Mësimi 49
Lluka 8–9
Hyrje
Shpëtimtari vazhdoi të shërbente në Galile, ku Ai profetizoi vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. Duke u larguar nga Galilea, Jezusi udhëtoi drejt Jeruzalemit për të përfunduar misionin e Tij në vdekshmëri. Në Samari, Jakobi dhe Gjoni dëshironin që të binte zjarr nga qielli për të djegur një fshat samaritan që nuk e kishte pranuar Jezusin, por Ai u mësoi dishepujve të Tij se kishte ardhur që t’i shpëtonte njerëzit, jo t’i shkatërronte ata. Jezusi dha mësim edhe për dishepullimin e vërtetë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Lluka 8:1–9:56
Shpëtimtari kryen mrekulli, jep mësim duke përdorur shëmbëlltyra dhe udhëton për në Jeruzalem
Shkruajini skenarët vijues në tabelë ose shkruajeni secilin prej tyre veçmas në një fletë letre. Ftoni tre studentë që t’i lexojnë ato me zë të lartë.
Kur ju me edukatë i kërkoni vëllait tuaj që t’ju ndihmojë të pastroni rrëmujën, ai me vrazhdësi ju thotë që ta bëni vetë.
Ndërkohë që planifikoni një veprimtari shkollore, disa shokë klase ju kritikojnë dhe qeshin me idenë që ju po tregoni.
Ndërsa e ndani ungjillin me një shoqe, ajo ju thotë se bindjet tuaja janë të çuditshme.
Si do të ndiheshit në secilën nga këto situata? Si do të reagonit?
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë mësimet e Shpëtimtarit te Lluka 8–9, të kërkojnë të vërtetat që mund t’i udhëheqin kur ata ndihen të fyer nga veprimet ose fjalët e të tjerëve.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjet e kapitujve për Llukën 8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ngjarjet që shënohen në këta kapituj. Shpjegoni që për shkak se ata i studiuan këto ngjarje me hollësi në mësimet mbi Mateun dhe Markun, ky mësim do të përqendrohet te Lluka 9:51–62.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 9:51 dhe vëreni klasën të gjejë vendin ku Shpëtimtari vendosi të shkonte. Shpjegoni se fraza “duhet të ngrihej”, i referohet afrimit të Ngjitjes së Shpëtimtarit në qiell.
Ku vendosi Shpëtimtari që të shkonte?
Shpjegoni se që të bësh diçka me vendosmëri do të thotë ta bësh atë në një mënyrë të prerë ose të palëkundur. Më përpara, Shpëtimtari u kishte profetizuar dishepujve të Tij se Ai do të tradhtohej, rrihej me kamxhik dhe kryqëzohej në Jeruzalem (shih Mateu 20:17–19; Lluka 9:44).
Çfarë ju zbulon vendosmëria e Shpëtimtarit për të shkuar në Jeruzalem pavarësisht këtyre sfidave rreth karakterit të Tij?
Vini në dukje se ndërsa udhëtonte për në Jeruzalem, Jezusi dhe dishepujt e Tij iu afruan një fshati samaritan. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 9:52–54, dhe vëreni klasën të kërkojë reagimin e samaritanëve, kur mësuan se Jezusi dhe dishepujt e Tij donin të hynin në fshatin e tyre.
Si reaguan samaritanët kur mësuan se Jezusi dhe dishepujt e Tij donin të hynin në fshatin e tyre?
Si reaguan Jakobi dhe Gjoni për mosmikëpritjen e samaritanëve ndaj Shpëtimtarit dhe mospranimit të Tij?
Në çfarë mënyrash njerëzit sot reagojnë jashtë mase ndaj ofendimeve dhe fyerjeve të tjera që u bëhen nga të tjerët? (Referojuni skenarëve që u dhanë në fillim të mësimit dhe kërkojuni studentëve që të përsiatin mbi mënyrat se si dikush mund të reagojë jashtë mase në këto situata.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 9:55–56. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj Jakobit dhe Gjonit. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.
