Mësimi i Studimit në Shtëpi
Kolosianëve – 1 Timoteut (Njësia 26)
Hyrje
Pali i shkroi Timoteut, një udhëheqësi priftërie në Efes dhe e këshilloi atë të ishte shembull për besimtarët.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shënim: Në këtë njësi, studentët studiuan fragmentin për zotërimin e shkrimit të shenjtë 2 Thesalonikasve 2:1–3. Ju mund ta rishikoni këtë fragment me studentët duke i kërkuar atyre që t’i përmbledhin të vërtetat që ai jep mësim. Për t’i ndihmuar studentët ta mësojnë përmendsh një pjesë të këtij fragmenti, ju mund të doni ta përsëritni disa herë si klasë vargun 3.
1 Timoteut 4
Pali përshkruan karakteristikat e një shërbestari besnik të Jezu Krishtit
Sillni në klasë një kapëse letrash, një fije spangoje, ngjitëse dhe një magnet. Lidheni njërin skaj të spangos te kapësja e letrës dhe skajin tjetër ngjiteni me ngjitëse te një tryezë a tavolinë. Mbajeni magnetin afër kapëses së letrave pa e prekur kapësen e letrave me magnetin. Forca magnetike duhet të shkaktojë që kapësja e letrave të shkojë pas magnetit. Lëvizeni magnetin për të treguar se si ai ndikon te lëvizja e kapëses së letrave.
-
Nëse kapësja e letrave përfaqëson një njeri, çfarë mund të përfaqësojë magneti?
Kërkojuni studentëve të mendojnë se si kanë qenë si magneti dhe kanë ndikuar tek të tjerët. Ftojini ata të kërkojnë një parim teksa studiojnë 1 Timoteut 4, që na mëson se si ne mund të jemi një ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve.
Përmblidheni 1 Timoteut 4:1–11 duke shpjeguar se Pali profetizoi se në “kohët e fundit” (vargu 1) disa anëtarë të Kishës do të largoheshin nga besimi dhe do të ndiqnin mësimet dhe praktikat e rreme, të tilla si “ndal[imin e] martesë[s]” (vargu 3). Pali e porositi Timoteun që t’i ushqente shenjtorët me doktrinën e vërtetë.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Timoteut 4:12, duke kërkuar se çfarë e këshilloi Pali Timoteun që të ishte. Shpjegoni se fjala sjellje në këtë varg i referohet mënyrës si vepron ose qëndrimit (shih 1 Timoteut 4:12, poshtëshënimi c, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Kërkojuni studentëve ta raportojnë atë që gjejnë.
-
Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh një “shembull për besimtarët”? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta.)
-
Në ç’mënyra e këshilloi Pali Timoteun që të ishte një shembull për besimtarët? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Timoteut 4:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillat shtesë që dha Pali, të cilat do ta ndihmonin Timoteun të ishte një shembull për besimtarët.
-
Cilat këshilla shtesë të Palit mund ta kenë ndihmuar Timoteun që të ishte një shembull për besimtarët?
-
Sipas vargut 15, përse Pali i tha Timoteut të meditonte për doktrinat që Pali i mësoi atij dhe t’u kushtohej tërësisht atyre? (Në mënyrë që të tjerët të mund të shihnin dobitë [që kishte] Timoteu kur vepronte kështu.)
-
Bazuar te mësimet e Palit në vargun 16, çfarë mund të vijë si rrjedhojë kur ne përpiqemi të jemi shembuj për besimtarët e Jezu Krishtit? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse jemi shembuj për besimtarët e Jezu Krishtit, ne mund të ndihmojmë për t’i sjellë shpëtim vetes sonë dhe të tjerëve.)
-
Në ç’mënyrë të qenët një shembull për dikë që beson në Jezu Krisht dhe e ndjek Atë, ndihmon t’u sjellë shpëtim të tjerëve?
Ftojini studentët të shqyrtojnë listën në tabelë dhe të marrin parasysh mënyrat në të cilat Timoteu duhej të ishte një “shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12). Vëreni klasën të përshkruajë mënyrat sipas të cilave dikush mund të jetë një shembull në secilën prej këtyre fushave.
-
Në ç’rast ka vepruar dikush si një shembull për besimtarët tek ju, në një nga mënyrat që përmendi Pali? (Ju mund të doni të tregoni gjithashtu një përvojë nga vetë jeta juaj.)
Ftojini studentët të shkruajnë një synim në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta lidhur me mënyrën se si ata mund të jenë shembuj për besimtarët e Jezu Krishtit dhe si rrjedhojë të ndihmojnë t’u sjellin shpëtim vetes dhe të tjerëve.
Njësia Tjetër (2 Timoteut 1–Hebrenjve 4)
Ftojini studentët të marrin parasysh disa nga sfidat e të qenit një dishepull i Jezu Krishtit sot. Shpjegoni se teksa ata vazhdojnë t’i studiojnë mësimet e Palit në javën që vjen, ata do të mësojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë të qëndrojnë besnikë pavarësisht nga vështirësitë dhe përndjekjet.