Mësimi 127
1 Thesalonikasve 1–2
Hyrje
Pali u shkroi shenjtorëve thesalonikas pasi mësoi se ata kishin qenë besnikë ndaj ungjillit në mes të përndjekjeve. Ai i lavdëroi ata për besnikërinë dhe gatishmërinë e tyre për ta dhënë mësim ungjillin. Pali përshkroi arsyen përse u predikoi shenjtorëve thesalonikas.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Thesalonikasve 1
Pali i lavdëron shenjtorët thesalonikas për besnikërinë e tyre gjatë pikëllimit
Ftojini studentët të tregojnë përvoja pozitive që kanë pasur kur janë përpjekur ta ndajnë ungjillin me të tjerët.
Cilat janë disa sfida që mund të përjetojmë ndërsa përpiqemi ta ndajmë ungjillin?
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Thesalonikasve 1–2, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë ata në përpjekjet e tyre për ta ndarë ungjillin.
Ftojini studentët të gjejnë vendndodhjen e Thesalonikit në Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”, që gjendet në shtojcën e kombinimit tresh. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë përshkrimin vijues të shenjtorëve në Thesaloniki:
Shenjtorët në Thesaloniki ishin disa nga europianët e hershëm të kthyer në besim në Kishë. Pali, Sila dhe Timoteu kishin predikuar fillimisht atje gjatë udhëtimit të dytë misionar të Palit, por u dëbuan nga qyteti prej disa udhëheqësve judeas (shih Veprat e Apostujve 17:5–15). Shenjtorët thesalonikas vazhduan të përndiqeshin madje edhe pasi Pali dhe shokët e tij [të misionit] u larguan. Më pas, Pali i shkroi letrën e tij shenjtorëve për t’i nxitur ata ndërkohë që përballeshin me përndjekjet.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 1:2–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Pali u gëzua për shenjtorët në Thesaloniki.
Përse u gëzua Pali për shenjtorët në Thesaloniki?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 1:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Pali ua kishte predikuar ungjillin thesalonikasve gjatë vizitës së tij të mëparshme.
Sipas vargut 5, si ua kishte predikuar Pali ungjillin thesalonikasve? (Më fjalë dhe me fuqinë e Perëndisë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni klasën të dëgjojë se kujt i referohet fjala dhe fuqia e ungjillit.
“Ungjilli i vërtetë përbëhet nga dy gjëra: Fjala dhe Fuqia. Çdokush mund ta ketë fjalën; librat në të cilat është shkruar janë në dispozicion për mbarë botën. Por fuqia duhet të vijë nga Perëndia; ajo është dhe duhet të jepet sipas mendjes dhe vullnetit të tij për ata të cilët pajtohen me ligjin, duke u dhënë atyre të drejtën për ta marrë atë.
Fjala e ungjillit është rrëfimi i folur ose i shkruar i gjërave që duhet të bëjë njeriu për t’u shpëtuar. …
Por shpëtimi i vërtetë vjen vetëm kur fuqia e Perëndisë merret dhe përdoret; dhe kjo fuqi është fuqia e priftërisë dhe fuqia e Frymës së Shenjtë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:42–43).
Sipas Plakut Mek-Konki, kujt i referohet fjala e ungjillit? Kujt i referohet fuqia e ungjillit?
Sipas vargut 6, çfarë bënë thesalonikasit pasi u ishte dhënë mësim ungjilli me anë të fjalës dhe fuqisë së Perëndisë? (Ata u bënë pasues të Zotit dhe shërbëtorë të Tij.)
Si do t’i përmblidhnit mësimet e Palit në vargjet 5–6 si një parim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne e japim mësim ungjillin e Jezu Krishtit me anë të fjalës dhe fuqisë së Perëndisë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen pasues të Zotit dhe shërbëtorë të Tij.)
