Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Lluka 10:38–17:37 (Njësia 11)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Lluka 10:38–17:37 (Njësia 11)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan Llukën 10:38–17:37 (njësia 11), nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Lluka 10:38–12:59)

Nga fjalët e Shpëtimtarit drejtuar Martës, studentët mësuan se nëse zgjedhim t’ia përkushtojmë veten tonë çështjeve shpirtërore mbi çështjet materiale, atëherë ne do të marrim bekime të përjetshme. Jezusi dha gjithashtu mësim se nëse lutemi dhe i kërkojmë me këmbëngulje bekimet e Atit Qiellor në kohë nevoje, atëherë Ai, në vetë kohën e Tij dhe në vetë mënyrën e Tij, do t’u përgjigjet lutjeve tona. Të vërteta të tjera që studentët mësuan janë: Zoti na urdhëron që të mos i lakmojmë zotërimet tokësore. Nëse kërkojmë që ta çojmë përpara mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, Ai do të na ndihmojë në sigurimin e nevojave tona dhe do të përgatitë një vend për ne në mbretërinë e Tij.

Dita 2 (Lluka 13–15)

Në këta kapituj, studentët mësuan parimet vijuese: Nëse përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit që janë me më pak fat se ne, Zoti do të na e shpërblejë në Ringjallje. Nëse vendosim përparësi të tjera mbi Zotin dhe ungjillin e Tij, ne do t’i humbasim bekimet e ungjillit që mund t’i kishim marrë. Dishepujt e Jezu Krishtit duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë për ta ndjekur Atë. Kur ne i ndihmojmë të tjerët që ta ndiejnë dëshirën për t’u penduar, ne ndjejmë lumturi dhe qiejt gëzohen.

Dita 3 (Lluka 16)

Nga shëmbëlltyrat e administratorit të pabesë dhe të pasanikut e Llazarit, studentët mësuan që nëse përgatitemi me mençuri për të ardhmen tonë të përjetshme dhe i përdorim me drejtësi pasuritë tokësore, ne mund të bekohemi me pasuri të përjetshme. Ata mësuan edhe parimet vijuese: Nëse jemi lakmitarë dhe nuk i përdorim me drejtësi pasuritë tona tokësore, ne përfundimisht do të përjetojmë vuajtje dhe keqardhje. Kthimi në besim vjen nga të besuarit e të mbajturit vesh ndaj fjalëve të profetëve, jo duke dëshmuar mrekulli apo duke parë engjëj.

Dita 4 (Lluka 17)

Te Lluka 17, Apostujt i kërkuan Jezusit ta shtonte besimin e tyre. Studentët mësuan se besimi ynë do të shtohet kur ne përpiqemi të bëjmë gjithçka që na urdhëron Ati Qiellor dhe kur sjellim ndërmend se jemi gjithmonë në borxh ndaj Tij. Studentët mësuan gjithashtu se ne i marrim bekimet e Zotit kur bëjmë atë që Ai na ka udhëzuar të bëjmë, dhe se është e rëndësishme të shprehim mirënjohje për bekimet që marrim.

Hyrje

Shpëtimtari iu përgjigj ankesave të farisenjve rreth shoqërimit të Tij me tagrambledhësit dhe mëkatarët duke dhënë shëmbëlltyrën e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plangprishës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 15

Jezusi jep shëmbëlltyrat e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plangprishës

Fillojeni orën mësimore duke i pyetur studentët nëse kanë humbur ndonjëherë një send që ishte me vlerë për ta.

  • Çfarë ishit të gatshëm të bënit për ta gjetur atë? Përse?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që një person të jetë i “humb[ur]” shpirtërisht? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se kjo mund t’u referehohet atyre që nuk e kanë marrë ende ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit apo nuk janë duke jetuar aktualisht sipas mësimeve të ungjillit.)

Ftojeni klasën të mendojë për dikë që ata e dinë se mund të jetë i humbur shpirtërisht. Kërkojuni atyre të përsiatin mbi mënyrën se si ndihen rreth këtij personi.

Shpjegoni se Lluka 15 përmban mësimet e Shpëtimtarit rreth atyre që janë të humbur shpirtërisht. Ftojini studentët të kërkojnë të vërtetat te Lluka 15 lidhur me mënyrën se si ndihet Ati Qiellor rreth atyre që janë të humbur shpirtërisht dhe rreth përgjegjësisë që ne kemi ndaj tyre.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 15:1–2. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë për të cilën u ankuan farisenjtë dhe skribët.

