Biblioteka
Mësimi 78: Gjoni 18–19


Mësimi 78

Gjoni 18–19

Hyrje

Pasi udhëheqësit judeas e arrestuan dhe e morën në pyetje Jezusin, ata ia dorëzuan Atë Pilatit për ta gjykuar dhe dënuar. Pilati ra dakord për Kryqëzimin e Jezusit, edhe pse ai u bë i bindur për pafajësinë e Jezusit. Ndërsa ishte në kryq, Shpëtimtari e vendosi nënën e Tij nën përkujdesin e Apostullit Gjon. Pasi Jezusi u kryqëzua, trupi i Tij u vendos në një varr.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 18:1–32

Jezusi arrestohet dhe merret në pyetje nga udhëheqësit judeas, të cilët më pas e sjellin Atë përpara Pilatit

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:

Kur është më e vështira për t’u përkujdesur rreth mirëqenies së të tjerëve?

Ftojini disa studentë të shpjegojnë se si do t’i përgjigjeshin pyetjes në tabelë.

Shpjegoni se Jezu Krishti dhe guvernatori romak, Pilati, zgjodhën t’u jepnin përparësi ose vlerë gjërave të ndryshme gjatë ngjarjeve të përshkruara te Gjoni 18–19. Shkruani shqetësimet e Jezu Krishtit dhe shqetësimet e Pilatit në anë të ndryshme të tabelës. Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë teksa studiojnë Gjonin 18–19, e cila mund t’i ndihmojë të dinë se çfarë shqetësimesh duhet të zënë përparësi në jetën e tyre.

Përmblidheni Gjonin 18:1–3 duke shpjeguar se pasi Jezusi vuajti në Kopshtin e Gjetsemanit, Judë Iskarioti mbërriti me ushtarët e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe farisenjtë për ta arrestuar Jezusin.

  • Nëse do ta dinit që një grup ushtarësh të armatosur po afrohej për t’ju arrestuar dhe më së fundi për t’ju vrarë, cili mund të ishte reagimi juaj?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 18:4–11 dhe Lluka 22:50–51. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u përgjigj Jezusi kur ky grup mbërriti.

  • Çfarë u tha Jezusi atyre që erdhën për ta arrestuar Atë? (Ju mund të doni të shpjegoni që fjalët këta te Gjoni 18:8 dhe ata te Gjoni 18:9 u drejtohen Apostujve që ishin me Jezusin.)

  • Sipas këtyre vargjeve, për çfarë shqetësohej Jezu Krishti? (Ndërsa studentët përgjigjen, renditni frazat vijuese në tabelë nën fjalët “shqetësimet e Jezu Krishtit”: mbrojtja e Apostujve të Tij; shërimi i veshit të shërbëtorit; bërja e vullnetit të Atit Qiellor.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese nga Gjoni 18:12–32:

Jezusi i lejoi ushtarët ta arrestonin Atë. Ata e çuan Atë tek Ana, një prej udhëheqësve judeas, dhe më pas te Kajafa, kryeprifti, i cili u përpoq ta dënonte Jezusin me vdekje. Pjetri dhe një dishepull tjetër e ndoqën Jezusin. Kur tre njerëz të ndryshëm e pyetën Pjetrin nëse ai ishte njëri prej dishepujve të Jezusit, Pjetri e mohoi Atë çdo herë. Pasi Kajafa e mori në pyetje Jezusin, udhëheqësit judeas e çuan Jezusin te Pilati, guvernatori romak i provincës së Judesë, që të gjykohej dhe t’i jepej dënimi. Vetëm romakët kishin autoritetin që ta kryenin një dënim me vdekje në Jerusalem.

Shpjegoni se ky gjyq mund të ketë ndodhur në fortesën Antonia pranë tempullit. (Ju mund të merrni parasysh t’i ftoni studentët të kthehen te Harta 12 e Biblës, “Jeruzalemi në Kohën e Jezusit” në shtojcën e kombinimit tresh dhe kërkoni fortesën Antonia [figura 3 në hartë].)

Gjoni 18:33–19:16

Jezu Krishti nxirret në gjyq përpara Pilatit

Ftojini dy studentë të lexojnë me zë të lartë fjalët e Shpëtimtarit dhe të Pilatit, përkatësisht, të shënuara te Gjoni 18:33–37. (Ju mund t’i ftoni këta studentë përpara se të fillojë ora mësimore, që t’i gjejnë rreshtat që do të lexojnë.) Merrni parasysh të kryeni rolin e tregimtarit ose ftojeni një student tjetër që të jetë tregimtari. Teksa këta studentë i lexojnë pjesët e tyre, vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pilati donte të dinte rreth Jezusit.

