Biblioteka
Mësimi 42: Marku 11–16


Mësimi 42

Marku 11–16

Hyrje

Pranë fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari vuri re një të ve të varfër që hodhi dy monedha në arkën e thesarit të tempullit. Më vonë, ndërsa ishte për darkë në Betani, Maria e vajosi Jezusin në shenjë të varrimit të Tij. Shpëtimtari vuajti në Gjetseman. Ai u gjykua dhe u dënua me vdekje. Pasi vdiq në kryq dhe u ringjall, Zoti iu shfaq Apostujve të Tij dhe i porositi ata që t’ia çonin ungjillin botës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 11–13

Shpëtimtari jep mësim në tempull dhe vë re një të ve që hedh dy monedha në arkën e thesarit të tempullit

Lexojini me zë të lartë skenarët vijues dhe kërkojuni studentëve të mbajnë vesh për dallimet midis ofertave të paraqitura ndaj Zotit në çdo skenar.

  1. Një grua i dha peshkopit të saj një sasi shumë të madhe parash si ofertë agjërimi. Një grua tjetër që jeton në të njëjtën lagje, i dha peshkopit të saj një shumë të vogël parash si ofertë agjërimi.

  2. Një burrë shërben si president kunji. Një burrë tjetër në të njëjtin kunj shërben si mësues në Fillore.

  • Çfarë dallimesh vutë re në ofertat e dhëna në secilin skenar?

  • Si mund të ndihet një person nëse oferta e tij apo e saj ndaj Zotit duket e vogël kur krahasohet me ofertat e të tjerëve?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 11–14, të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë të dinë mënyrën se si i shikon Zoti ofertat e tyre për Të.

Ardhja Triumfuese

Paraqitni figurën Ardhja Triumfuese (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 50; shih edhe LDS.org). Përmblidheni shkurtimisht Markun 11:1–12:40, duke shpjeguar që ndërsa Shpëtimtari iu afrua fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Ai hyri me ngadhnjim në Jeruzalem, pastroi tempullin dhe u dha mësim njerëzve atje. Kujtojuni studentëve se në përpjekje për ta turpëruar Shpëtimtarin, farisenjtë dhe skribët i bënë Atij pyetje të vështira ndërkohë që Ai jepte mësim në tempull. Pasi Shpëtimtari iu përgjigj pyetjeve të tyre, Ai e qortoi hipokrizinë e farisenjve dhe të skribëve (shih Mateu 23).

Shpjegoni që ndërsa Jezusi ishte në tempull, Ai i pa individët të sillnin para në arkën e thesarit të tempullit si një ofertë për Perëndinë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 12:41–44 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari pa tek arka e thesarit.

  • Çfarë pa Shpëtimtari tek arka e thesarit?

Tregoni monedhën me vlerën më të vogël nga paratë e vendit tuaj dhe shpjegoni se një monedhë ishte “qindarka më e vogël prej bronzi e përdorur nga judenjtë” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Money” [“Para”]).

  • Si mund të ndihet dikush nëse ai do të mund të jepte vetëm dy monedha si një ofertë ndaj Perëndisë?

  • Çfarë tha Shpëtimtari rreth ofertës të së vesë krahasuar me ofertat e të tjerëve?

  • Si mendoni ju, përse Shpëtimtari e konsideroi ofertën e saj të ishte “më shumë” se ofertat e tjera?

  • Bazuar në atë që tha Zoti për të venë, çfarë parimi mund të mësojmë rreth asaj që ne i japim Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Nëse jemi të gatshëm t’i japim Zotit gjithçka që ne kemi, Ai do ta pranojë ofertën tonë, edhe sikur të duket e vogël në krahasim me atë të të tjerëve.)

Përmblidheni Markun 13, duke shpjeguar se Shpëtimtari u dha mësim Apostujve të Tij rreth Ardhjes së Dytë. Kujtojuni studentëve se ata i studiuan këto mësime te Joseph Smith—Mateu.

