i referohet djallit dhe ndikimit të tij dominues anembanë botës.

  • Sipas vargjeve 1–2, si i përshkroi Pali johebrenjtë përpara kthimit të tyre në besim? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë nën kolonën e titulluar “Johebrenjtë”.)

  • Sipas vargut 3, si e përshkroi Pali veten dhe judenjtë përpara kthimit të tyre në besim? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë nën kolonën e titulluar “Judenj”.)

Vini në pah se johebrenjtë edhe judenjtë ishin të vdekur nga ana shpirtërore, ose të veçuar nga Perëndia, për shkak të mëkateve të tyre (shih vargun 1).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 2:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar gjendjen shpirtërore të shenjtorëve johebrenj dhe judeas pas kthimit të tyre në besim. Vini në pah se fjala dha jetë do të thotë të gjallërosh dhe se vendet qiellore i referohet mbretërive në qiell që trashëgojnë njerëzit.

  • Në ç’mënyrë i përshkroi Pali shenjtorët pas kthimit të tyre në besim? (Zoti u kishte dhënë jetë atyre, ose i kishte gjallëruar ata nga vdekja e tyre shpirtërore dhe gjendja e mëkatit. Kujtojuni studentëve se ne i referohemi kësaj si të lindësh shpirtërisht [shih Mosia 27:24–26].)

Ftojini disa studentët të lexojnë me zë të lartë Efesianëve 2:7–10. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se kush ia mundësoi këtë shndërrim johebrenjve dhe judenjve.

  • Kush ia mundësoi dy grupeve të shenjtorëve këtë shndërrim? (Hiri i Jezu Krishtit.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që bën të mundur hiri i Jezu Krishtit për të gjithë fëmijët e Perëndisë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Për shkak të hirit të Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet nëpërmjet besimit në Të.)

Vini në pah se Pali theksoi se ne nuk mund të shpëtohemi vetëm me anë të veprave tona, pavarësisht se sa të mira janë ato vepra (shih vargjet 8–9). Për ta ndihmuar klasën ta kuptojë më mirë të vërtetën e përcaktuar më lart, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Ngaqë ne të gjithë ‘mëkatua[m] dhe u privua[m] nga lavdia e Perëndisë’ [Romakëve 3:23] dhe ngaqë ‘asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë’ [1 Nefi 15:34], çdonjëri prej nesh është i padenjë të kthehet në praninë e Perëndisë. …

Ne nuk mund ta fitojmë udhën tonë drejt qiellit; kërkesat e drejtësisë qëndrojnë si pengesë, të cilën ne jemi të pafuqishëm ta kapërcejmë vetë.

Por jo gjithçka humbet.

Hiri i Perëndisë është shpresa jonë e madhërishme dhe e pafundme.

Nëpërmjet flijimit të Jezu Krishtit, plani i mëshirës plotëson kërkesat e drejtësisë [shih Alma 42:15] ‘dhe u sjell njerëzve mjete që ata të mund të kenë besim deri në pendim’ [Alma 34:15].

Mëkatet tona, edhe sikur të mund të jenë të kuqe flakë, mund të bëhen të bardha si bora [shih Isaia 1:18]. Ngaqë Shpëtimtari ynë i dashur ‘e dha veten si çmim për të gjithë’ [1 Timoteut 2:6], një hyrje për në mbretërinë e Tij të amshuar sigurohet për ne [shih 2 Pjetër 1:11].

Porta u hap! …

Që ta trashëgojmë këtë lavdi, na nevojitet më shumë sesa një portë e hapur; ne duhet të hyjmë nëpërmjet kësaj porte me një dëshirë në zemër që të ndryshohemi – një ndryshim kaq rrënjësor sa shkrimet e shenjta e përshkruajnë atë si të qenët ‘të lind[ur] rishtas; po, të lind[ur] nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja [jonë, e dhënë pas botës] dhe e rënë, në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij’ [Mosia 27:25]. …

Hiri është një dhuratë nga Perëndia dhe dëshira jonë për të qenë të bindur ndaj secilit prej urdhërimeve të Perëndisë është shtrirja e dorës sonë të vdekshme për ta marrë këtë dhuratë të shenjtë nga Ati ynë Qiellor” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 108, 110).

  • Si na ndihmon ushtrimi i besimit në Jezu Krisht dhe pendimi për mëkatet tona, që të marrim dhuratën e hirit?

