Mësimi 57
Lluka 22
Hyrje
Kur shërbesës së Tij në vdekshmëri po i vinte fundi, Jezusi paraqiti sakramentin, u mësoi dishepujve të Tij që t’u shërbenin të tjerëve dhe e urdhëroi Pjetrin që t’i forconte vëllezërit e tij. Flijimi shlyes i Shpëtimtarit filloi në kopshtin e Gjetsemanit. Ai u arrestua dhe u gjykua përpara Kajafas. Ndërsa Shpëtimtari po gjykohej, Pjetri e mohoi se e njihte Atë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Lluka 22:1–38
Shpëtimtari paraqet sakramentin dhe i udhëzon Apostujt e Tij
Kërkojini secilit student që të përfytyrojë (ose ju mund t’i ftoni dy studentë që ta dramatizojnë këtë veprimtari) sikur ai ose ajo dhe një pjesëtar i familjes janë ulur në dysheme. Pjesëtari i familjes dëshiron të ngrihet në këmbë dhe kërkon ndihmë.
Sa shumë mund t’i ndihmoni ata nëse ju qëndroni i/e ulur në dysheme?
Çfarë ndryshimi do të sillte nëse ju do të ishit ngritur më parë?
Shpjegoni se kjo analogji mund të na ndihmojë të kuptojmë atë që mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të ngrihen shpirtërisht.
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Llukën 22, të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë të dinë mënyrën se si t’i përkrahin të tjerët për t’u ngritur shpirtërisht.
Përmblidheni Llukën 22:1–30, duke u kujtuar studentëve se pranë fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari u takua me Apostujt e Tij për të kremtuar Pashkën. Gjatë asaj kohe, Shpëtimtari lajmëroi se një nga dishepujt e Tij do ta tradhtonte Atë, paraqiti ordinancën e sakramentit, urdhëroi që ai të vazhdonte të administrohej në kujtim të Tij dhe u mësoi Apostujve të Tij se ata që u shërbejnë të tjerëve janë më të mëdhenjtë e të gjithëve. Shpëtimtari i përgëzoi gjithashtu Apostujt e Tij që vazhduan me Të dhe u premtoi atyre se një ditë ata do të uleshin në frone dhe do të gjykonin dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 22:31–32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i tha Simon Pjetrit. Shpjegojini klasës se Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut 31 thotë: “Dhe Zoti tha: Simon, Simon, vër re, Satani dëshiron që të mund t’i shoshë fëmijët e Perëndisë ashtu siç shoshet gruri”.
Çfarë tha Shpëtimtari se donte Satani? (Satani donte ta shoshte Pjetrin dhe shenjtorët ashtu sikurse grurin.)
Shpjegoni se gruri shoshet duke i ndarë kokrrat e drithit nga pjesa tjetër e grurit.
Çfarë keni mësuar rreth Pjetrit, që tregon se ai tashmë e kishte një dëshmi? (Nëse është e nevojshme, kujtojuni studentëve që Pjetri kishte shpallur se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë [shih Mateu 16:13–17].)
Sipas vargut 32, çfarë duhej të përjetonte ende Pjetri përpara se të mund t’i forconte vëllezërit e tij?
Cili është ndryshimi midis të pasurit e një dëshmie për ungjillin dhe të qenit i kthyer në besim në ungjill? (Të pasurit e një dëshmie për ungjillin do të thotë se ne e kemi marrë një dëshmi shpirtërore të së vërtetës nëpërmjet Frymës së Shenjtë [shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dëshmi”, scriptures.lds.org]. Të qenit i kthyer në besim në ungjill do të thotë “ndryshim … i besimeve, zemrës dhe jetës [sonë] për të pranuar dhe për të bërë vullnetin e Perëndisë (Veprat e Apostujve 3:19)” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kthim, Kthyer (I)”, scriptures.lds.org]).
Bazuar në atë që Zoti i tha Pjetrit, çfarë mund të bëjmë ne kur kthehemi në besim në ungjill? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur ne kthehemi në besim në ungjillin e Jezu Krishtit, ne mund t’i forcojmë të tjerët. Merrni parasysh t’i ftoni studentët të shenjojnë frazat që e japin mësim këtë të vërtetë në vargun 32.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 22:33–34. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si reagoi Pjetri ndaj këshillës së Shpëtimtarit për t’u bërë i kthyer në besim dhe për t’i forcuar vëllezërit e tij.
Si reagoi Pjetri ndaj këshillës së Shpëtimtarit?
Çfarë profetizoi Shpëtimtari se do të bënte Pjetri?
Shpjegoni se një variant më i hollësishëm i këtij rrëfimi është shënuar te Mateu 26. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 26:35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri i tha Shpëtimtarit pasi e dëgjoi profecinë.
Si reagoi Pjetri pasi e dëgjoi këtë profeci?
Çfarë na mëson reagimi i Pjetrit rreth asaj çka ai mendonte për fuqinë e dëshmisë së tij?
Lluka 22:39–53
Shpëtimtari vuan në Gjetseman, djersa i bëhet si gjak i mpiksur dhe tradhtohet nga Juda
Shpjegoni që pas Pashkës, Shpëtimtari dhe Apostujt e Tij shkuan në kopshtin e Gjetsemanit. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 22:39–43. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari pasi erdhi në kopshtin e Gjetsemanit. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.
Sipas vargut 43, kush e ndihmoi Shpëtimtarin që të kishte forcën për të bërë vullnetin e Atit Qiellor?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj që do të bëjë Ati Qiellor për ne, nëse kërkojmë të bëjmë vullnetin e Tij? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të jetë e qartë se, nëse jemi të gatshëm t’i bindemi Atit Qiellor, Ai do të na japë forcën për ta bërë vullnetin e Tij.)
