Biblioteka
Mësimi 65: Gjoni 6


Mësimi 65

Gjoni 6

Hyrje

Ditën pasi Ai ushqeu në mënyrë të mrekullueshme një turmë prej më shumë se 5.000 njerëzish, Jezusi dha mësim se Ai është Buka e Jetës. Disa nga pasuesit e Tij i mohuan mësimet e Tij dhe u larguan prej Tij. Në dallim, Pjetri dëshmoi se Jezusi dha mësim fjalët e jetës së përjetshme dhe ishte Biri i Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 6:1–21

Jezusi ushqen në mënyrë të mrekullueshme më shumë se 5.000 njerëz dhe ecën mbi det

Shpjegoni që pasi Shpëtimtari dëshmoi për hyjnishmërinë e Tij në Jerusalem (shih Gjoni 5), Ai u kthye në Galile, ku Ai dhe Apostujt e Tij ua dhanë mësim ungjillin shumë njerëzve dhe i shëruan ata (shih Mateu 5–13). Më pas Jezusi shkoi në anën tjetër të detit të Galilesë me dishepujt e Tij dhe në mënyrë të mrekullueshme ushqeu një turmë prej më shumë se 5.000 njerëzish (shih Gjoni 6:1–13).

Paraqitni një çyrek buke. Ftojeni një student ta përmbledhë tregimin e Shpëtimtarit që ushqeu më shumë se 5.000 njerëz me pesë bukë dhe dy peshq të vegjël.

  • Çfarë mund të kishit menduar nëse do të kishit qenë të pranishëm për këtë mrekulli dhe do të mësonit se Jezusi kishte aftësinë për të siguruar ushqim në mënyrë të mrekullueshme?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që njerëzit donin të bënin pasi Jezusi i ushqeu në mënyrë të mrekullueshme.

  • Çfarë donin të bënin njerëzit?

Shpjegoni se një traditë mes judenjve në kohën e Jezusit sugjeronte që kur të vinte Mesia ose Mbreti i Izraelit, Ai do t’i ushqente njerëzit me bukë nga qielli.

  • Sipas vargut 15, çfarë bëri Jezusi në vend që t’i lejonte njerëzit ta kurorëzonin Atë si mbretin e tyre?

  • Përse Jezusi nuk donte të pranohej si mbreti i judenjve?

Përmblidheni Gjonin 6:16–21 duke i kujtuar studentët që Shpëtimtari i dërgoi dishepujt e tij në anën tjetër të detit të Galilesë dhe më pas natën vonë, ndërkohë që dishepujt po hasnin vështirësi që të lundronin kundër valëve dhe erës, Jezusi eci përmes detit që të bashkohej me ta. Vini në dukje që tregimi i Gjonit për këtë ngjarje thekson se kur dishepujt “deshnin” ta merrnin Jezusin në anijen e tyre, ata “menjëherë” (vargu 21) mbërritën të sigurt në vendmbërritjen e tyre. Shpjegoni se kur ne i pranojmë me dëshirë Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij, Ai mund të ndihmojë për të na udhëhequr të sigurt përmes vështirësive të vdekshmërisë.

Gjoni 6:22–59

Jezusi jep mësim se Ai është Buka e Jetës

Shpjegoni se Gjoni 6:22–25 shënon që shumë njerëz, të cilët Jezusi i kishte ushqyer në mënyrë të mrekullueshme, udhëtuan drejt Kapernaumit duke e kërkuar Atë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:26–27, duke përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith-it (shih vargu 26, shënimi a në fund të faqes). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi u tha njerëzve. Shpjegoni se fjala ushqimvargun 27 u drejtohet gjërave që hahen.

  • Sipas Shpëtimtarit, përse këta njerëz e kërkuan Atë? (Fjalët e Shpëtimtarit sugjerojnë se ata e kishin ndjekur Atë që të merrnin më shumë ushqim prej Tij.)

