Mësimi 46
Lluka 5
Hyrje
Pas kapjes në mënyrë të mrekullueshme të një sasie të madhe peshqish me ndihmën e Shpëtimtarit, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni braktisën gjithçka për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Jezusi shëron një lebros dhe një burrë të paralizuar. Ai e thirri Mateun që të ishte një dishepull dhe dha mësim se Ai erdhi për t’i thirrur mëkatarët në pendim. Jezusi dha mësim edhe shëmbëlltyrën e verës së re në kacekë të vjetër.
Sugjerime për Mësimdhënien
Lluka 5:1–11
Zoti i thërret Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin të bëhen peshkatarë njerëzish
Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Kur ju është kërkuar të bëni diçka pa i kuptuar të gjitha arsyet pse duhet ta bëni atë? Kërkojuni studentëve ta përsiatin pyetjen dhe ftojini disa që të tregojnë përvojat e tyre.
Përse mund të jetë e vështirë të ndjekësh udhëzime kur nuk e kupton arsyen për to?
Përse disa të rinj mund ta kenë të vështirë që t’i binden urdhërimeve apo këshillave nga udhëheqësit e Kishës, nëse ata nuk i kuptojnë plotësisht arsyet për to? (Merrni parasysh që t’i rendisni përgjigjet e studentëve në tabelë.)
Ftojini studentët të kërkojnë një parim te Lluka 5:1–11, që mund t’i ndihmojë kur nuk e kuptojnë plotësisht arsyen përse iu kërkohet të ndjekin këshillat ose urdhërimet e Zotit.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 5:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i kërkoi Simonit (Pjetrit) të bënte pasi Ai të mbaronte së predikuari. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë. (Nëse është e nevojshme, vini në dukje se vargu 4, poshtëshënimi a [në variantin shdm të Biblës në anglisht] sqaron se për të zënë peshk i referohet kapjes apo gjuajtjes së peshkut.)
Çfarë i tha Simoni Shpëtimtarit rreth orvatjeve të tyre të mëparshme për të zënë peshk?
Çfarë mund të ketë menduar Simoni në varësi të përvojës së tij në peshkim, kur Shpëtimtari i tha që t’i hidhte rrjetat sërish?
Çfarë tha Simoni që tregoi se ai i mirëbesonte Zotit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 5:6–9 dhe vëreni klasën të gjejë se çfarë ndodhi kur Simoni bëri atë që i tha Zoti.
Çfarë ndodhi kur Simoni bëri atë që i tha Zoti?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga gatishmëria e Simonit për të bërë atë që Zoti i kërkonte edhe kur nuk e kuptonte arsyen? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e bëjmë atë që Zoti na kërkon edhe kur nuk e kuptojmë arsyen, Ai mund të sigurojë bekime më të mëdha nga ajo që mund të kishim pritur. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Në çfarë mënyrash të jetuarit e këtij parimi na kërkon që t’i mirëbesojmë Jezu Krishtit?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Merrni parasysh t’u jepni studentëve një kopje të kësaj thënieje:
“Kjo jetë është një përvojë e një mirëbesimi të thellë – mirëbesim në Jezu Krishtin, mirëbesim në mësimet e Tij, mirëbesim në aftësinë tonë, siç udhëhiqemi nga Shpirti i Shenjtë, për t’iu bindur atyre mësimeve që të jemi të lumtur tani dhe për një ekzistencë të përjetshme plot qëllim dhe shumë të lumtur. Të mirëbesosh do të thotë të bindesh me dëshirë, pa e ditur fundin që nga fillimi (shih Fjalët e Urta 3:5–7). Për të dhënë fryt, mirëbesimi juaj te Zoti duhet të jetë më i fuqishëm dhe më i durueshëm se sa besimi juaj në ndjenjat dhe përvojat tuaja vetjake” (“Trust in the Lord”, Ensign, nëntor 1995, f. 17).
Si mund ta zhvillojmë ne këtë lloj mirëbesimi te Shpëtimtari?
Në ç’mënyrë ju apo familja juaj keni marrë bekime më të mëdha nga ajo që prisnit, ngaqë i keni ndjekur udhëzimet e Zotit edhe kur nuk i kuptonit plotësisht arsyet? (Përgjigjet mund të përfshijnë përvoja që i ndihmuan studentët të arrinin të kuptonin së fundi përse Zoti u dha udhëzime të tilla.)
