Mësimi 60
Gjoni 1
Hyrje
Gjon i Dashuri shënoi doktrina të rëndësishme lidhur me rolin e Jezu Krishtit në ekzistencën para lindjes. Gjon Pagëzori gjithashtu dha dëshmi për Jezu Krishtin dhe e pagëzoi Atë. Jezu Krishti i ftoi të tjerët të mësojnë për Të.
Sugjerime për Mësimdhënien
Gjoni 1:1–18; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–19
Gjoni dëshmon për Jezu Krishtin si Birin e Perëndisë
Ndajini studentët në dyshe. Paraqitni në tabelë një figurë të Jezu Krishtit. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se po flasin me dikë që di shumë pak rreth Jezu Krishtit. Ftojeni një student në secilën dyshe të përdorë një minutë për t’i dhënë mësim studentit tjetër rreth Jezusit, sikur studenti tjetër të dinte shumë pak rreth Tij. Pas kësaj veprimtarie, ftojini disa studentë që u mësuan rreth Krishtit për t’i treguar klasës atë që ata e mësuan prej partnerëve të tyre.
Shkurtimisht paraqitni librin e Gjonit duke shpjeguar se Apostulli Gjon shënoi atë që ai dëshironte që shenjtorët ta dinin rreth Jezu Krishtit. Gjoni ishte një dëshmitar okular i shumë prej ngjarjeve për të cilat ai shkroi. Shumica e materialit në Ungjillin sipas Gjonit nuk gjendet në Ungjijtë sipas Mateut, Markut dhe Llukës, të cilët u shkruan për t’i ndihmuar judenjtë dhe johebrenjtë të besonin se Jezusi ishte Mesia dhe Shpëtimtari i njerëzimit. Në dallim, Gjoni veçanërisht u shkroi atyre që tashmë besonin se Jezusi ishte Krishti.
Teksa studentët studiojnë Gjonin 1, ftojini të kërkojnë të vërteta rreth Shpëtimtarit që mund t’ua forcojnë besimin e tyre në Jezu Krishtin dhe dëshmitë për Të.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–2 (në fund të kombinimit tresh). Ftojeni klasën që ta ndjekë. Vërini ata të kërkojnë të vërteta që Gjoni i dha mësim rreth Jezu Krishtit.
Çfarë të vërtetash mësojmë rreth Jezu Krishtit në këto vargje? (Një nga të vërtetat që studentët duhet të përcaktojnë është që Jezu Krishti ishte me Perëndinë në fillim. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë pranë figurës së Shpëtimtarit.)
Çfarë do të thotë që Jezu Krishti ishte me Perëndinë në fillim? (Shpjegoni se fraza “në fillim” i drejtohet ekzistencës paratokësore. Jezu Krishti ishte i Parëlinduri i Atit në shpirt [shih DeB 93:21], Ai ishte i ngjashëm me Perëndinë mes shpirtrave të mbledhur “përpara se bota të ishte” [Abraham 3:22–24] dhe Ai u zgjodh nga Ati që nga fillimi [shih Moisiu 4:2].)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:3 (në fund të kombinimit tresh) dhe vëreni klasën të kërkojë një të vërtetë shtesë që Gjoni e dha mësim rreth Jezu Krishtit.
Çfarë tjetër dha mësim Gjoni rreth Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë një doktrinë të ngjashme me atë që vijon: Të gjitha gjërat u bënë me anë të Jezu Krishtit. Shkruajeni këtë të vërtetë pranë figurës së Shpëtimtarit në tabelë.)
Shpjegoni se Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën nën drejtimin e Atit dhe se Jezu Krishti ka krijuar botë pa numër (shih Moisiu 1:33). Megjithatë, Ati Qiellor ka ruajtur “dy ngjarje krijuese” për veten e Tij: krijimin e të gjithë shpirtrave (përfshirë shpirtin e Jezu Krishtit) dhe krijimin e trupave fizikë të Adamit dhe Evës (Bruce R. McConkie, A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 63; shih edhe Moisiu 2:27).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:4–5 (në kombinimin tresh). Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si Gjoni e përshkroi Jezusin dhe ungjillin e Tij.
Si e përshkroi Gjoni Jezusin dhe ungjillin e Tij?
Çfarë do të thotë që “në të ishte ungjilli”? (Jezu Krishti ishte lajmi i mirë, mishërimi i ungjillit.)
