Mësimi 38
Marku 7–8
Hyrje
Jezusi i qortoi farisenjtë për traditat e tyre të rreme. Ai më pas shëroi me dhembshuri një fëmijë të pushtuar nga një demon, si edhe një burrë që ishte i shurdhër dhe kishte pengesë në të folur. Ai ushqeu katër mijë njerëz pranë detit të Galilesë dhe udhëtoi për në Betsaida, ku shëroi me faza një burrë të verbër.
Sugjerime për Mësimdhënien
Marku 7
Jezusi qorton farisenjtë, shëron një fëmijë të pushtuar nga një demon dhe shëron një burrë të shurdhër
Përpara orës mësimore, u jepni tre studentëve udhëzimet vijuese. Studenti 1: “Kur të udhëzoheni që të bëni kështu, ecni rreth e rrotull klasës pa një pallto dhe hiquni sikur po dridheni.” Studenti 2: “Kur të udhëzoheni që të bëni kështu, ecni rreth e rrotull klasës dhe pyesni nëse dikush e ka parë kafshën e humbur shtëpiake të familjes suaj.” Studenti 3: “Kur të udhëzoheni që të bëni kështu, hapeni çantën e shpinës në mënyrë që artikujt të mund të bien kur të ecni.” (Ju mund ta përshtatni këtë veprimtari duke përdorur situata të tjera që tregojnë studentë në nevojë, por jini të kujdesshëm që të mos merrni shumë kohë.)
Kur të fillojë ora mësimore, drejtojini studentët që t’i plotësojnë këto udhëzime me radhë. Vëreni klasën të kërkojë atë që kanë të përbashkët këto tre situata.
-
Çfarë kanë të përbashkët këto situata? (Secila prej këtyre situatave përfaqëson dikë që është në nevojë.)
-
Sa shpesh kemi mundësi që t’i ndihmojmë të tjerët në nevojë? Cilat janë disa mundësi që ju i keni parë kohët e fundit?
Nxitini studentët që ndërsa studiojnë Markun 7–8, të kërkojnë atë që Shpëtimtari na mëson të bëjmë kur vëmë re dikë në nevojë.
Përmblidheni Markun 7:1–30, duke shpjeguar se Shpëtimtari i qortoi farisenjtë për ndjekjen e traditave të gabuara. Ai gjithashtu shëroi vajzën e një gruaje greke, e cila qe e pushtuar nga një demon. Kujtojuni studentëve se në këtë kohë, misioni i Shpëtimtarit ishte për shtëpinë e Izraelit, jo për johebrenjtë, por prapëseprapë Ai e ndihmoi me dhembshuri këtë grua johebrease që i kërkoi Atij me ngulm.
Ftojini studentët që të gjejnë vendndodhjen e qyteteve të Tiros dhe Sidonit dhe detin e Galilesë në Hartat e Biblës, nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhiatës së Re” [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Shpjegoni se pasi Shpëtimtari u largua nga Tiro dhe Sidoni, Ai udhëtoi për në anën lindore të detit të Galilesë, në krahinën e Dekapolit.
Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata që të lexojnë së bashku Markun 7:31–37, duke kërkuar për mënyrën se si Shpëtimtari tregoi dhembshuri për një burrë në Dekapoli. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që t’i diskutojnë pyetjet vijuese me partnerët e tyre:
-
Çfarë kushtesh kërkoheshin që ky burrë të shërohej?
-
Çfarë bëri Shpëtimtari përpara se ta shëronte burrin?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë veprimet e Shpëtimtarit, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Zoti po merret me një shpirt besues që nuk mund t’i dëgjojë fjalët e tij apo të japë përgjigje të rrjedhshme për to. Dhe prandaj, a ka gjë më të natyrshme se sa të përdorësh shenja të përbashkëta, të njohura dhe të kuptueshme nga burri i shurdhër dhe me probleme në të folur, për të treguar atë që Mësuesi mund dhe do ta bënte … ?” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:373).
-
Çfarë na mësojnë veprimet e Shpëtimtarit në këtë situatë rreth karakterit të Tij?
Shpjegoni se përveç paralajmërimit të Shpëtimtarit ndaj atyre që Ai i shëroi, për të mos i treguar mrekullitë e Tij, njerëzit në rajonin e Dekapolit prapë dëgjuan rreth gjërave të mrekullueshme që Shpëtimtari kishte bërë dhe turma të mëdha u mblodhën tek Ai (shih Marku 7:36–37).