  • Çfarë u tha Shpëtimtari se ata duhej të kërkonin?

Shpjegoni se “ushqimi që mbetet për jetë të përjetshme” (vargu 27) mund t’iu drejtohet të vërtetave të përjetshme të ungjillit të Shpëtimtarit.

  • Si mund të na ndihmojnë këto vargje që të kuptojmë përse Jezusi nuk e lejoi këtë grup njerëzish që ta kurorëzonin Atë si Mbretin e tyre?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:28–31 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që njerëzit dëshironin nga Jezusi që t’u provonte atyre më tej se Ai ishte Mesia.

  • Çfarë donin njerëzit që Jezusi të bënte për ta? (Shpjegoni se mana ishte “bukë nga qielli” [vargu 31] të cilën Perëndia e siguroi për fëmijët e Izraelit teksa endeshin nëpër shkretëtirë.)

  • Duke marrë parasysh çfarë bëri Shpëtimtari një ditë më parë, çfarë mund të tregojë kjo kërkesë rreth turmës?

  • Si pasues të Jezu Krishtit sot, cilat janë disa mënyra se si mund të tundohemi që të sillemi si turma?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 6:32–35 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari u mësoi njerëzve në përgjigje të kërkesës së tyre për një shenjë.

  • Çfarë na mësoi Shpëtimtari rreth vetes së Tij kur Ai iu drejtua manës, ose bukës nga qielli?

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “unë jam buka e jetës” te vargu 35.

  • Në ç’mënyra mund t’i përngjasojmë Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij me bukën?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që ata të cilët vijnë te Jezu Krishti, “nuk do të ke[n]ë më kurrë uri”? (vargu 35).

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit në vargun 35? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse vijmë te Jezu Krishti, Ai do të na ushqejë shpirtërisht. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë Gjonit 6:35.)

Shkruani në tabelë shprehjet e paplota vijuese:

Ne vijmë te Jezu Krishti nëpërmjet …

Ai do të na ushqejë shpirtërisht nëpërmjet …

Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre të punojnë së bashku për të bërë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një listë të disa prej gjërave që mund të bëjmë që të vijmë te Jezu Krishti dhe mënyrat se si Ai do të na ushqejë shpirtërisht. Ftojini disa studentë t’ia raportojnë përgjigjet e tyre klasës.

Për ta ndihmuar klasën të ndiejë vërtetësinë dhe rëndësinë e parimit që e përcaktuan në vargun 35, merrni parasysh t’i ftoni disa studentë për të treguar se si janë ndier kur kanë marrë ushqim shpirtëror teksa kanë ardhur te Shpëtimtari.

Përmblidheni Gjonin 6:36–47 duke shpjeguar se disa njerëz mërmëritën kundër Shpëtimtarit ngaqë u mësoi se Ai ishte buka që zbriti nga qielli.

Për t’i përgatitur studentët që të përcaktojnë një parim shtesë që e dha mësim Shpëtimtari, ftojini disa studentë të vijnë përpara klasës dhe jepini secilit prej tyre një copë bukë. Ftojini ta mbajnë erë bukën dhe të përfytyrojnë se si do të shijonte ajo.

  • Sa mirë do t’ju ushqente kjo bukë nëse vetëm i mbanit erë, përfytyronit se çfarë shije kishte dhe e mbanit me vete gjithë ditën?

  • Çfarë duhet të bëni që të përfitoni nga ajo që ka për të ofruar buka?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 6:49–54. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si përvoja e shokëve të tyre të klasës me bukën mund të përngjasohet me atë që Shpëtimtari e dha mësim në këto vargje.

  • Si ndryshon Buka e Jetës nga buka e rregullt? (Ndryshe nga buka që mund të na kënaqë vetëm për një kohë të shkurtër, Jezu Krishti na ofron bekime që do të zgjasin përgjithmonë.)