Çfarë mund të bëjmë që ta përgatitim veten për ta dhënë mësim ungjillin me anë të fjalës dhe fuqisë së Perëndisë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 1:7–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tjetër bënë shenjtorët thesalonikas pasi e kishin marrë ungjillin.
Çfarë bënë tjetër shenjtorët thesalonikas pasi e kishin marrë ungjillin? Në ç’mënyrë shembulli i tyre ndikoi te besimtarët e tjerë përreth tyre?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund ta ndajmë ungjillin? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne mund ta ndajmë ungjillin nëpërmjet shembullit tonë.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë të vërtetë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:
“Mënyra më efikase për të predikuar ungjillin është nëpërmjet shembullit. Nëse jetojmë sipas besimeve tona, njerëzit do ta vënë re. Nëse shëmbëlltyra e Jezu Krishtit shkëlqen në jetën tonë [shih Alma 5:14], nëse jemi të gëzuar dhe në paqe me botën, njerëzit do të dëshirojnë ta dinë përse. Një nga predikimet më të shkëlqyera të shqiptuara [si rrallë herë] mbi punën misionare është mendimi i thjeshtë që i atribuohet Shën Françeskut të Asisit: ‘Predikojeni ungjillin gjithmonë [me sjellje] dhe, nëse është e nevojshme, përdorni fjalët’ [në William Fay and Linda Evans Shepherd, Share Jesus without Fear (1999), f. 22]”, (“Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 77).
Si mund të jetë të qenit një shembull një mënyrë më efikase për ta ndarë ungjillin sesa thjesht të folurit për ungjillin?
Në ç’mënyrë shembulli i dikujt ju ndihmoi qoftë ta pranonit ungjillin ose ta jetonit më plotësisht atë?
1 Thesalonikasve 2
Pali përshkruan se si ai dhe shokët e tij të misionit u shërbyen thesalonikasve
Shpjegoni se pasi Pali i lavdëroi shenjtorët thesalonikas për shembullin e tyre të drejtë, ai u kujtoi atyre dashurinë e tij për ta dhe shembullin që kishte vendosur kur ua kishte predikuar atyre më parë ungjillin.
Shkruajeni referencën vijuese të shkrimit të shenjtë dhe pyetjen në tabelë:
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Thesalonikasve 2:1–13 teksa klasa i ndjek. Ose, në vend që t’i ftoni studentët të lexojnë me zë të lartë, ju mund t’i ftoni ata të kërkojnë për këto vargje në grupe të vogla, në dyshe ose individualisht. Vërini studentët të kërkojnë fjalë ose fraza që përshkruajnë shembullin e drejtë që kishin vendosur Pali dhe shokët e tij [të misionit] për thesalonikasit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të vijnë në tabelë për të renditur një ose dy fjalë apo fraza që gjetën. Kërkojuni atyre të shpjegojnë se si ato fjalë apo fraza mund t’i udhërrëfejnë përpjekjet tona për të vendosur një shembull të drejtë për të tjerët.
Përmblidheni 1 Thesalonikasve 2:14–18, duke shpjeguar se Pali tha për shenjtorët në Thesaloniki që po përndiqeshin ngaqë po pranonin ungjillin. Ai u tha shenjtorëve se ishte përpjekur t’i vizitonte ata por ishte “peng[uar]” nga kundërshtari (vargu 18).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Thesalonikasve 2:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që përshkroi Pali si “shpresa …, a gëzimi, a … lavdi[a]” e tij (vargu 19).
Çfarë përshkroi Pali si “shpres[ën] …, a gëzimi[n], a … lavdi[në]” e tij?
Në ç’mënyrë shpresa, gëzimi dhe lavdia e Palit e pasqyrojnë shpresën, gëzimin dhe lavdinë e Atit Qiellor për ne?
Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat e përcaktuara në këtë mësim. Ftojini studentët të përsiatin mënyrën se si ata mund ta ndajnë ungjillin edhe duke folur për të edhe duke vendosur një shembull të drejtë. Nxitini ata të veprojnë sipas mbresave që marrin.