Mësimi 51
Lluka 10:38–Lluka 12:59
Hyrje
Shpëtimtari i mësoi Marien dhe Martën në shtëpinë e Martës. Më vonë, Ai u mësoi dishepujve të Tij shumë të vërteta rreth lutjes dhe i paralajmëroi kundër hipokrizisë e lakmisë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Lluka 10:38–42
Jezusi mëson Marien dhe Martën
Kërkojuni studentëve të mendojnë për zgjedhjet që ata bënë dje. Ftojini ata të gjejnë një minutë kohë për të renditur sa më shumë zgjedhje që munden në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni disa studentëve që t’i raportojnë klasës disa nga zgjedhjet e tyre të mira.
Cilat janë disa situata në të cilat mund të na duhet të vendosim midis dy zgjedhjeve të mira?
Ndërsa studentët studiojnë Llukën 10:38–42, ftojini ata të kërkojnë një parim që u dha mësim nga Shpëtimtari, i cili mund të na udhëheqë në vendimet tona – veçanërisht kur kemi në dispozicion më shumë se një zgjedhje të mirë.
Shpjegoni se pasi dha mësim shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, Shpëtimtari udhëtoi për në Betania dhe vizitoi shtëpinë e një gruaje të quajtur Marta.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 10:38–40. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Marta dhe motra e saj, Maria, veçan, zgjodhën të bënin, ndërkohë që Shpëtimtari ishte në shtëpi.
Çfarë bëri Maria ndërkohë që Shpëtimtari ishte në shtëpi?
Çfarë bëri Marta? (Vini në dukje se fjalët krejt e zënë në vargun 40, i referohen të qenit e ngarkuar me punë.)
Paraqitni figurën Maria dhe Marta (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 45; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se mikëpritja ishte shumë e rëndësishme në kohën e Jezusit. Marta po përpiqej të bënte atë që normalisht pritej prej saj të bënte si e zonja e shtëpisë. Ajo qe përqendruar te shqetësimet tokësore, të tilla si përgatitja dhe shërbimi i vaktit.
Sipas vargut 40, çfarë i kërkoi Marta Shpëtimtarit që tregon se ajo ishte e shqetësuar rreth çështjeve tokësore?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 10:41–42. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj Martës.
Çfarë mund të ketë nënkuptuar Shpëtimtari kur tha: “Një gjë është e nevojshme dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë”?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ishte e lavdërueshme që Marta po ‘shqetësohe[j] dhe kujdese[j] për shumë gjëra’ (v. 41), por mësimi i ungjillit nga Mësuesi Mjeshtër ishte më i ‘nevojsh[ëm]’” (“Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 104).
Çfarë mund të ketë nënkuptuar Shpëtimtari kur tha se “pjes[a] më [e] mirë”, që Maria kishte zgjedhur “nuk do t’i hiqe[j asaj]” (Lluka 10:42)? (Duke zgjedhur që ta dëgjonte Shpëtimtarin në vend që të përqendrohej te shqetësimet tokësore, Maria do të merrte bekime shpirtërore, të cilat janë të përjetshme.)
Çfarë parimi mund të mësojmë nga fjalët e Shpëtimtarit ndaj Martës? (Studentët mund ta thonë atë ndryshe, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse zgjedhim që t’ia përkushtojmë veten tonë çështjeve shpirtërore përkundrejt shqetësimeve tokësore, atëherë ne do të marrim bekime të përjetshme.)
Si mund t’ia përkushtojmë veten tonë çështjeve shpirtërore dhe prapë të kujdesemi për gjëra të tjera që janë të “nevojshme” (Lluka 10:42), por më pak të rëndësishme?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Ouks:
“Ndërsa marrim parasysh zgjedhje të ndryshme, ne duhet të kujtojmë se nuk mjafton që diçka të jetë e mirë. Zgjedhje të tjera janë më të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. …
Merrni parasysh mënyrën se si e përdorim kohën tonë në zgjedhjet që bëjmë për të parë televizor, për të luajtur me lojëra kompjuterike, për të lundruar në internet apo për të lexuar libra ose revista. Sigurisht që është mirë të shohësh zbavitje dobiprurëse ose të marrësh informacion interesant. Por jo çdo gjë e këtij lloji i vlen momenteve që japim nga jeta jonë për ta marrë atë. Disa gjëra janë më të mira dhe të tjera janë më të mirat” (“Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, f. 105).