Marku 14:1–9

Maria vajos Shpëtimtarin

Shpjegoni që pasi Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij rreth shenjave të Ardhjes së Tij të Dytë, Ai u largua nga Jeruzalemi dhe shkoi në Betania, në shtëpinë e një burri të quajtur Simon, i cili më parë kishte vuajtur nga lebra.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 14:3 dhe një student tjetër të lexojë me zë të lartë Gjonin 12:3. Kërkojini klasës të mbajë vesh për atë që i ndodhi Shpëtimtarit kur u ul për darkë.

  • Çfarë i ndodhi Shpëtimtarit kur u ul për darkë në shtëpinë e Simonit? (Shpjegoni se gruaja që e vajosi Shpëtimtarin ishte Maria, motra e Martës dhe Llazarit [shih Gjoni 12:1–3].)

  • Si e tregoi Maria dashurinë dhe përkushtimin e saj për Shpëtimtarin?

Shpjegoni se veprimi i Maries duke i vajosur kokën dhe këmbët e Shpëtimtarit me nard (një vaj i kushtueshëm), ishte një veprim i një nderimi të atillë që edhe mbretërit rrallë e merrnin (shih James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 512).

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 14:4–9. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reaguan disa njerëz në darkë ndaj asaj që bëri Maria. Shpjegoni që nga Gjoni 12:4–5, ne mësojmë se ishte Juda Iskarioti ai që u ankua për veprimin e Maries.

  • Si reagoi Judë Iskarioti kur Maria e vajosi Shpëtimtarin me vaj të kushtueshëm?

  • Sipas vargut 5, sa ishte vlera e vajit? (Shpjegoni se treqind denarë ishte e barabartë me shumën e zakonshme që një punëtor mund të fitonte në një vit.)

  • Si reagoi Shpëtimtari ndaj kritikës së Judës për Marien?

Vini në dukje frazën “ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje” në vargun 6, dhe shpjegoni që ajo tregon se Shpëtimtari ishte i kënaqur me atë që Maria kishte bërë. Gjithashtu, vini në dukje frazën “ajo bëri atë që mundi” në vargun 8, dhe shpjegoni se kjo nënkupton që Maria i kishte dhënë Zotit më të mirën e saj.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si ndihet Shpëtimtari kur ne i japim Atij më të mirën tonë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Shpëtimtari kënaqet kur ne i japim Atij më të mirën tonë.)

Referojuni dy skenarëve që u paraqitën në fillim të orës mësimore. Kërkojuni studentëve të përdorin të vërtetat që përcaktuan te Marku 12 dhe Marku 14, për të shpjeguar mënyrën se si individët në çdo skenar mund ta kënaqin Zotin.

  • Në ç’mënyrë të besuarit e këtyre të vërtetave, mund ta ndihmojë dikë që ndien se nuk ka shumë për t’i dhënë Zotit?

  • Kur e keni parë dikë që t’i japë Zotit më të mirën e tij?

Ftojini studentët që të marrin në shqyrtim nëse ata janë aktualisht duke i dhënë Zotit më të mirën e tyre. Nxitini ata të përzgjedhin një aspekt të jetës së tyre ku ata mund të përmirësohen dhe të vendosin një synim që do t’i ndihmojë për t’i dhënë Zotit më të mirën e tyre.

Marku 14:10–16:20

Jezusi fillon Shlyerjen e Tij ndërsa vuan në Gjetseman për mëkatet tona; Ai tradhtohet nga Judë Iskarioti dhe sillet përpara udhëheqësve judenj

Kërkojuni studentëve të meditojnë në heshtje rreth pyetjeve vijuese:

  • A keni ndier ndonjëherë se askush nuk ju kupton juve ose atë që po kaloni?

  • A keni ndier ndonjëherë se nuk mund të faleni për mëkatet tuaja të kaluara?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 14, të kërkojnë të vërteta të cilat mund ta ndihmojnë dikë që mund t’i ketë këto ndjenja.

Përmblidheni Markun 14:10–31, duke shpjeguar se disa ditë pasi Maria e vajosi Jezusin, Jezusi dhe Apostujt kremtuan Pashkën. Më pas, Shpëtimtari shkoi në kopshtin e Gjetsemanit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 14:32–34. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u ndie Shpëtimtari në kopshtin e Gjetsemanit.

