Mësimi 73
Gjoni 13
Hyrje
Pas ngrënies së darkës së Pashkës, Jezusi lau këmbët e Apostujve të Tij dhe e përcaktoi Judën si tradhtarin e Tij. Pavarësisht nga trazira e javës përfundimtare të shërbesë së Tij në vdekshmëri, Jezusi i përqendroi mësimet e Tij te bindja, shërbimi dhe dashuria – tipare që e përcaktuan jetën e Tij dhe duhet të përcaktojnë jetën e dishepujve të Tij në të gjitha epokat.
Sugjerime për Mësimdhënien
Gjoni 13:1–17
Jezusi lan këmbët e Apostujve të Tij
Përpara orës mësimore, kopjojeni skemën vijuese në tabelë:
Lexoni me zë të lartë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të përsiatin se si do të përgjigjeshin (shpjegoni se ata nuk kanë nevojë të përgjigjen me zë të lartë):
Ku do ta vendosnit veten tuaj në këtë varg të pandërprerë?
A do të donit të ishit më të lumtur sesa jeni tani?
A mund të mendoni për dikë që do të donit ta ndihmonit të bëhej më i/e lumtur?
Ftojini studentët të kërkojnë një parim teksa studiojnë Gjonin 13, që do t’i ndihmojë të dinë atë që mund të bëjnë për të qenë më të lumtur.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Gjonit 13, kujtojini ata se Jezusi e festoi festën e Pashkës me Apostujt e Tij. Përmblidheni Gjonin 13:1–3 duke shpjeguar se, ndërkohë që Jezusi ndante këtë darkë të fundit me Apostujt e Tij përpara Kryqëzimit të Tij, Ai e dinte se shpejt do të vritej dhe do të kthehej tek Ati i Tij Qiellor.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 13:4–5 dhe vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi bëri pasi Ai dhe Apostujt e Tij e mbaruan ngrënien e vaktit të Pashkës. Shpjegoni se fraza “hoqi rrobat e tij” në vargun 4 do të thotë që Jezusi e hoqi një rrobë të sipërme, të ngjashme me dikë që heq një xhaketë në kohën tonë.
Çfarë shërbimi kreu Shpëtimtari për dishepujt e Tij?
Shpjegoni se “në kohët e Dhiatës së Re, njerëzit vishnin sandale të hapura, ecnin në rrugë kryesisht me pluhur që grumbullonin papastërtitë e bagëtive dhe nuk kishin rregullisht mundësinë për ujë që të laheshin. Këmbët e tyre bëheshin shumë të papastra dhe larja e këmbëve të një personi tjetër mund të kishte qenë një detyrë e padëshirueshme. … Ky zakon i mikpritjes zakonisht kryhej nga shërbëtorët e nivelit më të ulët” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 242). Gjatë darkës së fundit, “Krishti u ngrit qetësisht, i përveshi krahët sikurse një skllav ose një shërbëtor do t’i përvishte dhe ra në gjunjë që të lante këmbët e Apostujve” (Jeffrey R. Holland, “He Loved Them unto the End”, Ensign, nëntor 1989, f. 25).
Paraqitni figurën Jezusi u Lan Këmbët Apostujve (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 55; shih edhe LDS.org).
Po të kishit qenë atje kur Jezusi u lau këmbët Apostujve të Tij, si mund të kishit reaguar nëse Jezusi fillonte të lante këmbët tuaja?
Çfarë zbuloi rreth karakterit të Jezusit veprimi i larjes së këmbëve të Apostujve të Tij?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Gjonit 13:8 (në kombinimin tresh). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri tha kur Shpëtimtari filloi të lante këmbët e tij.
Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it të Gjonit 13:8, çfarë tha Pjetri kur Shpëtimtari filloi të lante këmbët e tij?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Gjonit 13:9–10 (në kombinimin tresh). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Pjetrit ndaj asaj që Zoti i tha atij.
Çfarë mësojmë rreth Pjetrit nga përgjigjja e tij, e shënuar te vargu 9, për atë që Zoti i tha atij? (Pjetri e respektonte Zotin dhe dëshironte ta ndiqte Atë tërësisht.)
Shpjegoni se nëpërmjet larjes së këmbëve të Apostujve të Tij, Shpëtimtari jo vetëm që kreu një veprim të bukur shërbimi, por Ai gjithashtu përmbushi ligjin e Moisiut dhe themeloi një ordinancë të shenjtë (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:708–709). Kjo ordinancë u rivendos në periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore nëpërmjet Profetit Jozef Smith (shih DeB 88:74–75, 137–141).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 13:11 dhe vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përse Jezusi u tha Apostujve se ishin “të pastër, por jo të gjithë”.
