Mësimi 44
Lluka 2
Hyrje
Jozefi dhe Maria udhëtuan për në Bethlehem, atje ku u lind Jezusi. Barinjtë iu bindën udhëzimit të engjëllit për ta kërkuar Jezusin e sapolindur dhe më pas u shpallën të tjerëve lindjen e Jezusit. Simeoni e bekoi Jezusin në tempull dhe Ana ndau dëshminë e saj se Shëlbuesi kishte lindur. Jezusi u rrit “në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52).
Sugjerime për Mësimdhënien
Lluka 2:1–20
Jezusi lindi në Bethlehem
Merrni parasysh që ta vini klasën të këndojë himnin “Botës Gëzim” (Himne, nr. 120) apo një himn tjetër për Krishtlindje si pjesë e kohës shpirtërore.
Paraqitni figurën Jozefi dhe Maria Udhëtojnë për në Bethlehem (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 29; shih edhe LDS.org). Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim se sa shumë dinë rreth ngjarjeve që e rrethojnë lindjen e Shpëtimtarit.
Për t’i përgatitur studentët të studiojnë Llukën 2:1–20, ftojini ata që të bëjnë testin vijues e vërtetë ose e rreme. (Përpara orës mësimore, përgatitni një kopje të testit për çdo student.)
Ftojini studentët që të kërkojnë përgjigjet e testit ndërsa studiojnë Llukën 2.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:1–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Jozefi and Maria udhëtuan për në Bethlehem.
-
Përse Jozefi dhe Maria udhëtuan për në Bethlehem? (Vini në dukje se Lluka 2:1, poshtëshënimi b [në variantin shdm të Biblës në anglisht], sqaron se Cezari donte ta regjistronte ose ta numëronte popullin. Kjo bëhej për qëllime taksash.)
Ftojini studentët të shkojnë te Hartat e Biblës, nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhiatës së Re”, që gjenden tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Kërkojuni studentëve që të gjejnë Nazaretin dhe Bethlehemin në hartë dhe, duke përdorur çelësin, të përllogarisin afërsisht se sa larg udhëtuan Jozefi dhe Maria. Pasi studentët të përgjigjen, shpjegoni se largësia prej 137–145 kilometrash midis Nazaretit dhe Bethlehemit do të ketë dashur të paktën katër deri në pesë ditë ecje në këmbë, ndoshta edhe më gjatë për Jozefin dhe Marien, duke marrë parasysh gjendjen e Maries.
Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi atë që mendojnë se cilat do të ishin rrethanat e përshtatshme për lindjen e Krijuesit dhe Shpëtimtarit të botës.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar rrethanat e lindjes së Jezusit.
-
Përveç statusit të veçantë të rëndësishëm të Jezusit si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë në mish, cilat qenë rrethanat e lindjes së Tij?
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 2:8–14. Vëreni klasën t’i ndjekë, për të parë se si u lajmërua lindja e Shpëtimtarit. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë. Paraqitni figurën Engjëlli u Shfaqet Barinjve (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 31; shih edhe LDS.org).
-
Sipas vargut 10, çfarë mund të përjetojmë për shkak se Shpëtimtari u lind? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Për shkak se Shpëtimtari u lind në tokë, ne mund të përjetojmë gëzim të madh.)
Ndërsa studentët vazhdojnë të studiojnë Llukën 2, ftojini ata të kërkojnë shembuj të mënyrës se si njohuria e lindjes së Shpëtimtarit u solli gëzim të tjerëve.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:15–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reaguan barinjtë ndaj mesazhit të engjëllit.
-
Cilat fraza tregojnë mënyrën se si reaguan barinjtë ndaj mesazhit të engjëllit? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat “le të shkojmë” në vargun 15 dhe “shkuan, pra, me nxitim” në vargun 16.)
-
Çfarë dëshmie apo pohimi morën barinjtë, ngaqë ia vunë veshin këtij mesazhi?
-
Çfarë bënë barinjtë pasi e morën dëshminë e tyre për Jezu Krishtin?
-
Si mendoni ju, përse barinjtë u treguan të tjerëve atë që kishin përjetuar?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj që ndodh kur ne e marrim dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne e marrim dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin, ne dëshirojmë që ta ndajmë dëshminë tonë me të tjerë.)
Ftojini studentët të mendojnë rreth një rasti kur ata ndien dëshirën që të ndanin me të tjerët dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Nxitini ata të përsiatin se çfarë e shtyu atë dëshirë. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës përvojat e tyre.
Lluka 2:21–39
Simeoni dhe Ana e shpallin Jezusin si Shpëtimtarin e botës
Përmblidheni Llukën 2:21–24, duke shpjeguar se pas lindjes së Jezusit, Maria dhe Jozefi e paraqitën Atë në tempull në përputhje me ligjin judeas (shih Eksodi 13:2). Dy individë që ishin në tempull atë ditë, e njohën Jezusin foshnjë si Mesian. Ftojini të rinjtë në klasë që të lexojnë në heshtje rrëfimin e Simeonit te Lluka 2:25–32. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “priste ngushëllimin e Izraelit” në vargun 25, i referohet pritjes që të vinte Mesia.) Ftojini të rejat që të lexojnë në heshtje rrëfimin e Anës te Lluka 2:36–38 (dhe nëse është e nevojshme, shpjegoni që “tetëdhjetë” në vargun 37, do të thotë 80). Ndërsa studentët lexojnë vargjet e caktuara atyre, ftojini ata që të kërkojnë përgjigjet për pyetjet vijuese:
-
Në ç’mënyrë njohuria e lindjes së Shpëtimtarit i solli gëzim këtij personi?