Kërkojuni studentëve që të rishikojnë listën e zgjedhjeve që bënë dje dhe ta emërtojnë çdo zgjedhje pozitive si “mirë”, “më mirë” ose “më e mira”. Ftoni një apo dy studentë të dëshmojnë për mënyrën se si janë bekuar ngaqë i kanë vendosur çështjet shpirtërore para shqetësimeve tokësore.
Lluka 11
Jezusi i mëson dishepujt e Tij për lutjen
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur janë misionarë kohëplotë që po mësojnë një kërkues, i cili është përpjekur të lutet disa herë dhe ndien sikur Perëndia nuk i është përgjigjur. Kërkuesi po mendon që të heqë dorë nga lutja.
Bazuar në vetë përvojën tuaj, si mund t’i përgjigjeni këtij shqetësimi?
Ndërsa studentët studiojnë Llukën 11, ftojini ata të kërkojnë të vërteta që mund ta ndihmojnë dikë që mendon se Perëndia nuk i është përgjigjur lutjeve të tij apo të saj.
Përmblidheni Llukën 11:1–4, duke shpjeguar që pasi e dëgjoi Shpëtimtarin të lutej, një nga dishepujt e Tij e pyeti nëse Ai do t’u mësonte atyre se si të luteshin dhe Shpëtimtari e bëri këtë.
Shpjegoni që pasi Zoti u mësoi dishepujve të Tij se si të luteshin, Ai përdori disa analogji për t’u mësuar të vërteta të tjera rreth lutjes, përfshirë gatishmërinë e Perëndisë për t’iu përgjigjur lutjeve.
Ftojini studentët që të studiojnë në dyshe Llukën 11:5–13, duke kërkuar atë që dha mësim Zoti rreth lutjes. Vini në dukje shtesat te Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] të vargjeve 5 dhe 13. Këto shtesa gjenden te Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Lluka 11:5–6 (te Lluka 11:5, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht) dhe Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Lluka 11:14 (te Lluka 11:13, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht). Pas një kohe të mjaftueshme, pyeteni klasën:
Në shëmbëlltyrën që lexuat te vargjet 5–8, çfarë i kërkoi një mik, mikut të tij? Përse?
Si mendoni ju, përse miku i dytë e respektoi kërkesën e të parit? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala insistim në vargun 8, i referohet këmbënguljes së njeriut që kërkoi, edhe kur miku i tij fillimisht nuk ia pranoi kërkesën.)
Nëse njeriu në nevojë na përfaqëson ne dhe miku i tij me bukë përfaqëson Atin tonë në Qiell, çfarë sugjeroi Shpëtimtari se duhet të bëjmë në kohë nevoje?
Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse ne lutemi dhe i kërkojmë me këmbëngulje bekimet e Atit Qiellor në kohë nevoje …
Sipas vargut 13, çfarë u jep Ati Qiellor atyre që luten dhe i kërkojnë me këmbëngulje bekimet e Tij?
Bazuar në mësimet e Shpëtimtarit te Lluka 11:5–13, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë në mënyrë që ajo të përçojë të vërtetën vijuese: Nëse ne lutemi dhe i kërkojmë me këmbëngulje bekimet e Atit Qiellor në kohë nevoje, atëherë Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona në mënyra që do të na bekojnë më shumë.)
Merrni parasysh që t’i ftoni studentët të tregojnë shembuj të rasteve kur kanë marrë përgjigje për lutjet e tyre, ndërsa kanë kërkuar me këmbëngulje bekimet e Atit Qiellor.
Përmblidheni Llukën 11:14–54, duke shpjeguar se Jezusi dëboi një demon nga një burrë, i këshilloi njerëzit që ta dëgjonin fjalën e Perëndisë, dhe i qortoi farisenjtë e skribët për injorancën dhe ligësinë e tyre shpirtërore.
Lluka 12
Shpëtimtari paralajmëron kundër hipokrizisë dhe lakmisë
Lexojini klasës pyetjet vijuese dhe ftojini studentët që t’i përsiatin në heshtje përgjigjet e tyre:
A e keni dashur ndonjëherë diçka kaq shumë, saqë mendonit për të gjatë gjithë kohës?
Çfarë ndikimi negativ mund të ketë ky lloj të menduari te ne?
