Mësimi i Studimit në Shtëpi
2 Timoteut 1–Hebrenjve 4 (Njësia 27)
Hyrje
Ky mësim shqyrton profecitë e Palit për vështirësitë që do të krijohen në ditët e fundit si dhe në kohën e tij. Pali e udhëzoi Timoteun dhe lexuesit e ardhshëm që të qëndrojnë besnikë mes këtyre vështirësive, ndaj të vërtetave që ata i kanë mësuar tashmë dhe t’i përdorin shkrimet e shenjta si një burim kuptueshmërie, korrigjimi dhe udhëzimi.
Sugjerime për Mësimdhënien
2 Timoteut 3
Pali përshkruan kohët e vështira në ditët e fundit
Përpara se të fillojë ora mësimore, kërkojuni dy ose tre studentëve të cilët të vijnë të parët që të vizatojnë secili në tabelë një figurë të një situate të rrezikshme apo kërcënuese. Pasi të fillojë ora mësimore, bëjini klasës pyetjen vijuese:
Çfarë fjalësh do të përdornit për t’i përshkruar situatat e vizatuara në tabelë?
Shpjegoni se si pjesë e Letrës së tij të Dytë drejtuar Timoteut, Pali profetizoi për kushtet e kohës së tij dhe tonës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Pali kohën në të cilën ne jetojmë.
Si e përshkroi Pali kohën në të cilën ne jetojmë? (Nëse është e nevojshme, shpjegoni se fjala e vështirë do të thotë plot rrezik dhe kërcënim.)
Cilat janë disa nga vështirësitë ose rreziqet morale apo shpirtërore që keni parë në kohën tonë?
Ndajini studentët në dyshe. Jepini çdo dysheje një kopje të tabelës vijuese. Ftojeni secilën dyshe të lexojë 2 Timoteun 3:2–7 dhe t’u përgjigjet pyetjeve në tabelë. Udhëzojini ata që të përdorin poshtëshënimet për t’i ndihmuar me fjalët e vështira.
Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi i Studimit në Shtëpi (Njësia 27)
Cilët janë disa shembuj të rrethanave në ditët e mëvonshme të përshkruara nga Pali? | Cilat prej këtyre rrethanave keni parë në kohën tonë? (Përcaktoni dy ose tre prej tyre.) Përse janë kaq të rrezikshme këto rrethana? |
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që t’i raportojnë klasës mbi mënyrën se si iu përgjigjën pyetjeve në tabelë, përfshirë arsyen përse këto kushte janë kaq të rrezikshme.
Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi faktin nëse shqetësohen ndonjëherë se mund të ndikohen nga disa prej rreziqeve që përmendi Pali në vargjet që studiuan.
Sipas fundit të 2 Timoteut 3:5, çfarë e nxiti Pali Timoteun të bënte që mund të na ndihmojë edhe ne në kohën tonë? (Ne duhet të largohemi nga ligësia.)
Shpjegoni se pavarësisht nga gjendja e rëndë e këtyre kushteve shqetësuese, ne mund të gjejmë ndihmë dhe mbrojtje. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se mund të na ndihmojë për t’u larguar prej këtyre vështirësive.
Çfarë dha mësim Pali rreth të bërit ballë të vështirësive që ai përshkroi?
Çfarë mendoni se do të thotë në vargun 14 të “qëndro[sh] në ato që mësove dhe u binde plotësisht”?
Ftojini studentët të përcaktojnë një parim nga 2 Timoteu 3:14–15, rreth mënyrës se si t’i mposhtin vështirësitë shpirtërore të ditëve të fundit. (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë sa vijon: Nëse vazhdojmë në të vërtetat që kemi mësuar nga burimet e besuara dhe shkrimet e shenjta, ne mund ta mposhtim vështirësinë shpirtërore të ditëve të fundit.)
Si na ndihmon mbështetja te shkrimet e shenjta dhe tek të vërtetat që kemi mësuar për t’i mposhtur vështirësitë e kohës sonë?
Kur keni zgjedhur të mbështeteni tek të vërtetat që keni mësuar? Si u bekuat ngaqë e bëtë këtë? (Ju mund t’i vini studentët që t’i përgjigjen këtyre pyetjeve së pari në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës, dhe më pas ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që shkruan.)
