Mësimi 13
Mateu 8–10
Hyrje
Ndërsa Jezu Krishti udhëtoi nëpër Galile, Ai bëri shumë mrekulli. Ai gjithashtu thirri Dymbëdhjetë Apostujt, u dha autoritet e i udhëzoi ata dhe i dërgoi për t’u shërbyer njerëzve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 8:1–9:34
Jezusi bën shumë mrekulli
Në fillim të orës mësimore, kërkojuni studentëve t’i përgjigjen pyetjes vijuese:
Nëse do të dinit se Shpëtimtari do të vinte të vizitonte qytetin ose qytezën tuaj sot, kë do të sillnit tek Ai për t’u shëruar? Përse?
Kopjojini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: Mateu 8:1–4; Mateu 8:5–13; Mateu 8:14–15; Mateu 8:23–27; Mateu 8:28–32; Mateu 9:1–8; Mateu 9:18–19, 23–26; Mateu 9:20–22; Mateu 9:27–31; dhe Mateu 9:32–33. Caktojini secilit student një prej referencave të shkrimit të shenjtë. (Nëse keni një klasë të vogël, disa studentë mund të duhet të lexojnë më shumë sesa një fragment të shkrimit të shenjtë.)
Ftojini studentët t’i lexojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë të caktuara atyre dhe të kërkojnë mrekullitë që bëri Jezusi. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni që të raportojnë shkurtimisht për atë që mësuan. (Shënim: Studentët do t’i studiojnë këto mrekulli më në thellësi te Marku 1–5.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 8:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një profeci që përmbushi Jezu Krishti kur Ai i bëri këto mrekulli. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
Çfarë të vërtete mund të mësojmë për Jezu Krishtin nga rrëfimet e këtyre mrekullive? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezusi mund të na shërojë nga lëngatat dhe sëmundjet tona. (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se një lëngatë është një gjendje e rëndë shëndetësore, dobësi ose pafuqi.)
Si mund të na i shërojë ose forcojë dobësitë tona Shpëtimtari nëse nuk është duke ecur mes nesh sot? (Nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Shih Alma 7:11–13).
Mateu 9:35–10:8
Jezusi thërret dymbëdhjetë Apostuj
Paraqitni një ose disa fotografi të Apostujve të tanishëm të Kishës, përfshirë Presidencën e Parë. (Figura të tilla mund të gjenden te LDS.org [shih Meet Today’s Prophets and Apostles (Takohuni me Profetët dhe Apostujt e Sotëm)] dhe në numrat e konferencave të përgjithshme të Ensign ose Liahonës.)
Çfarë i bën këta persona të veçantë midis të gjithë njerëzve në tokë sot?
Ftojini studentët që teksa studiojnë Mateun 9–10 të kërkojnë të vërteta rreth rolit të Apostujve dhe bekimeve që mund të na sjellin ata në jetën tonë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 9:35. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që bëri Jezusi krahas shërimit të të tjerëve.
Krahas shërimit të të tjerëve, çfarë bëri Jezusi gjatë shërbesës së Tij?
Shpjegoni se ndërsa Jezusi predikoi ungjillin dhe bëri mrekulli nëpër gjithë Judenë, numri i njerëzve të cilët e ndoqën dhe e kërkuan Atë u shtua.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 9:36–38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cilët tha Shpëtimtari se i duheshin Atij që ta ndihmonin t’u shërbente të gjithë atyre që e ndiqnin Atë.
Sipas vargjeve 37–38, cilët tha Jezusi se i duheshin Atij për ta ndihmuar të kujdesej për ata që e ndiqnin Atë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 10:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Jezusi për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të njerëzve.
Çfarë bëri Jezusi për t’i ndihmuar turmat e njerëzve që e ndiqnin Atë?
Çfarë doktrine mund të mësojmë nga këto vargje për një mënyrë se si Jezu Krishti u shërben njerëzve në tokë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti thërret Apostuj dhe u jep atyre autoritetin e Tij. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë doktrinë pranë Mateut 10:1–4.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 10:5–8. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezu Krishti i urdhëroi Apostujt e Tij që të bënin.
Çfarë i urdhëroi Jezusi Apostujt e Tij që të bënin?
Shpjegoni se fjala apostull vjen nga një fjalë greke që do të thotë “dikush i dërguar përpara”. Në fillim Apostujt u dërguan vetëm mes njerëzve të shtëpisë së Izraelit. Më vonë, Shpëtimtari i ringjallur urdhëroi që ungjilli të predikohej edhe mes johebrenjve ose atyre që nuk janë të shtëpisë së Izraelit.