  • Si u ndie Shpëtimtari në kopshtin e Gjetsemanit?

Pasi studentët të përgjigjen, shkruani frazat vijuese në tabelë: ta zërë frika, ankth, thellësisht i trishtuar.

Shpjegoni se këto fraza i referohen vuajtjes që provoi Jezu Krishti si pjesë e Shlyerjes së Tij.

  • Çfarë na mësojnë këto fraza rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti vuajti dhe u trishtua në kopshtin e Gjetsemanit.)

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 14:35–42. Ftojeni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari për shkak të vuajtjes së Tij të madhe.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari për shkak të vuajtjes së Tij të madhe? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se vuajtja e Jezusit ishte kaq e rëndë saqë Ai pyeti nëse ishte e mundur që Ai të mos e provonte atë.)

Shkruani frazën vijuese në tabelë: Jezu Krishti vuajti … kështu që Ai …

Shpjegoni se fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojnë të kuptojmë vuajtjen e Jezu Krishtit dhe përse Ai do të ishte i gatshëm të vuante për ne.

Shkruajini referencat vijuese në tabelë: Isaia 53:3–5 dhe Alma 7:11–13. Ndajini studentët në dyshe dhe ftojini ata që t’i lexojnë vargjet së bashku, duke kërkuar atë që vuajti Shpëtimtari dhe arsyen përse Ai vuajti. Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta mbi mënyrën se si do ta plotësonin frazën e shkruar në tabelë duke përdorur atë që mësuan te Isaia 53:3–5 dhe Alma 7:11–13. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala ndihmoj te Alma 7:12 do të thotë të nxitosh t’i japësh lehtësim ose të shkosh në ndihmë të dikujt.)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë se si e plotësuan thënien. Përgjigjet e tyre duhet të jenë të ngjashme me sa vijon: Jezu Krishti vuajti dhembjet, mundimet, tundimet, sëmundjet, dobësitë dhe pikëllimet tona, kështu që Ai do të dinte se si të na ndihmonte. Jezu Krishti vuajti për mëkatet tona, kështu që Ai të mund t’i fshinte shkeljet tona. Kujtojuni studentëve se vuajtja e Shpëtimtarit për mëkatet e njerëzimit filloi në Gjetseman dhe vazhdoi e kulmoi me Kryqëzimin e Tij në kryq.

ikona e videosPër t’i ndihmuar studentët të ndjejnë rëndësinë e së vërtetës se si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti vuajti dhe u trishtua në kopshtin e Gjetsemanit, merrni parasysh të shfaqni videon “Special Witness – Elder Holland” [“Dëshmitar i Veçantë – Plaku Holland”] (2:38), në të cilën Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmon për vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman. Kjo video gjendet në LDS.org.

  • Si ju ndihmon t’i bëni ballë sprovave, dhembjeve dhe vuajtjeve, njohuria për çka Shpëtimtari vuajti dhe përse Ai vuajti?

  • Kur e keni ndier Shpëtimtarin t’ju ndihmojë në kohë dhembjeje, sëmundjeje apo trishtimi?

  • Çfarë ndjenjash keni përjetuar ndërsa jeni penduar dhe keni ndier se mëkatet tuaja janë hequr (ose fshirë) nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Përmblidheni Markun 14:43–16:20, duke shpjeguar se Jezusi u çua në një gjyq të paligjshëm përpara sinedrit dhe u dënua me vdekje. Pasi Shpëtimtari vdiq në kryq dhe u ringjall, Ai iu shfaq Apostujve të Tij dhe i porositi që t’ia çonin ungjillin botës.

Ju mund të doni ta përfundoni këtë mësim duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar sot.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Marku 12:41–44. Monedhat e të vesë së varfër

“Monedhat që e veja i dhuroi në arkën e thesarit të tempullit ishin qindarka të vogla judease të quajtura lepta (greqisht për e vogël). Ato peshonin rreth gjysmë grami (më pak se 0.02 e një onsi) dhe e kishin vlerën më pak se një ‘aspër’ ose kuadrant, e cila ishte monedha me vlerën më të vogël në atë kohë (shih Marku 12:42).