Çfarë mendoni se do të thotë që “drita shkëlqen në botë dhe bota nuk e kupton atë”? (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:5).
Shpjegoni se Apostulli Gjon më pas na mësoi rreth Gjon Pagëzorit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:6–10 (në kombinimin tresh). Vëreni klasën të kërkojë atë që Gjon Pagëzori e shpalli rreth Jezu Krishtit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
Në vargjet 9–10, çfarë doktrine na mësoi Apostulli Gjon rreth Jezusit? (Studentët duhet të përcaktojnë një doktrinë të ngjashme me atë që vijon: Jezu Krishti është Drita e Botës. Shkruajeni këtë të vërtetë pranë figurës së Shpëtimtarit në tabelë.)
Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti Drita e Botës? (Shih DeB 88:5–13.)
Përmblidheni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:11–18 (në fund të kombinimit tresh) duke shpjeguar që Gjon Pagëzori dëshmoi se të gjithë ata që besojnë në Jezu Krishtin do të marrin pavdekësi dhe jetë të përjetshme.
Vini në dukje që në vargjet 14 dhe 16, Gjoni iu drejtua Jezu Krishtit si “Fjala”. Shpjegoni se ky është një titull i Jezu Krishtit, që gjendet në disa vende në shkrimet e shenjta (shih Gjoni 1:1, 14; 1 Gjoni 1:1; Zbulesa 19:13; DeB 93:8–10; Moisiu 1:32).
Vini në dukje që ne përdorim fjalë për t’u kumtuar e shprehur të tjerëve mendime, ndjenja dhe ide.
Në çfarë mënyrash është “Fjala” një titull i përshtatshëm për Jezu Krishtin?
Gjithashtu shpjegoni se pa Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:18 mund të keqkuptohej si të thoshte që askush s’e ka parë kurrë Perëndinë, Atin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:19 (në kombinimin tresh).
Si e qartëson Përkthimi prej Joseph Smith-it 1:19 Gjonin 1:18?
Ndajini studentët në po të njëjtat dyshe që ishin për veprimtarinë në fillim të mësimit. Kërkojini një studenti në secilën dyshe që të përdorë një minutë për t’i dhënë mësim parterit të tij ose të saj rreth Jezu Krishtit duke përdorur doktrinat që klasa i përcaktoi te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–19 (në kombinimin tresh). Pas një kohe të mjaftueshme, pyetini:
Përse do të ishte e rëndësishme për dikë që t’i dinte këto doktrina rreth Jezu Krishtit?
Gjoni 1:19–34; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:20–34
Gjon Pagëzori jep dëshmi për Jezu Krishtin dhe e pagëzon Atë
Përmblidheni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:20–28 (në kombinimin tresh) duke shpjeguar që judenjtë dërguan priftërinj te Gjon Pagëzori që ta pyesnin nëse ai ishte Mesia. Gjoni shpjegoi se roli i tij ishte që të jepte dëshmi për Mesian, i cili do të pagëzonte me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë. Të nesërmen, Gjon Pagëzori e pa Jezusin, të cilin ai e kishte pagëzuar më parë.
Ftojeni një student të ngrihet dhe të lexojë me zë të lartë, sikur studenti të ishte Gjon Pagëzori, fjalët e Gjon Pagëzorit te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:29–33 (në kombinimin tresh). Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Gjon Pagëzori dëshironte që njerëzit të dinin rreth Jezu Krishtit.
Tregoni drejt figurës së Jezu Krishtit dhe të vërtetave të shkruara në tabelë dhe pyetini:
Çfarë të vërteta ose përshkrime të tjera rreth Jezu Krishtit mund t’i shtojmë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:29–33? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
Si mendoni, përse Gjon Pagëzori iu drejtua Jezu Krishtit si “Qengji i Perëndisë”?
Gjoni 1:35–51
Jezusi i fton pasuesit e Tij të mësojnë më shumë rreth Tij
Vërini studentët të përfytyrojnë që një adoleshent duke marrë pjesë në një mbledhje të agjërimit e dëshmive, dëgjon disa shokë duke dhënë dëshmi që ata e dinë se Jezu Krishti është Shpëtimtari i tyre. Ky i ri pyet veten se si këta shokë i “dinë” ato gjëra.
