Mësimi 8
Mateu 4
Hyrje
Në vijim të pagëzimit të Tij, Jezusi kaloi 40 ditë duke agjëruar e biseduar me Atin Qiellor në shkretëtirë. Pas kësaj përvoje, djalli e tundoi Jezusin. Duke përdorur shkrimet e shenjta, Jezusi i bëri ballë secilit tundim. Shpëtimtari shkoi në Galile, ku Ai thirri Pjetrin dhe të tjerë që ta ndiqnin Atë dhe shkoi ngado duke dhënë mësim, predikuar e shëruar.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 4:1–11
Jezusi i bën ballë tundimeve të djallit
Kërkojini një vullnetari të dalë para klasës. Nxiteni studentin që të përqendrohet te një send në dhomë për 30 sekonda pa ia ndarë sytë. Pasi studenti të fillojë, përpiquni ta shpërqendroni atë që të mos e shikojë sendin. Për shembull, ju mund të paraqitni sende me ngjyra të ndritshme, të bëni zhurma të forta ose t’i ofroni ushqim studentit. Pas 30 sekondash, pyeteni studentin:
Sa arritët ta ruanit përqendrimin? Përse ishit, ose nuk ishit, në gjendje që ta ruanit përqendrimin tuaj?
Për çfarë menduat gjatë 30 sekondave?
Pyeteni klasën:
Si është kjo përvojë e ngjashme me përpjekjet tona për të qëndruar të përqendruar te bindja ndaj urdhërimeve të Atit Qiellor? Çfarë mund të përfaqësojnë përpjekjet për ta shpërqendruar këtë student? (Përpjekjet për të na tunduar që të mëkatojmë.)
Përse Satani na tundon që të mëkatojmë? (Shih 2 Nefi 2:17–18, 27.)
Kërkojuni studentëve të mendojnë për mënyrat se si Satani i tundon ata të mëkatojnë. Ftojini ata që teksa studiojnë Mateun 4 të kërkojnë një parim që mund ta zbatojnë për t’i bërë ballë tundimit.
Shpjegoni se në vijim të pagëzimit të Tij, Shpëtimtari pati një përvojë që e ndihmoi Atë të përgatitej për shërbesën e Tij tokësore. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it për Mateun 4:1–2 duke i kushtuar vëmendje ndryshimeve te Përkthimi prej Joseph Smith-it nga teksti origjinal: “Atëherë Jezusi u drejtua nga Shpirti për në shkretëtirë, për të qenë me Perëndinë. Dhe kur kishte agjëruar dyzet ditë e dyzet net dhe kishte biseduar me Perëndinë, paskësaj ai qe i uritur dhe u la që të tundohej nga djalli” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 226]. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi përjetoi në shkretëtirë. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se në këtë kontekst, fjala bisedoj do të thotë të “jesh me” ose të kesh një ndërveprim të afërt, shpirtëror.)
Si do ta kenë ndihmuar agjërimi dhe të biseduarit me Atin Qiellor Jezusin që të përgatitej për shërbesën e Tij tokësore?
Pasi Jezusi e kaloi këtë kohë në agjërim dhe bisedim me Atin Qiellor, çfarë u përpoq Satani të bënte?
Ndajini studentët në dyshe. Sigurojini çdo dysheje një kopje të tabelës vijuese ose kërkojuni që ta kopjojnë atë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:
Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 8
Çfarë e tundoi Satani Jezusin që të bënte | Si iu përgjigj Jezusi tundimit | |
---|---|---|
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat.
Udhëzojini studentët që t’i lexojnë vargjet e caktuara në dyshet e tyre dhe të plotësojnë tabelën. Para se ata ta fillojnë këtë veprimtari, shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i korrigjon thëniet te Mateu 4:5, 8 duke treguar që Shpirti, jo djalli, e çoi Shpëtimtarin në vendet e ndryshme të përshkruara në këto vargje ([Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 226]; shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 4:5; Lluka 4:9).
Pasi studentët ta kenë plotësuar tabelën, ftojini disa dyshe që të raportojnë atë që shkruan në çdo kuti. Ju mund të bëni pyetjet vijuese:
Cilën dëshirë u përpoq të përdorte Satani kur e tundoi Jezusin, i cili kishte qenë duke agjëruar, që t’i kthente gurët në bukë? (Ai u përpoq të përdorte dëshirën për të kënaqur oreksin fizik.)
Çfarë ishte e rreme tek oferta e Satanit për t’i dhënë Jezusit mbretëritë e botës? (Satani premtoi të jepte shpërblime të cilat nuk i takonin atij që t’i jepte dhe të cilat ai nuk mund t’i siguronte.)
Çfarë tjetër ilustron ky rrëfim për strategjitë e djallit për të na tunduar që të mëkatojmë? (Satani shënjestron pikat tona më të dobëta ose më të cenueshme dhe na tundon në mënyrë të vazhdueshme.)