Kujtojuni studentëve se 2 Timoteu 3:15–17 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:15–17 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që dha mësim Pali për shkrimet e shenjta. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
Çfarë dha mësim Pali rreth studimit të shkrimeve të shenjta që mund të na ndihmojë në kohën tonë? (Ndihmojeni klasën të përcaktojë parimin vijues: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të mësojmë doktrinën dhe të pranojmë korrigjimin e udhëzimin që do të na ndihmojnë të rritemi drejt përsosjes. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur shkrimet e shenjta – ndoshta një fragment që e kanë studiuar në Dhiatën e Re – i ndihmuan ata në një nga mënyrat vijuese:
Për të kuptuar një doktrinë të ungjillit
Duke dhënë vërejtje apo korrigjim lidhur me diçka në mendimet, zgjedhjet apo sjelljen e tyre që nuk ishte e përshtatshme
Duke dhënë përgjigje për një lutje apo duke dhënë udhëzim lidhur me mënyrën se si të zgjidhet një problem
Jepuni studentëve kohë për të menduar mbi përvojat, dhe më pas ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që menduan.
Duke marrë parasysh atë që kemi mësuar rreth vlerës së shkrimeve të shenjta, si mendoni ju, përse ne nxitemi që t’i studiojmë ato çdo ditë?
Jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë dhe vëreni klasën të kërkojë këshillën dhe premtimin e Plakut Skot lidhur me studimin e shkrimit të shenjtë.
“Mos iu dorëzoni gënjeshtrës së Satanit se ju nuk keni kohë për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Zgjidhni që ta gjeni kohën për t’i studiuar ato. Ushqyerja me bollëk me fjalën e Perëndisë çdo ditë është më e rëndësishme sesa gjumi, shkolla, puna, shfaqjet televizive, videolojërat apo mjetet e komunikimit shoqëror. Mund t’ju duhet t’i riorganizoni përparësitë tuaja për të siguruar kohë për studimin e fjalës së Perëndisë. Nëse ju duhet, bëjeni atë!
… Kur i përkushtoni kohë çdo ditë, për veten tuaj dhe me familjen tuaj, studimit të fjalës së Perëndisë, paqja do të mbizotërojë në jetën tuaj” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93)
Dëshmoni për sigurinë dhe paqen që u vijnë atyre që vazhdojnë në të vërtetat që gjenden në shkrimet e shenjta.
Ftojini studentët ta palosin një fletë letër në tri pjesë, duke krijuar tre kolona. Kërkojuni atyre ta hapin letrën dhe të shkruajnë Mësimi[/Doktrina] në krye të kolonës së parë, Bindje dhe ndreqje në krye të kolonës së dytë dhe Edukim për drejtësi në krye të kolonës së tretë.
Ftojini studentët ta përdorin këtë fletë si një libërshenjues në shkrimet e tyre të shenjta për një javë, duke shkruar në pjesën e duhur sa herë që lexojnë një shkrim të shenjtë, i cili përmbush njërin prej këtyre qëllimeve. Për shembull, nën titullin “Mësimi[/Doktrina]”, studentët mund të shkruajnë një referencë të shkrimit të shenjtë dhe doktrinën apo parimin që mësojnë nga ajo referencë. Nën titullin “Bindje dhe ndreqje”, ata mund të shkruajnë referencën e shkrimit të shenjtë dhe mënyrën se si fragmenti i korrigjon idetë e rreme. Dhe nën titullin “Edukim për drejtësi”, ata mund të shënojnë fragmente që u japin ide mbi veprat e mira që mund të bëjnë.
Nxitini studentët t’i sjellin letrat e tyre në klasë pas një jave për të raportuar mbi përvojat e tyre. Ju mund të doni të vendosni një kujtues në shkrimet tuaja të shenjta apo në manual, për të bërë një diskutim të shkurtër duke rishikuar mënyrën se si e zbatuan ata këtë fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë.
Njësia Tjetër (Hebrenjve 5 – Jakob 1)
Nxitini studentët që të gjejnë përgjigje për pyetjet vijuese teksa studiojnë njësinë e ardhshme: Si thirren të rinjtë në priftëri? Kush përmendet te Hebrenjve si një njeri me besim të madh? A njihni ndonjë nga burrat ose gratë për të cilët mësoni në këtë njësi? Cilin varg të shkrimit të shenjtë lexoi Jozef Smithi që e bëri “të kërkojë nga Perëndia”, gjë e cila solli si rrjedhim Vegimin e Parë? Çfarë është feja e pastër?