Mësimi 25
Mateu 22:15–46
Hyrje
Ndërsa Jezusi vazhdoi të jepte mësim në tempull, farisenjtë dhe saducenjtë u përpoqën ta ngatërronin duke i bërë pyetje të vështira. Ai iu përgjigj me sukses pyetjeve të tyre dhe i mësoi që t’i bindeshin ligjeve të vendit dhe të mbanin dy urdhërimet e mëdha.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 22:15–22
Farisenjtë përpiqen ta ngatërrojnë Shpëtimtarin duke e pyetur nëse ishte e ligjshme të paguaje taksën
Cilat janë disa ligje të rëndësishme që qeveria ka vendosur në shoqërinë tonë? Si mendoni, përse janë të rëndësishme ato?
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh në heshtje nëse ka ligje të cilave nuk u binden aq mirë sa duhet t’u binden. Teksa studentët studiojnë Mateun 22:15–22, ftojini të kërkojnë atë që Jezu Krishti dha mësim për bindjen ndaj ligjeve të vendit.
Kujtojuni studentëve se gjatë javës së fundit të jetës së Tij, Shpëtimtari dha mësim përditë në tempullin në Jerusalem (shih Lluka 19:47; 22:53). Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:15 dhe vëreni klasën ta ndjekë e të kërkojë atë që farisenjtë u përpoqën t’i bënin Shpëtimtarit.
Çfarë do të thotë fraza “ta zinin gabim në fjalë”?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:16–17 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si farisenjtë u përpoqën ta ngatërronin Shpëtimtarin. Shpjegoni që fjala taksa te vargu 17 i referohet pagimit të taksave dhe që Cesari ishte perandori i Perandorisë Romake, e cila sundonte Izraelin në atë kohë.
Si ishte pyetja që ata i bënë Jezusit një kurth i mundshëm? (Nëse Shpëtimtari do të thoshte që ishte e drejtë t’i paguaje taksa Perandorisë Romake, judenjtë do ta quanin Atë mbështetës të Romës dhe jobesnik ndaj vetë popullit të Tij. Nëse Shpëtimtari do t’u thoshte atyre se nuk ishte e ligjshme të paguaje taksa, farisenjtë mund ta akuzonin Jezusin për tradhti dhe ta paditnin Atë para autoriteteve romake.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:18–21 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si Shpëtimtari iu përgjigj pyetjes së farisenjve. Shpjegoni se fraza “jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit” te vargu 21 i referohet detyrimit tonë për t’iu bindur ligjeve civile, të tilla si ligjit për të paguar taksa. Ngrini lart një monedhë dhe pyesni:
Përse përgjigjja e Shpëtimtarit ishte një përgjigje e përsosur ndaj pyetjes së farisenjve?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga mësimi i Shpëtimtarit që ne duhet t’i “[japim], pra, Cezarit atë që i përket Cezarit”? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë të vërtetën vijuese: Zoti pret nga ne që të jemi qytetarë të mirë dhe t’u bindemi ligjeve të vendit [shih edhe Nenet e Besimit 1:12].)
Si mendoni, përse është e rëndësishme për ne si dishepuj të Jezu Krishtit që të jemi qytetarë të mirë dhe t’u bindemi ligjeve të vendit? (Shih DeB 58:21.)
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 22:22, duke kërkuar mënyrën se si farisenjtë reaguan ndaj përgjigjes së Shpëtimtarit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Mateu 22:23–34
Shpëtimtari i mëson saducenjtë për martesën dhe Ringjalljen
Shpjegoni se përveç farisenjve, edhe saducenjtë u përpoqën ta futnin në kurth Shpëtimtarin me fjalët e Tija ndërsa jepte mësim në tempull. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë bindjet e saducenjve, ftojini të lexojnë në heshtje pjesën “Saducenj” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 164]. Vërini studentët të kërkojnë atë që besonin dhe nuk besonin saducenjtë.
Çfarë bindjesh nuk pranonin saducenjtë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:23–28 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si saducenjtë u përpoqën ta ngatërronin Shpëtimtarin.
Si do ta përmblidhnit pyetjen që saducenjtë i bënë Shpëtimtarit?
