Mësimi 41
Marku 10
Hyrje
Pranë fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari iu shërbeu atyre që ishin në Perea. Ndërsa qe atje, Ai dha mësim doktrinën e martesës dhe i ftoi fëmijët e vegjël të vinin tek Ai. Shpëtimtari gjithashtu e këshilloi një të ri pasanik që t’i shiste të gjitha zotërimet e tij dhe ta ndiqte Atë. Kur Shpëtimtari u largua nga Perea dhe udhëtoi për në Jeruzalem për herë të fundit në vdekshmëri, Ai parashikoi vdekjen dhe Ringjalljen e Tij dhe i këshilloi Apostujt e Tij që t’u shërbenin të tjerëve. Ai gjithashtu shëroi një burrë të verbër në Jeriko.
Sugjerime për Mësimdhënien
Marku 10:1–16
Jezusi jep mësim doktrinën e martesës dhe i fton fëmijët e vegjël të vijnë tek Ai
Tregojuni studentëve disa fotografi të fëmijëve të vegjël.
-
Çfarë cilësish ose karakteristikash admironi nga vëllezërit apo motrat tuaja më të vogla ose nga fëmijë të tjerë të vegjël që ju njihni? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 10:1–16, të kërkojnë një të vërtetë që na mëson përse ne duhet të bëhemi si fëmijë të vegjël.
Shpjegoni se pranë fundit të shërbesës së Tij, Shpëtimtari u largua nga Galilea dhe shkoi në një zonë të quajtur Perea. (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të gjejnë vendndodhjen e Pereas në fletushkën “Një Vështrim i Shpejtë i Jetës në Vdekshmëri të Jezu Krishtit” [shih mësimin 5] ose në hartat e Biblës, nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohën e Dhiatës së Re” [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta].) Përmblidheni Markun 10:1–12, duke shpjeguar që ndërsa ishte në Perea, Shpëtimtari u mësoi njerëzve për rëndësinë e martesës.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi ndërkohë që Shpëtimtari ishte në Perea.
-
Si reaguan dishepujt kur njerëzit i sollën fëmijët e vegjël te Shpëtimtari? (Shpjegoni se fjala qortoj në vargun 13, tregon që dishepujt u thanë njerëzve se bënë gabim që i sollën fëmijët e tyre te Shpëtimtari.)
-
Si reagoi Shpëtimtari ndaj dishepujve?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:15–16, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij kur fëmijët e vegjël erdhën tek Ai. Shpjegoni se fraza “e pranon mbretërinë e Perëndisë” te vargu 15, i referohet pranimit të ungjillit.
-
Çfarë mendoni se do të thotë ta pranosh ungjillin “si një fëmijë i vogël”? (vargu 15). (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë dhe krahasojini ato me cilësitë e renditura tashmë në tabelë.)
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që do të ndodhë kur ne e pranojmë ungjillin si fëmijë të vegjël? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që të jetë e qartë se, kur e pranojmë ungjillin si fëmijë të vegjël, ne do të jemi të përgatitur të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.)
-
Në çfarë mënyrash pranimi i ungjillit si fëmijë të vegjël na përgatit të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni t’i drejtoni ata te Mosia 3:19.)
Marku 10:17–34
Shpëtimtari e këshillon të riun pasanik që t’i shesë të gjitha zotërimet e tij dhe ta ndjekë Atë
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:17–20, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që ndodhi pasi Shpëtimtari i bekoi fëmijët e vegjël.
-
Si do ta përshkruanit burrin që erdhi te Jezusi? Përse?
-
Çfarë i kërkoi burri Shpëtimtarit? Si iu përgjigj Jezusi?
Shpjegoni se edhe Mateu 19 e përmban rrëfimin e këtij burri që erdhi te Shpëtimtari. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 19:20, dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për mënyrën se si reagoi burri pasi Shpëtimtari renditi disa prej urdhërimeve.
-
Pasi e pranoi se ai i mbante të gjitha urdhërimet, çfarë pyetje i bëri i riu Shpëtimtarit? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë pyetjen e të riut.)
Shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Çfarë më mungon tjetër?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Markun 10:21, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari të riut.
-
Çfarë i tha Shpëtimtari të riut se ende i mungonte?
Vini në dukje frazën “Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të” në vargun 21. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta.
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dimë që Jezusi e donte këtë të ri përpara se Ai t’i thoshte atë që i mungonte?
-
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky rrëfim? (Studentët mund të përcaktojnë disa parime, duke përfshirë sa vijon: Për shkak se Ai na do, Zoti do të na ndihmojë të dimë atë që na mungon në përpjekjet tona për ta ndjekur Atë. Nëse e pyesim Zotin, Ai do të na mësojë atë që kemi nevojë të bëjmë për të trashëguar jetën e përjetshme.)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Markun 10:22, duke kërkuar mënyrën se si reagoi i riu kur Shpëtimtari e këshilloi të shiste gjithçka që ai kishte.
