Seminari
Njësia 2: Dita 2, 1 Nefi 2


Njësia 2: Dita 2

1 Nefi 2

Hyrje

Njerëzit i përgjigjen zbulesës nga Perëndia në mënyra të ndryshme. Zoti e urdhëroi Lehin në një ëndërr që ta çonte familjen e tij në vendin e shkretë. Lamani dhe Lemueli mërmëritën kundër urdhrave të Perëndisë, ndërkohë që Nefi kërkoi një dëshmi miratuese. Krahasimi i reagimeve të tyre të ndryshme do t’ju ndihmojë të vendosni si ta përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes kur i përgjigjeni udhëzimit të Zotit.

1 Nefi 2:1–7

Perëndia e urdhëron Lehin të niset për në vendin e shkretë

Përfytyroni sikur të ishit Lehi dhe Zoti do t’ju kërkonte juve dhe familjes suaj të linit shtëpinë tuaj dhe të gjitha zotërimet tuaja. Do t’ju duhej të ecnit për ditë të tëra dhe mund të merrnit rezerva ushqimore vetëm për të mbështetur nevojat e familjes suaj. Mendoni se si do t’i përgjigjeshit një kërkese të tillë.

Karvani i familjes së Lehit

Lexoni 1 Nefin 2:1–6 dhe shikoni për rrethanat që çuan në largimin e Lehit dhe të familjes së tij për në vendin e shkretë.

Përse njerëzit “kërkuan të merrnin jetën [e Lehit]”? (shih 1 Nefi 2:1).

Çfarë e urdhëroi Zoti Lehin të bënte? (shih 1 Nefi 2:2).

Lehi është një shembull i parimit të ungjillit se kur jemi besnikë dhe të bindur, Zoti do të na ndihmojë në kohë sprove.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjes vijuese për 1 Nefin 2:4: Çfarë mund të mësoni nga zgjedhjet e Lehit se çfarë të merrni dhe çfarë të lini prapa?

Për t’ju ndihmuar që ta kuptoni më mirë gjeografinë e udhëtimit të Lehit, shqyrtoni hartën në fund të mësimit.

Lexoni 1 Nefin 2:7 dhe vini re se çfarë bëri Lehi pasi u largua me familjen e tij për të udhëtuar në vendin e shkretë. Çfarë fjale mund të përdorni për të përshkruar një tipar të rëndësishëm karakteri që shfaqi Lehi?

1 Nefi 2:8–14

Lamani dhe Lemueli mërmërisin kundër të atit

Të katër bijtë e Lehit bënë të njëjtin udhëtim, por e bënë atë me qëndrime të ndryshme ndaj urdhërimeve të Perëndisë.

Studioni 1 Nefin 2:8–10 dhe qarkoni fjalët lumë dhe luginë.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani mendimet tuaja për pyetjen vijuese: Si mendoni ju, çfarë u përpoq t’u mësonte Lehi Lamanit dhe Lemuelit, duke i krahasuar ata me një lumë dhe një luginë?

Lexoni 1 Nefin 2:11–14 dhe gjeni arsyet përse Lamani dhe Lemueli mërmëritën kundër të atit. (Shënim: Fjala kokëfortësi do të thotë kryeneçësi dhe krenari.)

Një arsye pse Satani nxit mërmëritjen është që t’i pengojë njerëzit të ndjekin profetët e gjallë, udhëheqësit e frymëzuar dhe prindërit. Plaku H. Ros Uorkman, i Të Shtatëdhjetëve, foli për mërmëritjen. Ai tha se “mërmëritja përbëhet nga tre hapa, secili duke çuar te hapi tjetër, në një shteg që zbret drejt mosbindjes”.

Plaku H. Ros Uorkman

Së pari, kur njerëzit mërmërisin, ata përdorin gjykimin e tyre dhe fillojnë t’i vënë në dyshim mësimet e profetëve të gjallë. “Ata [dyshojnë] fillimisht në vetë mendjen e tyre dhe më pas i [rrënjosin] dyshimet në mendjet e të tjerëve.”