Fakti që e veja dha ‘gjithë sa kishte’ personifikon përkushtimin e saj të sinqertë ndaj Perëndisë, në kundërshtim me shtirjen e skribëve (shih Marku 12:38–40). Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon përse Zoti e përgëzoi të venë edhe pse oferta e saj ishte një dhurim relativisht i vogël: ‘Të pasurit dhanë shumë, por prapë mbajtën më tepër; dhurata e së vesë ishte gjithçka që ajo kishte. Nuk ishte pakica e ofertës së saj që e bëri atë veçanërisht të pranueshme, por shpirti i sakrificës dhe qëllimi i sinqertë me të cilin ajo e dha’ (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 561–562). Plaku Talmixh gjithashtu tha: ‘Qoftë në është dhurata e një njeriu apo e një kombi, më e mira, nëse jepet me dëshirë dhe me qëllim të pastër, është gjithmonë e shkëlqyer në sytë e Perëndisë, sado e varfër që ajo mund të jetë kur krahasohet me një tjetër’ (The House of the Lord, bot. i rish. [1968], f. 3)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 128–129).

Marku 14:3–9. Maria e vajosi Jezusin

Plaku Xhejms E. Talmixh shpjegoi se veprimet e Maries treguan dashurinë e saj të madhe për Jezusin:

“Të vajosje kokën e një miku me vaj të zakonshëm do të thoshte ta nderoje atë; t’i vajosje këmbët e tij do të thoshte gjithashtu të tregoje një nderim të pazakontë dhe të veçantë; por vajosja e kokës dhe e këmbëve me vaj erëkëndshëm dhe me një bollëk të atillë, ishte një akt blatimi nderues, që rrallë u jepej edhe mbretërve. Akti i Maries ishte një shprehje adhurimi; ajo ishte derdhja erëkëndshme e një zemre që gufonte nga adhurimi dhe dashuria” (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 512).

Marku 14:32–36. Vuajtja e Shpëtimtarit në Gjetseman

“Gjuha e Markut dëshmon për vërtetësinë dhe ashpërsinë e vuajtjes së Shpëtimtarit (shih Marku 14:23–36). Fjala greke e përkthyer ‘[e] z[uri] frika’ në tekst mund t’i referohet një serie emocionesh, duke përfshirë habi, frikë, befasi që vijon me një goditje të rëndë dhe ankth mbytës. Folja greke e përkthyer ‘ankth’ mund të nënkuptojë i dëshpëruar, i brengosur dhe plot ankth e trishtim. Së bashku, këto fjalë përshkruajnë një agoni të thellë dhe të skajshme. Shpëtimtari tha se shpirti i Tij ishte ‘thellësisht i trishtuar, deri në vdekje’ (Marku 14:34) – që do të thotë se, ankthi i Tij ishte kaq i madh saqë Ai ndjeu se ishte në prag të vdekjes. …

Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve … foli për vuajtjen e Shlyerjes:

“‘Në Gjetseman, Jezusi i përvuajtur filloi të kishte “frik[ë]” (Marku 14:33), ose, në greqisht, të ishte “i tmerruar” dhe “befasuar”.

‘Përfytyroni Jehovain, Krijuesin e kësaj bote dhe të botëve të tjera, “i befasuar”! … Ai kurrë nuk e kishte njohur personalisht më parë procesin e hidhur dhe të vështirë të shlyerjes. Prandaj, kur agonia erdhi në plotësinë e saj, ajo ishte kaq e madhe, shumë më e madhe nga sa Ai, madje me intelektin e tij të pashoq e kishte përfytyruar ndonjëherë! …

Pesha e grumbulluar e të gjitha mëkateve tokësore – të kaluara, të tashme e të ardhme – rëndoi mbi atë Shpirt të përsosur, të pamëkat e të ndjeshëm! Të gjitha dobësitë dhe sëmundjet tona janë gjithashtu, në njëfarë mënyre, një pjesë e asaj aritmetike të tmerrshme të Shlyerjes. (Shih Alma 7:11–12; Isaia 53:3–5; Mateu 8:17.)’ (‘Willing to Submit’, Ensign, maj 1985, f. 72–73)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 130).