Shpjegoni që saducenjtë me qëllim e keqpërdornin një zakon të Dhiatës së Vjetër që kishte qëllim të kujdesej për të vejat (shih Ligji i Përtërirë 25:5–6; Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Levirate marriage”). Ata përpiqeshin ta zmadhonin së tepërmi këtë zakon për të zhvlerësuar doktrinën e Ringjalljes.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:29–30 dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj pyetjes së saducenjve.
Si iu përgjigj Shpëtimtari pyetjes?
Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë përgjigjen e Shpëtimtarit, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“[Jezu Krishti] nuk po e mohon apo kufizon konceptin e pranuar gjerësisht që do të ketë martesë dhe dhënie në martesë në qiell. Ai po thotë që për sa i përket ‘atyre’ (saducenjve), që për sa i përket ‘atyre’ (‘fëmijëve të kësaj bote’), njësia familjare nuk vazhdon dhe nuk do të vazhdojë në ringjallje. …
‘Si rrjedhim, kur [ata që nuk dëshirojnë ta jetojnë, nuk e jetojnë ose nuk mund ta jetojnë ligjin e martesës së përjetshme] të jenë jashtë botës, ata as nuk martohen, as nuk jepen në martesë’ [DeB 132:16].
Kjo do të thotë që, nuk ka as martesë, as dhënie në martesë në qiell për ata të cilëve po u fliste Jezusi, për ata që as nuk besojnë në ringjallje, jo më në të gjitha të vërtetat e tjera shpëtuese” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:606).
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej mesazhin e Shpëtimtarit te Mateu 22:29–30, shpjegoni se Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith shumë të vërteta të rëndësishme për martesën e përjetshme. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:15–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i zbuloi Jozef Smithit për martesën.
Cilët tha Zoti që nuk “martohen, as nuk jepen në martesë” (vargu 16) në Ringjallje?
Çfarë të vërtete dha mësim Shpëtimtari te Mateu 22:30 dhe Doktrina e Besëlidhje 132:15–17 për martesën dhe jetën pas vdekjes? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë të vërtetën vijuese: Ata që nuk janë vulosur me anë të autoritetit të priftërisë me bashkëshortët/et e tyre në vdekshmëri ose nëpërmjet ordinancave mëkëmbëse në tempuj nuk do të jenë të martuar në botën që do të vijë.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:31–33 dhe vëreni klasën të kërkojë se çfarë të vërtetash të tjera u mësoi Shpëtimtari saducenjve për Ringjalljen.
Çfarë tha Shpëtimtari te vargu 32 që tregon se Ringjallja është e vërtetë?
Si u përgjigjën njerëzit kur e dëgjuan Shpëtimtarin t’i jepte mësim këto doktrina?
Mateu 22:34–40
Shpëtimtari jep mësim për dy urdhërimet e mëdha
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta sa më shumë urdhërime që u vijnë atyre në mendje në një minutë. Kërkojuni studentëve të raportojnë se sa urdhërime qenë në gjendje të shkruanin.
Shpjegoni që judaizmi na mëson se ligji i Moisiut përmban 613 urdhërime. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:35–36. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që farisenjtë i bënë Shpëtimtarit lidhur me këto urdhërime.
Çfarë pyetjeje i bënë farisenjtë Shpëtimtarit?
Përpara se studentët të shikojnë përgjigjen e Shpëtimtarit, ftojini të rrethojnë një urdhërim në listën e tyre që ata mendojnë se është urdhërimi më “i madh” ose më i rëndësishmi. Ftojini disa studentë të raportojnë se cilin urdhërim rrethuan dhe të shpjegojnë arsyen përse e rrethuan atë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:37–40. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari iu përgjigj pyetjes së farisenjve.
Cili është urdhërimi më i madh? Cili është urdhërimi i dytë më i madh? (Shpjegoni se këto dy urdhërime gjendeshin në ligjin e Moisiut [shih Ligji i Përtërirë 6:5; Levitiku 19:18]. Shpjegoni gjithashtu që udhëzimi i Zotit, “duaje të afërmin tënd,” i referohet mënyrës se si ne i trajtojmë të tjerët.)
Përse mendoni që këto dy urdhërime janë quajtur urdhërimet më të mëdha?
