Biblioteka
Mësimi 123: Efesianëve 5–6


Mësimi 123

Efesianëve 5–6

Hyrje

Pali u mësoi shenjtorëve si t’u bënin ballë ndikimeve të liga. Ai u mësoi atyre gjithashtu se si t’i forconin marrëdhëniet familjare. Pali e mbylli letrën e tij duke i porositur pasuesit e Perëndisë që të “vishni[n] gjithë armatimin e Perëndisë” (Efesianëve 6:11) me qëllim që t’u bënin ballë mashtrimeve të Satanit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Efesianëve 5:1–20

Pali u mëson shenjtorëve si t’u bëjnë ballë ndikimeve të liga

Nëse është e mundur, paraqitni diçka që studentët do ta dallojnë se është [diçka] e re që sapo është qepur ose është blerë dhe pyetini:

  • Si i trajtojmë ne zakonisht gjërat që janë të reja?

Kujtojuni studentëve se Efesianëve 4 përmban këshillën e Palit për anëtarët e rinj të Kishës që ta “zhvish[nin]” veten e “vjetër që korruptohet” (vargu 22) dhe të “vishe[shin] me njeriun e ri” (vargu 24), ose të fillonin një jetë të re si pasues të Jezu Krishtit.

  • Si mund të quhet e re jeta e dikujt që ka vendosur ta ndjekë Jezu Krishtin?

Ftojini studentët të kërkojnë një parim teksa studiojnë Efesianëve 5–6 që mund t’i ndihmojë ata “të vishen me njeriun e ri” si pasues të Jezu Krishtit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 5:1–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ato [gjëra] që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin dhe të mos bënin si pasues të Jezu Krishtit.

  • Çfarë i këshilloi Pali pasuesit e Jezu Krishtit që të bënin? Çfarë i këshilloi ai ata që të mos bënin?

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë nga këto vargje për pasuesit e Jezu Krishtit? (Studentët mund të përcaktojnë një mori të vërtetash, por sigurohuni që të theksojnë se pasuesit e Jezu Krishtit nuk bashkohen me ligësitë e botës.)

  • Sipas vargut 5, çfarë do të humbasin ata që bashkohen me ligësitë e botës?

  • Në ç’mënyrë bashkimi me ligësitë e botës mund të ketë ndikim te jeta e re e dikujt në Krishtin? Si mund të ndikojë shembulli i këtij personi tek të tjerët?

Përmblidheni Efesianëve 5:8–20 duke shpjeguar se Pali i nxiti shenjtorët të “ecni[n], … si bij të dritës” (vargu 8), të ishin të mençur, dhe të përpiqeshin ta njihnin vullnetin e Zotit duke qenë të “mbushu[r] me Frymë” (vargu 18).

Efesianëve 5:21–6:9

Pali i këshillon efesianët lidhur me marrëdhëniet e tyre familjare

Kërkojuni studentëve të mendojnë për ndërveprimet e tyre me pjesëtarët e familjes gjatë 24 orëve të kaluara dhe të mendojnë nëse ato ndërveprime qenë pozitive ose negative. (Për shembull, a ishin këto ndërveprime të dashura apo grindavece? mirëdashëse apo zemërthyese? lartësuese apo përkeqësuese?)

  • Përse nganjëherë mund të jetë e vështirë të kesh marrëdhënie familjare pozitive?

Ftojini studentët të kërkojnë parime teksa studiojnë Efesianëve 5:21–6:9, që mund t’i ndihmojnë ata t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre familjare.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 5:21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i nxiti shenjtorët që të bënin.

  • Çfarë i nxiti Pali shenjtorët që të bënin? (Shpjegoni se [fraza] “nënshtrohuni njëri-tjetrit”, do të thotë se duhet t’i vendosim të tjerët përpara vetes dhe [fraza] “druajtjen e [Perëndisë]” i referohet dashurisë dhe respektit tonë për Perëndinë.)

  • Në çfarë mënyrash e ilustroi me shembuj Jezu Krishti cilësinë e nënshtrimit?

  • Në ç’mënyrë vendosja e të tjerëve përpara vetes ndihmon në forcimin e marrëdhënieve tona familjare?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 5:22–29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi bashkëshortët dhe bashkëshortet që të bënin në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin.

  • Cilin model marrëdhëniesh i këshilloi Pali bashkëshortet që të ndiqnin në marrëdhëniet e tyre me bashkëshortët e tyre? (Shpjegoni se Pali dha mësim se një bashkëshorte duhet t’ia “nënshtro[jë]” veten bashkëshortit të saj [vargu 22]. Kjo mund të interpretohet si mbështetje, përkrahje dhe respekt ndaj bashkëshortit të vet sikurse ajo vepron ndaj Zotit. Roli hyjnor i caktuar një bashkëshorti është ta drejtojë ose të kujdeset për familjen, sikurse Shpëtimtari kujdeset dhe e udhëheq Kishën e Tij.)

