Mësimi 19
Mateu 16
Hyrje
Jezu Krishti i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë që kërkuan një shenjë të hyjnisë së Tij. Pjetri dha dëshmi se Jezusi është Krishti dhe atij iu premtuan çelësat e mbretërisë. Jezusi u mësoi dishepujve të Tij që të merrnin kryqin e vet dhe ta ndiqnin Atë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 16:1–12
Farisenjtë dhe saducenjtë kërkojnë një shenjë nga Shpëtimtari
Përpara orës mësimore, shkruajini frazat vijuese në tabelë:
Për ta filluar mësimin, kërkojuni studentëve të zgjedhin frazën në tabelë që përshkruan më mirë mënyrën se si do të dëshironin të merrnin një dëshmi për ungjillin. Ftojini disa studentë të raportojnë se cilën frazë zgjodhën dhe të shpjegojnë arsyen përse e zgjodhën atë.
Ftojini studentët që teksa studiojnë Mateun 16 të kërkojnë të vërteta lidhur me mënyrën se si Zoti na ndihmon t’i marrim dhe forcojmë dëshmitë tona për ungjillin.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 16:1. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar atë që farisenjtë dhe saducenjtë i kërkuan Jezusit.
Çfarë i kërkuan farisenjtë dhe saducenjtë Jezusit?
Si mendoni ju, çfarë do të thotë që farisenjtë dhe saducenjtë po e “tund[onin]” Jezusin kur kërkuan një shenjë? (Një kuptim i foljes tundoj është të vësh në provë ose të sprovosh.)
Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 16:2–4. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj farisenjve dhe saducenjve.
Çfarë shenje tha Zoti që do të jepte?
Shpjegoni se Jezusi po i referohej profetit Jona të Dhiatës së Vjetër, që ishte gëlltitur nga një “peshk [i] madh” (Jona 1:17). “Varrosja” e Jonës në barkun e peshkut dhe pastaj dalja nga aty pas tri ditësh simbolizuan vdekjen, varrimin dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit nga varri ditën e tretë.
Çfarë bëri Shpëtimtari pasi i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë?
Çfarë mund të mësojmë ne nga kjo përvojë për mënyrën e papërshtatshme të të kërkuarit të së vërtetës shpirtërore? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne nuk e marrim të vërtetën shpirtërore duke kërkuar shenja.)
Përmblidheni Mateun 16:5–12 duke shpjeguar se Shpëtimtari i paralajmëroi dishepujt e Tij për mësimet e rreme të farisenjve dhe saducenjve. (Shënim: Kjo ngjarje do të trajtohet me më shumë hollësi në mësimin te Marku 8.)
Mateu 16:13–20
Pjetri dëshmon për Jezu Krishtin dhe atij i premtohen çelësat e mbretërisë
Shpjegoni se pasi Jezusi i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë ngaqë kërkuan një shenjë, Ai u mësoi dishepujve të Tij se si të merrnin një dëshmi për të vërtetën. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 16:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që bëri Jezusi dhe përgjigjen që dhanë dishepujt e Tij.
Çfarë pyetjeje u bëri Shpëtimtari dishepujve të Tij? Si u përgjigjën ata? (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni që Elia dhe Jeremia janë profetët e Dhiatës së Vjetër Elija dhe Jeremia.)
Çfarë mund të na tregojë përgjigjja e tyre për masën në të cilën njerëzit e kuptuan se cili ishte Jezusi në këtë pikë të shërbesës së Tij?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 16:15–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen e dytë që bëri Shpëtimtari.
Cila ishte pyetja e dytë që bëri Shpëtimtari? Si u përgjigj Pjetri?
Sipas vargut 17, si e dinte Pjetri që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë? (Vini në dukje që Ati Qiellor ia kishte zbuluar këtë të vërtetë atij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund të fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin? (Përgjigjet e studentëve duhet të reflektojnë të vërtetën që ne fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë.)