Çfarë do të thotë te vargu 40 që “nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët”? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se të gjitha urdhërimet që Perëndia i zbuloi në ligjin e Moisiut dhe nëpërmjet profetëve të Dhiatës së Vjetër kishin qëllim t’i ndihmonin njerëzit të tregonin dashurinë e tyre për Perëndinë dhe për fqinjin e tyre.)
Nëse çdo urdhërim ka qëllim të na ndihmojë të mbajmë dy urdhërimet e mëdha, çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 40 për rëndësinë e mbajtjes së të gjitha urdhërimeve të Perëndisë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse e duam me të vërtetë Perëndinë dhe e duam fqinjin tonë si veten, ne do të përpiqemi t’i mbajmë të gjitha urdhërimet e Perëndisë.)
Për ta ilustruar këtë parim, ftojini studentët t’i drejtohen listës së urdhërimeve që krijuan në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni që të vendosin një yll pranë urdhërimeve që tregojnë dashuri për Perëndinë dhe një katror pranë atyre urdhërimeve që tregojnë dashuri për fqinjin tonë. (Disa urdhërime mund të shenjohen edhe me yll, edhe me katror.) Kërkojuni studentëve të zgjedhin një prej urdhërimeve në listën e tyre dhe të shpjegojnë mënyrën se si bindja ndaj atij urdhërimi na lejon të tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë, dashurinë tonë për fqinjin tonë ose të dyja.
Çfarë ndjenjash keni pasur kur keni zgjedhur t’i bindeni një urdhërimi të veçantë për të treguar dashurinë tuaj për Perëndinë ose për një person tjetër?
Jepni dëshminë tuaj për parimin që nëse e duam me të vërtetë Perëndinë dhe e duam fqinjin tonë si veten, ne do t’i mbajmë të gjitha urdhërimet e Perëndisë. Ftojini studentët të mendojnë për një urdhërim të cilit ata mund t’i binden më besnikërisht për të treguar dashurinë e tyre për Atin Qiellor ose për një person tjetër, dhe nxitini ata të vënë një qëllim për ta bërë atë. Ftojini ata ta shkruajnë këtë qëllim në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Mateu 22:41–46
Shpëtimtari i pyet farisenjtë se çfarë mendojnë për Krishtin
Shpjegoni se pasi Shpëtimtari iu përgjigj me sukses pyetjeve të farisenjve dhe saducenjve, Ai u bëri farisenjve disa pyetje.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 22:41–42 dhe vëreni klasën të kërkojë se për çfarë i pyeti farisenjtë Shpëtimtari.
Çfarë pyetjesh u bëri Jezu Krishti farisenjve?
Si u përgjigjën farisenjtë?
Shpjegoni që shumica e judenjve e dinin që Krishti ose Mesia do të ishte pasardhës i mbretit David. Farisenjtë besonin se Mesia do të kurorëzohej mbret i Izraelit dhe do t’i ndihmonte ata t’i mposhtnin armiqtë e huaj (të tillë si Romën) dhe të fitonin lirinë e tyre, siç kishte bërë më përpara mbreti David. Përmblidheni Mateun 22:43–46 duke shpjeguar që Jezusi i mësoi farisenjtë se në përputhje me vetë shkrimet e tyre të shenjta, Krishti ishte më shumë se sa thjesht biri i Davidit – Ai ishte gjithashtu Biri i Perëndisë. Ose, siç iu zbulua më vonë Gjonit, të Dashurit, Krishti është si “Rrënja dhe pasardhja e Davidit” (Zbulesa 22:16); Ai është si Zoti i Davidit edhe pasardhësi i tij.
Ftojini studentët të marrin parasysh se si do t’i përgjigjeshin pyetjes: “Ç’u duket juve për Krishtin?” Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për Shpëtimtarin.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 22:36–39
Jepuni studentëve kohë që t’i shkruajnë fjalët nga Mateu 22:36–39 në karta shënimesh ose në fletë të vogla letre. Ftojini studentët t’i mbajnë me vete kartat e tyre dhe t’u referohen atyre periodikisht gjatë gjithë ditës, për t’i ndihmuar ata të kujtojnë që të mbajnë urdhërimin e parë dhe të dytë.