  • Përse u ankuan farisenjtë dhe skribët?

  • Çfarë zbulon kjo ankesë rreth farisenjve dhe skribëve?

Shpjegoni se Shpëtimtari u përgjigj duke dhënë tre shëmbëlltyra: një të deles së humbur, një të dhrahmisë së humbur dhe një të birit të humbur. Kërkojuni atyre t’i kushtojnë vëmendje arsyes përse humbi personazhi i çdo shëmbëlltyre dhe se si u gjet ai.

Shpjegoni se në shëmbëlltyrat e deles së humbur dhe të dhrahmisë së humbur, Shpëtimtari përshkroi se si bariu dhe gruaja që humbi dhrahminë, kërkuan me zell të madh derisa e gjetën atë që kishin humbur.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 15:4–6, 8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u ndien bariu dhe gruaja kur i gjetën delen dhe dhrahminë.

  • Cili është ndryshimi ndërmjet mënyrave se si humbën delja dhe dhrahmia? (Delja humbi ndërsa ndiqte rrjedhën normale të jetës dhe jo nga faji i vet, ndërsa dhrahmia humbi për shkak të pakujdesisë ose shpërfilljes së zotëruesit të saj [shih David O. McKay, në Conference Report, prill 1945, f. 120–122].)

  • Cila fjalë u përdor për të përshkruar mënyrën se si u ndien bariu dhe gruaja?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 15:7, 10, duke kërkuar atë me të cilën Shpëtimtari e krahasoi gëzimin e bariut dhe të gruas. (Me gëzimin në qiell për një mëkatar që pendohet.)

Shpjegoni se shëmbëlltyra e tretë te Lluka 15 është historia e djalit plangprishës (që nënkupton një njeri që është dorëlëshuar dhe shkapërderdhës i pamend), e vëllait të tij të madh dhe e atit të tyre.

Merrni parasysh t’i ndani studentët në grupe me nga tre veta. Jepini çdo grupi një kopje të fletushkës vijuese. Ftojini ata që të lexojnë me zë të lartë në grupet e tyre Llukën 15:11–32. Caktojeni një student ta shqyrtojë shëmbëlltyrën nga këndvështrimi i djalit plangprishës, studentin e dytë ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i atit dhe studentin e tretë ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i vëllait të madh.

Pasi studentët të kenë mbaruar së lexuari, kërkojuni atyre t’i diskutojnë pyetjet në fletushkë në grupet e tyre.

Në vend që t’u kërkoni studentëve ta lexojnë dhe diskutojnë shëmbëlltyrën, ju mund të shfaqni videon “The Prodigal Son” [“Djali Plangprishës”] (05:35) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit]. Jepini secilit student një kopje të fletushkës vijuese dhe vërini studentët që ndërsa shohin videon të kërkojnë përgjigjet e pyetjeve. Kjo video gjendet në LDS.org.

Pamja
fletushkë, Shëmbëlltyra e Djalit Plangprishës

Shëmbëlltyra e Djalit Plangprishës

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi i Studimit në Shtëpi (Njësia 11)

Djali Plangprishës

  • Çfarë ju ndihmoi të vinit në vete apo të kuptonit situatën e tmerrshme ku ndodheshit?

  • Si e prisnit reagimin e babait tuaj për kthimin tuaj në shtëpi?

  • Çfarë mund të keni menduar dhe ndier kur babai ju trajtoi ashtu siç bëri ai?

Ati

  • Çfarë mund të keni menduar dhe ndier ndërkohë që biri juaj më i vogël kishte ikur?

  • Përse do ta mirëprisnit në shtëpi birin tuaj plangprishës sipas mënyrës që vepruat?

  • Kur biri juaj i madh ju mbajti mëri për mënyrën se si e trajtuat vëllanë e tij më të vogël, si e ndihmuat që t’i kuptonte veprimet tuaja?

Vëllai i Madh

  • Çfarë mund të keni menduar dhe ndier ndërkohë që vëllai juaj më i vogël kishte ikur?

  • Përse ishte e vështirë të gëzoheshit për kthimin e vëllait tuaj?

  • Çfarë bekimesh keni marrë për shkak se ishit besnik ndaj atit tuaj?