Së dyti, ata që mërmërisin, fillojnë të “arsyetojnë dhe ta justifikojnë veten nga të bërit e asaj që ata [janë] udhëzuar të bëjnë. … Në këtë mënyrë, ata [krijojnë] një justifikim për mosbindjen.

Hapi i tretë pason në mënyrë të pashmangshme: plogështia në ndjekjen e urdhërimit të Mësuesit [shih DeB 58:29]. …

Unë ju ftoj të përqendroheni tek urdhërimi që është dhënë nga profetët e gjallë, që ju shqetëson më shumë. A e vini në dyshim nëse urdhërimi është i zbatueshëm për ju? A gjeni me lehtësi justifikime përse ju nuk mund të pajtoheni tani me urdhërimin? A ndiheni të zemëruar ose të nervozuar me ata që jua kujtojnë urdhërimin? A jeni të ngadaltë në mbajtjen e tij? Ruhuni nga dinakëria e kundërshtarit. Ruhuni nga mërmëritja” (“Beware of Murmuring”, Ensign, nëntor 2001, f. 85–86).

Lehi dhe familja
  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mund të bëni nëse e gjeni veten duke mërmëritur (duke u ankuar) për një urdhërim apo standard të Kishës?

1 Nefi 2:16–19

Nefi kërkon kuptueshmëri nga Zoti

Lexoni 1 Nefin 2:16, 19 dhe shenjoni se çfarë donte Nefi dhe çfarë bëri ai që e çoi atë të pranonte urdhërimet e Zotit të dhëna përmes atit të tij. Edhe pse Nefi nuk mërmëriti, Përsiatni se si ajo që ai shkroi te 1 Nefi 2:16 për zbutjen e zemrës së tij nga Zoti, lë të kuptojë se largimi nga Jerusalemi mund të ketë qenë i vështirë edhe për të.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, tregoni një shembull të një rasti kur, sikurse Nefi, ju i thirrët Atit Qiellor dhe përjetuat zbutje të zemrës suaj përmes Shpirtit, ose të një rasti kur morët dëshmi për diçka që tha Zoti.

Përvoja e Nefit na mëson parimin vijues të ungjillit: Kur i thërrasim Perëndisë, Ai mund t’i zbutë zemrat tona që t’u besojmë fjalëve të Tij.

Lexoni 1 Nefin 2:17–18 dhe përcaktoni dëshirat dhe veprimet e Nefit pasi Zoti e zbuti zemrën e tij. Mendoni se çfarë mund të mësoni nga reagimet e ndryshme të Nefit, Samit, Lamanit dhe Lemuelit. Sa vijon është një e vërtetë e rëndësishme: Kur ne e themi atë që kemi mësuar nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, të tjerët mund t’i besojnë fjalët tona.

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për një rast kur fjalët e dikujt ju bënë që ta besonit fjalën e Perëndisë, ashtu si Sami i besoi Nefit.

Mendoni për dikë të cilit mund t’i tregoni diçka që Shpirti ju ka ndihmuar të mësoni dhe të ndieni së është e vërtetë. Mund të jetë një mik, një anëtar i familjes tuaj, një udhëheqës Kishe apo një mësues. Gjeni mundësinë këtë javë për të biseduar me atë person dhe për ta dhënë atë dëshmi.

1 Nefi 2:20–24

Zoti e siguron Nefin se ai do të përparojë nëpërmjet bindjes së tij

Gjeni dhe shenjoni premtimin që përmbahet te 1 Nefi 2:20–21. Ky premtim haset 34 herë gjatë gjithë Librit të Mormonit. Gjatë studimit tuaj të Librit të Mormoni ju do të shihni se si fjalët e Zotit thënë Nefit u përmbushën plotësisht. Përfundojeni mësimin e sotëm duke lexuar 1 Nefin 2:22–24.

Perëndia i bekon ata që janë të bindur dhe besnikë. Përsiatni për nivelin tuaj të bindjes në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë. Cila është një mënyrë që ju mund të jeni më të bindur? Ndiqini plotësisht nxitjet që merrni nga Shpirti.

  1. journal iconShkruani sa më poshtë në fund të detyrave të sotme, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Nefin 2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe pikëpamje shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: