Mësimi 53
Lluka 15
Hyrje
Farisenjtë dhe skribët u ankuan për shoqërimin e Shpëtimtarit me tagrambledhësit dhe mëkatarët. Shpëtimtari iu përgjigj duke dhënë shëmbëlltyrat e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plangprishës.
Sugjerime për Mësimdhënien
Lluka 15:1–10
Jezusi jep shëmbëlltyrën e deles së humbur dhe të dhrahmisë së humbur
Fillojeni orën mësimore duke i pyetur studentët nëse kanë humbur ndonjëherë ndonjë gjë që ishte e çmuar për ta.
-
Çfarë ishit i gatshëm të bënit për ta gjetur atë? Përse?
-
Çfarë mendoni se do të thotë që një person ka “humbur” shpirtërisht? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se kjo mund t’u drejtohet atyre që nuk e kanë marrë ende ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, apo nuk janë duke jetuar aktualisht sipas mësimeve të ungjillit.)
Ftojeni klasën të mendojë për dikë që ata e njohin, i cili mund të ketë humbur shpirtërisht. Kërkojuni atyre të përsiatin se si ndihen rreth këtij personi.
Shpjegoni se Lluka 15 përmban mësimet e Shpëtimtarit rreth atyre që kanë humbur shpirtërisht. Ftojini studentët të kërkojnë të vërtetat te Lluka 15, lidhur me mënyrën se si ndihet Ati Qiellor rreth atyre që kanë humbur shpirtërisht dhe përgjegjësitë që ne kemi ndaj tyre.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 15:1–2. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush iu afrua Jezusit dhe për çfarë u ankuan farisenjtë e skribët.
-
Kush iu afrua Shpëtimtarit? Përse po ankoheshin farisenjtë dhe skribët?
-
Çfarë tregoi kjo ankesë për farisenjtë dhe skribët?
Shpjegoni se Shpëtimtari iu përgjigj duke dhënë tre shëmbëlltyra: një të deles së humbur, një të dhrahmisë së humbur dhe një të djalit plangprishës. Këto shëmbëlltyra kishin për qëllim që të jepnin shpresë për mëkatarin si edhe të dënonin hipokrizinë dhe vetëkënaqësinë e skribëve dhe të farisenjve. Nxitini studentët t’i kushtojnë vëmendje arsyes përse humbi subjekti i çdo shëmbëlltyre dhe se si u gjet ai.
Kopjoni në dërrasë tabelën vijuese ose jepuani studentëve si një fletushkë. Grupojini studentët në dyshe dhe caktojeni një student të studiojë Llukën 15:3–7 dhe studentin tjetër të studiojë Llukën 15:8–10. Ftojini studentët të lexojnë shëmbëlltyrat e caktuara atyre, duke kërkuar përgjigjet për pyetjet në kolonën e majtë. (Shëmbëlltyra e tretë do të trajtohet më vonë në mësim.)
Shëmbëlltyra e Deles, e Dhrahmisë dhe e Djalit të Humbur
Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 53
Çfarë humbi? | |||
Përse humbi? | |||
Si u gjet? | |||
Cilat fjalë ose fraza përshkruajnë reagimin për gjetjen e tij/saj? |
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat.
Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që të shpjegojnë shëmbëlltyrat e caktuara atyre dhe t’u raportojnë partnerëve përgjigjet e tyre për pyetjet në tabelë. Pasi të dy studentët në secilin grup të kenë mbaruar, ftojini disa studentë që të vijnë në dërrasë dhe ta plotësojnë tabelën me përgjigjet e tyre, ose (nëse nuk e vizatuat tabelën në dërrasë) t’i tregojnë klasës përgjigjet e tyre.
-
Cili është ndryshimi midis mënyrës se si humbi delja dhe dhrahmia? (Delja humbi jo për faj të vet, ndërsa dhrahmia humbi për shkak të shpërfilljes ose të pakujdesisë së zotëruesit të saj [shih David O. McKay, në Conference Report, prill 1945, f. 120–122].)
-
Sipas vargut 7 dhe 10, çfarë përfaqësojnë dhrahmia dhe delja e gjetur? (Ato përfaqësojnë një mëkatar që është penduar dhe është kthyer te Perëndia.)
-
Cila është përgjegjësia jonë ndaj atyre që kanë humbur, pavarësisht nga mënyra se si humbën?
Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Kur ne i ndihmojmë të tjerët që të ndiejnë dëshirë për t’u penduar …
-
Bazuar në përgjigjet e atyre që e gjetën atë që kishte humbur, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne i ndihmojmë të tjerët që të ndiejnë dëshirë për t’u penduar, ne ndiejmë lumturi dhe qiejt gëzohen. Plotësoni parimin e shkruar në tabelë. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që të marrin parasysh ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta pranë Llukës 15:1–10.)
-
Si e keni ndihmuar ju apo dikush që ju njihni një person i cili kishte humbur shpirtërisht, të ndiente dëshirën për t’u penduar apo afruar me Atin Qiellor? Kur ju ka ndihmuar dikush? (Kujtojuni studentëve se ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo vetjake.)
Lluka 15:11–32
Jezusi jep shëmbëlltyrën e djalit plangprishës
Ftojeni klasën të marrë në shqyrtim skenarin vijues: Një e re ka bërë mëkate të rënda, dhe ka reshtur së luturi dhe së shkuari në kishë. Ajo ndien një dëshirë që të fillojë të lutet dhe t’i jetojë standardet e Zotit, por shqetësohet se Ai nuk do ta dojë atë sërish.
