Mësimi 59
Lluka 24
Hyrje
Ditën e tretë pas vdekjes së Jezu Krishtit, engjëjt në varr ia lajmëruan Ringjalljen e Tij një grupi grash. Kur e dëgjuan lajmin e grave, disa nga dishepujt e vunë në dyshim mundësinë e Ringjalljes së Shpëtimtarit. Dy dishepuj udhëtuan për në Emaus dhe, pa e njohur Zotin e ringjallur, folën me Të përgjatë udhës. Jezusi më vonë iu shfaq Apostujve të Tij dhe të tjerëve, u tregoi atyre trupin e Tij të ringjallur dhe i porositi ata që të predikonin pendim dhe të ishin dëshmitarë të Tij.
Sugjerime për Mësimdhënien
Lluka 24:1–12
Engjëjt lajmërojnë një grup grash se Jezu Krishti është ringjallur
Nëse nuk keni mundësi që ta shfaqni videon, ftojini studentët të përfytyrojnë sikur të kishin qenë te varri kur Jezusi u vendos atje dhe ta kishin parë gurin të rrokullisej përpara hyrjes. Kërkojuni atyre të përfytyrojnë mendimet dhe ndjenjat që mund të kishin patur atje. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që zbuluan gratë kur u kthyen te varri tre ditë më vonë.
Pasi të shfaqni një pjesë nga videoja ose të lexoni vargjet 1–4, bëni pyetjet:
-
Kë gjetën gratë te varri?
-
Si do të kishit reaguar nëse do të kishit parë engjëj të qëndronin në varrin e hapur?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:5–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që engjëjt u thanë grave. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.
Përmblidheni Llukën 24:9–10, duke shpjeguar se gratë u larguan nga varri dhe u thanë dishepujve atë që kishin parë e dëgjuar.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:11 dhe vëreni klasën të kërkojë reagimin e Apostujve ndaj fjalëve të grave. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.
Shpjegoni se pasi e dëgjuan raportimin e grave, Pjetri dhe Gjoni vrapuan për te varri dhe zbuluan se trupi i Jezusit nuk ishte atje (shih Lluka 24:12; Gjoni 20:1–4).
Lluka 24:13–32
Zoti i ringjallur u flet dy dishepujve rrugës për në Emaus
Kërkojuni studentëve të përsiatin një rast kur ata, ashtu si dishepujt në këtë rrëfim, kanë patur vështirësi për ta besuar një koncept të ungjillit.
Shpjegoni se te Lluka 24:13, ne mësojmë se dy dishepuj u larguan nga Jeruzalemi “po atë ditë”, duke udhëtuar 10–12 kilometra “drejt një fshati, me emër Emaus”. Studimi i përvojës së tyre gjatë rrugës për në Emaus, mund të na ndihmojë të dimë se si ta forcojmë dëshminë tonë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:14–17, dhe vëreni klasën të kërkojë se kush iu bashkua dy dishepujve ndërkohë që ata po ecnin.
-
Kush iu bashkua dishepujve ndërkohë që ata po udhëtonin?
-
Përse dishepujt nuk e njohën Jezusin? (Shpjegoni se fjala të penguar [vargu 16] do të thotë të kufizuar ose të mbuluar.)
Vini në dukje se në këtë video, ne nuk e dëgjojmë atë që Jezusi u mësoi dishepujve ndërkohë që ata po ecnin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:27, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Jezusi u mësoi dishepujve.
-
Çfarë u mësoi Jezusi dishepujve? Çfarë mjeti përdori Ai për t’u dhënë mësim mbi Veten e Tij?
-
Sipas Llukës 24:32, si ndikuan te dy dishepujt mësimet e Shpëtimtarit nga shkrimet e shenjta?
-
Çfarë do të thotë që dishepujve “[iu] digjej zemra përbrenda”? (Fryma e Shenjtë dëshmoi se mësimet për Jezusin në shkrimet e shenjta ishin të vërteta.)
Ftojini studentët të përsiatin atë që dishepujt mund të kenë mësuar nga përdorimi i shkrimeve të shenjta nga ana e Jezusit për t’i mësuar ata, në vend që thjesht t’ua zbulonte se kush ishte Ai. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve të tregojnë mendimet e tyre.
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth ndikimit të vetë studimit tonë të shkrimeve të shenjta? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë që të na mësojë për Jezu Krishtin.)
-
Përveç një djegie në zemrën tonë, në ç’mënyrë tjetër do ta përshkruanit atë që ne mund të përjetojmë teksa Fryma e Shenjtë dëshmon për Jezu Krishtin?
Kërkojuni studentëve të gjejnë vendndodhjen e një shkrimi të shenjtë, që i ka ndihmuar ta ndiejnë Frymën e Shenjtë kur u ka dhënë mësim për Jezu Krishtin. Ftojini ata t’i tregojnë shkrimet e tyre të shenjta dhe ndikimet e asaj që kanë ndier. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një shkrim të shenjtë që ju ka ndihmuar juve personalisht.
Kujtojuni studentëve që edhe pse është e rëndësishme ta lexojnë Dhiatën e Re për kreditet e seminarit, është akoma edhe më e rëndësishme që t’i studiojnë shkrimet e shenjta në një mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund ta forcojë dëshminë e tyre për Shpëtimtarin.
Jepni kopje të një libërshenjuesi që përmban thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (ose ftojini studentët ta shkruajnë thënien në një libërshenjues bosh):
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Kristoferson. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrat me anë të të cilave ata mund ta përmirësojnë studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.
