Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Mateu 26:31–Marku 3:35 (Njësia 7)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Mateu 26:31Marku 3:35 (Njësia 7)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Mateun 26:31Markun 3 (njësia 7) nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Mateu 26:31–75)

Kur studentët studiuan vuajtjen e Jezusit në kopshtin e Gjetsemanit, ata mësuan se Jezu Krishti ia nënshtroi vullnetin e Tij vullnetit të Atit për të kryer Shlyerjen dhe se ne e ndjekim shembullin e Jezu Krishtit kur zgjedhim t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Atit Qiellor. Nga udhëzimet e Shpëtimtarit drejtuar Apostujve në Gjetseman, studentët mësuan se, nëse rrimë zgjuar dhe lutemi vazhdimisht, ne do të kemi forcë për t’i bërë ballë tundimit.

Dita 2 (Mateu 27–28)

Nga rrëfimi i Kryqëzimit të Shpëtimtarit, studentët mësuan se si pjesë e Shlyerjes, Jezu Krishti ndjeu tërheqjen e Shpirtit të Atit Qiellor. Ata gjithashtu mësuan se Jezu Krishti vuajti për të përmbushur vullnetin e Atit Qiellor, ashtu siç premtoi te Mateu 26. Dhe kur studentët studiuan rrëfimin e velit të tempullit që u gris në dy pjesë me vdekjen e Shpëtimtarit, ata mësuan se ajo simbolizon të vërtetën që për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne të gjithë mund të hyjmë në praninë e Perëndisë nëse pendohemi dhe i mbajmë besëlidhjet tona.

Dita 3 (Marku 1)

Nga rrëfimi i Jezusit që dëbon frymën e ndyrë, studentët mësuan se Shpëtimtari ka fuqi mbi djallin dhe ndjekësit e tij. Studentët gjithashtu mësuan se ashtu si Jezusi pati dhembshuri për lebrosin dhe e pastroi atë, kur ne ushtrojmë besim dhe vijmë te Shpëtimtari, Ai do të ketë dhembshuri për ne dhe do të na pastrojë nga mëkati.

Dita 4 (Marku 2–3)

Kur studentët studiuan faljen dhe shërimin e burrit të paralizuar, ata mësuan se Jezu Krishti ka fuqinë për të na shëruar shpirtërisht dhe fizikisht. Kur ata studiuan për Jezusin që hëngri darkë me tagrambledhësit dhe mëkatarët, ata mësuan se Shpëtimtari dëshiron të na ndihmojë që të pendohemi për mëkatet tona dhe të shërohemi. Ndërsa lexuan për rastin kur farisenjtë e dënuan Jezusin dhe dishepujt e Tij për shkeljen e [ditës] së Shabatit, studentët mësuan se ne mund ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit duke e lëvduar Perëndinë dhe duke bërë vepra të mira.

Hyrje

Jezu Krishti u ringjall dhe iu shfaq shumë individëve, përfshirë Apostujve të Tij. Ai i urdhëroi Apostujt e Tij që ta çonin ungjillin në të gjitha kombet.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 28

Jezu Krishti ringjallet dhe u shfaqet shumë njerëzve

Kërkojuni studentëve të mendojnë nëse atyre apo dikujt që ata njohin u ka vdekur dikush i afërt. Më pas pyeteni klasën:

  • Përse mund të jetë e vështirë për ne vdekja e një njeriu të dashur?

Vërini studentët që ndërsa studiojnë Mateun 28, të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë të gjejnë ngushëllim kur një njeri i dashur vdes.

Shpjegoni se herët në ditën e parë të javës – të dielën – Maria Magdalena dhe një grua tjetër e quajtur Maria, shkuan te varri ku ishte vendosur trupi i Jezusit.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 28:1–6. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që gjetën gratë ndërsa iu afruan varrit.

  • Çfarë gjetën gratë ndërsa iu afruan varrit? (Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smithit-it i këtyre vargjeve sqaron se gratë panë dy engjëj, jo një [shih Mateu 28:2, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht; shih edhe Gjoni 20:12].)

  • Si mendoni se do të kishit reaguar po të shikonit dy engjëj?

  • Sipas vargut 4, si reaguan rojet?

  • Sipas vargjeve 5–6, çfarë u thanë engjëjt grave?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto fjalë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Jezu Krishti u ringjall nga të vdekurit.)

handout iconPër t’i ndihmuar studentët të kuptojnë doktrinën e Ringjalljes, ndajini ata në grupe me nga dy ose tre studentë dhe ftojini ta plotësojnë fletushkën shoqëruese në grupet e tyre.

fletushkë, Ai … u ringjall

“Ai … u ringjall” (Mateu 28:6)

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi i Studimit në Shtëpi (Njësia 7)

Studioni pjesën e titulluar “Ringjallja” te Bible Dictionary [Fjalori Biblik në variantin shdm të Biblës në anglisht] [ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta f. 161]. Pastaj diskutoni për pyetjet më poshtë dhe shënojini përgjigjet tuaja në hapësirat e dhëna.

Cili është ndryshimi midis të qenit i sjellë sërish nga të vdekurit dhe të qenit i ringjallur?

Çfarë do t’i ndodhë të gjithë njerëzimit si pasojë e Ringjalljes së Jezu Krishtit?