  • Çfarë i këshilloi Pali bashkëshortët që të bënin në marrëdhëniet e tyre me bashkëshortet e tyre?

  • Si do ta trajtojë një bashkëshort që e do bashkëshorten e vet sikurse Shpëtimtari që e do Kishën? (Ai do ta “[japë] veten” për të [vargu 25], ose do ta vendosë atë përpara vetes dhe do të “kujdeset me butësi” për të [vargu 29].)

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë nga mësimet e Palit rreth asaj që mund të ndodhë në familjet tona nëse përdorim si udhërrëfyesin tonë marrëdhënien e Shpëtimtarit me Kishën? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur përdorim marrëdhënien e Shpëtimtarit me Kishën si udhërrëfyesin tonë, ne mund t’i forcojmë marrëdhëniet tona familjare.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 5:30–33. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëhen bashkëshortët dhe bashkëshortet kur janë të martuar.

  • Sipas vargut 31, çfarë bëhen bashkëshortët e bashkëshortet kur janë të martuar? (Ata bëhen “një mish i vetëm” ose të bashkuar fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht.)

  • Si mund ta ndihmojë ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit në ndërveprimet e tyre me njëri-tjetrin një çift të martuar (dhe familjen) që ta rritin dashurinë dhe unitetin në marrëdhënien e tyre?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 6:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si përdorimi i shembullit të Jezu Krishtit si një udhërrëfyes gjen zbatim për marrëdhënien e një fëmije me prindërit e tij apo të saj. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Si e ndjek shembullin e Jezu Krishtit një fëmijë duke iu bindur prindërve të tij apo të saj?

  • Çfarë i këshilloi Pali etërve që të bënin për sa u përket rritjes së fëmijëve të tyre?

Kërkojuni studentëve të përsiatin se si marrëdhëniet e tyre familjare do të forcoheshin nëse do ta përdornin marrëdhënien e tyre me Shpëtimtarin si udhërrëfyesin vetjak. Ftojini ata të zgjedhin një marrëdhënie që do të donin ta përmirësonin dhe të shkruajnë disa mënyra se si mund ta përmirësojnë këtë marrëdhënie duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit. Nxitini ata të veprojnë sipas asaj që shkruan.

Përmblidheni Efesianëve 6:5–9 duke shpjeguar se Pali dha mësim për marrëdhënien midis një shërbëtori dhe zotërisë. Në kohën e Dhiatës së Re, skllavëria ishte e zakonshme në të gjithë perandorinë romake, madje edhe midis disa anëtarëve të Kishës. Këshillat e Palit nuk nënkuptojnë se ai e miratonte sistemin e skllavërisë.

Efesianëve 6:10–24

Pali i këshillon shenjtorët të “v[eshin] gjithë armatimin e Perëndisë”

Shkruajeni në tabelë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson. (Kjo thënie gjendet në “The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 79.) Ftojeni një student ta lexojë këtë thënie me zë të lartë.

“Satani po shpall luftë kundër anëtarëve të Kishës që kanë dëshmi dhe që po përpiqen t’i zbatojnë urdhërimet” (Presidenti Ezra Taft Benson).

  • Në çfarë mënyrash shpall luftë Satani kundër rinisë së Kishës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 6:10–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kundër kujt tha Pali se po luftonin shenjtorët në kohën e tij. Shpjegoni se kurtheve i referohet hileve ose dredhive që përdoren për të mashtruar ose për të zënë në grackë.

  • Kundër kujt tha Pali se po luftonin shenjtorët në kohën e tij?

  • Në ç’mënyrë është e ngjashme ajo që renditi Pali në vargun 12 me atë që po luftojmë ne në kohën tonë?

  • Çfarë u tha Pali shenjtorëve në kohën e tij që të vishnin, në mënyrë që të mund t’u bënin ballë këtyre ligësive? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse e veshim të gjithë armatimin e Perëndisë, ne do të jemi në gjendje t’i bëjmë ballë së ligës.)

Pamja
fletushkë, armatimi i Perëndisë

Vishni Gjithë Armatimin e Perëndisë

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 123

Pamja
skemë, armatimi i Perëndisë

Jepuni studentëve fletushkën shoqëruese. Ndajeni klasën në pesë grupe të vogla dhe caktojini secilit grup një prej pjesëve të armatimit që përmendet tek Efesianëve 6:14–17. (Mos e caktoni [pjesën] “në ijë brezin e së vërtetës” [vargu 14]. Nëse klasa juaj është e vogël, mund t’ju duhet t’i caktoni disa grupeve më shumë se një pjesë të armatimit.)

