Mësimi 131
2 Timoteut 1–2
Hyrje
Në Letrën e tij të Dytë drejtuar Timoteut, Pali dha mësim se frika nuk vjen nga Perëndia dhe e këshilloi Timoteun që të mos kishte turp nga dëshmia e tij për Jezu Krishtin. Pali e nxiti Timoteun që t’i duronte me besnikëri sfidat dhe e udhëzoi atë t’u mësonte shenjtorëve që të pendoheshin.
Sugjerime për Mësimdhënien
2 Timoteut 1
Pali e këshillon Timoteun që të mos ketë turp për ungjillin
Shkruajeni fjalën Frikë në tabelë dhe kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si mund të ndikojë frika tek ne. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:
“Cili prej nesh mund të thotë se ai apo ajo nuk e ka ndier frikën? Unë nuk njoh askënd që mos të jetë prekur fare prej saj. Disa, sigurisht, e përjetojnë frikën në një shkallë më të lartë sesa të tjerët. Disa janë në gjendje ta kalojnë shpejt atë, por disa të tjerë mbërthehen dhe fundosen prej saj e madje çohen deri në shkatërrim. Ne vuajmë nga frika e talljes, frika e dështimit, frika e vetmisë, frika e paditurisë. Disa kanë frikë për të tashmen, disa për të ardhmen. Disa mbartin barrën e mëkatit dhe do të jepnin pothuajse gjithçka që ta shkëputnin vetveten nga ato barrë, por kanë frikë ta ndryshojnë jetën e tyre” (“God Hath Not Given Us the Spirit of Fear”, Ensign, tetor 1984, f. 2).
Sipas Presidentit Hinkli, si mund të ndikojë frika tek ne?
Si mund të ndikojë frika në aftësinë tonë për ta jetuar ungjillin?
Ftojini studentët të kërkojnë një parim teksa studiojnë 2 Timoteut 1, që mund t’i ndihmojë ata ta mposhtin frikën.
Shpjegoni se pak përpara se Pali të vdiste, ai shkroi Letrën e tij të Dytë drejtuar Timoteut, ndërkohë që ishte i burgosur në Romë. Përmblidheni 2 Timoteut 1:1–5, duke shpjeguar se Pali shprehu dëshirën e tij për të takuar Timoteun dhe e rishprehu besimin e sinqertë të Timoteut.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 1:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë i kujtoi Pali Timoteut që të bënte.
Çfarë i kujtoi Pali Timoteut që të bënte?
Shpjegoni se “dhunti[a] e Perëndisë” e marrë me anë të vënies së duarve, me gjasë i referohet Frymës së Shenjtë. Të “zgjosh” do të thotë të përtërish ose të gjallërosh (shih vargun 6, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Pali e këshilloi Timoteun ta zgjonte dhuntinë e Frymës së Shenjtë, ose të kërkonte me zell që ta kishte Frymën e Shenjtë me vete.
Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Kur kërkojmë me zell që ta kemi Shpirtin me vete, …
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 1:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimet që mund të vijnë nga të pasurit e Shpirtit me vete.
Sipas vargut 7, çfarë bekimesh mund të na vijnë nga të pasurit e Shpirtit me vete?
Çfarë na ndihmojnë këto bekime që të mposhtim?
Shpjegoni se Pali iu referua frikës së botës, e cila krijon ankth, pasiguri e alarm dhe ndryshon nga ajo që në shkrimet e shenjta përmendet si “frika e Zotit” (Fjalët e Urta 9:10). Të kesh frikë Zotin është “të ndiesh nderim e adhurim për të dhe t’u bindesh urdhërimeve të tij” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Frikë”, f. 51, scriptures.lds.org).
Sipas vargut 8, çfarë e ftoi Pali Timoteun që të bënte me kuptueshmërinë se Shpirti mund ta ndihmonte atë të mposhte frikën?
Pyetini studentët se si do ta plotësonin ata thënien në tabelë duke përdorur mësimet e Palit në vargjet 7–8. Duke përdorur fjalët e studentëve, plotësojeni thënien në mënyrë që të përçojë parimin vijues: Kur përpiqemi me zell për ta pasur Shpirtin me vete, ne mund ta mposhtim frikën dhe të mos kemi turp nga dëshmia jonë për Jezu Krishtin.
Si mund të na ndihmojnë fuqia hyjnore, dashuria dhe gjykimi i mirë që marrim nëpërmjet Shpirtit për ta mposhtur frikën?
