Mësimi 27
Joseph Smith—Mateu; Mateu 24
Hyrje
Jezu Krishti profetizoi për shkatërrimin e Jerusalemit dhe tempullit. Ai zbuloi shenjat e Ardhjes së Tij të Dytë dhe i udhëzoi besnikët që të ishin të vëmendshëm e të përgatiteshin për atë ditë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Joseph Smith—Mateu 1:1–20
Jezu Krishti profetizon për shkatërrimin e Jerusalemit dhe tempullit
Paraqitni figurën Ardhja e Dytë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2008], nr. 66; shih edhe LDS.org). Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjet që kanë në lidhje me Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe t’i shkruajnë këto pyetje në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Mos kërkoni t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve në këtë kohë. Ftojini studentët të kërkojnë përgjigje ndërsa studiojnë Joseph Smith—Mateun.
Vini në dukje që Joseph Smith—Mateu është Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 23:39 dhe Mateut 24. Përmblidheni Joseph Smith—Mateun 1:1–3 duke shpjeguar se ndërsa Jezu Krishti dha mësim në tempullin në Jerusalem, dishepujt e Tij kuptuan se Ai do të kthehej në tokë. Jezusi më pas u largua nga tempulli dhe dishepujt e Tij erdhën tek Ai, duke kërkuar të dinin më shumë për kohën kur tempulli do të shkatërrohej.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Joseph Smith—Mateun 1:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar dy pyetje që dishepujt i bënë Jezusit në Malin e Ullinjve. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë dhe shkruajini pyetjet vijuese në tabelë:
Shpjegoni që Jezu Krishti iu përgjigj pyetjes së parë te vargjet 5–21 dhe pyetja e dytë merr përgjigje te vargjet 21–55. Ndajini studentët në dyshe. Udhëzojini që ta lexojnë me partnerët e tyre me zë të lartë Joseph Smith—Mateun 1:5–12, duke kërkuar shenjat e lidhura me shkatërrimin e Jerusalemit dhe tempullit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Ndonëse Jezusi tha që dishepujt e Tij do të vuanin gjatë kësaj kohe, çfarë tha Ai për ata që “do të ngulmoj[në] dhe nuk mposhte[n]”? (vargu 11).
Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 11? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse qëndrojmë ngulmues dhe nuk mposhtemi, atëherë ne do të shpëtohemi. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Çfarë do të thotë të jemi ngulmues dhe të pamposhtur? (Ngulmues sugjeron të qenit i patundur, i fortë, i paepur dhe i pathyeshëm.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kapin kuptimin e fjalës shpëtohet te vargu 11, shpjegoni se ndërsa jemi ngulmues, ne mund të mos na kursehen vështirësitë, por ne përfundimisht do të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës të mbajë vesh për mënyrën se si ata që qëndruan ngulmues në bindjen ndaj këshillës së Shpëtimtarit u shpëtuan nga shkatërrimi:
Te Joseph Smith—Mateu 1:13–18 ne mësojmë se Jezusi i paralajmëroi dishepujt e Tij që të ishin gati për të vrapuar për në male dhe për të mos u kthyer në shtëpitë e tyre pasi Jerusalemi do të sulmohej e shkatërrohej. Ai profetizoi se mundimet e atyre ditëve do të ishin më të këqijat që Izraeli kishte parë ndonjëherë. Në vitin 70 ps.K., përafërsisht 40 vite pasi Jezusi i tha këto fjalë, romakët i ngritën pritë Jerusalemit dhe vranë mbi një milion judenj. Tempulli u shkatërrua dhe asnjë gurë mbi gur nuk mbeti – ashtu siç kishte profetizuar Shpëtimtari (shih Mateu 24:2). Megjithatë, ata që ia vunë veshin paralajmërimit të Jezusit u arratisën të sigurt për në Pela, një qytet afro 80,47 km në verilindje të Jerusalemit (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik në variantin SHDM në anglisht të Biblës], “Pella”).
Si e ilustron përvoja e judenjve rëndësinë e të qëndruarit ngulmues në të bindurit ndaj fjalëve të Shpëtimtarit?
Kur jeni bekuar nga të qëndruarit ngulmues në bindjen ndaj urdhërimeve?
Përmblidheni Joseph Smith—Mateun 1:19–20 duke shpjeguar se Jezusi profetizoi se ndonëse judenjtë do të vuanin sprova të mëdha, ata do të ruheshin për shkak të besëlidhjes së Perëndisë me ta.
Joseph Smith—Mateu 1:21–37
Jezusi profetizon për shenjat e Ardhjes së Tij të Dytë
Shpjegoni se përveç shpjegimit të shenjave që do të paralajmëronin shkatërrimin e Jerusalemit, Shpëtimtari iu përgjigj pyetjes së dytë të dishepujve të Tij duke profetizuar për shenjat në lidhje me Ardhjen e Tij të Dytë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Joseph Smith—Mateun 1:21–23. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Zoti zbuloi shenjat e Ardhjes së Tij të Dytë.
Përse është e dobishme për dishepujt e Jezu Krishtit që të dinë shenjat që njoftojnë Ardhjen e Dytë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Joseph Smith—Mateun 1:24–26. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si Shpëtimtari do të shfaqet në Ardhjen e Tij të Dytë.
Si do të shfaqet Shpëtimtari në Ardhjen e Tij të Dytë?
Si mund t’i ndihmojë dijenia për këtë të zgjedhurit që ta shmangin të qenit të mashtruar?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Joseph Smith—Mateun 1:27–31, duke kërkuar shenja që do të paraprijnë Ardhjen e Dytë.
Me çfarë vështirësish do të përballen njerëzit përpara Ardhjes së Dytë?
Bazuar te vargjet 27 dhe 31, çfarë shenjash shpresëdhënëse do të paraprijnë Ardhjen e Dytë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, të zgjedhurit e Zotit do të mblidhen dhe ungjilli do të predikohet në të gjithë botën.)
Në çfarë mënyrash e shohim këtë profeci të përmbushet?
Shpjegoni se Joseph Smith—Mateu 1:32–36 përshkruan shenja të tjera të lidhura me Ardhjen e Dytë.
Kujtojuni studentëve paralajmërimin e Shpëtimtarit që në ditët e fundit Krishtër të rremë e profetë të rremë do të përpiqen “t’i mashtrojnë … edhe të zgjedhurit” (vargu 22). Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Joseph Smith—Mateun 1:37. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si të zgjedhurit mund të shmangin të qenit të mashtruar.
Si mund ta shmangin të zgjedhurit të qenit të mashtruar?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky varg? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e mbledhim si thesar fjalën e Zotit, atëherë ne nuk do të mashtrohemi. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues të dhënë nga Plaku Rasëll M. Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Një prej misionarëve të mi të shkëlqyer, i cili shërbeu me mua kur isha presidenti i misionit në Toronto [të Kanadasë], erdhi të më takonte disa vite më vonë. E pyeta atë: ‘Plak, si mund të të ndihmoj?’
‘President,’ tha ai, ‘mendoj se po humbas dëshminë time’.
Nuk mund ta besoja. E pyeta se si ishte e mundur ajo.
‘Për herë të parë kam lexuar ca literaturë antimormone,’ tha ai. ‘Kam disa pyetje dhe askush nuk i jep përgjigje atyre për mua. Jam i pështjelluar dhe mendoj se po e humbas dëshminë time’” (“When Shall These Things Be?” Ensign, dhjetor 1996, f. 60).
Kërkojuni studentëve të përsiatin nëse ata, ose individë që ata njohin, kanë përjetuar diçka të ngjashme me atë që përjetoi ky misionar i mëparshëm?
Çfarë këshille do t’i jepnit një personi në këtë situatë? Përse?
Ftojeni një student të vazhdojë ta lexojë me zë të lartë rrëfimin e Plakut Ballard:
“E pyeta se cilat ishin pyetjet e tij dhe ai mi tregoi. Ato ishin çështjet e zakonshme kundër Kishës, por doja pak kohë për të mbledhur materialet në mënyrë që të jepja përgjigje kuptimplote. Ndaj caktuam një takim 10 ditë më vonë, kohë në të cilën i thashë atij se do t’i përgjigjesha çdonjërës prej pyetjeve të tij. Kur nisi të largohej, e ndalova.
‘Plak, ti më ke bërë disa pyetje mua sot këtu,’ thashë unë. ‘Tani unë kam një pyetje për ty.’
‘Po, President?’
‘Sa kohë u bë që kur ke lexuar nga Libri i Mormonit?’ E pyeta unë.