Ftojini studentët të vendosin një synim për t’i studiuar shkrimet e shenjta në mënyra që e ftojnë Frymën e Shenjtë ta shtojë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe njohurinë e tyre për Të. Ju mund të sugjeroni që ata ta shkruajnë këtë synim në anën e prapme të libërshenjuesit, në mënyrë që të mund ta përdorin atë si një kujtues gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta.
Lluka 24:33–53
Jezusi u shfaqet dishepujve të Tij dhe u tregon atyre trupin e Tij të ringjallur
Ftojini dy studentë që t’i sjellin shkrimet e tyre të shenjta përpara klasës për të ndihmuar në interpretimin me role të një skene që portretizon misionarë që i afrohen derës së dikujt. Udhëzojini ata të trokasin. Hiquni sikur hapni një derë dhe përshëndetini ata. U thoni atyre të prezantojnë veten e tyre. Pasi ta kenë bërë këtë, thoni diçka të ngjashme me sa vijon:
“Kam një pyetje. Njoh shumë njerëz që nuk besojnë te jeta pas vdekjes. Disa prej tyre thonë se besojnë te Jezu Krishti, por nuk besojnë se Ai u ringjall me një trup fizik. Ata thonë se Ai vazhdoi të jetonte vetëm si shpirt. Çfarë besoni ju rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit?”
Jepuni dy studentëve kohë për t’iu përgjigjur pyetjes.
Vini në dukje se Lluka 24:36–39 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe mund të ndihmojë për të na mësuar rreth Ringjalljes së vërtetë të Jezu Krishtit. Jepeni kontekstin për këtë fragment duke shpjeguar se dishepujt që ishin me Jezusin rrugës për në Emaus, u kthyen menjëherë në Jeruzalem dhe ua treguan përvojën e tyre Apostujve dhe dishepujve të tjerë (shih Lluka 24:33–35). Ndërsa ata po bisedonin, iu shfaq Shpëtimtari (shih vargun 36).
Ftojeni njërin prej studentëve që ndihmoi në interpretimin me role, të lexojë me zë të lartë Llukën 24:36–39. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar provën që Jezusi u ringjall me të vërtetë dhe ka një trup prej mishi e kockash.
-
Çfarë i ftoi Jezusi dishepujt e Tij të bënin, për t’i ndihmuar të kuptonin se Ai nuk ishte thjesht një shpirt, por kishte një trup fizik? (Merrni parasysh të paraqitni figurën Jezusi Tregon Plagët e Tij [Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 60; shih edhe LDS.org].)
-
Si mendoni se do të ndiheshit nëse do të kishit qenë i pranishëm kur Krishti iu shfaq dishepujve të Tij?
Falënderojini studentët që ndihmuan në interpretimin me role dhe u kërkoni të ulen. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:40–43. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tjetër bëri Jezusi për të treguar se Ai kishte një trup të prekshëm (ose fizik), të ringjallur.
-
Çfarë tjetër bëri Shpëtimtari që tregoi se Ai kishte një trup të ringjallur?
-
Çfarë doktrinash mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi doktrinash, por sigurohuni që të theksojnë se Jezu Krishti ka një trup të ringjallur prej mishi dhe kockash. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)
-
Përse është e rëndësishme që kjo doktrinë të kuptohet dhe besohet?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:
“Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen – do të shpëtohen nga vdekja fizike (shih 1 Korintasve 15:22). Ringjallja është ribashkimi i shpirtit me trupin, në një gjendje të përkryer të pavdekshme, jo më i nënshtruar ndaj sëmundjes apo vdekjes (shih Alma 11:42–45). …
Një kuptueshmëri dhe dëshmi e ringjalljes mund t’ju japë shpresë dhe perspektivë ndërsa përjetoni sfidat, sprovat dhe triumfet e jetës. Ju mund të gjeni ngushëllim në sigurinë se Shpëtimtari jeton dhe se nëpërmjet Shlyerjes së Tij ‘ai këput rripat e vdekjes, që varri të mos ketë fitore dhe thumbi i vdekjes të gëlltitet në shpresat e lavdisë’ (Alma 22:14)” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 145–146).
-
Cilët janë disa shembuj të sprovave që shpresa e vetë ringjalljes sonë mund të na ndihmojë t’i durojmë?
Kërkojuni disa studentëve që të dëshmojnë për Ringjalljen e Shpëtimtarit dhe të shpjegojnë përse doktrina e Ringjalljes është e rëndësishme për ta.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 24:44–53. Kërkojini klasës t’i vënë veshin fjalëve të Shpëtimtarit, sikur ata të kishin qenë pjesë e grupit të dishepujve që ishin me Të dhe të marrin në shqyrtim se cilat mësime mund të kenë qenë më kuptimplotat për ta. Ftojini disa studentë që të tregojnë mendimet e tyre rreth mësimeve në këto vargje.
Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Lluka 24:36–39
Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh Llukën 24:36–39, ndajeni klasën në katër grupe. Caktojini secilit grup një varg të ndryshëm nga ky fragment dhe udhëzojini studentët në secilin grup, që të punojnë së bashku për të mësuar përmendsh vargun e caktuar atyre. Pas disa minutash, kërkojini secilit grup të thonë përmendsh vargun e caktuar atyre sipas rendit të vargjeve. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që t’i thonë përsëri përmendsh vargjet e tyre, për disa orë mësimore, derisa i gjithë fragmenti të bëhet i njohur për çdokënd.