Kërkojuni studentëve të mendojnë nëse ata njohin dikë që mund të jetë ndier si individi në skenar. Shpjegoni se shëmbëlltyra e tretë te Lluka 15 është historia e një djali plangprishës (që nënkupton një njeri që është dorëlëshuar dhe shkapërderdhës i pamend), e vëllait të tij të madh dhe e atit të tyre. Ftojini studentët, që ndërsa e studiojnë këtë shëmbëlltyrë, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë individët të cilët mund të ndiejnë se kanë humbur pa kurrfarë shprese.
Merrni parasysh që t’i ndani studentët në grupe me nga tre veta. Jepini çdo grupi një kopje të fletushkës vijuese. Ftojini ata që të lexojnë me zë të lartë në grupet e tyre Llukën 15:11–32. Caktojeni një student që ta shqyrtojë shëmbëlltyrën nga këndvështrimi i djalit plangprishës, studentin e dytë që ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i atit dhe studentin e tretë që ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i vëllait të madh.
Pasi studentët të kenë mbaruar së lexuari, kërkojuni atyre që në grupet e tyre të diskutojnë pyetjet në fletushkë.
Pyetini studentët se si do ta plotësonin kolonën e tretë (Lluka 15:11–32) të tabelës në dërrasë ose në fletushkën e parë. Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë ose ftojini ata që t’i shkruajnë përgjigjet në fletushkat e tyre.
-
Përse humbi djali plangprishës? (Në dallim nga delja dhe dhrahmia, djali plangprishës humbi për shkak të vetë rebelimit të tij.)
-
Kur kuptojmë se ati në këtë shëmbëlltyrë përfaqëson Atin Qiellor, çfarë mund të mësojmë rreth mënyrës se si iu përgjigjet Ati Qiellor atyre që kthehen tek Ai duke u penduar? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse kthehemi tek Ati Qiellor duke u penduar dhe duke e kërkuar faljen e Tij, Ai do të gëzohet dhe do të na mirëpresë sërish me krahë të hapura. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
-
Si mund t’i ndihmojë ky parim ata që ndihen të humbur shpirtërisht?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Imazhi i dhembshur i babait plot ankth e besnik të këtij djali, që vrapon për ta takuar atë dhe e mbulon me të puthura, është një nga skenat më prekëse dhe më mallëngjyese në gjithë shkrimin e shenjtë. Ai i tregon çdo fëmije të Perëndisë, i pabindur apo jo, se sa shumë Perëndia do që ne të kthehemi në krahët e Tij mbrojtës” (“The Other Prodigal”, Ensign, maj 2002, f. 62).
Kujtojuni studentëve vëllanë e madh në shëmbëlltyrë.
-
Si mendoni ju, përse vëllai i madh qe i zemëruar?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Holland dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për ide lidhur me arsyen përse vëllai i madh qe i zemëruar:
“Ky djalë nuk është kaq i zemëruar me faktin se vëllai tjetër ka ardhur në shtëpi, sa është i zemëruar me faktin që prindërit e tij janë kaq të lumtur për këtë. Duke u ndier i pavlerësuar dhe ndoshta më shumë se i vetëmëshiruar, ky bir i bindur – dhe ai është mrekullisht i bindur – harron për një çast se atij kurrë nuk i është dashur të njihet me ndyrësinë ose dëshpërimin, frikën ose vetëurrejtjen. Ai harron për një çast se çdo viç i fermës është tashmë i tij dhe kështu janë të gjitha veshjet në gardërobë dhe çdo unazë në sirtar. Ai harron për një çast se besnikëria e tij ka qenë dhe gjithmonë do të shpërblehet. …
… Ai ende duhet të zhvillojë dhembshurinë dhe mëshirën, shtrirjen dashamirëse të vizionit për të parë se ky nuk është një kthim konkurrues. Ky është vëllai i tij. …
Sigurisht, ky vëlla i vogël kishte qenë një i burgosur – një i burgosur i mëkatit, marrëzisë dhe i një stalle derrash. Por edhe vëllai i madh është i burgosur në disa mënyra. Ai duhet, por ende, nuk ka qenë në gjendje të dalë nga burgu i vetes së tij. Ai përndiqet nga përbindëshi ziliqar i xhelozisë” (“The Other Prodigal”, f. 63).
-
Sipas Plakut Holland, përse qe i zemëruar vëllai i madh?
-
Çfarë duhet të sjellim ndër mend ne kur e shohim Perëndinë të jetë i mëshirshëm dhe i bekon ata që pendohen dhe kthehen tek Ai?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë rreth të bërit më shumë si Ati ynë në Qiell? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ne mund të bëhemi më shumë si Ati ynë në Qiell kur reagojmë me dhembshuri e gëzim kur të tjerët pendohen.)
Rishikoni parimet që studentët mësuan nga shëmbëlltyra te Lluka 15. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë mënyrën se si mund t’i kishin përdorur këto parime për t’iu përgjigjur farisenjve dhe skribëve, të cilët u ankuan kur Jezusi hëngri me mëkatarët.
I kujtoni studentët për personin që ata menduan në fillim të orës së mësimit, i cili mund të ketë humbur shpirtërisht. Nxitini ata që plot lutje të marrin në shqyrtim mënyrën se si mund të jenë në gjendje ta ndihmojnë atë person të pendohet dhe afrohet me Atin Qiellor. Ftojini studentët t’i shkruajnë përgjigjet e pyetjeve vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Cila është një mënyrë se si ju do ta zbatoni atë që keni mësuar sot?