Kujt po i drejtohej Shpëtimtari kur Ai tha se Apostujt ishin “të pastër, por jo të gjithë”? (Judë Iskariotit, i cili do ta tradhtonte Atë pas pak kohe.)
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 13:12–17. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u dha mësim Apostujve të Tij pasi Ai ua lau këmbët.
Sipas vargjeve 13–16, çfarë shembulli dha Shpëtimtari dhe i ftoi Apostujt e Tij që ta ndiqnin? (Edhe pse Shpëtimtari ishte “Mësues[i] dhe Zot[i]” [vargu 13] dhe më i madhërishmi i të gjithëve, Ai u shërbeu të tjerëve.)
Nisur nga premtimi i Shpëtimtarit dhënë Apostujve të Tij, i shënuar në vargun 17, çfarë bekimi do të marrim kur e ndjekim shembullin e Tij për t’u shërbyer të tjerëve? (Duke përdorur fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për t’u shërbyer të tjerëve, ne do të jemi më të lumtur.)
Si mendoni, përse do të jemi më të lumtur nëse u shërbejmë të tjerëve ashtu siç bëri Shpëtimtari?
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata ishin më të lumtur ngaqë e ndoqën shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve. Ftojini disa studentë t’i tregojnë klasës përvojat e tyre. Ju mund të doni të tregoni një përvojë tuajën.
Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë një mënyrë se si mund ta zbatojnë këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Në lutjen tuaj të mëngjesit çdo ditë të re, kërkojini Atit Qiellor t’ju drejtojë që të dalloni mundësi për t’i shërbyer një[rit] prej fëmijëve të Tij të çmuar. Pastaj vazhdojeni gjithë ditën me zemrën plot besim e dashuri, duke kërkuar të gjeni dikë që mund ta ndihmoni. Nëse e bëni këtë, ndjeshmëritë tuaja shpirtërore do të zhvillohen dhe do të zbuloni mundësi për të shërbyer që kurrë më parë nuk i keni menduar të mundshme” (“Përfshihuni me Zell”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 31).
Sipas Plakut Ballard, si mund të gjejmë ne mundësi për t’u shërbyer të tjerëve?
Nxitini studentët ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve. Merrni parasysh t’i ftoni studentët të përgatiten gjatë disa prej klasave të ardhshme që të raportojnë për përvojat e tyre të shërbimit të tjerëve.
Gjoni 13:18–30
Jezusi përcakton tradhtarin e Tij
Përmblidheni Gjonin 13:18–30 duke shpjeguar se pasi Jezusi u mësoi Apostujve të Tij që ata do të ishin të lumtur nëse u shërbenin të tjerëve, Ai tha se një prej tyre do ta tradhtonte Atë. Kur Gjoni e pyeti Jezusin se kush do ta tradhtonte, Jezusi vuri në dukje se një prej Apostujve të Tij (Juda) do ta tradhtonte Atë.
Gjoni 13:31–38
Jezusi u mëson dishepujve të Tij që ta duan njëri-tjetrin
Pyetini studentët nëse dikush i ka akuzuar ndonjëherë se nuk ishin të krishterë ose dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, ngaqë ata janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nëse ndonjë student e ngre dorën, pyeteni se si iu përgjigj akuzës se nuk janë të krishterë. Nëse askush nuk e ka pasur këtë përvojë, pyetni:
Si do të përgjigjeshit nëse dikush ju thoshte se ju nuk jeni i krishterë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 13:34–35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se do t’i ndihmonte të tjerët të kuptonin që Apostujt ishin dishepuj të Jezu Krishtit.
Sipas vargut 34, çfarë urdhërimi u dha Jezusi Apostujve të Tij?
Sipas vargut 35, çfarë do të dinin të tjerët nëse Apostujt e donin njëri-tjetrin sikurse Jezusi i deshi ata?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit të dhëna Apostujve të Tij? (Duke përdorur fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur e duam njëri-tjetrin sikurse Jezu Krishti na do ne, të tjerët do ta dinë se ne jemi dishepujt e Tij.)