Vini në dukje se Jezusi përfundimisht do ta kënaqte urinë e Tij dhe madje do ta kthente një substancë tokësore në ushqim (shih Gjonin 2:1–11). Ai gjithashtu do të merrte konfirmim dhe ndihmë hyjnore për shërbesën e Tij (shih Mateu 17:1–5; Lluka 22:41–44), dhe Ai një ditë do të sundojë botën (Zakaria 14:9; Zbulesa 11:15). Sidoqoftë, nëse Jezusi do t’i kishte arritur këto qëllime të dëshiruara në mënyrat si Satani e tundoi Atë – në vend që të priste për kohën e duhur dhe mënyrën e duhur – ajo do të kishte qenë një abuzim egoist i fuqisë së Shpëtimtarit. Jezusi do ta krijonte identitetin e Tij hyjnor si Biri i Perëndisë në mënyra që përputheshin me vullnetin e Atit Qiellor, jo me ofertat e Satanit. (Shih Jeffrey R. Holland, “The Inconvenient Messiah”, Ensign, shkurt 1984, f. 68–73.)
Çfarë ishte e ngjashme në përgjigjet e Shpëtimtarit ndaj secilit tundim? (Jezusi iu përgjigj secilit tundim të Satanit duke cituar nga shkrimet e shenjta.)
Ftojini studentët të punojnë brenda dysheve të tyre për të shkruar një parim që mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit i bërjes ballë të tundimeve të djallit. Kërkojuni disa studentëve që t’i shkruajnë në tabelë parimet që dalluan. Ndërsa studentët tregojnë parimet që kanë përcaktuar, theksoni parimin vijues: Kur i sjellim ndër mend dhe i zbatojmë të vërtetat e mësuara në shkrimet e shenjta, ne mund t’i bëjmë ballë tundimeve të djallit. Nëse kjo e vërtetë nuk është e paraqitur qartë mes parimeve të studentëve, shtojani atë thënieve në tabelë.
Vini në dukje që Shpëtimtari jo vetëm që solli ndër mend shkrime të shenjta që e bënë të qartë mënyrën e drejtë të të vepruarit për secilin tundim, por Ai gjithashtu i zbatoi të vërtetat e mësuara në ato shkrime të shenjta.
Duke marrë parasysh parimin që përcaktuam për fuqinë e të sjellit ndër mend dhe e të zbatuarit të të vërtetave që na mësohen në shkrimet e shenjta, përse është e rëndësishme t’i studiojmë rregullisht shkrimet e shenjta?
Jepini çdo dysheje të studentëve një fletë letër dhe kërkojuni që të bëjnë tri kolona në të. Udhëzojini ata që të shkruajnë në kolonën e parë tri mëkate që të rinjtë e moshës së tyre mund të tundohen t’i bëjnë. Kërkojuni që të shkruajnë në kolonën e dytë një mënyrë në të cilën Satani përpiqet ta joshë një person ta bëjë secilin mëkat që ata shkruan në kolonën e parë. Udhëzojini studentët që t’i ndërrojnë letrat me një dyshe tjetër. Më pas udhëzojini që të gjejnë një referencë të posaçme të shkrimit të shenjtë që na mëson të vërteta që një person mund t’i sjellë ndër mend dhe zbatojë kur tundohet të kryejë secilin mëkat të renditur në letrën që morën. (Ju mund t’i ftoni studentët t’i referohen fragmenteve për zotërimin e shkrimit të shenjtë, të tilla si Zanafilla 39:9; Gjoni 14:15; ose Doktrina e Besëlidhje 10:5.) Kërkojuni studentëve t’i shkruajnë referencat e shkrimeve të shenjta në kolonën e tretë.
Pas disa minutash, ftojeni një student nga çdo dyshe të tregojë referencën e shkrimit të shenjtë që ata gjetën për një nga tundimet në letrën e tyre. Kërkojuni atyre të shpjegojnë mënyrën sesi ai shkrim i shenjtë mund të na ndihmojë kur e përjetojmë atë tundim.
Kur jeni forcuar dhe keni qenë në gjendje t’i bënit ballë një tundimi ngaqë sollët ndër mend dhe zbatuat të vërtetat e mësuara në shkrimet e shenjta? (Kujtojuni studentëve se ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo vetjake.)
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një referencë të shkrimit të shenjtë që ata do ta sjellin ndër mend e zbatojnë herën tjetër që tundohen për të mëkatuar. Nxitini që ta mësojnë përmendsh shkrimin e shenjtë që zgjodhën.