-
Si reagoi i riu?
-
Sipas vargut 22, përse ai reagoi në atë mënyrë?
Vini në dukje se ndërsa neve mund të mos na kërkohet të japim pasuri të mëdha për ta ndjekur Zotin, Ai na ka kërkuar të bëjmë sakrifica të tjera për t’i shërbyer Atij dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.
-
Cilat janë disa sakrifica që Zoti ka kërkuar prej nesh, që mund të jenë të vështira për t’u bërë?
-
Çfarë bekimesh mund të mos arrijmë të marrim nëse zgjedhim të mos e ndjekim Zotin në të gjitha gjërat?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:23–27. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Markut 10:26: “Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ‘Për njerëzit që i mirëbesojnë pasurive, kjo është e pamundur, por jo e pamundur për njerëzit që i mirëbesojnë Perëndisë dhe lënë gjithçka për hirin tim, sepse për njerëz të tillë të gjitha këto gjëra janë të mundura”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Jezusi rreth të lënit të gjithçkaje për hir të Tij.
-
Si mendoni ju, përse është kaq e vështirë për ata që mirëbesojnë te pasuritë apo gjërat e tjera të botës, që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë?
-
Çfarë mendoni se do të thotë që të gjitha gjërat janë të mundura për ata që i mirëbesojnë Perëndisë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:28–31. Kërkojini një studenti të lexojë më zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Markut 10:31: “Por ka shumë që e vënë veten të parët, që do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët. Këtë ai e tha duke e qortuar Pjetrin …”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Pjetri pasi Shpëtimtari dha mësim se ne duhet të jemi të gatshëm të japim çdo gjë që Ai kërkon prej nesh.
-
Sipas vargut 28, çfarë tha Pjetri?
-
Çfarë u premton Shpëtimtari atyre që janë të gatshëm të japin gjithçka për ta ndjekur Atë?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit rreth asaj që ne duhet të bëjmë për të marrë jetë të përjetshme? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë parimin vijues: Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të jemi të gatshëm të japim çfarëdo gjëje që Zoti kërkon prej nesh. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
-
Përse për jetën e përjetshme ia vlen çdo sakrificë që na kërkohet të bëjmë në tokë? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se jeta e përjetshme përfshin të jetuarit përherë në prani të Perëndisë me pjesëtarët e drejtë të familjes sonë.)
Përmblidheni Markun 10:32–34, duke shpjeguar se Zoti u tha dishepujve të Tij që pasi të arrinin në Jeruzalem, Ai do të tallej, fshikullohej, pështyhej e vritej dhe se Ai do të ngrihej sërish ditën e tretë.
-
Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i përkryer i të qenit i gatshëm për të dhënë çfarëdo gjëje që Perëndia kërkon?
Dëshmoni për të vërtetat që janë shpjeguar në këtë mësim. Nxitini studentët që të përsiatin plot lutje pyetjen “Çfarë më mungon tjetër?” dhe t’i binden çdo mbrese që mund të marrin lidhur me sakrificat që Zoti do të donte që ata të bënin.
Marku 10:35–52
Shpëtimtari parashikon vdekjen dhe Ringjalljen e Tij, dhe i këshillon Apostujt e Tij që t’u shërbejnë të tjerëve
Ndajini studentët në grupe të vogla. Jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese dhe ftojini ata që ta plotësojnë atë:
Pasi studentët ta kenë plotësuar fletushkën, ftojini disa studentë që të raportojnë se si e plotësuan thënien e bazuar te Marku 10:42–45. Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Për të qenë me të vërtetë të mëdhenj, ne duhet të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve.
Përmblidheni Markun 10:46–52, duke shpjeguar se ndërsa Shpëtimtari dhe Apostujt e Tij po largoheshin nga Jeriko për të shkuar në Jeruzalem, një i verbër i quajtur Bartimeus i thirri Shpëtimtarit që ta shëronte atë. Turma i tha Bartimeut të heshtte, por ai bërtiste edhe më fortë. Shpëtimtari e dëgjoi thirrjen e tij, pati dhembshuri për të dhe e shëroi atë. (Shënim: Rrëfimi i shërimit të Bartimeut do të diskutohet më me hollësi në mësimin mbi Llukën 18.)
-
Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i përkryer i parimit që Ai dha mësim për shërbimin ndaj të tjerëve?
Tregoni dëshminë tuaj se si Shpëtimtari është me të vërtetë i madh për shkak të mënyrës se si Ai u shërben fëmijëve të Atit Qiellor. Ftojini studentët të mendojnë se çfarë mund të bëjnë, që t’u shërbejnë dhe të përkujdesen për ata rreth e rrotull tyre. Nxitini ata të vendosin një synim që do t’i ndihmojë për t’u dhënë ndihmë të tjerëve dhe për t’u shërbyer atyre.