Ftojini studentët që në një fletë letre, të cilën ata mund ta marrin në shtëpi, të shkruajnë ato këshilla apo urdhërime nga Zoti të cilat ata mund t’i ndjekin më besnikërisht, edhe pse nuk i kuptojnë plotësisht arsyet për ta bërë këtë. (Nëse e lejon koha, ju mund t’i ftoni studentët të shqyrtojnë broshurën Për Forcën e Rinisë [libërth, 2011] për ide.)
Përmblidheni Llukën 5:10–11, duke shpjeguar se Pjetri, Jakobi dhe Gjoni i lanë prapa barkat dhe rrjetat e tyre të peshkimit për të ndjekur Jezusin.
Lluka 5:12–26
Jezusi shëron një lebros dhe një burrë të paralizuar
Tregojuni studentëve sendet e mëposhtme (ose vizatoni figura të tyre në tabelë): shiringë, fashë, sapun dhe kompresë akulli.
Si mund të ndihmojnë këto sende për t’i shëruar njerëzit nga një sëmundje apo plagë?
Përveç sëmundjeve dhe dëmtimeve fizike, nga çfarë tjetër mund të ketë nevojë dikush që të shërohet? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë. Përgjigjet mund të përfshijnë mëkatin, varësinë, dëshpërimin dhe hidhërimin.)
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Llukën 5:12–25, të kërkojnë parime të cilat na mësojnë atë që ne mund të bëjmë për të ndihmuar vetveten dhe të tjerët që të marrin shërimin e nevojshëm.
Vizatoni në dërrasë tabelën vijuese dhe ftojini studentët ta kopjojnë atë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:
Ngjashmëritë | Ndryshimet |
---|---|
Shkruajini referencat vijuese në dërrasë: Lluka 5:12–15 dhe Lluka 5:17–25. Shpjegoni që këto vargje tregojnë se Shpëtimtari shëroi dy burra. Njëri prej burrave kishte lebër dhe burri tjetër ishte i paralizuar, duke nënkuptuar se nuk mund të ecte. Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre që ta lexojnë secilin rrëfim me partnerët e tyre dhe të diskutojnë mbi pyetjet vijuese:
Si janë të ngjashme këto dy shërime? Si janë ato të ndryshme?
Çfarë roli luajti besimi në secilin rrëfim?
Kërkojuni studentëve që të shënojnë në tabelat e tyre atë që gjejnë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të raportojnë për atë që mësuan. Merrni parasysh që t’i ftoni studentët të shenjojnë frazën “duke parë besimin e tyre” në vargun 20. Sigurohuni që studentët të kuptojnë se besimi i atyre që e sollën burrin e paralizuar te Shpëtimtari, ndihmoi që ky burrë të shërohej.
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto rrëfime rreth mënyrës se si mund të shërohemi dhe të asaj që mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të shërohen? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimet vijuese: Kur ushtrojmë besim dhe vijmë te Shpëtimtari, Ai mund të na shërojë. Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët që të vijnë te Shpëtimtari, në mënyrë që ata të mund të shërohen. Shkruajini këto parime në tabelë.)
Në ç’mënyra mund të marrim shërim nga Shpëtimtari? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Shpëtimtari mund t’i heqë dobësitë tona, ose Ai mund të na japë guximin, besimin, ngushëllimin dhe paqen që na nevojiten për t’i duruar apo për t’i mposhtur dobësitë tona.)
Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë dobësitë e renditura në tabelë nga të cilat njerëzit kanë nevojë të shërohen.
Çfarë mund të bëni ju që të ndihmoni për t’i sjellë njerëzit te Shpëtimtari që të marrin fuqinë e Tij shëruese?
Kur jeni shëruar juve ose dikush që ju njihni nëpërmjet ushtrimit të besimit te Shpëtimtari? (Kujtojuni studentëve se ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo vetjake.)
Kur e keni parë një njeri të sjellë dikë tjetër te Zoti për të marrë fuqinë shëruese të Shpëtimtarit?
Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi atë që ata mund të bëjnë për të ushtruar besim më të madh te Jezu Krishti, që të shërohen, falen ose ngushëllohen, apo për atë që mund të bëjnë për të sjellë një mik ose dikë tjetër te Shpëtimtari. Nxitini ata të veprojnë sipas çdo mbrese që mund të marrin.
Lluka 5:27–35
Skribët dhe farisenjtë pyesin përse Jezusi ha me tagrambledhësit dhe mëkatarët
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 5:27–28 dhe vëreni klasën të kërkojë ftesën e Shpëtimtarit për Levin. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
Çfarë ju bën përshtypje rreth mënyrës se si reagoi Levi ndaj ftesës së Shpëtimtarit?