Pamja
hollësi, modeli i tempullit të Jerusalemit

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë kontekstin historik të marrëdhënies midis judenjve dhe johebrenjve përpara se ungjilli t’u predikohej të gjithë fëmijëve të Perëndisë, tregojeni figurën shoqëruese të “muri[t të] ndarjes” (Efesianëve 2:14) në oborret e jashtme të tempullit në Jerusalem (ose ftojini studentët të shkojnë te Fotografitë e Biblës, nr. 9, “Tempulli i Herodit”, [te shtojca e kombinimit tresh]). Shpjegoni se johebrenjve, që nuk kishin bërë besëlidhje me Zotin, u ndalohej të kalonin përtej këtij muri drejt zonave më të shenjta të tempullit; ata trajtoheshin si të “huaj [dhe] bujtës” (Efesianëve 2:19). Muri ndarës si objekt përfaqësonte veçimin shpirtëror që ekzistonte midis judenjve dhe johebrenjve përpara zbulesës së Pjetrit se ungjilli duhej t’u predikohej johebrenjve.

Ftojini disa nga studentët që janë të veçuar nga klasa të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Efesianëve 2:12–15. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari me pengesën midis judenjve dhe johebrenjve. Vini në pah se fjala armiqësi do të thotë “kundërshtim, [hasmëri] dhe urrejtje” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Armiqësi”, f. 9–10, scriptures.lds.org).

  • Çfarë i bashkoi johebrenjtë dhe judenjtë? (Nëpërmjet gjakut të Krishtit, muri në mënyrë figurative që i ndante shpirtërisht judenjtë me johebrenjtë u hoq dhe ata u bënë “një njeri [i] ri” [Efesianëve 2:15], ose një trup i vetëm, në Krisht. Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Kur vijmë te Jezu Krishti dhe marrim nga hiri e Tij, ne bëhemi një me shenjtorët e Perëndisë.)

Hiqeni ngjitësen ose spangon që i ndante studentët dhe ftojini studentët e veçuar të bashkohen me pjesën tjetër të klasës. Nxitini studentët që përfaqësojnë judenjtë t’i ftojnë studentët e veçuar të ulen pranë tyre.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Efesianëve 2:16–19. Vëreni klasë t’i ndjekë, duke kërkuar fraza që e theksojnë më tej të vërtetën se kur vijmë te Jezu Krishti dhe marrim nga hiri i Tij, ne mund të bëhemi një me shenjtorët e Perëndisë.

  • Çfarë frazash gjetët që e theksojnë më tej të vërtetën se kur vijmë te Jezu Krishti dhe marrim nga hiri i Tij, ne mund të bëhemi një me shenjtorët e Perëndisë?

  • Përse mendoni se kjo e vërtetë është e rëndësishme për ne që ta kuptojmë e zbatojmë sot në Kishë?

  • Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen apo të ndihen sërish si “bashkëqytetarë” (vargu 19) në Kishë sesa si të huaj?

  • Kur ju ka ndihmuar dikush që të ndiheni si një bashkëqytetar me shenjtorët sesa si i huaj? Kur jeni përpjekur ta ndihmoni dikë tjetër të ndihet në këtë mënyrë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 2:20–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali dha mësim se ishte themeli i Kishës.

  • Çfarë të vërtete dha mësim Pali në këto vargje rreth strukturës së Kishës së Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ndihmojini ata të përcaktojnë se Kisha e Zotit është themeluar mbi apostujt dhe profetët, me Jezu Krishtin si vetë gurin e qoshes.)

  • Çfarë është guri i qoshes? (Një gur i madh i vendosur në qoshe të një themeli për t’i dhënë forcë dhe qëndresë gjithë strukturës.)

Pamja
guri i qoshes

Vizatoni një figurë të thjeshtë të një guri qosheje që lidh dy mure.

  • Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti vetë guri i qoshes i Kishës? Sipas vargut 21, çfarë i ndodh pjesës tjetër të Kishës për shkak të këtij guri të qoshes?

  • Në çfarë mënyrash e përbëjnë apostujt dhe profetët një kujtesë të themelit të Kishës?

  • Si siguron ky themel qëndrueshmëri në Kishë dhe e mbron atë ndaj sulmeve të djallit?

Efesianëve 3

Pali shpreh dëshirat e tij për shenjtorët efesianë

Përmblidheni Efesianëve 3:1–16, duke shpjeguar se Pali predikoi për Jezu Krishtin dhe dha mësim se nëpërmjet Tij, johebrenjtë mund të jenë “bashkëtrashëgimtarë” (vargu 6) me Izraelin dhe marrës të premtimeve të Perëndisë.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Efesianëve 3:14–19. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë [gjërash] të tjera dëshironte t’i ndihmonte Pali shenjtorët që të njihnin e të ndienin.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë dëshironte Pali që shenjtorët të njihnin e të ndienin?

Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Apostujt dhe profetët përpiqen t’i ndihmojnë fëmijët e Perëndisë ta njohin dhe ta ndiejnë dashurinë e Jezu Krishtit.

Paraqiteni faqen që tregon Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve nga botimi i konferencës së përgjithshme më të fundit nga revistat Ensign ose Liahona.

  • Në ç’mënyrë apostujt dhe profetët përpiqen t’i ndihmojnë fëmijët e Perëndisë ta njohin dhe ta ndiejnë dashurinë e Jezu Krishtit në kohën tonë?

  • Kur ju kanë ndihmuar mësimet e apostujve dhe profetëve ta njihni dhe ta ndieni më mirë dashurinë e Jezu Krishtit?

Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në mësim dhe ftojini studentët të veprojnë sipas këtyre të vërtetave.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Efesianëve 2:8–10. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit … për veprat e mira”

“Tek Efesianëve 2:8–10, Pali trajtoi marrëdhënien ndërmjet hirit, besimit dhe veprave të mira. Si përfundim, shpëtimi vjen si meritë e veprës së Jezu Krishtit, jo nga vetja jonë. Pali i thirri pasuesit e Jezu Krishtit ‘vepra e [Perëndisë], e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira’ (Efesianëve 2:10). Kjo e vë theksin në veprën e Zotit sesa në tonën dhe na mëson se aftësia jonë për të kryer vepra të mira buron nga ndryshimi që hiri i Jezu Krishtit shkakton që të zërë vend brenda nesh, kur kthehemi tek Ai me besim (shih edhe 1 Korintasve 15:10 dhe Filipianëve 2:13)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 425).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Shpëtimi në të gjitha format, llojet dhe shkallët e tij vjen nga hiri i Perëndisë. Kjo do thotë se, për shkak të dashurisë së tij, mëshirës dhe denjimit, Perëndia, Ati ynë e paracaktoi planin dhe sistemin e shpëtimit, i cili do ‘të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut’. (Moisiu 1:39.) Sipas këtij plani, ai e dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur në botë që të kryente flijimin shlyes të pafundmë e të përjetshëm. …

Si rrjedhim, njerëzit shpëtohen vetëm nëpërmjet hirit, në kuptimin e të qenit të ringjallur; ata shpëtohen nga hiri i gërshetuar me bindjen, në kuptimin e marrjes së jetës së përjetshme. Plani i ungjillit është ta ruajë njeriun për mbretërinë qiellore dhe prandaj Pali na mëson shlyerjen me anë të hirit nëpërmjet besimit, nëpërmjet bindjes, nëpërmjet pranimit të Krishtit, nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve. Ndaj Nefi shkruan: ‘Të pajtohen me Perëndinë; pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ (2 Nefi 25:23) dhe Moroni shënon: ‘Ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht’. (Moroni 10:32.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:498–499).

Efesianëve 2:20–22. Themeli dhe guri i qoshes i Kishës

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha për strukturën e Kishës:

“Në kohët e Dhiatës së Re, në kohët e Librit të Mormonit dhe në kohët bashkëkohore, këta drejtues formojnë gurët e themelit të Kishës së vërtetë, të pozicionuar përreth vetë gurit të qoshes dhe duke marrë forcë prej tij, ‘shkëmbi[t të] Shëlbuesit tonë që është [Jezu] Krishti, biri i Perëndisë’ [Helamani 5:12]. … Një themel i tillë në Krisht ishte dhe do të jetë gjithnjë një mbrojtje në kohët ‘kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju’” (“Prophets, Seers, and Revelators”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 7).

Fraza “e lidhur mirë” tek Efesianëve 2:21 sugjeron një mësim të rëndësishëm për sa i përket unitetit në Kishë. Nuk ka dy blloqe gurësh të ngjashëm që përbëjnë një strukturë dhe, shumë janë të përmasave dhe formave të ndryshme. Prapëseprapë blloqet janë të“ lidhur mirë” për të formuar strukturën. Në po të njëjtën mënyrë, nuk ka dy anëtarë Kishe të ngjashëm, por të gjithë janë të “lidhur mirë” së bashku për ta krijuar Kishën e Zotit.