Sytë e tij u ulën. Ai vështroi dyshemenë për një farë kohe. Më pas vështroi nga unë. ‘Ka kaluar shumë kohë, President,’ rrëfeu ai.
‘Dakord,’ thashë unë. ‘Ti më ke dhënë detyrën time. Është plotësisht e drejtë të të jap detyrën tënde. Dua të më premtosh se do të lexosh nga Libri i Mormonit për të paktën një orë çdo ditë nga ky çast dhe deri në takimin tonë të ardhshëm.’ Ai ra dakord që do ta bënte atë.
Dhjetë ditë më vonë ai u kthye në zyrën time dhe unë isha gati. Nxora letrat e mia që të filloja t’u përgjigjesha pyetjeve të tij, por ai më ndaloi.
‘President,’ tha ai, ‘nuk do të jetë e nevojshme.’ Pastaj ai shpjegoi: ‘Unë e di se Libri i Mormonit është i vërtetë. Unë e di se Jozef Smithi është një profet i Perëndisë.’
‘Epo, kjo është e mrekullueshme,’ thashë unë. ‘Por sidoqoftë do t’i marrësh përgjigjet për pyetjet e tua. Kam punuar shumë kohë për këtë, prandaj thjesht ulu aty e dëgjo.’
Dhe kështu unë iu përgjigja të gjitha pyetjeve të tij dhe pastaj pyeta: ‘Plak, çfarë ke mësuar nga kjo?’
Dhe ai tha: ‘Jepi Zotit të njëjtën kohë’” (“When Shall These Things Be?” f. 60).
Si e ilustron kjo përvojë parimin që përcaktuam te vargu 37?
Si jeni bekuar ju kur e keni mbledhur si thesar fjalën e Zotit?
Joseph Smith—Mateu 1:38–55
Jezusi i udhëzon dishepujt e Tij rreth të qenit të përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë
Shpjegoni se duke përdorur shëmbëlltyra, Jezusi i udhëzoi dishepujt e Tij për mënyrën se si ta ruanin si thesar fjalën e Tij dhe të përgatiteshin për Ardhjen e Tij të Dytë.
Ndajini studentët në dyshe. Caktojini njërit student në çdo dyshe që të studiojë Joseph Smith—Mateun 1:38–46 dhe studentit tjetër të studiojë Joseph Smith—Mateun 1:47–54. Ftojini studentët të kërkojnë doktrina e parime në vargjet që u janë caktuar atyre dhe t’i shkruajnë ato.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të përmbledhin shëmbëlltyrat që lexuan për partnerët e tyre dhe të diskutojnë për pyetjet vijuese:
Çfarë të vërtetash përcaktuat?
Si i ilustroi Shpëtimtari këto të vërteta në vargjet që studiuat?
Ftojini disa studentë të raportojnë të vërtetat që përcaktuan, që mund të përfshijnë sa vijon: Vetëm Ati Qiellor e di se kur do të ndodhë Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit. Nëse tregohemi të kujdesshëm për shenjat dhe u bindemi urdhërimeve të Zotit, atëherë ne do të jemi të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.
Përsëritni të vërtetat e përcaktuara te Joseph Smith—Mateu dhe kërkojuni studentëve të marrin parasysh mënyrën se si këto të vërteta ndihmojnë në të përgjigjurit e pyetjeve që ata shkruan në fillim të mësimit. Ftojini ata që të dëshmojnë për të vërtetat që kanë mësuar.
Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (nëse është e mundur, siguroni kopje për t’ua dhënë studentëve):
“Po sikur dita e ardhjes së Tij të ishte nesër? Sikur ta dinim që do ta takonim Zotin nesër – nëpërmjet vdekjes sonë të parakohshme ose nëpërmjet ardhjes së papritur të Tij – çfarë do të bënim ne sot? Çfarë rrëfimesh do të bënim? Çfarë praktikash do të ndërpritnim? Cilat llogari do të shlyenim? Çfarë faljesh do të jepnim? Çfarë dëshmish do të thoshim?
Nëse do t’i bënim ato gjëra atëherë, përse jo tani?” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 9).
Ftojini studentët të shkruajnë një përgjigje për pyetjen vijuese: Nëse do të dija që do të takoja Shpëtimtarin nesër, çfarë do të ndryshoja sot? Nxitini ata që ta zbatojnë atë që shkruan.