Marku 8:1–21
Jezusi ushqen më shumë se katër mijë njerëz
Ftojini studentët që t’i përgjigjen pyetjes vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
A ka ndonjë rast kur dikush e vuri re se ju kishit nevojë për ndihmë dhe bëri diçka për t’ju ndihmuar?
Shpjegoni se më vonë gjatë mësimit, studentët që do të duan të tregojnë përvojat e tyre do ta kenë mundësinë për ta bërë këtë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 8:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë problemin që u krijua për shkak të turmës që e ndoqi Jezusin.
-
Çfarë problemi u krijua për turmën? Kush e kuptoi nevojën e turmës?
-
Për çfarë u shqetësua Shpëtimtari se mund të ndodhte nëse njerëzit përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre pa ngrënë më parë?
-
Sipas vargut 2, si u ndie Shpëtimtari për turmën? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “kam mëshirë për këtë turmë”, e cila tregon se Shpëtimtari ndjeu keqardhje dhe shqetësim për njerëzit.)
Ftojini dy studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 8:4–9. Vëreni klasën që t’i ndjekë, duke kërkuar atë që erdhi si rrjedhojë e mëshirës së Shpëtimtarit.
-
Çfarë bëri Shpëtimtari për turmën?
-
Sa njerëz u ushqyen?
-
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit në këtë rrëfim? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i kuptuar nevojat e të tjerëve dhe pastaj duke ndihmuar për t’i përmbushur ato nevoja. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë parim, shpjegoni se Motra Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim se me qëllim që ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për t’i shërbyer fëmijëve të Perëndisë, ne duhet që “së pari [të] vëzhgo[jmë], pastaj [të] shërbe[jmë]” (“Së Pari Vëzhgoni, Pastaj Shërbeni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 78). Shkruajeni këtë frazë në tabelë nën parimin [e mësipërm].
-
Si mund të mësojmë të jemi më vëzhgues ndaj nevojave të të tjerëve? (Merrni parasysh të vini në dukje se disa nevoja mund të mos shfaqen menjëherë. Sidoqoftë, ne mund të lutemi dhe të kërkojmë ndihmë që t’i vëmë re nevojat e të tjerëve dhe t’i përqendrojmë mendimet tona tek të tjerët se sa te vetja jonë.)
-
Çfarë mund ta pengojë aftësinë tonë për t’i vënë re nevojat e të tjerëve dhe për të ndihmuar që t’i përmbushim ato?
Ftojini disa studentë që të tregojnë përvojat që ata shkruan, rreth një rasti kur dikush vërejti se ata ishin në nevojë dhe u dha ndihmë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:
“Sa herë jeni prekur në zemër kur keni dëshmuar nevojën e një tjetri? Sa shpesh keni pasur ndër mend të ishit ai që jep ndihmë? Dhe përsëri sa shpesh ka ndërhyrë jetesa e përditshme dhe ju ua keni lënë të tjerëve të ndihmojnë, duke menduar se ‘oh, me siguri dikush do të kujdeset për atë nevojë’.
Ne rrëmbehemi kaq shumë në angazhimet e jetës sonë. Megjithatë, nëse do të ktheheshim pas dhe do ta vështronim mirë atë që po bëjmë, mund të zbulonim se jemi përfshirë thellësisht në gjëra të parëndësishme. Me fjalë të tjera, tepër shpesh ne e kalojmë shumicën e kohës sonë duke u kujdesur për gjëra që thuajse nuk kanë fare rëndësi në skemën e madhe të gjërave, duke lënë pas dore ato kauza më të rëndësishme” (“Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 85).
Kërkojuni studentëve që të përfytyrojnë në mendjen e tyre ngjarjet e një dite tipike për ta. Ftojini të mendojnë rreth njerëzve që ata ndeshin, të cilëve mund t’u nevojitet ndihma e tyre, të tillë si prindërit, motrat e vëllezërit dhe bashkëmoshatarët. Nxitini studentët që të zotohen për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, duke dhënë ndihmë kur e dallojnë dikë në nevojë.