-
Në ç’mënyrë dëshmoi ai ose ajo për Jezu Krishtin?
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një të ri që të ngrihet në këmbë, të përmbledhë rrëfimin që ai lexoi dhe të japë përgjigjet e tij për pyetjet e mëparshme. Paraqitni figurën Simeoni Nderon Krishtin Foshnjë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 32; shih edhe LDS.org).
Përmblidheni Llukën 2:33–35, duke shpjeguar që Simeoni bekoi edhe Marien e Jozefin.
Ftojeni një të re që të ngrihet në këmbë, të përmbledhë rrëfimin që ajo lexoi dhe të japë përgjigjet e saj për pyetjet e mëparshme.
Ftojini studentët të shpjegojnë se si mund të na sjellë gëzim njohuria se Shpëtimtari u lind. Ftojini ata që ndihen mirë për ta bërë këtë, që t’i tregojnë klasës dëshminë e tyre për Jezu Krishtin.
Përmblidheni Llukën 2:39, duke shpjeguar se pas këtyre ngjarjeve, Maria, Jozefi dhe Jezusi u kthyen në Nazaret.
Lluka 2:40–52
Jezusi fëmijë jep mësim në tempull
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një aspekt që ata do të donin ta përmirësonin. Ftojini disa studentë që ndihen mirë për ta bërë këtë, që t’i tregojnë klasës atë që shkruan. (Kujtojuni studentëve të mos tregojnë asgjë që është tepër personale apo vetjake).
-
Në ç’mënyrë njohuria se si ishte Jezusi në rininë e tij, mund t’ju ndihmojë si një i ri?
Shpjegoni se ne kemi pak hollësi rreth rinisë së Jezusit, por ato që janë shënuar mund të jenë një bekim dhe udhëheqje e madhe për ne teksa kërkojmë ta përmirësojmë veten tonë. Ndërsa studentët studiojnë pjesën e mbetur të Llukës 2, ftojini ata të kërkojnë të vërteta që mund të na ndihmojnë të dimë se në cilat aspekte ne duhet të përqendrohemi ndërsa përpiqemi ta përmirësojmë veten tonë.
Paraqitni figurën Jezusi Lutet së bashku me Nënën e Tij (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 33; shih edhe LDS.org). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:40. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Lluka fëmijërinë e Jezusit. Shpjegoni se u forcua do të thotë u rrit ose u zhvillua. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 2:41–47. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Jezusi kur Ai ishte 12 vjeç.
-
Përse Jezusi qëndroi prapa në tempull? (Ftojini studentët të lexojnë pjesën nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 2:46 që gjendet tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, duke kërkuar mënyrën se si Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron atë që Jezusi po bënte në tempull dhe mënyrën se si ky sqarim përputhet më mirë me përshkrimin e ngjarjes te Lluka 2:47.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:48–50. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Jezusi i tha Maries dhe Jozefit kur ata e gjetën Atë.
-
Çfarë i tha Jezusi Maries dhe Jozefit kur ata e gjetën Atë?
-
Çfarë na zbulon ky rrëfim rreth njohurisë që Jezusi kishte për identitetin e Tij të vërtetë dhe rreth karakterit të Tij në rininë e Tij?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:51–52. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrat në të cilat u rrit Jezusi.
-
Çfarë do të thotë të “rrite[sh] në dituri”? (Të zhvillohesh në dituri.) Të rritesh në “shtat”? (Të zhvillohesh fizikisht.) Të rritesh në “hir përpara Perëndisë”? (Të zhvillohesh shpirtërisht.) Të rritesh në “hir përpara … njerëzve”? (Të zhvillohesh nga ana shoqërore.)
-
Bazuar te vargu 52, si do ta shprehnit një parim që mund të na udhëheqë për të ndjekur shembullin e Jezusit? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezusit duke fituar dituri dhe duke u rritur fizikisht, shpirtërisht dhe nga ana shoqërore.)
-
Përse është e rëndësishme që ne të zhvillohemi në secilën nga këto katër aspekte? (Në mënyrë që ne të bëhemi njerëz të ekuilibruar.)
-
Si jeni bekuar juve ndërsa jeni përpjekur të ndiqni shembullin e Jezusit duke e zhvilluar veten tuaj në këto aspekte?
Shkruani në tabelë titujt vijues dhe ftojini studentët që t’i kopjojnë ato në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta: Intelektualisht, Fizikisht, Shpirtërisht dhe Nga Ana Shoqërore. Kërkojuni studentëve që nën secilën prej këtyre kategorive të shkruajnë një synim për zhvillimin e tyre vetjak. Nxitini studentët të veprojnë sipas këtyre synimeve. Përfundoni duke treguar dëshminë tuaj për parimet e përcaktuara në mësimin e sotëm.
(Përgjigjet e testit janë si më poshtë: 1. E vërtetë; 2. E rreme; 3. E vërtetë; 4. E rreme; 5. E vërtetë; 6. E rreme.)
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë
Përsëritja i ndihmon studentët të kujtojnë vendndodhjen e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Përdorni kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë ose vërini studentët që t’i krijojnë vetë kartat e tyre, duke i shkruar fjalët apo kuptimet kyçe në anën bosh të kartave ose të fletëve të letrës, dhe referencat në anën tjetër. Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre që ta testojnë njëri-tjetrin duke përdorur kartat. Ftojini studentët t’i përdorin shpesh këto karta për të pyetur veten dhe njëri-tjetrin. Ju mund t’i përdorni të dhënat në karta për të bërë veprimtarinë e kërkimit të shkrimit të shenjtë me klasën (shih “kërkimi i shkrimit të shenjtë” në shtojcën e këtij manuali).