  • Sipas Gjonit 18:33, çfarë donte të dinte Pilati rreth Jezusit?

Shpjegoni se udhëheqësit judeas e akuzuan Jezusin që shpalli se ishte mbreti i judenjve, sepse, në qoftë se Jezusi shpallte të ishte një mbret, Ai mund të dënohej për kryengritje ose tradhti kundër qeverisë romake (shih Gjoni 19:12), një krim që ishte i dënueshëm me vdekje.

  • Çfarë i shpjegoi Jezusi Pilatit? (Që mbretëria e Tij nuk ishte “e kësaj bote” [Gjoni 18:36] dhe se Ai kishte ardhur në tokë që “të dëshmo[nte] për të vërtetën” [Gjoni 18:37].)

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 18:38–40, duke kërkuar atë që Pilati arriti si konkluzion rreth Jezusit.

  • Çfarë arriti Pilati si konkluzion rreth Jezusit? (Ai tha se nuk mund të “gje[nte] në të asnjë faj” [vargu 38].)

  • Sipas vargut 39, çfarë bëri Pilati që të përpiqej për ta bërë Jezusin të lirohej?

Përmblidheni Gjonin 19:1–5 duke shpjeguar se ushtarët romakë e fshikulluan dhe e tallën Jezusin. Më pas Pilati e paraqiti Jezusin përpara njerëzve.

Ftojeni një student të lexojë në heshtje Gjonin 19:4, 6, duke kërkuar atë që Pilati ua përsëriti judenjve (“Nuk gjej në të asnjë faj”).

  • Nisur nga ngulmimi i Pilatit se ai nuk kishte gjetur asnjë faj në Jezusin, çfarë kishte të ngjarë të besonte Pilati se ishte gjëja e drejtë për t’u bërë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 19:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që udhëheqësit judeas i thanë Pilatit rreth Jezusit.

Ftojini studentët që lexuan fjalët e Pilatit, të Jezusit dhe të tregimtarit për t’i filluar sërish rolet e tyre dhe për të lexuar me zë të lartë nga Gjoni 19:8–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Pilatit kur dëgjoi se Jezusi kishte thënë që Ai ishte Biri i Perëndisë.

  • Si u përgjigj Pilati pasi udhëheqësit judeas i thanë se Jezusi kishte thënë që Ai ishte Biri i Perëndisë?

  • Nëse do të kishit qenë në vendin e Pilatit, si mund të ishit ndier pasi të dëgjonit atë që Jezusi tha rreth fuqisë suaj si guvernator? Përse?

Shpjegoni se deklarimi i Jezusit, i shënuar te vargu 11, rreth udhëheqësve judeas që kishin “faj më të madh”, vuri në dukje që nëse Pilati i dorëzohej kërkesës së turmës dhe urdhëronte që Jezusi të kryqëzohej, Pilati do të ishte fajtor për mëkatin, por jo në të njëjtën shkallë si ata që e kërkuan me këmbëngulje vdekjen e Jezusit.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mateun 27:19, duke kërkuar atë që gruaja e Pilatit e këshilloi atë të bënte. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 19:12–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për atë që Pilati u përpoq të bënte lidhur me Jezusin dhe mënyrën se si u përgjigjën judenjtë.

  • Sipas vargut 12, çfarë kërkoi të bënte Pilati?

  • Çfarë i thanë udhëheqësit judeas Pilatit kur mësuan se ai donte ta lironte Jezusin?

Kujtojuni studentëve se Cezari ishte perandori romak që ia kishte dhënë Pilatit pozitën e tij si guvernator i Judesë. Në shumë raste të mëparshme, Pilati i kishte urdhëruar ushtarët romakë t’i vrisnin judenjtë dhe ai i kishte përdhosur disa prej traditave të tyre të shenjta fetare. Veprimet e Pilatit i ishin raportuar Cezarit dhe Cezari e kishte qortuar Pilatin (shih kapitulli 34, shënimi 7, në James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 648–649).

  • Çfarë mund t’i kishte ndodhur Pilatit nëse judenjtë do të kishin raportuar se ai nuk ishte një “mik” për Cezarin (vargu 12)? (Nëse Cezari do të kishte dyshuar që Pilati nuk ishte besnik ndaj tij, Cezari mund ta kishte hequr Pilatin nga pozita dhe pushteti i tij si guvernator.)

Vini në dukje që Pilati duhej të zgjidhte midis mbrojtjes së vetë interesave të tij dhe lirimit të Shpëtimtarit, të cilin e dinte që ishte i pafajshëm.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Gjonin 19:16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pilati zgjodhi të bënte.

  • Çfarë zgjodhi të bënte Pilati?