Çfarë ngjashmërish vutë re ndërmjet veprave që bëri Jezusi dhe veprave që Ai i urdhëroi Apostujt e Tij që të bënin?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje për atë që Jezu Krishti i thërret Apostujt që të bëjnë? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me vijuesen: Zoti thërret Apostuj që të predikojnë ungjillin e Tij dhe të bëjnë punët e Tij. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)
Referojuni përsëri fotografive të Apostujve të tanishëm. Kërkojuni studentëve të japin shembuj të mënyrës se si Apostujt e sotëm predikojnë dhe shërbejnë siç do të bënte Jezu Krishti po të ishte këtu.
Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë rëndësinë e të vërtetës që përcaktuan më sipër, lexoni ose tregoni një pjesë të një bisede të fundit të dhënë nga një Apostull i sotëm që është i përshtatshëm për rininë. Pasi ta lexoni thënien ose të shfaqni pjesën nga video pyesni:
Si ndikon të kuptuarit që Apostujt janë thirrur nga Jezu Krishti për të bërë punën e Tij te mënyra se si i përgjigjemi asaj që ata na mësojnë dhe na këshillojnë që të bëjmë?
Në çfarë mënyrash shërbesat dhe mesazhet e Apostujve të sotëm kanë ndikuar në jetën tuaj?
Ftojini studentët që të kërkojnë besnikërisht mundësi për të dëgjuar, studiuar dhe zbatuar fjalët e Apostujve të zgjedhur të Zotit.
Mateu 10:9–42
Jezusi i udhëzon Dymbëdhjetë Apostujt përpara se të shkojnë për të predikuar dhe shërbyer
Përmblidheni Mateun 10:9–16, duke shpjeguar që Zoti i udhëzoi Apostujt të mirëbesonin tek Ati Qiellor për plotësimin e nevojave të tyre ndërsa udhëtonin që të predikonin ungjillin. Shpëtimtari gjithashtu i mësoi t’i bekonin njerëzit që i pranonin dhe i strehonin ata.
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur dikush jo i besimit të tyre u bëri një pyetje të vështirë rreth ungjillit ose pyeti rreth diçkaje të diskutueshme lidhur me Kishën.
Sa të sigurt ishit për njohurinë tuaj për atë që duhet të thoshit në atë situatë? Përse?
Ftojini studentët të kërkojnë një parim në mësimet e Jezusit për Apostujt e Tij në pjesën e mbetur të Mateut 10 që mund të na ndihmojë kur kemi nevojë të shpjegojmë ungjillin ose të japim dëshminë tonë.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 10:16–20. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar llojet e sfidave që Jezusi tha se Apostujt do të hasnin kur të udhëtonin e predikonin.
Çfarë sfidash tha Jezusi se do të hasnin Apostujt e Tij kur të shkonin për të predikuar ungjillin?
Sipas vargjeve 19–20, si do ta dinin Apostujt atë që duhet të thoshin në këto situata sfiduese? (Mund t’ju duhet të shpjegoni që fraza “mos u shqetësoni” do të thotë “mos jini tepër të shqetësuar”.)
Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje për të folurit të tjerëve kur jemi në shërbim të Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur jemi në shërbim të Zotit, Ai do të na frymëzojë për atë që të themi kur të jetë e nevojshme.)
Kur e keni ndier Zotin t’ju frymëzojë të dini se çfarë t’i thoni një personi tjetër? (Ju mund të doni t’u jepni studentëve një çast që të mendojnë përpara se t’u kërkoni që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.)
Përmblidheni Mateun 10:21–42 duke shpjeguar se Jezu Krishti vazhdoi t’u jepte Apostujve te Tij udhëzime, paralajmërime dhe ngushëllim për sfidat që do të hasnin. Për t’i ndihmuar studentët të studiojnë fjalët e Shpëtimtarit te Mateu 10:37–39, ndajini në dyshe ose grupe të vogla dhe jepini secilës dyshe ose secilit grup një kopje të fletushkës shoqëruese. Ftojini studentët të ndjekin udhëzimet në fletushkë duke i studiuar vargjet e caktuara atyre së bashku dhe duke diskutuar për përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve.
Pasi studentët ta kenë plotësuar fletushkën, ju mund t’u kërkoni disave që ta përmbledhin për klasën atë që kanë mësuar.
Ju mund të doni të ndani dëshminë tuaj për parimin që përcaktuan studentët lidhur me humbjen e jetës sonë për hir të Jezu Krishtit. Ftojini studentët të renditin në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa gjëra që mund të bëjnë sot ose në të ardhmen e afërt për ta humbur jetën e tyre në shërbim të Jezu Krishtit dhe të të tjerëve. Ftojini ata që të vendosin një synim dhe ta vënë në zbatim atë synim.