Përmblidheni Llukën 12:1–13, duke shpjeguar që kur Shpëtimtari qëndroi përpara një turme të madhe, Ai i mësoi dishepujt e Tij të ruheshin nga hipokrizia. Ai u kujtoi gjithashtu atyre se të gjitha gjërat e fshehura një ditë do të zbuloheshin, dhe se Perëndia i njeh e kujdeset për fëmijët e Tij. Më pas, një burrë e pyeti Shpëtimtarin nëse Ai do të fliste me vëllanë e tij dhe do ta bindte të vëllanë që ta ndante trashëgiminë me të.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 12:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj kërkesës së burrit.
Çfarë paralajmërimi u dha Shpëtimtari njerëzve që ishin me Të?
Shpjegoni se lakmi do të thotë ta dëshirosh diçka tej mase. Shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti na urdhëron që të mos kemi lakmi për zotërime tokësore.
Përse një person duhet ta shmangë lakminë? Si mund të na ndihmojë kjo e vërtetë që të jetojmë një jetë më të lumtur?
Shpjegoni që pasi Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij ta shmangnin lakminë, Ai dha një shëmbëlltyrë për të ilustruar rëndësinë e këtij urdhërimi. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 12:16–19, duke kërkuar numrin e rasteve që burri në shëmbëlltyrë i përdori fjalët [unë] dhe mia. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
Çfarë na mëson përdorimi i shpeshtë nga ana e burrit të [përemrave] [unë] dhe mia rreth shqetësimeve të tij?
Në ç’mënyra mund të tundohemi për të qenë si ky burrë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 12:20–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Perëndia rreth zilisë dhe lakmisë së burrit. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
Shkruani në tabelë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Kjo thënie gjendet te [biseda] “Ajo që Është më e Rëndësishme Është Ajo që Duron më Gjatë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 44; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 58):
Në çfarë mënyrash pasaniku në shëmbëlltyrë u përqendrua tek “ajo që [ishte] më e rëndësishme”?
Përse veprimet e këtij burri mund të konsiderohen marrëzi?
Përmblidheni Llukën 12:22–30, duke shpjeguar se Zoti theksoi që dishepujt e tij nuk kishin nevojë të shqetësoheshin shumë rreth nevojave të tyre tokësore.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 12:31–34. Ftojeni atë të lexojë Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Llukën 12:34 (te Lluka 12:31, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht). Vëreni klasën ta ndjekë, duke parë atë që Shpëtimtari i këshilloi dishepujt e Tij të kërkonin në vend që të përqendroheshin te dëshirat e tyre egoiste.
Çfarë i këshilloi Jezusi dishepujt e Tij të bënin?
Çfarë iu premtua atyre nëse do të kërkonin të sillnin mbretërinë e Perëndisë?
Si do t’i përmblidhnit në një parim mësimet e Shpëtimtarit te Lluka 12:31–34? (Studentët mund të përdorin fjalët e tyre, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse kërkojmë të sjellim mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, Ai do të na ndihmojë të sigurojmë për nevojat tona dhe do të na përgatitë një vend në mbretërinë e Tij.)
Në ç’mënyra mund të përpiqemi ta sjellim mbretërinë e Perëndisë? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, ju mund të doni t’i referoheni parimit që përcaktuat më herët rreth përkushtimit të jetës sonë ndaj çështjeve shpirtërore përkundrejt shqetësimeve tokësore.)
Dëshmoni për mënyrën se si jeni bekuar ndërsa keni kërkuar t’i jepni përparësi çështjeve shpirtërore përkundrejt shqetësimeve tokësore dhe të sillni mbretërinë e Perëndisë. Nxitini studentët të përsiatin nëse ata janë të përqendruar më shumë te çështjet shpirtërore apo te shqetësimet tokësore. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëjnë për t’i dhënë përparësi çështjeve shpirtërore përkundrejt shqetësimeve tokësore dhe për të sjellë mbretërinë e Perëndisë.
Përmblidheni Llukën 12:35–59, duke shpjeguar se Shpëtimtari u mësoi ndjekësve të Tij të përgatiteshin për Ardhjen e Tij të Dytë. Ai i ndihmoi ata të kuptonin se “kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë” (vargu 48), dhe Ai shpjegoi se ungjilli i Tij do të shkaktonte përçarje të madhe midis njerëzve.