Sipas asaj që keni studiuar këtë vit rreth Jezu Krishtit, në çfarë mënyrash na tregon Jezusi se Ai i do njerëzit?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë të vërtetën dhe rëndësinë e parimit që sapo e përcaktuan, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues, i cili u dha nga Plaku Pol E. Kolliker, i Të Shtatëdhjetëve:
“Dy misionarë të rinj trokitën në një derë me shpresën që të gjenin dikë për të pranuar mesazhin e tyre. Dera u hap dhe një burrë trupmadh i përshëndeti ata me një zë antipatik: ‘Mendova se ju thashë të mos trokisni më në derën time. Ju paralajmërova më parë se, nëse do të vinit përsëri, kjo nuk do të ishte një përvojë e këndshme. Tani më lini të qetë.’ Ai me ngut mbylli derën.
Kur misionarët u larguan, misionari më i vjetër e më me përvojë vendosi dorën mbi shpatullën e misionarit më të ri për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë zemër. Pa u vënë re nga ata, burri i pa nga dritarja për t’u siguruar se ata e kishin kuptuar mesazhin e tij. Ai priste që t’i shihte ata tërësisht të qeshur dhe të bënin shaka me përgjigjen e tij të shkurtër e të pasjellshme për përpjekjen e tyre për ta vizituar. Megjithatë, ndërsa ai pa shprehjen e mirësisë midis dy misionarëve, zemra e tij u zbut në çast. Ai e hapi sërish derën dhe u kërkoi misionarëve të ktheheshin e të ndanin mesazhin e tyre me të.
… Ky parim i të pasurit të dashurisë për njëri-tjetrin dhe zhvillimit të aftësisë sonë për të qenë me përqendrimin te Krishti në mënyrën si mendojmë, flasim dhe veprojmë, është thelbësor për t’u bërë dishepuj të Krishtit” (“Ai me të Vërtetë na Do”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 17).
Si e ndoqën misionarët e përshkruar në këtë tregim këshillën e Zotit për ta dashur njëri-tjetrin?
Ftojini studentët të këndojnë “Love One Another” [“Doni Njëri-Tjetrin”] (Hymns, nr. 308) dhe kërkojuni atyre të mendojnë për dikë që e njohin, që dallohet me lehtësi si një dishepull i Jezu Krishtit për shkak të dashurisë që ai ose ajo tregon për të tjerët. Pasi të këndohet himni, ftojini studentët të japin emrat e njerëzve për të cilët menduan dhe të shpjegojnë mënyra të veçanta se si këta njerëz e tregojnë dashurinë e tyre për të tjerët. Merrni parasysh t’i tregoni klasës edhe për dikë që menduat ju.
Nxitini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë do të bëjnë ata që t’i duan më mirë të tjerët, ashtu si Shpëtimtari i do ata.
Përmblidheni Gjonin 13:36–38 duke shpjeguar se pasi Pjetri shpalli që ai do ta jepte jetën e tij për Jezu Krishtit, Jezusi i tha Pjetrit se ai do ta mohonte tri herë Jezusin përpara se gjeli të këndonte.
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë
Udhëhiqini studentët në një veprimtari të kërkimit të shkrimeve të shenjta duke përdorur të dhëna që i ndihmojnë ata të ushtrohen në gjetjen me shpejtësi të fragmenteve në shkrimet e tyre të shenjta. Si të dhëna, ju mund të përdorni fjalë kyçe, thënie të kontekstit, doktrina e parime dhe ide për zbatim nga kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju gjithashtu mund të krijoni vetë të dhënat tuaja orientuese. Veprimtaritë e kërkimit të shkrimit të shenjtë, në të cilat studentët konkurrojnë për të gjetur fragmente, mund t’i ndihmojnë ata që të përfshihen në mënyrë vepruese në mësimin e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kur përdorni veprimtaritë e kërkimit të shkrimeve të shenjta, bëjini ato në një mënyrë që nuk shkakton ndjenja të lënduara apo që nuk e fyen Shpirtin. Ndihmojini studentët të shmangin trajtimin e shkrimeve të tyre të shenjta pa nderim ose të qenit konkurrues në mënyrë të tepruar. Gjithashtu merrni parasysh t’i ftoni studentët të konkurrojnë kundrejt një standardi në vend të konkurrimit kundër njëri-tjetrit. Për shembull, studentët mund të konkurrojnë kundër mësuesit ose mund të konkurrojnë për të parë nëse një përqindje e caktuar e klasës mund të gjejë një fragment të veçantë brenda një madhësie të caktuar të kohës.