Mateu 4:12–17
Jezusi jeton në Galile
Përmblidheni Mateun 4:12–15 duke shpjeguar që në vijim të përvojës së Tij në shkretëtirë, Shpëtimtari shkoi në Galile dhe jetoi në qytetin e Kapernaumit. Mateu vërejti se shërbesa e Shpëtimtarit në Galile përmbushi një profeci të bërë nga Isaia (shih Isaia 9:1–2). Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 4:16. Ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shenjojnë atë që Isaia profetizoi se do të ndodhte. Vini në dukje se nga kjo profeci ne mësojmë se Jezu Krishti sjell dritë në jetën e atyre që janë në errësirë. Nxitini studentët të kërkojnë mënyrën se si Shpëtimtari e bëri këtë gjatë gjithë shërbesës së Tij.
Përmblidheni Mateun 4:17 duke shpjeguar se Shpëtimtari filloi të predikonte pendim në përgatitje të ngritjes së mbretërisë së qiejve mes njerëzve.
Mateu 4:18–22
Jezusi thërret Pjetrin dhe të tjerë ta ndjekin Atë
Paraqitni figurën Thirrja e Peshkatarëve (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 37; shih edhe LDS.org). Vini në dukje që dy burrat para barkës janë Pjetri dhe vëllai i tij Andrea.
Çfarë po bëjnë ata me rrjetën?
Shpjegoni se ndërsa njerëzit e tjerë ka të ngjarë që i shihnin Pjetrin dhe Andrean si peshkatarë të zakonshëm, Jezu Krishti pa potencialin e tyre të madh dhe e dinte se çfarë mund të bëheshin ata.
Në çfarë mënyrash jemi ne të ngjashëm me Pjetrin dhe Andrean?
Teksa studentët vazhdojnë ta studiojnë Mateun 4, ftojini që të kërkojnë atë që duhet të bëjmë që të bëhemi gjithçka që Zoti dëshiron që ne të bëhemi.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 4:18–22. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar ndërveprimin midis Shpëtimtarit dhe disa peshkatarëve.
Çfarë i thirri Shpëtimtari Pjetrin, Andrean, Jakobin dhe Gjonin që të bënin? Çfarë është një “peshkata[r] njerëzish”? (vargu 19).
Çfarë do të sakrifikonin këta burra për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për të ndihmuar në punën e Tij? Përse mund të ishte kjo e vështirë për ata?
Ftojini studentët që të përsiatin mënyrën se si do të ishin përgjigjur ata nëse do të kishin qenë njëri nga këta burra.
Çfarë vutë re te përgjigjja e këtyre burrave? Çfarë tregon përgjigjja e tyre e menjëhershme ndaj ftesës së Shpëtimtarit për karakterin e tyre?
Këta burra, a do të bënin më shumë të mira në jetën e tyre si peshkatarë apo si “peshkatarë njerëzish”? Përse?
Siç është ilustruar në këtë rrëfim, çfarë mund të ndodhë nëse ne i përgjigjemi menjëherë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Nëse ne i përgjigjemi menjëherë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë, Ai mund të bëjë që të arrijmë më shumë në jetën tonë sesa do të mundeshim ne me forcat tona vetjake.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson. Kërkojini klasës të mbajë vesh se si Zoti mund të bëjë të arrijmë më shumë në jetën tonë nëse ne e ndjekim Atë.
“Burra e gra që ia dorëzojnë jetën e vet Perëndisë do të zbulojnë se Ai mund të bëjë të arrijnë shumë më tepër në jetën e tyre sesa do të mundeshin ata. Ai do të thellojë gëzimet e tyre, do ta zgjerojë vizionin e tyre, do të gjallërojë mendjen e tyre, do t’i forcojë muskujt e tyre, do ta lartësojë shpirtin e tyre, do t’i shumëfishojë bekimet e tyre, do t’i shtojë mundësitë e tyre, do ta ngushëllojë shpirtin e tyre, do t’u sjellë miq e do të derdhë paqe. Kushdo që do ta humbasë jetën në shërbim të Perëndisë do të gjejë jetë të përjetshme”(“Jesus Christ—Gifts dhe Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 4).
Kur keni përjetuar ju vetë ose dikush që ju njihni bekime të ngjashme ngaqë latë pas shqetësimet e botës në mënyrë që të ndiqnit Shpëtimtarin?
Kur merrni parasysh bekimet që marrim nga ndjekja e Shpëtimtarit, përse mendoni se është e rëndësishme t’i përgjigjemi menjëherë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një përgjigje ndaj pyetjes vijuese:
Si mund t’i përgjigjeni më mirë ftesave të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë?
Nxitini studentët që ta zbatojnë atë që shkruan.
Mateu 4:23–25
Jezusi shkon kudo nëpër Galile duke dhënë mësim, predikuar e shëruar
Vërini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 4:23–25, duke kërkuar veprimet e Shpëtimtarit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë. Shpjegoni se raste të veçanta të mësimdhënies, predikimit dhe shërimit nga Shpëtimtari do të studiohen kudo nëpër Ungjijtë.
Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që studentët përcaktuan në mësim.