Vini në dukje frazën vijuese në vargun 51: “Buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës”.

  • Si e ofroi Shpëtimtari mishin dhe gjakun e tij për jetën e botës?

  • Sipas vargjeve 53–54, çfarë u mësoi Shpëtimtari të bënin njerëzve?

Shpjegoni se Shpëtimtari i përdori termat hani dhe pini në mënyrë simbolike. Për ta ndihmuar klasën të kuptojë mësimet e Shpëtimtarit, ftojini studentët vullnetarë të hanë bukën. Më pas i ftoni të kthehen në vendet e tyre.

  • Çfarë i ndodh bukës dhe përbërësve të saj ushqyes kur ajo hahet? (Vitaminat dhe përbërësit ushqyes bëhen pjesë e trupit, duke i dhënë atij forcë dhe shëndet të mirë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të hamë mishin dhe të pimë gjakun e Jezu Krishtit? (Mund të thotë që t’i përvetësojmë mësimet dhe Shlyerjen e Tij. Mund të përfaqësojë gjithashtu marrjen e sakramentit, të cilin Shpëtimtari do ta fillonte më vonë.)

  • Sipas vargut 54, çfarë bekimesh mund të marrim nëse i përvetësojmë ose zbatojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse i përvetësojmë ose zbatojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit, ne mund të marrim jetë të përjetshme.)

Vërini studentët të përsiatin pyetjen vijuese dhe më pas ftojini disa prej tyre të tregojnë përgjigjet e tyre:

  • Si i përvetësojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit? (Përgjigjet e mundshme mund të përfshijnë pranimin e Jezu Krishtit si Birin e mirëfilltë të Perëndisë, marrjen e sakramentit çdo javë, mbajtjen e urdhërimeve dhe durimin deri në fund me drejtësi [shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. (1965–1973), 1:358].)

Shpjegoni se jeta e përjetshme është të jetojmë përgjithmonë me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të bëhemi si Ata. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:56–57 dhe vëreni klasën të kërkojë se si ne mund të bëhemi si Ata ndërsa i përvetësojmë mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se Shpëtimtari nuk do të banojë fizikisht brenda nesh, por përkundrazi, ndikimi i Tij hyjnor do të mbetet me ne për të na ndihmuar që të bëhemi më shumë si Ai dhe Ati Qiellor.

Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat që i kanë përcaktuar studentët. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një synim për mënyrën se si ata do ta përvetësojnë më mirë Shlyerjen e Shpëtimtarit ose njërin prej mësimeve të Tij.

Gjoni 6:60–71

Pjetri dëshmon se Jezusi ka fjalë jete të përjetshme

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Vazhdoni ose hiqni dorë?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur atyre iu desh të zgjidhnin ndërmjet vazhdimit për të bërë diçka të vështirë ose heqjes dorë. Ju mund t’iu kërkoni një ose dy studentëve të tregojnë përvojat e tyre.

Shpjegoni se pasi Jezusi e dha predikimin e shënuar te Gjoni 6, dishepujt e Tij u ndeshën me një vendim të ngjashëm.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:60, 66. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e shumë prej dishepujve të Jezusit ndaj mësimeve të Tij.

  • Përse shumë prej dishepujve të Jezusit zgjodhën të mos e ndiqnin më Atë? (Shpjegoni se fraza “e folur … e rëndë” [vargu 60] do të thotë që ata e ndien se mësimet e Jezusit ishin shumë të vështira për t’u ndjekur.)

  • Përse disa njerëz e kanë të vështirë t’i zbatojnë urdhërimet e Zotit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:67 dhe vëreni klasën të kërkojë pyetjen që Jezu Krishti ua bëri Apostujve të Tij.