Kujtojuni studentëve se Levi quhej edhe Mate (shih Mateu 9:9). Ai ishte një tagrambedhës, që do të thotë se ai mblidhte taksa nga bashkatdhetarët hebrenj për qeverinë romake. Judenjtë përgjithësisht i urrenin tagrambledhësit dhe i shikonin ata si të dëbuar, mëkatarë, madje edhe tradhtarë ndaj kombit të Izraelit. Përmblidheni Llukën 5:29–35, duke shpjeguar se ndërsa Jezusi po hante me Levin dhe të tjerët, skribët dhe farisenjtë e dënuan Atë ngaqë hante me mëkatarët. Jezusi dha mësim se Ai erdhi për t’i thirrur mëkatarët në pendim.
Lluka 5:36–39
Jezusi jep shëmbëlltyrën e verës së re në kacekë të vjetër
Shpjegoni se Shpëtimtari përdori një shëmbëlltyrë për të mësuar skribët dhe farisenjtë. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 5:36–39. Vëreni klasën t’i ndjekë dhe të kërkojë objektet që përdori Shpëtimtari në shëmbëlltyrën e Tij.
Çfarë objektesh përdori Shpëtimtari për të dhënë mësim shëmbëlltyrën e Tij?
Tregojuni studentëve një copë të re dhe një copë të vjetëruar me një vrimë në të. (Shpjegoni se “rrob[a e] re” në vargun 36, i referohet një cope që nuk ishte zvogëluar ende. Një njeri nuk mund të arnojë një rrobë të vjetër mbi një copë të re sepse kur copa e re zvogëlohet, ajo do ta bënte vrimën edhe më keq se më parë. Në mënyrë të ngjashme, ungjilli i Jezu Krishtit nuk ishte thjesht një arnim i bindjeve dhe praktikave të vjetra, por një rivendosje e plotë e së vërtetës.
Ftojini studentët të lexojnë vargun 37, poshtëshënimin a te botimi shdm i Biblës së mbretit Jakob, për të zbuluar se kacekë i referohet “trastave prej lëkure ose calikëve” dhe nëse është e mundur, tregojuni studentëve copa të një lëkure të re dhe të vjetëruar.
Cili është ndryshimi midis lëkurës së re dhe të vjetëruar? (Lëkura e re është e butë dhe elastike; lëkura e vjetëruar është e fortë dhe e thyeshme.)
Shpjegoni që ndërsa vera e re fermentohej në trasta lëkure, brenda krijoheshin gazra dhe e tendosnin lëkurën. Sapo një calik ishte tendosur tashmë në këtë mënyrë, orvatja për të fermentuar sërish verë të re në të do të rrezikonte që ajo të pëlciste.
Në shëmbëlltyrë, vera e re përfaqëson mësimet e Shpëtimtarit dhe plotësinë e ungjillit të përjetshëm, dhe vera e vjetër përfaqëson praktikat, zakonet dhe bindjet e farisenjve nën ligjin e Moisiut.
Në ç’mënyrë “kacekë[t] [e] vjetër” përfaqësojnë skribët dhe farisenjtë? (Ashtu si kacekët e vjetër jo shumë elastikë për ta mbajtur verën e re, skribët dhe farisenjtë qenë të ngurtë në zemër dhe jo të gatshëm që të ndryshonin, për ta pranuar Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij.)
Kë mund të përfaqësojë “vera e re”? (Ata njerëz që ishin të përulur dhe të gatshëm të ndryshonin, për ta pranuar Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij.)
Çfarë mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë rreth asaj që kemi nevojë të bëjmë për ta pranuar Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Për ta pranuar Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, ne duhet të jemi të përulur dhe të gatshëm për të ndryshuar. Ftojini studentët të marrin parasysh që ta shkruajnë këtë parim në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë Llukës 5:36–39.)
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë parim, ftojini ata të rishikojnë Llukën 5 dhe të kërkojnë shembuj të mënyrës se si individët ishin të ngurtë dhe kokëfortë në qëndrimin e tyre ndaj Shpëtimtarit dhe mësimeve të Tij, si edhe shembuj të mënyrës se si individët qenë të përulur dhe të gatshëm për të ndryshuar dhe për t’u rritur duke ndjekur Shpëtimtarin. Ftojini disa studentë që të raportojnë për atë që gjejnë.
Përfundojeni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për parimet e dhëna mësim te Lluka 5.