Përse mendoni se është e rëndësishme për ne që të marrim një dëshmi nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë në vend të ndonjë mënyre tjetër?
Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë më tej rolin e Frymës së Shenjtë për të na ndihmuar që të fitojmë një dëshmi për Shpëtimtarin, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:
“Shpirti i Perëndisë, teksa i flet shpirtit të njeriut, ka fuqi ta japë të vërtetën me një ndikim e kuptueshmëri më të madhe se ç’mund të jepet e vërteta nga takimi vetjak edhe me qeniet qiellore. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë e vërteta endet deri në ind e në pejza të trupit që të mos mund të harrohet” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 187).
Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për ta përgatitur veten që të marrim zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
Si arritët ju të merrnit dëshmi që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari juaj? Çfarë bëtë që të përgatiteshit për ta marrë atë dëshmi nga Fryma e Shenjtë?
Ftojini studentët të përsiatin për dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin. Nxitini ata të shënojnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta mënyrën se si mund t’i forcojnë dëshmitë e tyre ose për atë që mund t’ju duhet të bëjnë për të marrë dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Ftojini dy studentë që të vijnë përpara klasës dhe të marrin pjesë në një interpretim me role. Caktojeni një student që të përfaqësojë veten e tij ose të saj dhe studentin tjetër të përfaqësojë një shok që nuk është anëtar i Kishës. Jepini studentit që përfaqëson shokun joanëtar një fletë të vogël letre që përmban dy pyetjet vijuese. Ftojeni studentin t’i lexojë me zë të lartë një e nga një pyetjet dhe kërkojini studentit tjetër të përgjigjet. (Ju mund të doni ta nxitni klasën të sugjerojë përgjigje të mundshme që mund të japë studenti që u përgjigjet pyetjeve.)
Kam dëgjuar se kisha juaj pretendon të jetë e vetmja kishë e vërtetë e Jezu Krishtit. A është kjo ajo që besoni?
Edhe kisha ime beson te Jezu Krishti, kështu që përse mendoni se kisha juaj është e vetmja kishë e vërtetë?
Falënderojini studentët për pjesëmarrjen dhe ftojini që të kthehen në vendet e tyre.
Ftojini studentët që teksa vazhdojnë ta studiojnë Mateun 16, të kërkojnë të vërteta që mund të na ndihmojnë të kuptojmë dhe t’u shpjegojmë të tjerëve atë që e dallon Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si Kisha e Zotit në tokë.
Kujtojuni studentëve që kur Jezusi u bëri dishepujve të Tij pyetjet për identitetin e Tij, ata ishin në një krahinë të quajtur Cezarea e Filipit (shih Mateu 16:13). Nëse është e mundur paraqitni një figurë të Cezaresë së Filipit (shih Harta e Fotografi të Biblës [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta], nr. 26, “Caezarea e Filipisë”). Kërkojuni studentëve të përcaktojnë atë që është mbrapa lumit dhe pemëve në këtë fotografi. Shpjegoni se formacioni i madh shkëmbor në Caezarenë e Filipit do të ketë siguruar një mjedis domethënës ndërsa Shpëtimtari vazhdoi diskutimin e Tij me dishepujt e Tij.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 16:18–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari e përdori konceptin e shkëmbit për të përshkruar themelin e Kishës së Tij.
Si mendoni, çfarë donte të thoshte Shpëtimtari kur Ai tha se Ai do ta ndërtonte Kishën e Tij “mbi këtë shkëmb”? (vargu 18).
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë frazë, ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë thëniet vijuese nga Profeti Jozef Smith:
“Jezusi në mësimet e Tij thotë: ‘Mbi këtë shkëmb unë do ndërtoj kishën time. …’ [Mateu 16:18.] Cilin shkëmb? Zbulesën” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 204).
“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u themelua sipas zbulesës së drejtpërdrejtë, ashtu si ka qenë gjithmonë Kisha e vërtetë e Perëndisë, sipas Shkrimeve të Shenjta (Amosi 3:7 dhe Veprat e Apostujve 1:2)” (Mësimet: Jozef Smith, f. 204).