  • Çfarë tregoi kjo zgjedhje rreth asaj që Pilati kishte të ngjarë të ishte më shumë i shqetësuar? (Ndërsa studentët përgjigjen, renditni frazat vijuese në tabelë nën fjalët “shqetësimet e Pilatit”: vetveten; pozitën dhe pushtetin e tij.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vendimi i Pilatit për t’i vendosur interesat e veta përpara lirimit të Shpëtimtarit, të cilin e dinte se ishte i pafajshëm? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Vënia e vetë interesave tona përpara bërjes së asaj që është e drejtë, do të na çojë drejt mëkatit.)

  • Cilat janë disa situata në të cilat ne mund të tundohemi për t’i vënë vetë interesat tona përpara bërjes së asaj që është e drejtë?

  • Çfarë mund të bëjmë që ta mposhtim tundimin për t’i vënë vetë interesat tona përpara bërjes së asaj që është e drejtë?

Ftojini studentët të kërkojnë atë që mund të mësojnë rreth karakterit të Krishtit në krahasim me karakterin e Pilatit teksa studiojnë çastet e fundit të jetës së Jezu Krishtit në vdekshmëri.

Gjoni 19:17–42

Jezusi kryqëzohet dhe trupi i Tij vendoset në një varr

Përmblidheni Gjonin 19:17–24 duke shpjeguar se Jezusi e mbarti kryqin e Tij drejt Golgotës, ku Ai u kryqëzua.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 19:25–27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cilët ishin të pranishëm kur Jezusi u kryqëzua.

  • Kush po qëndronte pranë kryqit kur Jezusi u kryqëzua? (Pasi studentët përgjigjen, shpjegoni se fraza “dishepullin që [Jezusi e] donte” [vargu 26] iu drejtua Apostullit Gjon, gjithashtu të njohur si Gjoni i Dashuri.)

  • Sipas vargjeve 26–27, për kë u shqetësua Jezusi teksa ishte i varur në kryq? Çfarë e udhëzoi Ai të bënte Gjonin? (Të kujdesej për nënën e Tij si të ishte nëna e Gjonit vetë. Në tabelë nën frazën “shqetësimet e Jezu Krishtit”, shkruani mirëqenia e nënës së Tij.)

Nëse është e mundur, jepuni studentëve kopje të thënies vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini një studenti ta lexojë thënien me zë të lartë.

Plaku Dejvid A. Bednar

“Karakteri zbulohet … në fuqinë për të dalluar vuajtjen e njerëzve të tjerë kur ne vetë po vuajmë; në aftësinë për të dalluar urinë e të tjerëve kur ne jemi të uritur; dhe në fuqinë për të ndihmuar dhe shtrirë dhembshuri për agoninë shpirtërore të të tjerëve kur ne jemi në mes të vetë ankthit tonë shpirtëror. Kështu, karakteri shfaqet duke kërkuar dhe duke u drejtuar jashtë vetes, kur përgjigjja e natyrshme dhe instinktive është që të jemi të përqendruar te vetja dhe të kthyer drejt vetes sonë. Nëse një zotësi e tillë është me të vërtetë krijimi përfundimtar i karakterit moral, atëherë Shpëtimtari i botës është shembulli i përsosur i një karakteri të tillë, të qëndrueshëm dhe bamirës” (“The Character of Christ” [Simpozium Fetar i Universitetit “Brigam Jang” – Idaho, 25 janar 2003], f. 2–3).

  • Nisur nga ajo që kemi mësuar prej Gjonit 18–19 rreth karakterit të Shpëtimtarit, çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur shembullin e Tij? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i ndihmojmë të tjerët edhe kur jemi vetë nevojtarë.)

  • Si mund ta mposhtim dëshirën që të shqetësohemi kryesisht për veten tonë dhe që të zgjedhim t’i ndihmojmë të tjerët edhe kur ne mund të jemi vetë nevojtarë?

  • Kur e keni parë dikë që ta ndjekë shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i ndihmojë të tjerët edhe kur ai ose ajo ishte nevojtar/e?

Ju mund të doni të jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe shembullin e përsosur që Ai e dha për vendosjen e nevojave të të tjerëve përpara nevojave të Tij. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëjnë për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit.