Cilat janë mënyrat sipas të cilave mund të tregojmë se nuk kemi turp nga dëshmia jonë për Jezu Krishtin?
Kur ju ka ndihmuar Shpirti ta mposhtni frikën apo ju ka dhënë kurajë që të qëndroni të palëkundur në dëshminë tuaj për Jezu Krishtin?
Kërkojuni studentëve të përsiatin atë që mund të bëjnë për ta ftuar Shpirtin që të jetë me ta, në mënyrë që të mund ta mposhtin frikën dhe të mos kenë turp nga dëshmia e tyre për Jezu Krishtin.
Përmblidheni 2 Timoteut 1:9–18, duke shpjeguar se Pali e këshilloi Timoteun të qëndronte besnik ndaj doktrinës së vërtetë. Pali pohoi gjithashtu se braktisja që qe përhapur po ndodhte në Kishë (shih 2 Timoteut 1:15).
2 Timoteut 2
Pali e udhëzon Timoteun t’i durojë vështirësitë me besnikëri
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Timoteut 2:1, duke kërkuar këshillën e Palit drejtuar Timoteut.
Cila ishte këshilla e Palit drejtuar Timoteut? (Shpjegoni se ne i qasemi hirit ose ndihmës hyjnore të Jezu Krishtit nëpërmjet besimit tonë [shih Romakëve 5:2].)
Përse dikush mund ta ketë të vështirë të qëndrojë i fortë në besimin e tij apo të saj në Jezu Krisht?
Shpjegoni se Pali e këshilloi Timoteun të ishte i fortë nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, ngaqë ai e dinte se Timoteu do të provonte vuajtje dhe përndjekje si një dishepull i Krishtit.
Paraqitni figurat e një ushtari, një atleti dhe një bujku. (Ose mund t’i ftoni studentët t’i vizatojnë në tabelë këta tre persona.)
Shpjegoni se Pali i përdori metaforat e ushtarit, atletit dhe bujkut (ose fermerit) për t’i mësuar Timoteut se si të qëndronte i fortë në besim, pavarësisht nga vështirësitë.
Kopjojeni tabelën vijuese në dërrasë. Ftojini studentët ta kopjojnë atë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose jepuani atë në një fletushkë:
Metafora | Përshkrimi | Çfarë na mëson kjo metaforë rreth të qëndruarit i fortë në besim |
---|---|---|
Ushtar | ||
Atlet | ||
Bujk (fermer) |
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 2:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Pali një ushtar, një atlet dhe një bujk. Shpjegoni se fjala vuajtje (vargu 3) i referohet mundimeve ose vështirësive (shih vargun 3, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]) dhe se fraza “merr pjesë në gara” (vargu 5) i referohet garës në një konkurs atletike (shih vargun 5, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).
Sipas mësimeve të Palit në vargjet 3–4, çfarë bën një ushtar i mirë? (Shkruajeni sa vijon në kutinë e parë poshtë “Përshkrimi” në tabelë: Një ushtar i mirë i duron me besnikëri vështirësitë dhe i vë mënjanë çështjet e tjera që kënaqin egon e tij apo të saj.)
Çfarë do të thotë në vargun 5 se një atlet nuk do të “kurorëzohet” vetëm nëse ai ose ajo përpiqet, ose garon, “sipas rregullave”? (Shkruajeni sa vijon në kutinë e dytë poshtë “Përshkrimi”: Një atlet mund të jetë fitimtar vetëm nëse ai ose ajo u bindet rregullave.)
Sipas vargut 6, cili është shpërblimi për një bujk, i cili punon fort për të vjelë të korrat e veta? (Shkruajeni sa vijon në kutinë e tretë poshtë “Përshkrimi”: Një bujk duhet të punojë fort për të shijuar frytet e punës së tij apo të saj.)
Ftojini studentët të plotësojnë tabelat e tyre duke shkruar në kolonën e tretë se çfarë jep mësim secila metaforë rreth të qëndruarit të fortë në besim. Kërkojuni disa studentëve t’i raportojnë përgjigjet e tyre.
Shpjegoni se Pali tha se përjetoi shumë sprova ngaqë ishte një dishepull i Krishtit (shih 2 Timoteut 2:9) Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 2:10–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tha Pali rreth arsyes përse ai i duroi të tilla vështirësi. Shpjegoni se “të zgjedhurve” (vargu 10) i referohet anëtarëve besnikë të Kishës dhe se fjala vuaj në vargun 12 i referohet durimit dhe të qëndruarit i pandryshueshëm (shih vargun 12, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).