  • Çfarë u kërkoi Shpëtimtari Apostujve të Tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:68–69 dhe vëreni klasën të kërkojë se si Simon Pjetri iu përgjigj Shpëtimtarit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Nga përgjigjja e Pjetrit, çfarë të vërtete mund të mësojmë që do të na ndihmojë të mbetemi besnikë gjatë kohëve kur mund të jetë e vështirë për ta ndjekur Shpëtimtarin ose për t’i jetuar mësimet e Tij? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Një dëshmi e palëkundur për Jezu Krishtin do të na ndihmojë të mbetemi besnikë gjatë kohëve kur mund të jetë e vështirë për ta ndjekur Shpëtimtarin ose për t’i jetuar mësimet e Tij.)

  • Si ju ka ndihmuar një dëshmi e palëkundur për Shpëtimtarin juve ose dikë që e njihni, që të qëndroni besnikë edhe kur mësimet e ungjillit dukeshin të vështira për t’u ndjekur?

Nxitini studentët që të mbështeten në dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin kur mësimet e ungjillit mund të duken të vështira për ta që t’i jetojnë. Ftojini studentët, të cilët mund të ndiejnë se iu mungon një dëshmi e palëkundur për Jezu Krishtin, që ta forcojnë dëshminë e tyre duke kërkuar për t’i përvetësuar mësimet dhe Shlyerjen e Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 6:33–35. Buka e vërtetë e Jetës

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se Jezu Krishti është Buka e Jetës:

“Unë ju jap dëshminë time për realitetin e gjallë të Bukës së Jetës, Jezu Krishtit, dhe për fuqinë dhe shtrirjen e pafundme të Shlyerjes së Tij. Së fundi, është Shlyerja e Tij, hiri i Tij, që është buka jonë e përditshme” (“Recognizing God’s Hand in Our Daily Blessings”, Ensign, janar 2012, f. 23).

Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si Jezu Krishti e përdori simbolizmin, historinë fetare të judenjve dhe vendndodhjen gjeografike të dëgjuesve të Tij për të dhënë mësim predikimin e Tij mbi Bukën e Jetës (Gjoni 6), shih Thomas R. Valetta, “The True Bread of Life”, Ensign, mars 1999, f. 6–13; shih edhe “Gjoni 6:32–35, 48–51. ‘The True Bread from Heaven’”, te New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 221–222.

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Mana ishte bukë qiellore; ndërsa buka që Ai ua kishte dhënë, ishte nga toka dhe si e tillë vetëm bukë e zakonshme prej elbi. Ai duhej t’u tregonte atyre shenja më të madhërishme dhe t’u jepte atyre ushqim më të pasur [ose ushqim më të mirë], përpara se ta pranonin Atë si Atë që e kishin pranuar fillimisht të ishte dhe si Atë që Ai tani e shpalli veten e Tij të ishte” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 339–340).

Gjoni 6:53. “Hani mishin e Birit të njeriut dhe … pini gjakun e tij”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Të hash mishin dhe të pish gjakun e Birit të Perëndisë është, së pari, ta pranosh Atë në kuptimin më të drejtpërdrejtë dhe të plotë, pa asnjë lloj rezerve, si pasardhësin vetjak në mish të Atit të Amshuar; dhe, së dyti, është të zbatosh urdhërimet e Birit duke e pranuar ungjillin e Tij, duke u bashkuar me Kishën e Tij dhe duke duruar me bindje dhe drejtësi deri në fund. Ata që hanë mishin e Tij dhe pinë gjakun e Tij në këtë mënyrë, do të kenë jetë të përjetshme, që do të thotë ekzaltim në qiellin më të lartë të botës çelestiale” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:358).

Gjoni 6:56. “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë fraza “mbetet në mua dhe unë në të”.

“Ngaqë ata që janë një, mendojnë e besojnë dhe veprojnë në mënyrë të ngjashme, ata në këtë mënyrë zotërojnë të njëjtat karakteristika dhe tipare. … Si rrjedhim, në një kuptim figurativ, ata janë në njëri-tjetrin, ose ata mbeten në njëri-tjetrin” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:766).