Shpjegoni se kur Shpëtimtari tha: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni” (vargu 55), Ai po sugjeronte se kërkesa e Jakobit dhe Gjonit nuk ishte në përputhje me Shpirtin e Perëndisë, por ishte më shumë në përputhje me shpirtin e Satanit, i cili i nxit zemrat e njerëzve në zemërim (shih 3 Nefi 11:29–30).
Si ndryshonte reagimi i Shpëtimtarit ndaj mospranimit të samaritanëve nga reagimi i Jakobit dhe Gjonit?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit, që mund të na udhëheqë kur ne përballemi me fyerje? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruani në tabelë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit kur zgjedhim që t’u përgjigjemi fyerjeve me këmbëngulje dhe durim.)
Ftojini studentët që të sjellin ndër mend skenarët që u dhanë në fillim të orës mësimore.
Cili është rreziku i mundshëm në secilin nga këta skenarë kur zgjedhim të fyhemi?
Në secilin skenar, si mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit?
Si mund të bekohemi kur ne zgjedhim t’i përgjigjemi fyerjes me këmbëngulje dhe durim?
Kërkojuni studentëve që të mendojnë për një rast kur ata zgjodhën të fyhen nga fjalët apo veprat e dikujt. Nxitini ata të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i përgjigjen fyerjeve me këmbëngulje dhe durim.
Lluka 9:57–62
Jezusi jep mësim për dishepullimin e vërtetë
Ftojeni një student/e të vijë përpara klasës dhe jepini atij apo asaj 20 deri në 30 objekte të vogla (të tilla si rruaza). Udhëzojeni studentin/en që t’i numërojë objektet në heshtje. Ndërkohë që ai apo ajo e bën këtë, kërkojini klasës të shohë nëse ata mund ta pengojnë numërimin duke e shpërqendruar studentin/en. Sigurohuni që studentët të mos bëhen të padisiplinuar në orvatjet e tyre për ta shpërqendruar studentin/en. Udhëzojini ata të qëndrojnë të ulur dhe porositini që të mos hedhin asgjë ose të mos e prekin studentin/en që po numëron.
Në ç’mënyra është i ngjashëm numërimi i objekteve gjatë shpërqendrimit, me përpjekjen për ta ndjekur Jezu Krishtin?
Falënderojeni studentin/en që i numëroi objektet dhe ftojeni atë që të ulet. Ndërsa studentët vazhdojnë të studiojnë Llukën 9, ftojini ata që të marrin në shqyrtim mënyrën se si ne mund t’i mposhtim ndikimet që mund të na shpërqendrojnë ose pengojnë nga ndjekja e Shpëtimtarit.
Ftojeni një student ta lexojë Llukën 9:57 me zë të lartë. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që një burrë i tha Jezusit, ndërsa Ai dhe dishepujt e Tij udhëtonin për në Jeruzalem.
Çfarë i tha ky burrë Shpëtimtarit se ishte i gatshëm të bënte?
Shkruajeni frazën vijuese në tabelë: Të jesh një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit, …
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 9:58 dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj burrit që dëshironte ta ndiqte Atë. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
Çfarë na tregon fraza “Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën” rreth mënyrës së jetesës së Shpëtimtarit? (Jezusi dhe dishepujt e Tij ishin vazhdimisht duke lëvizur. Shërbesa e tyre nuk ishte as e rehatshme, as e lehtë.)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 9:59–60, duke kërkuar përgjigjen e burrit të dytë ndaj ftesës së Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë.
Çfarë donte të bënte ky njeri përpara se ta ndiqte Shpëtimtarin?
Çfarë mund të tregojë fjala më parë (vargu 59) rreth këtij burri?
Shpjegoni që Jezu Krishti nuk la të kuptonte se është e gabuar të vajtojmë vdekjen e një njeriu të dashur apo ta nderojmë në një varrim (shih DeB 42:45). Përkundrazi, Ai po i mësonte këtij burri një mësim të rëndësishëm rreth dishepullimit.
Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Shpëtimtarit të shënuar te vargu 60 rreth përparësive të një dishepulli të vërtetë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 9:61–62. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që burri i tretë dëshironte të bënte përpara se ta ndiqte Shpëtimtarin.
Çfarë donte të bënte ky njeri përpara se ta ndiqte Shpëtimtarin?