Sipas fjalëve të Palit në vargjet 10 dhe 12, përse ishte ai i gatshëm t’i duronte vështirësitë dhe të qëndronte besnik ndaj Jezu Krishtit?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga Pali rreth asaj që mund të ndodhë kur i durojmë vështirësitë dhe qëndrojmë besnikë ndaj Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur i durojmë vështirësitë dhe qëndrojmë besnikë ndaj Zotit, ne mund ta ndihmojmë veten dhe të tjerët të marrin shpëtim nëpërmjet Jezu Krishtit. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Në ç’mënyrë të duruarit e vetë sprovave tona me besnikëri i ndihmon të tjerët të marrin shpëtim nëpërmjet Jezu Krishtit?
Përmblidheni 2 Timoteut 2:13–19 duke shpjeguar se Pali e këshilloi Timoteun që t’u kujtonte shenjtorëve ta shmangnin grindjen dhe t’i “largohe[shin] paudhësisë” (vargu 19).
Paraqitini figurat e disa mbajtëseve, të tilla si një tas, një filxhan dhe një vazo. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 2:20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë lloj enësh ka “në një shtëpi të madhe”.
Sipas Palit çfarë lloj enësh ka “në një shtëpi të madhe”?
Shpjegoni se Pali përdori lloje të ndryshme enësh, ose mbajtësesh, si një metaforë për anëtarët e shtëpisë, ose Kishës, së Jezu Krishtit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 2:21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë e bën dikë një “enë … [të përshtatshme] për të zotin”.
Sipas Palit, çfarë mund të bëjmë ne për të qenë të përshtatshëm “për … zot[ërinë]”?
Vini në dukje se fraza “pastrohet nga këto gjëra” (vargu 21) i referohet të bërit tërësisht i pastër nga paudhësia (shih vargun 19).
Bazuar në përdorimin e enëve prej Palit si një metaforë, çfarë parimi mund të mësojmë rreth asaj që mund të bëjmë për t’i shërbyer më mirë Zotit? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse e pastrojmë veten nga paudhësia, ne mund t’i shërbejmë më mirë Zotit.)
Çfarë mund të bëjmë që ta pastrojmë veten nga paudhësia?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Timoteut 2:22, duke kërkuar se çfarë tjetër mund të bëjmë për ta pastruar veten tonë nga paudhësia. Kërkojuni studentëve ta raportojnë atë që gjejnë.
Në ç’mënyrë pastrimi i vetes tonë nga paudhësia na ndihmon t’i shërbejmë më mirë Zotit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si ky parim gjen zbatim tek ata që i shërbejnë Zotit si misionarë:
“Asnjë misionar nuk mund t’i ftojë të tjerët të pendohen për shkelje seksuale, gjuhë përdhosëse apo për shikimin e pornografisë nëse nuk është penduar vetë më parë që i ka bërë këto gjëra. Ju nuk mund ta bëni këtë! Shpirti nuk do të jetë me ju dhe fjalët do t’ju ngecin në grykë ndërkohë që i thoni. Ju nuk mund të ecni nëpër ato që Lehi i quajti ‘shtigje të ndaluara’ [1 Nefi 8:28] dhe të prisni që t’i drejtoni të tjerët për tek ‘shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar’ [2 Nefi 31:18], kjo – nuk mund të bëhet.
… Kushdo që të jeni dhe çfarëdo të keni bërë, ju mund të merrni falje. … Kjo është ‘mrekullia e faljes’, kjo është mrekullia e Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht. Por ju nuk mund ta bëni pa një zotim veprues ndaj ungjillit dhe nuk mund ta bëni pa pendim, aty ku është i nevojshëm. Unë po ju kërkoj … të jeni aktivë dhe të jeni të pastër. Nëse është e nevojshme, unë po ju kërkoj të bëheni aktivë dhe të bëheni të pastër” (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 45).
Përse është thelbësore të jemi të pastër nga mëkati kur shpallim ungjillin?
Mbylleni duke dëshmuar për vërtetësinë e këtij parimi. Ftojini studentët të përsiatin çfarëdo mëkati për të cilin duhet të pendohen, në mënyrë që të mund t’i shërbejnë më mirë Zotit.