Si do t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje?
Teksa klasa studion Gjonin 1:35–51, ftojini studentët të kërkojnë atë që ne mund të bëjmë për të marrë (ose për ta forcuar) vetë dëshminë tonë për Jezu Krishtin si Shpëtimtari.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 1:35–37 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Gjon Pagëzori bëri ditën pasi ai pagëzoi Jezusin.
Çfarë bëri Gjoni kur e pa Jezusin?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 1:38–39. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që u tha Jezusi dy dishepujve.
Çfarë i pyeti Jezusi dy dishepujt?
Cila ishte përgjigjja e tyre?
Çfarë i ftoi Jezusi të bënin dy dishepujt?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 1:40–42 dhe vëreni klasën të kërkojë për atë që Andrea e mësoi pasi ai e pranoi ftesën e Shpëtimtarit “ejani e shikoni”.
Çfarë mësoi Andrea duke pranuar ftesën e Shpëtimtarit “ejani e shikoni”? (Që Jezusi është Mesia, ose Krishti. Ju gjithashtu mund të doni të vini në dukje që ne mësojmë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it i Gjonit 1:42 se Pjetri do të quhej “Kefa, që është, me anë të interpretimit, një shikues ose një gur” [ose në Biblën në anglisht shënimi a në fund të faqes], duke vënë në dukje që Pjetri do të bëhej një shikues në Kishë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 1:43–46 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari e ftoi Filipin të bënte. Kërkojuni studentëve të tregojnë për atë që gjejnë.
Cilat fjalë në vargjet 45 tregojnë që Filipi mori një dëshmi për Jezu Krishtin pasi e pranoi ftesën e Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë?
Çfarë ftese i dha atëherë Filipi Natanaelit?
Ftojini tre studentë të lexojnë me zë të lartë Gjonin 1:47–51. Caktojeni njërin të jetë tregimtari, njërin të lexojë fjalët e Jezusit dhe njërin të lexojë fjalët e Natanaelit. Ftojeni klasën të dëgjojë për atë që ndodhi kur Natanaeli e pranoi ftesën për të mësuar për Jezusin.
Çfarë ndodhi kur Natanaeli e pranoi ftesën për të mësuar për Jezusin?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto rrëfime? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Kur e pranojmë ftesën për të mësuar për Jezu Krishtin dhe për ta ndjekur Atë, ne do të marrim vetë dëshminë tonë për Të.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
“Duket se thelbi i udhëtimit tonë në vdekshmëri dhe përgjigjet ndaj pyetjeve më të rëndësishme në jetë vijnë dalëngadalë nga pikërisht këto dy pjesë të shkurtra përbërëse në këto skena filluese të shërbesës tokësore të Shpëtimtarit. Njëra pjesë përbërëse është pyetja, drejtuar çdonjërit prej nesh në këtë tokë: ‘Ç’kërkoni? Ç’dëshironi?’ Pjesa e dytë përbërëse është përgjigjja e Tij dhënë pyetjes sonë, cilado qoftë ajo përgjigje. Kushdo që jemi dhe çfarëdo që përgjigjemi, përgjigjja e Tij është gjithmonë e njëjtë: ‘Ejani’, thotë Ai me dashuri. ‘Ejani, më ndiqni.’ Kudo që të shkoni, fillimisht ejani dhe shihni se çfarë bëj unë, shihni ku dhe si e kaloj kohën time. Mësoni për mua, ecni me mua, flisni me mua, besoni. Dëgjomëni kur lutem. Në këmbim, ju do të gjeni përgjigje për vetë lutjet tuaja. Perëndia do t’iu japë prehje shpirtrave tuaj” (“He Hath Filled the Hungry with Good Things”, Ensign, nëntor 1997, f. 65).
Ftojini studentët të përsiatin vetë përpjekjet e tyre që të mësojnë për Jezu Krishtin dhe që ta ndjekin Atë.
Në çfarë mënyrash është rritur dëshmia juaj për Jezu Krishtin kur keni mësuar për Të dhe e keni ndjekur Atë?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa fjali rreth asaj që do të bëjnë për ta pranuar më tërësisht ftesën e Shpëtimtarit “ejani dhe shihni” dhe për të mësuar për Të e për ta ndjekur Atë.
Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për parimet e përcaktuara në klasë sot.