Përmblidheni Markun 8:10–21, duke shpjeguar se pasi ushqeu mrekullisht 4.000 njerëz, Jezusi dhe dishepujt e Tij lundruan drejt një vendi të quajtur Dalmanuta. Atje farisenjtë i kërkuan atij që t’u tregonte një shenjë. Jezusi nuk pranoi dhe u mësoi dishepujve të Tij të ruheshin nga doktrina e farisenjve, doktrinë e cila përfundonte në verbëri shpirtërore.
Marku 8:22–26
Jezusi shëron gradualisht një të verbër
Shpjegoni se Jezusi dhe dishepujt e Tij u larguan nga zona e Dekapolisit dhe erdhën te një vend i quajtur Betsaida. Kur mbërritën atje, një njeri i verbër u soll te Shpëtimtari për t’u shëruar.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 8:22–26. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e shëroi Shpëtimtari të verbërin.
-
Çfarë ndodhi pas herës së parë që Shpëtimtari i vuri duart e Tij mbi të verbërin? (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “po shoh njerëz si pemë që ecin” [vargu 24] tregon se i verbëri mund të shikonte, por jo qartësisht.)
-
Çfarë ndodhi pasi Shpëtimtari i vuri duart e Tij mbi burrin për herë të dytë?
Jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Nxitini studentët që ta ndjekin atë, duke kërkuar arsyet përse Jezusi mund ta ketë shëruar burrin gradualisht ose me faza.
“Kjo mrekulli është e veçantë; është i vetmi rast i shënuar në të cilën Jezusi e shëron një njeri me faza. Mund të jetë që Zoti e ndoqi këtë drejtim për të forcuar besimin e dobët, por që po rritej të të verbërit. Me sa duket rastet e njëpasnjëshme të kontaktit fizik me Jezusin patën ndikimin e shtimit të shpresës, sigurisë dhe besimit për atë që nuk shikonte. Jezusi personalisht 1) e nxori të verbërin jashtë qytetit duke e mbajtur për dore, 2) përdori pështymën e tij për sytë e atij që nuk shikonte, 3) kreu ordinancën e vënies së duarve dhe 4) i vuri duart e tij për herë të dytë mbi sytë e burrit.
Sigurisht, mënyra se si ndodhi ky shërim na mëson se njerëzit duhet ta kërkojnë hirin shërues të Zotit me gjithë forcën dhe besimin e tyre, megjithëse një gjë e tillë është e mjaftueshme vetëm për një kurim të pjesshëm, duke ndjekur recetën e së cilës, sidoqoftë, ata më pas mund të fitojnë sigurinë dhe besimin e shtuar për t’u shëruar plotësisht dhe tërësisht. Njerëzit madje shpesh shërohen nga sëmundjet e tyre shpirtërore shkallë-shkallë, hap pas hapi, ndërsa e vënë jetën e tyre në harmoni me planet dhe qëllimet e Hyjnisë” (Doctrinal New Testament Commentary, 1:379–380).
-
Në ç’mënyrë të shëruarit gradualisht mund ta rritë besimin e dikujt te Jezu Krishti?
-
Përse është e rëndësishme që të kuptojmë se disa bekime, të tilla si fitimi e një dëshmie për ungjillin ose marrja e një shërimi fizik apo shpirtëror, shpesh vjen gradualisht ose me faza, në vend që të vijë përnjëherë apo menjëherë?
Marku 8:27–38
Pjetri dëshmon se Jezusi është Krishti
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 8:27. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë pyetjen që u bëri Shpëtimtari dishepujve të Tij. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë. Kërkojini klasës të kujtojë mënyrën se si iu përgjigj Pjetri kësaj pyetjeje, siç shënohet te Mateu 16:16 (ky varg është pjesë e një fragmenti të shkrimit të shenjtë). Nëse ata nuk mund ta kujtojnë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 8:29 (ky varg përfshin përgjigjen e Pjetrit).
Përmblidheni Markun 8:30–38, duke shpjeguar se Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij të mos ta bënin ende publik identitetin e Tij si Krishti, apo Mesia. Ai gjithashtu filloi t’u mësonte atyre rreth vuajtjes dhe vdekjes së Tij të pashmangshme.
Përfundojeni mësimin duke i ftuar studentët që të dëshmojnë për të vërtetat që mësuan nga shkrimet e shenjta, të cilat i studiuan gjatë mësimit.