Përmblidheni Gjonin 19:28–42 duke shpjeguar se pasi Jezusi vdiq, Jozefi nga Arimatea i kërkoi Pilatit trupin e Jezusit. Jozefi dhe Nikodemi më pas e përgatitën trupin e Shpëtimtarit dhe e vendosën në një varr, të cilin e kishte dhuruar Jozefi.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 18:5–8. “Unë jam”

“Këto fjalë [‘unë jam’] përkthehen nga fraza greke egō eimi, e përdorur në shumë vende të tjera në librin e Gjonit për t’iu drejtuar hyjnishmërisë së Jezu Krishtit. … Pasi Shpëtimtari i tha këto fjalë, njerëzit dhe ushtarët ‘u zmbrapsën dhe ranë për dhe’ (Gjoni 18:6), ‘në dukje të paaftë për të ushtruar fuqi mbi Jezusin, në qoftë se nuk lejoheshin ta bënin këtë’ (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 1:780). ‘Dinjiteti i thjeshtë dhe forca e butë, prapëseprapë detyruese e pranisë së Krishtit, u provuan më të fuqishme sesa armët e forta dhe mjetet e dhunës’ (James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 615). Kjo hollësi tregon se Shpëtimtari kishte aftësinë t’i mposhtte robëruesit e Tij, por vullnetarisht iu nënshtrua arrestimit dhe kryqëzimit” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 256).

Gjoni 19:12, 16. Përse Pilati mori një vendim të cilin e dinte se ishte i gabuar?

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë këndvështrim të dobishëm lidhur me arsyen përse Pilati mori një vendim të cilin e dinte se ishte i gabuar:

“Ku gjendej shkaku i dobësisë së Pilatit? Ai ishte përfaqësuesi i perandorit, qeveritari perandorak me fuqinë për të kryqëzuar ose për të shpëtuar; zyrtarisht ai ishte një autokrat [sundimtar absolut]. Bindja e tij për pafajshmërinë e Krishtit dhe dëshira e tij për ta shpëtuar Atë nga kryqi janë përtej dyshimit. Përse u lëkund, ngurroi, pati mëdyshje Pilati dhe për më tepër i hapi udhë në kundërshtim me ndërgjegjen e tij dhe vullnetin e tij? Sepse, në fund të fundit, ai ishte më skllav sesa një njeri i lirë. Ai ishte nën robërinë e së shkuarës së tij. E dinte se nëse do të bëhej ankim për të në Romë, korruptimi dhe mizoritë e tij, grabitjet e tij dhe kasaphana e pajustifikueshme që ai kishte shkaktuar, të gjitha do të silleshin kundër tij. Ai ishte sundimtari romak, por njerëzit mbi të cilët ushtronte sundimin zyrtar, gjenin kënaqësi ta shihnin të strukej kur ata kërcisnin, me një goditje të egër mbi kokën e tij, kamxhikun e një raportimi kërcënues rreth tij te zotëria i tij perandorak, Tiberi” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 641).

Plaku Talmixh vëzhgoi më tej që “Pilati e dinte se çfarë ishte e drejtë, por i mungonte kuraja morale për ta bërë atë” (kapitulli 34, shënimi 7 te Jesus the Christ, f. 648).

Gjoni 19:31–36. “Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t’u thyheshin kërcinjtë”

Viktimat e kryqëzimit nganjëherë jetonin në torturë për disa ditë përpara se të vdisnin. Pasi të kishin vdekur njerëzit e kryqëzuar, romakët e kishin zakon t’i linin trupat në kryqe për të mos lejuar kriminelë të tjerë të ardhshëm. Megjithatë, ligji i Moisiut e ndalonte lënien e trupave të kriminelëve të varur në pemë për tërë natën (shih Ligji i Përtërirë 21:22–23). Gjithashtu, në rastin e kryqëzimit të Jezusit, ditën e nesërme ishte Shabati. Prandaj udhëheqësit judeas, duke dashur që trupat të hiqeshin nga kryqet përpara se të fillonte Shabati në perëndimin e diellit, kërkuan ta përshpejtonin vdekjen e tre burrave në kryqet duke kërkuar që të thyheshin kërcinjtë e tyre. Kjo do të shkaktonte që viktimat të vuanin ngërçim në kraharor dhe frymëmarrje të kufizuar, sepse ata nuk mundeshin më t’i përdornin këmbët për ta mbështetur peshën e tyre. Pas thyerjes së kërcinjve të dy burrave të tjerë të kryqëzuar, ushtarët romakë e gjetën Jezusin tashmë të vdekur dhe prandaj nuk patën nevojë t’i thyenin kërcinjtë e Tij.

Ky çast i rëndësishëm në kryq përmbushi një profeci të Dhiatës së Vjetër: “Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet” (Psalmi 34:20). Përveç kësaj, Zoti e kishte udhëzuar Izraelin që qengjat e Pashkës, të cilët paralajmëronin flijimin e Jezusit si Qengji i Perëndisë, nuk duhej t’i kishin kockat e tyre të thyera (shih Eksodi 12:46).