Si iu përgjigj Shpëtimtari këtij burri?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë analogjinë e vënies së duarve tona në parmendë dhe e të mos parit prapa, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter:
“Që të gërmojë një brazdë të drejtë [ose kanal], fermeri ka nevojë që t’i mbajë sytë e tij te një pikë e fiksuar përpara tij. Kjo e mban atë në një drejtim të saktë. Megjithatë, nëse ndodh që ai shikon prapa për të parë se ku ka qenë, mundësitë e tij për të shkuar në udhë të gabuar shtohen. Rezultatet janë brazda të shtrembra dhe të parregullta. … Nëse energjitë tona përqendrohen jo prapa nesh, por përpara nesh – te jeta e përjetshme dhe gëzimi i shpëtimit – ne me siguri do ta marrim atë” (“Am I a ‘Living’ Member?” Ensign, maj 1987, f. 17).
Në ç’mënyrë të qenit një dishepull i Jezu Krishtit është si vënia e duarve tona te parmenda dhe e të mos parit prapa?
Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i asaj që Ai dha mësim ashtu siç shënohet te vargu 62? (“Ai vendosi prerazi të shko[nte] në Jeruzalem” [Lluka 9:51] për të përfunduar misionin që Ati Qiellor i kishte dhënë Atij, dhe Ai nuk pa prapa.)
Referojuni thënies së paplotë në tabelë.
Bazuar në atë që keni mësuar nga Lluka 9:57–62, si do ta përmblidhnit një të vërtetë që Shpëtimtari dha mësim rreth asaj që Ai kërkon nga dishepujt e Tij? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh. Pasi të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë në mënyrë që të përçojë të vërtetën vijuese: Për të qenë një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit, ne nuk duhet të lëmë asgjë që të ketë përparësi mbi të ndjekurit e Tij.)
Si mendoni ju, përse ndonjëherë ne vendosim përparësi të tjera mbi përgjegjësitë tona si dishepuj të Jezu Krishtit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Satani ka një mjet të fuqishëm që e përdor kundër njerëzve të mirë. Ai është shpërqendrimi. Ai do të donte që njerëzit e mirë ta mbushnin jetën me ‘gjëra të mira’, kështu që nuk ka vend për ato që janë të rëndësishme” (“First Things First”, Ensign, maj 2001, f. 7).
Për t’i ndihmuar studentët të marrin parasysh atë që mund t’i pengojë ata nga ndjekja e plotë e Jezu Krishtit, vizatoni në dërrasë tabelën vijuese dhe u kërkoni studentëve që ta kopjojnë atë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Përgjegjësitë e një dishepulli të Jezu Krishtit | Përparësi të tjera |
---|---|
Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre të punojnë me partnerët e tyre që të renditin në tabelë përgjegjësitë e një dishepulli të vërtetë të Jezu Krishtit, (të cilat mund të përfshijnë të qenit i ndershëm, shërbimin ndaj të tjerëve, ndarjen e ungjillit, bërjen e historisë familjare dhe të punës në tempull dhe ngritjen e një familjeje). Për çdo përgjegjësi të renditur në tabelat e tyre, kërkojuni studentëve të renditin shembuj të përparësive të tjera që dikush mund të vërë mbi atë përgjegjësi.
Ftojini disa studentë që të raportojnë për atë që renditën.
Nxitini studentët që të tregojnë shembuj pozitivë të dishepujve të Jezu Krishtit duke pyetur:
Kur e keni parë dikë të zgjedhë që të lërë mënjanë synime ose përparësi të tjera me qëllim që të ndjekë Shpëtimtarin?
Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi atë që ata mund të lejojnë të marrë përparësi mbi ndjekjen e Jezu Krishtit dhe mësimet e Tij. Ftojini ata të shkruajnë një synim në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për atë që do të bëjnë, për ta bërë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij një përparësi më të madhe.
Ju mund të doni ta përfundoni mësimin duke i ftuar studentët të këndojnë himnin “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek” (Himne, nr. 137), apo një himn tjetër rreth të ndjekurit të Jezu Krishtit dhe mësimeve të Tij.