Cilat janë disa nga mënyrat në të cilat Ati Qiellor mund të na forcojë?
Shpjegoni se në shumicën e rasteve, ndihma që ne marrim nga Ati Qiellor nuk do të vijë nga shfaqja e engjëjve, porse Ai do të na ndihmojë në mënyrat që i di se janë më të mira për ne. Ftojini studentët të përsiatin për një rast kur ata u ndien të forcuar nga Ati Qiellor, ndërsa kërkuan të bëjnë vullnetin e Tij.
Shpjegoni se rrëfimi i Llukës për vuajtjen e Shpëtimtarit në kopshtin e Gjetsemanit përfshin një hollësi të rëndësishme që nuk përfshihet në rrëfimet e dhëna nga Mateu dhe Marku. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 22:44. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si e përshkroi Lluka vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman.
Si e përshkroi Lluka vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë fjalët në vargun 44 që japin mësim të vërtetën vijuese: Djersa e Jezu Krishtit u bë si gjak i mpiksur ndërsa Ai vuante në kopshtin e Gjetsemanit. Ju mund të doni të vini në dukje se ky aspekt i vuajtjes së Shpëtimtarit u profetizua më shumë se një shekull më parë [shih Mosia 3:7].)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej atë që përjetoi Shpëtimtari, shpjegoni se Shpëtimtari e përshkroi vetë vuajtjen e Tij në një zbulesë të dhënë përmes Profetit Jozef Smith të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 19. Merrni parasysh që t’i ftoni studentët të bëjnë referencë kryq Doktrinën e Besëlidhjet 19:18 me Llukën 22:44 në shkrimet e tyre të shenjta. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 19:18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Shpëtimtari vuajtjen e Tij.
Çfarë hollësish të tjera mësojmë për vuajtjen e Shpëtimtarit nga vetë përshkrimi i Tij te vargu 18? (Vuajtja e Jezu Krishtit e bëri Atë “të dridhe[j] për shkak të dhembjes … [t’i] d[ilte] gjak nga çdo por dhe të vua[nte] si në trup e në shpirt”.)
Çfarë mendimesh keni kur dini se Jezu Krishti vuajti kaq shumë për juve?
Përmblidheni Llukën 22:45–48, duke shpjeguar se pasi Shpëtimtari vuajti në Gjetseman, Ai u tradhtua nga Judë Iskarioti.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 22:49–51. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Pjetri kur krerët e priftërinjve dhe të tjerët erdhën për ta arrestuar Jezusin (shih Gjonin 18:10, i cili është i vetmi rrëfim që e përcakton Pjetrin si Apostulli që preu veshin e shërbëtorit.)
Çfarë i bëri Pjetri shërbëtorit të kryepriftit?
Çfarë është e mrekullueshme rreth asaj që bëri Shpëtimtari për shërbëtorin?
Përmblidheni Llukën 22:52–53, duke shpjeguar që Shpëtimtari pyeti përse krerët e priftërinjve dhe të tjerët po e arrestonin Atë gjatë natës, në vend që ta bënin ditën kur Ai ishte në tempull.
Lluka 22:54–71
Jezusi gjykohet përpara sinedrit dhe Pjetri mohon se e njeh Atë
Përmblidheni Llukën 22:54, duke shpjeguar se kur Shpëtimtari u çua në shtëpinë e kryepriftit për t’u gjykuar, Pjetri e ndoqi Atë.
Ndajini studentët në dyshe. Jepini çdo dysheje një kopje të tabelës vijuese (ose shkruajeni atë në dërrasë). Ftojini studentët që t’i lexojnë shkrimet e shenjta të referuara në tabelë dhe ta plotësojnë tabelën me partnerët e tyre.
Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 57
Çfarë i ndodhi Pjetrit? | Çfarë tha Pjetri? | |
---|---|---|
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat.
Si mendoni ju, përse Pjetri mund të ketë qenë i tunduar t’ia mohonte secilit prej këtyre njerëzve se e njihte Jezusin?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 22:61–62. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi pasi Pjetri e mohoi se e njihte Shpëtimtarin.
Çfarë ndodhi pasi Pjetri e mohoi se e njihte Shpëtimtarin?
Nëse është e mundur, paraqitni figurën Mohimi i Pjetrit, nga Karl Hajnrih Bloh. Kjo figurë gjendet në LDS.org.
Nëse do të kishit qenë në vend të Pjetrit, çfarë mendimesh apo ndjenjash mund të kishit pasur kur Shpëtimtari t’ju shihte ju? Përse?
Si e ilustron përvoja e Pjetrit ndryshimin midis të pasurit e një dëshmie për ungjillin dhe të qenit i kthyer në besim tek ai?
Shpjegoni që megjithëse Pjetri kishte një dëshmi për ungjillin, ai ende nuk ishte plotësisht i kthyer në besim. Megjithatë, ai e pranoi dobësinë e tij, u kthye plotësisht në besim, dhe ia përkushtoi jetën e tij shërbimit ndaj Perëndisë dhe përhapjes së ungjillit.
Çfarë mësimesh mund të marrim nga përvoja e Pjetrit?
Përmblidheni Llukën 22:63–71, duke shpjeguar se Shpëtimtari u përqesh dhe u godit nga krerët e priftërinjve.
Përfundojeni mësimin duke i ftuar studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa gjëra që ata mund të bëjnë, të cilat mund t’i ndihmojnë të bëhen me të vërtetë të kthyer në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Nxitini ata që këtë javë të bëjnë njërën prej gjërave në listën e tyre.