  • Përse humbi djali plangprishës? (Në dallim nga delja dhe dhrahmia, djali plangprishës humbi për shkak të vetë rebelimit të tij.)

  • Kur kuptojmë se ati në këtë shëmbëlltyrë përfaqëson Atin Qiellor, çfarë mund të mësojmë rreth mënyrës se si u përgjigjet Ati Qiellor atyre që kthehen tek Ai duke u penduar? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse kthehemi tek Ati Qiellor duke u penduar dhe duke kërkuar faljen e Tij, Ai do të gëzohet dhe do të na mirëpresë sërish më krahë të hapura. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si mund t’i ndihmojë ky parim ata që ndihen të humbur shpirtërisht?

Kujtojuni studentëve vëllain e madh në shëmbëlltyrë.

  • Si mendoni ju, përse vëllai i madh qe i zemëruar?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për ide lidhur me arsyen përse vëllai i madh qe i zemëruar:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Duke u ndier i pavlerësuar dhe ndoshta më shumë se i vetëmëshiruar, ky bir i bindur – dhe ai është mrekullisht i bindur – harron për një çast se atij kurrë nuk i është dashur të njihet me ndyrësinë ose dëshpërimin, frikën apo vetëurrejtjen. Ai harron për një çast se çdo viç i fermës është tashmë i tij dhe po ashtu janë të gjitha veshjet në gardërobë dhe çdo unazë në sirtar. Ai harron për një çast se besnikëria e tij ka qenë dhe gjithmonë do të shpërblehet. …

… Ai që praktikisht ka çdo gjë dhe të cilat i ka fituar në mënyrën e tij me punë të palodhur dhe të mrekullueshme, i mungon ajo gjë që mund ta bëjë atë njeriun e arrirë të Zotit i cili thuajse është. Ai ende duhet të zhvillojë dhembshurinë dhe mëshirën, shtrirjen dashamirëse të largpamësisë për të parë se ky nuk është një kthim konkurrues. Është vëllai i tij! …

Me siguri ky vëlla i vogël kishte qenë një i burgosur – një i burgosur i mëkatit, budallallëkut dhe i një stalle derrash. Por edhe vëllai i madh është i burgosur në disa mënyra. Ai ende nuk ka qenë në gjendje të dalë nga burgu i vetes së tij. Ai përndiqet nga përbindëshi ziliqar i xhelozisë. Atij i duket sikur babai i tij e merr atë si të mirëqenë dhe sikur vëllai i tij i ka hequr të drejtën, kur asnjëra nga këto nuk është e vërtetë” (“The Other Prodigal”, Ensign, maj 2002, f. 63).

  • Sipas Plakut Holland, përse qe i zemëruar vëllai i madh? Në ç’mënyra ishte i humbur edhe vëllai i madh?

  • Çfarë duhet të kujtojmë kur e shohim Perëndinë të jetë i mëshirshëm dhe duke i bekuar ata që pendohen dhe kthehen tek Ai?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë rreth të bërit më shumë si Ati ynë në Qiell? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ne mund të bëhemi më shumë si Ati ynë në Qiell duke reaguar me dhembshuri e gëzim kur të tjerët pendohen.)

Kujtojini studentët për personin që ata menduan në fillim të orës mësimore, i cili mund të ketë humbur shpirtërisht. Nxitini ata që plot lutje të marrin në shqyrtim mënyrën se si mund ta ndihmojnë atë person të pendohet dhe afrohet me Atin Qiellor. Ftojini ata të marrin gjithashtu në shqyrtim mënyrat se si ata vetë mund të humbasin dhe nevojën që kanë për t’u penduar e për t’u kthyer te Shpëtimtari.

Njësia Tjetër (Lluka 18Gjoni 1)

Ftojini studentët të përsiatin rreth një rasti kur dikush i keqtrajtoi ata dhe mënyrën se si u ndien. Shpjegoni se ndërsa studiojnë njësinë tjetër, ata do të mësojnë rreth mënyrës se si Shpëtimtari zgjodhi t’u përgjigjej atyre që e keqtrajtuan Atë. Kërkojuni atyre që në rrëfimin e Llukës të vënë re hollësi të tjera për vuajtjen e Jezu Krishtit në Gjetseman dhe atë që hëngri Jezusi pas Ringjalljes së Tij.

Shtyp në Letër