Si mund të sigurojë ngushëllim të kuptuarit e doktrinës së Ringjalljes për ata që i kanë humbur njerëzit e tyre të dashur?

Kërkojuni disa studentëve që t’i raportojnë klasës atë që mësuan duke plotësuar fletushkën.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Mrekullia e atij mëngjesi të ringjalljes, e asaj të diele të parë të Pashkës, është një mrekulli për gjithë njerëzimin. Është mrekullia e fuqisë së Perëndisë, Biri i Dashur i të cilit dha jetën e Tij për të shlyer mëkatet e gjithë njerëzve, një sakrificë dashurie për çdo bir dhe bijë të Perëndisë. Duke e bërë këtë, Ai theu vulat e vdekjes. …

Dhe ashtu siç Ai e mori trupin e Tij e doli nga varri, po ashtu të gjithë ne do të gëzojmë një ribashkim të trupit dhe shpirtit, për t’u bërë shpirtra të gjallë në ditën e vetë ringjalljes sonë.

Prandaj, ne gëzohemi ashtu si edhe shumë njerëz, dhe ashtu siç duhet të gëzojë i gjithë njerëzimi, kur ne kujtojmë ngjarjen më të lavdishme, më ngushëlluese, më siguruese nga të gjitha ngjarjet e historisë njerëzore – fitoren mbi vdekjen” (“The Victory over Death”, Ensign, prill 1997, f. 4).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 28:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që iu tha grave të bënin të cilat ishin në varrin e Jezusit.

  • Sipas vargut 7, çfarë i urdhëruan engjëjt gratë të bënin?

  • Si mendoni ju, përse gratë u nisën “me frikë dhe me gëzim të madh”? (Mateu 28:8).

  • Çfarë u ndodhi grave kur ato shkuan që t’u tregonin dishepujve rreth përvojës së tyre?

Përmblidheni Mateun 28:11–15, duke shpjeguar se ndërsa gratë po nxitonin për t’u sjellë dishepujve lajmin e Ringjalljes së Jezusit, krerët e priftërinjve e dëgjuan atë që kishte ndodhur nga ushtarët që ruanin varrin. Udhëheqësit judenj druheshin se njerëzit mund ta mësonin të vërtetën, kështu që ata i paguan rojet të përhapnin gënjeshtra sikur dishepujt e Shpëtimtarit e kishin marrë trupin e Tij nga varri ndërsa rojet flinin.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mateun 28:16–18. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimin që u erdhi të njëmbëdhjetë Apostujve ndërsa iu bindën mesazhit që gratë u dhanë atyre dhe shkuan në Galile.

  • Çfarë bekimi u erdhi të njëmbëdhjetë Apostujve për shkak se iu bindën mesazhit për të shkuar në Galile? (Ata panë Zotin e ringjallur.)

Ftojini studentët të ngrihen në këmbë dhe të lexojë me zë të lartë së bashku Mateun 28:19–20. Kujtojuni atyre se ky është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Vëreni klasën të rishikojë vargjet 19–20, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i urdhëroi Apostujt e Tij të bënin pasi e panë Atë.

  • Çfarë u urdhëruan Apostujt të bënin pasi e kishin parë Shpëtimtarin?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e tyre rreth përgjegjësisë që kemi ne kur fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Kur fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin, ne kemi përgjegjësinë që t’u dëshmojmë të tjerëve për Të.)

Kujtojuni studentëve se si pjesë e mësimit të studimit në shtëpi te Mateu 27–28, ata renditën mënyrat se si mund t’u dëshmonin të tjerëve për Jezu Krishtin (detyra 3 në Njësinë 7: mësimi i Ditës 2). Ftojini studentët të tregojnë atë që shkruan dhe të shpjegojnë e të japin shembuj të ideve të tyre. Ju mund të doni t’i renditni në tabelë idetë e tyre.

  • Sipas Mateut 28:20, çfarë premtimi u dha Shpëtimtari dishepujve të Tij?

  • Në ç’mënyra ka qenë Zoti “me ju”, ose ju ka ndihmuar në përpjekjet tuaja për të ndarë ungjillin?

Merrni parasysh që t’i ftoni studentët t’i tregojnë klasës dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin, në grupe të vogla ose në dyshe. Ju gjithashtu mund të doni t’i tregoni klasës dëshminë tuaj për Jezu Krishtin. Kujtojuni studentëve se ata shkruan edhe një synim si detyrë në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, lidhur me mënyrën se si do t’u dëshmojnë të tjerëve për Jezu Krishtin. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës synimet e tyre.

Njësia Tjetër (Marku 4–9)

Shpjegojuni studentëve se në njësinë tjetër, ata do të mësojnë më shumë rreth mrekullive që kreu Jezu Krishti, të tilla si ecjen mbi ujë, dëbimin e demonëve nga një burrë dhe ngritjen e një vajze të vogël nga të vdekurit. Pyetini studentët nëse kanë qenë ndonjëherë në një furtunë të madhe dhe se si u ndien gjatë saj. Ftojini ata të marrin në shqyrtim nëse janë ndier ndonjëherë sikur kanë pasur furtuna apo sfida të mëdha në jetën e tyre vetjake. Ftojini ata, që ndërsa studiojnë Markun 4–9 gjatë javës së ardhshme, të kërkojnë mënyra për të gjetur paqe në mes të kohëve sfiduese.