Shkruajini në tabelë pyetjet vijuese:

  1. Për çfarë përdoret një pjesë e armatimit?

  2. Si e quajti Pali pjesën e armatimit?

  3. Çfarë mund të përfaqësojë nga ana shpirtërore pjesa e trupit që mbrohet nga armatimi?

  4. Si mund t’ju ndihmojë veshja e kësaj pjese të armatimit shpirtëror që t’i bëni ballë ligësisë?

Që t’ju tregoni studentëve se si ta plotësojnë fletushkën, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 6:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjet për pyetjet në tabelë kur ato gjejnë zbatim për frazën në “ijë brezin e së vërtetës” dhe, të shkruajnë përgjigjet në fletushkat e tyre.

Shpjegoni se armatimi në “brez” tek ijët është një rrip i gjerë që lidhet rreth pjesës në mesin e trupit. Studentët mund të sugjerojnë përgjigje të ngjashme me sa vijon: 1) Ajo mbulon ijët (organet jetësore që kanë të bëjnë me riprodhimin). 2) E vërteta. 3) Ajo përfaqëson dëlirësinë ose pastërtinë tonë morale. 4) Njohja e vërtetësisë për planin e shpëtimit mund të na motivojë që të qëndrojmë moralisht të pastër.

Ftojini studentët ta ndjekin këtë model teksa lexojnë Efesianëve 6:14–18 me grupet e tyre dhe të plotësojnë pjesën e fletushkës që përkon me pjesët e armatimit që u janë caktuar atyre. (Shpjegoni se t’i kesh “mbathur këmbët” [vargu 15] nënkupton të veshësh këpucë ose mbrojtëse të tjera për këmbët.)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një përfaqësues nga secili grup t’i raportojë klasës atë që mësuan. Teksa çdo grup raporton, ftojini studentët të shënojnë gjetjet e grupit në fletushkat e tyre.

  • Përse është e rëndësishme që ta mbrojmë veten me gjithë armatimin e Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si ne e veshim dhe e forcojmë armatimin e Perëndisë.

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Më pëlqen të mendoj për këtë armatim shpirtëror jo si një copë metali i ngurtë, i shkrirë për t’iu përshtatur trupit, por më shumë si një parzmore me zinxhirë. Parzmorja me zinxhirë përbëhet nga qindra copëza të vogla hekuri të lidhura së bashku për t’i lejuar përdoruesit përkulshmëri më të madhe pa e humbur mbrojtjen. E them këtë sepse ka qenë përvoja ime që nuk ka ndonjë gjë të madhe dhe kryesore që ne mund të bëjmë për ta fortifikuar veten tonë shpirtërisht. Fuqia e vërtetë shpirtërore qëndron në veprime të shumta më të vogla, që gërshetohen së bashku në një strukturë të një fortifikimi shpirtëror që të mbron dhe të ruan nga të gjitha të ligat” (“Be Strong in the Lord”, Ensign, korrik 2004, f. 8).

  • Çfarë bëni ju për ta veshur e për ta forcuar armatimin e Perëndisë çdo ditë? Si ju ka ndihmuar kjo që t’i bëni ballë së ligës, tundimit ose mashtrimit?

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë dhe ftojini studentët të shkruajnë përgjigjet e tyre:

Cilat pjesë të armatimit tuaj shpirtëror i konsideroni si të forta?

Cila është pjesa më e dobët e armatimit tuaj?

Çfarë mund të bënit për ta forcuar secilën prej këtyre pjesëve të armatimit shpirtëror në jetën tuaj?

Përmblidheni Efesianëve 6:19–24 duke shpjeguar se Pali e mbylli letrën e tij duke u kërkuar shenjtorëve të luteshin që ai të “fl[iste] lirësisht” (vargu 19) dhe të ishte në gjendje ta predikonte ungjillin me guxim ndërsa ishte në burg.

Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat që studentët i përcaktuan tek Efesianëve 5–6. Nxitini studentët të veprojnë sipas çdo nxitjeje që mund të kenë marrë gjatë mësimit të sotëm.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Efesianëve 5:25–28; 6:4. “Sikurse edhe Krishti ka dashur kishën”

Presidenti Ezra Taft Benson vuri në dukje shembullin e Shpëtimtarit kur ai i këshilloi bashkëshortët mbi mënyrën si t’i udhëhiqnin familjet e tyre:

“Ne nuk e shohim Shpëtimtarin ta udhëheqë Kishën me një dorë të ashpër apo të rreptë. Ne nuk e shohim Shpëtimtarin ta trajtojë Kishën e Tij me mungesë respekti apo shpërfillje. Ne nuk e shohim Shpëtimtarin të përdorë forcë ose detyrim për të përmbushur qëllimet e Tij. Askund nuk e shohim Shpëtimtarin të bëjë ndonjë gjë tjetër përveç gjërave që e ngrenë moralisht, e lartësojnë, e ngushëllojnë dhe e ekzaltojnë Kishën” (“To the Fathers in Israel”, Ensign, nëntor 1987, f. 50).

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim rreth ndikimit që një bashkëshort mund të ketë kur e do familjen e tij sikurse Shpëtimtari e do Kishën:

“Krishti e deshi kishën dhe popullin e tij kaq shumë sa ai vullnetarisht e duroi përndjekjen për ta, vuajti padrejtësitë poshtëruese për ta, u bëri ballë trimërisht dhembjes dhe keqtrajtimit fizik për ta dhe më së fundi e dha jetën e tij të çmuar për ta.

Kur burri është gati ta trajtojë familjen e tij në atë mënyrë, jo vetëm bashkëshortja, por e tërë familja do t’i përgjigjet udhëheqjes së tij” (“Home: The Place to Save Society”, Ensign, janar 1975, f. 5).

Efesianëve 6:1. “Binduni prindërve tuaj në Zotin”

“Pali tha: ‘Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë’ (Efesianëve 6:1; theksimi i shtuar), dhe fill pas kësaj shton: ‘Ndero babanë tënd dhe nënën tënde’ (v. 2). Sidoqoftë, këtë herë ai nuk shtoi asnjë thënie cilësuese, porse e përshkroi vetëm si ‘urdhërimi[n e] parë me premtim’ (Efesianëve 6:2). T’u bindesh prindërve të tu në Zotin, do të thotë t’u bindesh atyre në drejtësi (shih McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 2:521). Sa herë që një fëmijë jeton në drejtësi ai u sjell nderim prindërve të tij, pavarësisht nëse prindërit e tij janë njerëz të drejtë ose të këqij. E kundërta është gjithashtu e vërtetë. Sa herë që një fëmijë jeton në paudhësi ai u sjell turpërim prindërve të tij, pavarësisht nëse prindërit e tij janë apo jo të drejtë. Pra, të nderosh prindërit nuk nënkupton gjithnjë t’u bindesh atyre. Në ato raste relativisht të pakta ku prindërit mund të kërkojnë ose nxitin sjellje të padrejta te fëmijët e tyre, individi u sjell çnderim prindërve të tij nëse u bindet atyre” (Old Testament Student Manual: Genesis–2 Samuel [Church Educational System manual, 2003], f. 131).

Efesianëve 6:11. “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë”

Presidenti Harold B. Li shpjegoi rëndësinë e veshjes së gjithë armatimit të Perëndisë:

“Ne kemi katër pjesë të trupit që Apostulli Pal tha se [janë] pjesët më të cenueshme nga fuqitë e errësirës. Ijët, që simbolizojnë virtytin, dëlirësinë. Zemra që simbolizon sjelljen tonë. Këmbët tona [që simbolizojnë] synimet ose objektivat tona në jetë dhe së fundi, koka jonë [që simbolizon] mendimet tona” (Feet Shod with the Preparation of the Gospel of Peace, Brigham Young University Speeches of the Year [9 nëntor 1954], f. 2).

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se çfarë duhet të bëjmë fillimisht përpara se të veshim armatimin e Perëndisë:

Zhveshja e njeriut natyror e bën të mundur veshjen e gjithë armatimit të Perëndisë, i cili më parë nuk do të na rrinte plotësisht për shtat! (shih Efesianëve 6:11, 13)” (“Plow in Hope”, Ensign, maj 2001, f. 60).

Presidenti N. Eldon Taner, i Presidencës së Parë, dha mësim mbi atë që ne mund të bëjmë për ta veshur gjithë armatimin e Perëndisë:

“Kontrollojeni armatimin tuaj. A ka ndonjë pjesë të paruajtur apo të pambrojtur? Vendosni tani që t’ia shtoni cilëndo pjesëz që i mungon. …

Nëpërmjet parimit të madh të pendimit, ju mund të bëni kthesë në jetën tuaj dhe të filloni tani ta vishni veten me armatimin e Perëndisë nëpërmjet studimit, lutjes dhe vendosmërisë për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e tij” (“Put on the Whole Armor of God”, Ensign, maj 1979, f. 46).