Si do ta përmblidhnit mësimin e Shpëtimtarit për Kishën e Tij të shënuar te vargu 18? (Studentët duhet të përcaktojnë diçka të ngjashme me parimin vijues: Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi bazën e zbulesës nga Perëndia. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
Si mund ta forcojë dëshminë tuaj për ungjillin dijenia që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është ndërtuar mbi bazën e zbulesës nga Perëndia?
Sipas vargut 19, çfarë premtoi Shpëtimtari se do t’i jepte Pjetrit?
Çfarë doktrine mund të mësojmë nga premtimi që Shpëtimtari i dha Pjetrit? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti ia beson çelësat e mbretërisë së Tij profetëve dhe apostujve të Tij të zgjedhur.)
Çfarë janë çelësat e mbretërisë? (Fuqia, e drejta dhe autoriteti drejtues i nevojshëm për të kryesuar mbretërinë e Perëndisë në tokë apo Kishën e Jezu Krishtit.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë se çfarë janë çelësat e priftërisë, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“‘Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë [mbajtësve] të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë’ [Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.1.1 (f. 8)]. Çdo veprim ose ordinancë e kryer në Kishë bëhet nën autorizimin e drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë të personit që mban çelësat për atë funksion” (“Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49).
Çfarë tha Jezusi që do të ishte në gjendje të bënte Pjetri për shkak të çelësave që do t’i jepeshin atij?
Shpjegoni se mes çelësave që Shpëtimtari i premtoi Pjetrit ishin çelësat e fuqisë vulosëse. Kjo fuqi i lejon ordinancat e kryera nën autoritetin e udhëheqësve të Kishës të jenë të vlefshme në qiell. Ajo përdoret gjithashtu për t’i lidhur familjet së bashku për përjetësinë. Në kohën tonë, fuqia vulosëse mbahet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve.
Si do të përmblidhnit arsyen përse Zoti u jep çelësat e priftërisë profetëve dhe Apostujve të Tij? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me vijuesen: Çelësat e priftërisë janë të nevojshëm për të administruar Kishën e Zotit në tokë.)
Kërkojini një studenti t’i lexojë me zë të lartë pyetjet nga interpretimi me role. Ftojeni klasën të shpjegojë mënyrën se si do t’i përgjigjeshin këtyre pyetjeve duke përdorur të vërtetat që kanë përcaktuar te Mateu 16:18–19. Ju gjithashtu mund të doni t’i ftoni studentët të japin dëshmitë e tyre për këto të vërteta.
Merrni parasysh të paraqitni një fotografi të Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të tanishëm (shih LDS.org [për shembull, Meet Today’s Prophets and Apostles (Takohuni me Profetët dhe Apostujt e Sotëm)] dhe numrat e konferencave të përgjithshme të Ensign ose Liahona) dhe të dëshmoni që të njëjtat çelësa që iu dhanë Pjetrit dhe Apostujve të tjerë në lashtësi mbahen dhe përdoren sot nga profetët dhe Apostujt e gjallë të Zotit.
Mateu 16:21–28
Jezusi jep mësim se çfarë do të thotë ta ndjekësh Atë
Përmblidheni Mateun 16:21–28 duke shpjeguar se Jezusi foli për sakrificën e Tij shlyese. Ai gjithashtu i mësoi dishepujt e Tij që ata duhet të jenë të gatshëm ta mohojnë njeriun e natyrshëm (shih Mosia 3:19), të jenë të bindur dhe të sakrifikojnë në mënyrë që ta ndjekin me gëzim Atë.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 16:15–19
Nxitini studentët t’u tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan nga Mateu 16. Merrni parasysh të zgjidhni një pjesë të Mateut 16:15–19 për ta mësuar përmendsh si klasë gjatë ditëve të ardhshme. Ju mund të gjeni ide për të mësuarin përmendsh te shtojca e këtij manuali.